Mësime të Presidentëve
Kapitulli 8: ‘Më Heto, O Perëndi, dhe Njihe Zemrën Time’


Kapitulli 8

“Më Heto, O Perëndi, dhe Njihe Zemrën Time”

Shenjtorët e drejtë të ditëve të mëvonshme përpiqen të “krijojnë një karakter përpara Perëndisë, tek i cili të mund të mbështeten në kohën e sprovës”.

Nga Jeta e Lorenco Snout

Më 15 dhjetor 1899, Presidenti Lorenco Snou, atëherë President i Kishës, foli në funeralin e Presidentit Frenklin D. Riçards, që pati shërbyer si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Nga fundi i predikimit të tij, Presidenti Snou tha: “Unë i kërkoj Zotit të Izraelit të bekojë shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe që ne të mund të jemi të përgatitur për ngjarjet në të ardhmen e afërt, me zemrat tona të pastra përpara Zotit”.

Duke ilustruar nevojën për të mbajtur “zemrën tonë të pastër përpara Zotit”, Presidenti Snou tregoi për një përvojë që ai dhe Presidenti Riçards patën së bashku në vitet 1850, kur ata ishin Apostuj të rinj. Në atë kohë, Presidenti Brigam Jang po udhëhiqte një reformë në Kishë, duke u bërë thirrje shenjtorëve të ditëve të mëvonshme kudo që të pendoheshin dhe të rifreskonin zotimin e tyre për një jetesë të drejtë.

“Kur Presidenti Jang ishte ngritur për t’u bërë thirrje njerëzve që të pendoheshin dhe të përmirësoheshin”, kujtonte Presidenti Snou, “ai fliste shumë fuqishëm mbi çfarë duhej të bëhej me disa njerëz – të cilëve duhej t’u hiqej priftëria, për shkak të dështimit të tyre për ta lartësuar atë siç duhej të kishin bërë. Vëllezërit që jetonin në ato ditë, do të kujtojnë se sa fuqishëm fliste ai në këtë mënyrë. Mirë, kjo ndikoi në zemrën e Vëllait Frenklin dhe ndikoi në zemrën time gjithashtu; dhe ne e diskutuam çështjen lidhur me veten tonë. Ne vendosëm se duhet të shkonim te Presidenti Jang dhe t’i dorëzonim Priftërinë tonë. Nëse ai ndiente në emër të Zotit se ne nuk e patëm lartësuar priftërinë tonë, ne do të hiqnim dorë prej saj. Ne shkuam tek ai, e gjetëm vetëm dhe ia treguam atij këtë. Mua m’u duk se pati lot në sytë e tij kur tha: ‘Vëlla Lorenco, Vëlla Frenklin, ju e keni lartësuar priftërinë tuaj kënaqshëm për Zotin. Perëndia ju bekoftë.’”1

Gjatë gjithë jetës Presidenti Snou donte që zemra e tij të ishte e pastër përpara Zotit, dhe gjithashtu i nxiti shenjtorët të këqyrnin vetë denjësinë e tyre. Ai fliste me “një mënyrë që e rriste kuptimin tonë” për nevojën e krijimit të “një karakteri të përshtatshëm, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, përpara Perëndisë Atit tonë”2. [Shih sugjerimin 1 në faqen 128.]

Mësime të Lorenco Snout

Nëse kemi krijuar një karakter të përshtatshëm, ne mundemi me besim ta ftojmë Perëndinë të këqyrë zemrat tona.

Përshtypja ime më e fuqishme është se elementi më i vlefshëm dhe që do të na shërbejë më shumë kur të kthehemi te bota e shpirtrave, do të jetë ai që ne kemi krijuar një karakter të përshtatshëm dhe të përkufizuar mirë si shenjtorë besnikë e të qëndrueshëm në këtë gjendje prove.

Në rastet kur një i huaj bën kërkesë për punësim, ose një post ku kërkohet mirëbesim, shpesh kërkohet që ai të nxjerrë dokumente që dëshmojnë denjësinë e tij nga njerëz të besueshëm, letra rekomandimi dhe letra prezantimi që janë tej mase të dobishme në mënyrën e tyre, duke ndihmuar të arrihen favore e privilegje që ndryshe do të ishte e vështirë të siguroheshin. Është, sidoqoftë, relativisht e lehtë të marrësh një ‘karakter’ të shkruar, të themi, një referencë që njeriu mund ta fusë në xhepin e vet; dhe, vërtet, sipas vëzhgimit tim nuk është i rrallë rasti që njerëzit mbajnë referenca të shkruara të cilat nuk e vërtetojnë karakterin e tyre real dhe të vërtetë.

Ka nga ata midis nesh që njihen si anëtarë të kësaj Kishe, të cilët bëjnë përpjekje të mëdha që të njihen për mirë nga ata që kanë përreth, por karakteri real i të cilëve, ose brendësia të themi, e njerëzve të tillë, është e fshehur apo e maskuar. … Tani kjo lutje të cilës [i referohem] – “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia. dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme” [Psalmeve 139:23–24] – është shumë kuptimplote; kjo qe një lutje që Davidi në drejtimin kryesor të jetës së tij mundi t’ia drejtonte Zotit me ndërgjegje dhe me një shkallë besimi. Por pati raste kur ai, në ofrimin e një lutjeje të këtij lloji, do të provonte ndjesinë e ngurrimit dhe të lëkundjes prej dobësisë.

Unë kam arsye të besoj se shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, gjatë një pjese të madhe të jetës së tyre, mund t’i afrohen Zotit me të gjithë besimin dhe të bëjnë po këtë lutje – “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe”, por nëse ne, si popull, mund të jetojmë në mënyrë të tillë që të jemi në gjendje në të gjitha kohërat të përkulemi përpara Zotit dhe t’i ofrojmë një lutje të tillë, kjo do të ishte një gjë shumë e hirshme, do të ishte një arritje që do ta kishim fituar me drejtësi dhe vepra të mira. … Unë do të rekomandoja që [çdo person] ta përshtaste këtë lutje të Davidit dhe të shihte se sa shumë mund të jetonte sipas dritës që ka, në mënyrë që ta bënte atë të gjithë pjesë të sinqertë të lutjeve të veta ndaj Perëndisë. Shumë vetë nuk arrijnë të vijnë deri te ky standard epërsie ngaqë bëjnë gjëra në fshehtësi ku syri i vdekshëm nuk mund të depërtojë, të cilat kanë një prirje të drejtpërdrejtë për t’i ndarë nga i Plotfuqishmi dhe për ta larguar Shpirtin e Perëndisë. Persona të tillë, kur janë vetëm, nuk munden ta bëjnë këtë lutje; ata nuk munden përveçse në janë penduar për mëkatet e tyre e kanë ndrequr gabimet që mund të kenë bërë dhe të kenë vendosur të veprojnë më mirë në të ardhmen nga sa kanë vepruar në të shkuarën, dhe kështu të krijojnë një karakter përpara Perëndisë, tek i cili të mund të mbështeten në kohën e sprovës dhe i cili do t’i bëjë ata të denjë të shoqërohen me qeniet e shenjta dhe me vetë Atin, kur ata të kenë kaluar në botën e shpirtrave.

… Ne duhet të jemi burra të vërtetë dhe gra të vërteta; duhet të kemi besim shumë të zhvilluar dhe duhet të jemi të denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë që të na ndihmojë në punën e drejtësisë gjatë gjithë kohës, që të na aftësojë për të sakrifikuar vullnetin tonë për vullnetin e Atit, për të luftuar kundër natyrës sonë të rënë dhe për të vepruar drejt nga dashuria për të vepruar drejt, duke i mbajtur sytë tanë drejtuar vetëm nga nderi dhe lavdia e Perëndisë. Për ta bërë këtë duhet të ketë një ndjenjë të brendshme të mendjes që është e ndërgjegjshme për përgjegjësinë në të cilën ndodhemi, e cila e njeh faktin se syri i Perëndisë është mbi ne dhe se për çdo veprim tonin dhe shtysë që e nxit atë veprim duhet të jepet llogari; dhe ne duhet të jemi vazhdimisht en rapport [në harmoni] me Shpirtin e Zotit.3 [Shih sugjerimin 2 në faqen 128.]

Shembujt në shkrimet e shenjta na mësojnë si ta përmirësojmë karakterin tonë.

Ka shumë gjëra që unë i admiroj në karakterin e profetëve dhe veçanërisht në atë të Moisiut. Unë admiroj vendosmërinë e tij për të plotësuar fjalën dhe vullnetin e Perëndisë në lidhje me Izraelin dhe gatishmërinë e tij për të bërë gjithçka që ishte brenda fuqisë së njeriut, të ndihmuar nga i Plotfuqishmi; dhe mbi të gjitha unë admiroj integritetin dhe besnikërinë e tij ndaj Zotit. …

Perëndia i admiron sot burrat dhe gratë që ndjekin drejtimin e moralit të lartë dhe që, pavarësisht nga fuqitë e Satanit që janë rreshtuar kundër tyre, mund të thonë: “Largohu prej meje, Satana” [shih Lluka 4:8], dhe që jetojnë një jetë të drejtë e të perëndishme; dhe njerëz të tillë kanë ndikim te Perëndia dhe lutjet e tyre kanë shumë fuqi [shih Jakobi [Bibël] 5:16]. Moisiu, për shembull, pati një fuqi të tillë te i Plotfuqishmi sa të ndryshonte qëllimin e Tij [e Perëndisë] në një rast të caktuar. Do të mbahet mend që Zoti u inatos me izraelitët dhe i tha Moisiut se do t’i shkatërronte dhe se do ta merrte Moisiun e do të krijonte prej tij një popull të madh, dhe do t’i jepte atij e pasardhësve të tij atë që i pati premtuar Izraelit. Por ky udhëheqës e ligjvënës i madh, Moisiu, besnik ndaj detyrës së tij, qëndroi midis Perëndisë dhe popullit të Tij dhe iu lut Zotit në emër të popullit të tij; me anë të fuqisë që mund të ushtronte dhe që ushtroi, ai qe mjeti i shpëtimit të popullit nga shkatërrimi kërcënues. [Shih Eksodi 32:9–11; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Eksodi 32:12.] Sa fisnik dhe i lavdishëm duhet të jetë dukur Moisiu në sytë e Zotit, dhe çfarë burimi kënaqësie duhet të ketë qenë për Të që të dinte se njerëzit e Tij të zgjedhur, në gjendjen e tyre kokëfortë dhe të paditur, kishin një burrë si Moisiu për t’i udhëhequr.

Te Jona përsëri ne gjejmë një tipar interesant të karakterit. Kur qe mbi ujërat e egërsuara dhe frikërat u shprehën nga detarët lidhur me aftësinë e tyre për të shpëtuar anijen, Jona duke u ndier fajtor, si pasojë e zgjedhjes që pati bërë duke mos shkuar në Ninive siç ishte urdhëruar nga Zoti, doli dhe pranoi vetë se ishte shkaku i shkatërrimit që mund t’u ndodhte atyre, dhe ishte i gatshëm të sakrifikohej për të mirën e njerëzve që ndodheshin në anije. [Shih Jona 1:4–12.] Gjithashtu te profetë dhe njerëz të tjerë të Perëndisë, edhe pse, si Jona, mund të kenë shfaqur dobësi në disa raste, ka diçka vërtet madhështore dhe të admirueshme që shfaqet në karakterin e tyre.4 [Shih sugjerimin 3 në faqen 128.]

Tiparet e karakterit të drejtë zhvillohen brenda nesh gradualisht ndërsa ushtrojmë besim dhe pendohemi për veprimet e këqija.

Tipare të tilla të karakterit siç janë shfaqur qartë tek individë të denjë që jetuan në lashtësi, nuk janë produkte të befta apo rastësore, as janë fituar në një ditë, javë, muaj apo vit, por janë zhvillime graduale, janë rezultat i besnikërisë së vazhdueshme ndaj Perëndisë dhe së vërtetës, që nuk varen as nga miratimi as nga kritikat e njerëzve.

… Është e rëndësishme që ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, duhet të kuptojmë dhe të kujtojmë se shpëtimi vjen përmes hirit të Perëndisë dhe përmes zhvillimit brenda nesh të atyre parimeve që drejtuan ata njerëz të drejtë të përmendur më sipër. Ideja nuk është të bësh mirë për lavdërim nga njerëzit; por të bësh mirë sepse duke bërë mirë ne zhvillojmë perëndishmërinë brenda nesh dhe duke vepruar kështu ne do të bëhemi të afërm me perëndishmërinë, e cila me kohë do të bëhet element dhe pjesë e qenies sonë. …

A nuk bëjmë ndonjëherë gjëra për të cilat ndihemi të brengosur që i kemi bërë? Gjithçka mund të jetë mirë nëse ndalojmë së bëri gjëra të tilla kur e dimë që janë të gabuara; kur e shohim të keqen dhe pastaj ndryshojmë, kjo është gjithçka që mund të bëjmë dhe e gjitha që mund t’i kërkohet çdo njeriu. Por pa dyshim, është i tepruar rasti me disa njerëz që marrin parasysh dhe tremben më shumë nga bërja publike e gabimit që bëjnë, sesa nga vetë bërja e gabimit; ata pyesin veten për atë që do të thonë njerëzit kur të dëgjojnë atë që kanë bërë, etj. Dhe, nga ana tjetër, disa nxiten të bëjnë disa gjëra me qëllim që të marrin miratimin e miqve të tyre dhe nëse veprimet e tyre nuk arrijnë të nxjerrin komente të favorshme ose të miratohen, ata ndihen sikur puna e tyre të qe humbur dhe e mira që mund të kishin bërë qe një dështim i përgjithshëm.

Tani, nëse vërtet dëshirojmë t’i afrohemi Perëndisë; nëse dëshirojmë ta vendosim veten në përputhje me shpirtrat e mirë të botëve të përjetshme; nëse dëshirojmë të krijojmë brenda vetes atë besim rreth të cilit lexojmë dhe me anë të të cilit shenjtorët e lashtë kryen punë të tilla të mrekullueshme, ne duhet, pasi të marrim Shpirtin e Shenjtë, të dëgjojmë pëshpëritjet e tij dhe të jemi në përputhje me sugjerimet e tij, dhe me anë të asnjë veprimi në jetën tonë të mos e largojmë atë nga vetja. Është e vërtetë se ne jemi krijesa të dobëta mëkatare, të prirura në çdo kohë ta largojmë Shpirtin e Perëndisë; por sapo zbulojmë se jemi në mëkat, duhet të pendohemi për atë veprim të gabuar dhe ta ndreqim aq sa është e mundur ose të ndreqim gabimin që mund të kemi bërë. Duke marrë këtë drejtim ne forcojmë karakterin tonë, ne çojmë përpara kauzën tonë dhe forcojmë veten kundër tundimit; dhe me kohë do të kemi kapërcyer aq shumë saqë do të habitemi edhe vetë me përparimin që kemi bërë në kontrollin dhe përmirësimin e vetes.5 [Shih sugjerimin 4 në faqen 129.]

Ndërsa ruajmë karakterin tonë të drejtë, ne i afrohemi më shumë Zotit.

Ne kemi marrë një Ungjill që është i mrekullueshëm në veprimet e tij: nëpërmjet bindjes ndaj kërkesave të tij ne mund të marrim bekimet më të kërkuara që i janë premtuar apo dhënë ndonjëherë njerëzimit në çfarëdo epoke të botës. Por, si fëmija me lodrën apo gjënë që luan, ne gjithashtu shpesh kënaqemi me gjërat materiale, duke harruar mundësitë që kemi për të zhvilluar brenda vetes parimet e mëdha dhe të përjetshme të jetës e të vërtetës. Zoti dëshiron të krijojë një marrëdhënie më të afërt dhe më intime midis Vetes dhe nesh; Ai dëshiron që ne të përparojmë si qenie njerëzore dhe të rrisim njohurinë tonë, dhe kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet Ungjillit të përjetshëm, që është përgatitur posaçërisht për këtë qëllim. Apostulli Gjon thotë: “Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai (Krishti)”. [1 Gjoni 3:3.] A po i zbatojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme parimet e Ungjillit në jetën e tyre dhe kështu të përmbushin planin e Perëndisë?

… Çfarë mund të bëjmë në rrethanat për të ngritur veten edhe më lart në drejtësinë e Perëndisë tonë? Çfarë epërsish, bekimesh dhe privilegjesh jep ky sistem shpëtimi, të cilit i jemi bindur, dhe çfarë mjetesh do të shfrytëzohen për t’i fituar ato? Nëse duhet të ketë një sakrificë që kërkohet, do të jetë shumë e favorshme për të gjithë ata të cilët duan ta bëjnë besimin e tyre një studim, dhe të cilët po përpiqen të jenë në përputhje me kërkesat e tij duke e jetuar atë në jetën e tyre të përditshme, që të tregojnë gatishmërinë e tyre për t’iu nënshtruar vullnetit të Jehovait, duke njohur ndikimin e fuqinë e tij në kohë vështirësie si dhe në kohë mbarësie.

… Do të ishte mirë të kontrollonim veten, të komunikonim me veten privatisht, për t’u siguruar për mënyrën si qëndrojmë … përpara Zotit, në mënyrë që, po të nevojitet, të mund të ripërtërijmë zellin e besnikërinë tonë dhe të shtojmë punët tona të mira.

Nuk ka dyshim, duke folur për njerëzit në tërësi, se në sytë e Perëndisë ne po përmirësohemi shumë. Por megjithëse është pa dyshim kështu, jam i bindur se ka persona midis nesh të pajisur me dhurata shpirtërore dhe të prirur për të fituar kulturë, që, nëse vendosin, mund të ushtrohen në një masë shumë më të madhe nga e tanishmja, dhe të cilët mund të përparojnë shumë më shpejt në udhët e shenjtërisë dhe të shkojnë shumë më afër Zotit. Por shpirti që merret me gjërat e kësaj bote, po vepron mbi ta në atë masë që ata nuk i rrisin ato fuqi dhe bekime shpirtërore; ata nuk e vendosin veten në atë marrëdhënie të ngushtë me Zotin që është privilegji i tyre ta kenë.6

Karakteri ynë, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, duhet të ruhet i paprekur, me çdo çmim apo sakrificë. Karakteri i miratuar nga Perëndia është i denjë të sigurohet, madje me çmimin e një vetëmohimi të përhershëm gjithë jetën.

Ndërsa jetojmë në këtë mënyrë, ne mund të shpresojmë … , me siguri të plotë se … do të kurorëzohemi me bijtë e bijat e Perëndisë dhe do të zotërojmë pasurinë dhe lavdinë e mbretërisë Çelestiale.7 [Shih sugjerimin 5 në vijim.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Ndërsa përsërisni tregimin në faqet 121 dhe 122, çfarë mësoni nga veprimet e Plakut Lorenco Snou dhe të Plakut Frenklin D. Riçards? Shqyrtoni se si mund t’i ndani këto parime me anëtarë të familjes apo të tjerë.

  2. Presidenti Snou tha: “Ne duhet të jemi burra të vërtetë dhe gra të vërteta” (faqe 123). Çfarë mendoni se do të thotë të jesh burrë i vërtetë ose grua e vërtetë?

  3. Shqyrtoni vërejtjet e Presidentit Snou rreth shembujve të Moisiut dhe të Jonas (faqet 124–125). Çfarë shihni ju te secili prej këtyre tregimeve që mund të na ndihmojë të përmirësojmë karakterin tonë?

  4. Meditoni mbi të gjithë paragrafin e dytë në faqen 126. Përse mendoni ju se kemi nevojë të jemi të vetëdijshëm për të metat tona me qëllim që të forcojmë karakterin tonë? Si mund të arrijmë që vetë t’i shohim dobësitë tona pa u shkurajuar?

  5. Rishikoni këshillën e Presidentit Snou në pjesën e fundit të kapitullit (faqet –128). Mendoni që të gjeni kohë për të këqyrur veten dhe për të përcaktuar mënyrën si po qëndroni përpara Zotit.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Psalmeve 24:3–5; 2 Pjetër 1:2–11; Mosia 3:19; Alma 48:11–13, 17; Ethëri 12:25–28; DeB 11:12–14; 88:63–68

Ndihmë për Mësimdhënien: Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një pjesë në kapitull dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe prej dy ose tre vetash, që zgjedhin të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë se çfarë kanë mësuar.

Shënime

  1. Deseret Semi-Weekly News, 19 dhjetor 1899, f. 5.

  2. Deseret News: Semi-Weekly, 15 gusht 1882, f. 1.

  3. Deseret News: Semi-Weekly, 15 gusht 1882, f. 1.

  4. Deseret News: Semi-Weekly, 15 gusht 1882, f. 1.

  5. Deseret News: Semi-Weekly, 15 gusht 1882, f. 1.

  6. Deseret News: Semi-Weekly, 15 gusht 1882, f. 1.

  7. Deseret News: Semi-Weekly, 9 shkurt 1886, f. 1.

Presidenti Frenklin D. Riçards

Edhe pse Jona “shfaq[i] dobësi”, ne mund të mësojmë nga veçoritë e tij “madhështore dhe të admirueshme”.