Shkrimet e Shenjta
3 Nefi 8


Kapitulli 8

Stuhi, tërmete, zjarre, vorbulla ere dhe tronditje të mëdha natyrore dëshmojnë kryqëzimin e Krishtit—Shumë njerëz shkatërrohen—Errësira mbulon tokën për tri ditë—Ata që mbesin, qahen për fatin e tyre. Rreth 33–34 pas K.

1 Dhe tani ndodhi që sipas analit tonë dhe ne e dimë se anali ynë është i vërtetë, pasi vini re, anali u mbajt nga një njeri i drejtë—pasi ai bëri me të vërtetë shumë mrekulliemrin e Jezusit; dhe nuk kishte asnjë njeri që të mund të bënte mrekulli në emrin e Jezusit po të mos ishte krejtësisht i pastër nga paudhësia e tij—

2 Dhe tani ndodhi, në qoftë se ky njeri nuk bëri gabim në llogaritjen e kohës sonë, viti i tridhjetetretë kaloi;

3 Dhe njerëzit filluan të pritnin me padurim të madh shenjën që u parashikua nga profeti Samuel Lamaniti, po, për çastin kur për hapësirën e tri ditëve, do të kishte errësirë mbi faqen e dheut.

4 Dhe filloi të kishte dyshime dhe grindje të mëdha mes popullit, megjithëse ishin dhënë kaq shumë shenja.

5 Dhe ndodhi që në vitin e tridhjetekatërt, në muajin e parë, ditën e katërt të muajit, u ngrit një stuhi e madhe, një e tillë që s’ishte parë kurrë më parë në gjithë tokën.

6 Dhe pati gjithashtu dhe një furtunë të madhe dhe të tmerrshme; dhe pati gjithashtu bubullima të tmerrshme, kaq sa tundën tërë tokën, sikur po çahej më dysh.

7 Dhe pati vetëtima jashtëzakonisht të forta, që nuk ishin parë kurrë më parë në të gjithë tokën.

8 Dhe qyteti i Zarahemlës mori zjarr.

9 Dhe qyteti i Moronit u fundos në thellësitë e detit dhe banorët e tij u mbytën.

10 Dhe dheu mbuloi qytetin e Moronihës, kështu që në vend të qytetit u ngrit një mal i madh.

11 Dhe në tokën në jug pati një shkatërrim të madh dhe të tmerrshëm.

12 Por vini re, në tokën në veri pati një shkatërrim akoma më të madh dhe më të tmerrshëm; pasi vini re, e tërë faqja e tokës ndryshoi për shkak të furtunës dhe vorbullave të erërave, dhe të bubullimave, dhe vetëtimave, dhe të dridhjeve jashtëzakonisht të mëdha në të tërë tokën;

13 Dhe rrugët u çanë dhe udhët e rrafshta u prishën; dhe shumë vende që ishin të sheshta u bënë shkëmbore.

14 Dhe shumë qytete të mëdha dhe të njohura u fundosën; dhe shumë u dogjën dhe shumë u lëkundën, derisa ndërtesat e tyre ranë përdhe dhe banorët e tyre u vranë dhe vendet u lanë të shkreta.

15 Dhe pati ca qytete që qëndruan; por dëmet në to qenë jashtëzakonisht të mëdha dhe pati shumë në to që u vranë.

16 Dhe pati disa që u përpinë nga vorbullat e erës; dhe se ku shkuan, askush s’e di, dinë vetëm se u morën.

17 Dhe kështu e tërë faqja e dheut u deformua, për shkak të stuhive dhe të bubullimave dhe të vetëtimave, dhe të lëkundjes së tokës.

18 Dhe vini re, shkëmbinjtë u çanë më dysh; ata u copëtuan mbi faqen e tërë tokës, kaq sa u gjetën të thyer në copa dhe me plasa dhe të çara, mbi gjithë faqen e tokës.

19 Dhe ndodhi që kur bubullimat dhe vetëtimat dhe stuhia, dhe furtuna, dhe tërmetet e tokës pushuan—pasi vini re, ato zgjatën për hapësirën e rreth tri orëve; dhe disa thanë se zgjatën më shumë; megjithatë, të gjitha këto gjëra të mëdha dhe të tmerrshme u bënë në hapësirën e rreth tri orëve—dhe atëherë vini re, tërë faqen e dheut e mbuloi një errësirë.

20 Dhe ndodhi që mbi gjithë faqen e tokës pati një errësirë të plotë, kaq sa banorët që ishin në të, që nuk kishin rënë, mund të ndienin avullin e errësirës.

21 Dhe për shkak të errësirës nuk ishte e mundur të kishte dritë, as qirinj, as pishtarë; as nuk mund të ndizej zjarr me drurin e tyre të hollë dhe jashtëzakonisht të thatë, kështu që nuk kishte mundësi fare të kishte ndonjë dritë;

22 Dhe as që shihej ndonjë dritë, as zjarr, as ndonjë dritë e zbehtë, as dielli, as hëna, as yjet, pasi kaq të rënda qenë mjegullat e errësirës që ishin mbi faqen e tokës.

23 Dhe ndodhi që zgjati për hapësirën e tri ditëve që nuk u pa dritë; dhe pati rënkime dhe ulërima, dhe vajtime të mëdha vazhdimisht mes gjithë popullit; po, të mëdha qenë kujat e njerëzve, për shkak të errësirës dhe të shkatërrimit të madh që ra mbi ta.

24 Dhe në një vend ata u dëgjuan të thërrisnin, duke thënë: O, sikur të ishim penduar para kësaj dite të madhe dhe të tmerrshme dhe atëherë vëllezërit tanë do të kishin shpëtuar, dhe nuk do të ishin djegur në atë qytet të madh të Zarahemlës.

25 Dhe në një vend tjetër ata u dëgjuan të thërrisnin dhe të vajtonin, duke thënë: O, sikur të ishim penduar para kësaj dite të madhe dhe të tmerrshme dhe të mos i kishim vrarë dhe zënë me gurë profetët, dhe të mos i kishim dëbuar; atëherë nënat tona dhe bijat tona të bukura, dhe fëmijët tanë do të kishin shpëtuar dhe nuk do të ishin varrosur në atë qytet të madh të Moronihës. Dhe kështu ishin kujat e njerëzve, të mëdha dhe të tmerrshme.