Mësime të Presidentëve
Kapitulli 11: ‘Nuk Kërkoj Vullnetin Tim, por Vullnetin e Atit’


Kapitulli 11

“Nuk Kërkoj Vullnetin Tim, por Vullnetin e Atit”

“Ne duhet t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë vullnetit të Atit, dhe të frymëzohemi që të themi, cili është vullneti i Atit, të cilit duhet t’i shërbejmë këtu në botë? Atëherë çdo veprim që kryejmë do të jetë një sukses.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Më 31 mars 1899, Presidenti Lorenco Snou udhëtoi për në akademinë “Brigam Jang” (tani universiteti “Brigam Jang”), ku një grup i madh shenjtorësh të ditëve të mëvonshme ishte mbledhur për të përkujtuar 85-vjetorin e tij. Në mëngjes, ai mbajti bisedën e takimit shpirtëror për burrat në kongregacion. Njëkohësisht, gratë patën një mbledhje të ngjashme, të drejtuar nga bashkëshortet e anëtarëve të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Pasdite, të gjithë u mblodhën bashkë.

Si pjesë e mbledhjes së pasdites, 23 fëmijë “marshuan për të qëndruar te tribuna dhe, përballë Presidentit Snou, kënduan dy këngë … , pas së cilave çdo fëmijë i dhuroi Presidentit një buqetë me lule”. Presidenti Snou u shprehu mirënjohjen e tij fëmijëve dhe dha një bekim për ta. Pastaj tetë studentë të akademisë “Brigam Jang” erdhën te katedra një nga një. Secili, në përfaqësim të një organizate në shkollë, paraqiti një nderim të përgatitur me kujdes për profetin e tyre. Si përgjigje ndaj këtyre fjalëve të dashurisë e admirimit, Presidenti Snou tha:

“Tani vëllezër dhe motra, unë nuk di çfarë të them pas gjithë kësaj. Do të më pëlqente të shkoja në shtëpi dhe të mendoja rreth kësaj, por mendoj se priten disa fjalë dhe mendoj se duhet të them diçka, por vërtet nuk di çfarë të them. Unë do të them këtë, gjithsesi. Unë e kuptoj shumë qartë se nuk po e bëni këtë nder për mua si Lorenco Snou, por për shkak të pozitës që përfaqësoj në lidhje me vëllezërit e mi, këshilltarët e mi dhe anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. … Unë ndiej për çfarëdo që kam përmbushur, se nuk është Lorenco Snou, dhe për përvojat që më kanë sjellë në këtë pozitë si President të Kishës – nuk është Lorenco Snou, por Zoti që e ka bërë këtë. Kur Jezusi ishte në tokë Ai tha këtë shprehje të mrekullueshme; unë kam menduar për të dhe e kam gjithmonë në mendje ndërsa kryej punët e mia: ‘Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë’. Tani, përse Ai tha se gjykimi i Tij ishte i drejtë? Ai thotë, sepse: ‘Nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit tim që më ka dërguar’. [Shih Gjoni 5:30.] Ky është parimi, vëllezër dhe motra, mbi bazë të tij jam përpjekur të veproj që kur m’u zbulua se Ati im në qiell dhe Ati juaj në qiell ekziston. Unë jam përpjekur të bëj vullnetin e Tij. …

Është Zoti, Ai që nderoni kur më nderoni mua dhe këshilltarët e mi, dhe Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Ne kemi zbuluar, secili prej nesh, që prej shumë kohe më parë se vetë nuk mund të bëjmë asgjë. Vetëm për aq sa kemi ndjekur atë parim, që Jezusi e ndoqi kur qe në botë, suksesi ka pasuar përpjekjet tona; dhe kështu do të jetë me ju.”1

Mësime të Lorenco Snout

Kur ne kërkojmë vullnetin e Perëndisë, ne ndjekim një drejtim në të cilin nuk do të ketë dështim.

Ka një drejtim që burrat dhe gratë mund ta ndjekin, nëpërmjet të cilit nuk do të ketë dështim. Çfarëdo zhgënjimesh që mund të dalin apo dështime në dukje që mund të vijnë, në të vërtetë nuk do të ketë dështim si një gjë e përgjithshme. … Ka pasur raste kur dukej sikur po shkonim prapa; të paktën, kështu u dukej atyre që nuk kanë qenë plotësisht të ndriçuar lidhur me mendimin dhe vullnetin e Perëndisë. Kisha ka përjetuar përvoja shumë të çuditshme, dhe njerëzit kanë bërë sakrifica të mëdha. … Por ne i kemi kapërcyer këto sakrifica dhe si popull nuk kemi pasur dështim. Përse nuk ka pasur dështim? Sepse populli, si i tërë, e ka pasur mendjen të ngulitur në parimet e vërteta të jetës, dhe e ka përmbushur detyrën e vet. … Populli në përgjithësi ka pasur Shpirtin e Zotit dhe e ka ndjekur atë. Prandaj nuk ka pasur dështim. Kështu mund të jetë edhe me individët. Ka një drejtim për çdo person për ta ndjekur, në të cilin nuk do të ketë dështim. Ai zbatohet për çështje materiale si edhe shpirtërore. Zoti na ka dhënë fjalën kyçe në këto vargje që i kam lexuar nga Libri i Doktrinës dhe Besëlidhjeve:

“Dhe nëse syri juaj drejtohet te lavdia ime, tërë trupat tuaj do të mbushen me dritë dhe nuk do të ketë errësirë në ju; dhe ai trup që mbushet me dritë, kupton gjithçka. Si rrjedhim, shenjtërojeni veten tuaj, që mendjet tuaja t’i përkushtohen tërësisht Perëndisë.” [DeB 88:67–68.]

Ky është çelësi nëpërmjet të cilit një person mund të jetë gjithmonë i suksesshëm. Pali thotë:

“Po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus”. [Filipianëve 3:14.]

Një synim fisnik që çdo [shenjtor] i ditëve të mëvonshme duhet ta ketë përpara tij vazhdimisht. Cili është ai çmim? … “Gjithçka që Ati im ka, do t’i jepet atij.” [DeB 84:38.]

Shpëtimtari në një rast të vetëm bëri një deklaratë të jashtëzakonshme. Kjo është në kapitullin e 5-të të Shën Gjonit dhe është si më poshtë:

“Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime”. [Gjoni 5:30.]

Është e mrekullueshme që Perëndia që krijoi botët, që zbriti këtu i veshur me mish, kreu mrekulli të fuqishme dhe sakrifikoi jetën e tij në malin e Kalvarisë për shpëtimin e familjes njerëzore – që Ai duhet të thotë: “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime”. Dhe Ai vazhdon duke thënë:

“Gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar”. [Gjoni 5:30.]

Kjo është thënie e mrekullueshme dhe do të thotë shumë. Tani, ajo që duam, është ta kemi këtë shpirt në çdo veprim të jetës sonë dhe në çdo ndërmarrje, qoftë materiale apo shpirtërore dhe jo të mendojmë vetë. Ne duhet të përpiqemi të mësojmë se si duhet t’i shpenzojmë paratë dhe informacionin që Perëndia na ka dhënë. Përgjigjja është e thjeshtë – për lavdinë e Perëndisë. Sytë tanë duhet të jenë vetëm nga lavdia e Perëndisë. Për këtë e lamë jetën para lindjes dhe [erdhëm] në këtë jetë të vdekshme. Ne duhet të përpiqemi të përkrahim interesat e Perëndisë Më të Lartë dhe të ndihemi siç u ndie Jezusi: “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime”. Duke qenë se ne veprojmë sot dhe nesër, këtë javë dhe javën tjetër, në interes të Perëndisë dhe sytë tanë janë vetëm te lavdia e Tij, nuk mund të ketë dështim.2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 159.]

Kur i bindemi vullnetit të Perëndisë, Ai na jep fuqi të kemi sukses në punën e Tij.

Nga vetja nuk mund të bëjmë asgjë. Siç Jezusi tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri”. [Gjoni 5:19.] Ai erdhi në këtë jetë për të bërë vullnetin e Atit të tij, dhe jo vullnetin e vet. Dëshira dhe vendosmëria jonë duhet të jenë njësoj. Kur na dalin gjëra që kërkojnë një përpjekje nga ana jonë, ne duhet t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë vullnetit të Atit, dhe të frymëzohemi që të themi, cili është vullneti i Atit tonë, të cilit duhet t’i shërbejmë këtu në botë? Atëherë çdo veprim që kryejmë, do të jetë një sukses. Ne mund të mos e shohim suksesin e atij veprimi sot apo nesër, sidoqoftë ai do të përfundojë me sukses.3

“Por Moisiu i tha Perëndisë: ‘Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?’” [Shih Eksodi 3:11.] …

“Atëherë Moisiu i tha Zotit: ‘Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend’.” [Shih Eksodi 4:10.] …

Ne shohim në këto vargje që lexova, se Perëndia e thirri Moisiun të përmbushte një punë të veçantë; Moisiu ndieu paaftësinë dhe pazotësinë e tij për të bërë atë që i qe kërkuar. Puna ishte tepër e madhe. Ajo ishte tepër e thellë në natyrën dhe karakterin e saj dhe kërkonte atë që Moisiu ndiente se nuk e kishte si fuqi dhe aftësi; dhe ai e ndieu dobësinë e tij dhe i kërkoi Perëndisë të shihte të tjerë. … Ai kundërshtoi me ndjenjat e tij dhe kështu i foli Zotit duke i thënë: ‘Kush jam unë që duhet të përzgjidhem për të përmbushur këtë punë të madhe, – sepse është e pamundur që të mund të përmbushet nga një aftësi çfarëdo si këto që kam unë’. …

Këto janë ndjenjat e mendimet që Moisiu kishte dhe donte që po këto t’ia transmetonte Perëndisë. Kështu ka qenë që nga fillimi; kur Zoti u bënte thirrje individëve, ata ndien paaftësinë e tyre, dhe kështu është kur pleqtë thirren t’ju flasin juve. Kështu ndodh me pleqtë që thirren për të shkuar te kombet e tokës si shërbestarë të ungjillit. Ata ndiejnë papërshtatshmërinë e tyre. Ata ndiejnë pamjaftueshmërinë e tyre. …

Tani, kur Jeremia u thirr, ai u ndie njësoj si Moisiu. Ai tha se Zoti i pati bërë thirrje që të ishte profet, jo vetëm për shtëpinë e Izraelit, por për të gjitha kombet përreth. Ai nuk qe veçse një fëmijë, si Jozef Smithi, kur iu shfaq Perëndia për herë të parë. Jozefi qe vetëm rreth 14 vjeç – thjesht fëmijë në një kuptim – i paditur, për sa i përkiste urtësisë dhe mësimit nga bota – kështu edhe me Jeremian, kur Perëndia e thirri për herë të parë – ai tha: “Unë nuk jam veçse një djalosh. Si mund ta përmbush këtë punë të madhe që kërkoni prej meje, për të plotësuar këto përgjegjësi të mëdha që propozoni të më jepni?” Ai e vuri zemrën dhe ndjenjat e tij kundër idesë së bërjes së kësaj pune të madhe. Por Perëndia i tha; … për ngushëllimin e tij: “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur”. Ai tha se e njihte që në botën e shpirtrave [para lindjes] dhe që do të përmbushte atë që Zoti kërkonte prej tij: “Para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve”. [Shih Jeremia 1:5–6.] Jeremia doli dhe nëpërmjet fuqisë së të Plotfuqishmit përmbushi atë që Zoti kërkoi prej tij. …

Tani Zoti vepron shumë ndryshe nga njerëzit. Ai punon ndryshe. Apostulli Pal e ka thënë këtë. Ai tha: “Ju jeni thirrur. Nuk janë të urtët që janë thirrur, por Perëndia ka zgjedhur të marrët për të turpëruar ata që janë të urtë.” [Shih 1 Korintasve 1:25–27.] Dhe apostujt që Perëndia thirri, të cilët Jezusi, Biri i Perëndisë i thirri, dhe vuri duart e tij mbi ta dhe u dha priftërinë e tij dhe autoritetin e tij për të përmbushur punën e tij, ata nuk ishin të arsimuar; ata nuk i kuptonin shkencat, ata nuk kishin pozita të larta në Jude – ata qenë të varfër dhe analfabetë; me thirrje të thjeshta në jetë. … Mirë, atëherë, Zoti është i ndryshëm. Ai i bën thirrjet e Tij ndryshe nga ato thirrje që bëhen nga njerëzit. Dhe ka shumë gjasa që njerëzit të [ngatërrohen] lidhur me veprimet e Perëndisë në mënyrën se si i thërret njerëzit; më të mirët e njerëzve, më të urtët e njerëzve shpesh herë [ngatërrohen]. Moisiu qe [hutuar] lidhur me atë se si Zoti do ta aftësonte që të përmbushte atë që kërkonte por ai u udhëzua më pas. Zoti e ndihmoi dhe e mbështeti atë në një mënyrë të mrekullueshme, duke bindur vëllezërit e tij e Izraelin, kur ai u vizitua nga Jehovai i madh. Moisiu u këshillua me Izraelin dhe u tregoi misionin e tij dhe ata më në fund dhanë pëlqimin e tyre. Ata pranuan dhe morën këshillat e tij dhe udhëheqjen e tij dhe ai i nxori nga vendi i skllavërisë në Egjipt. Ai qe i suksesshëm, jo i suksesshëm nga urtësia e vet; por ia atribuoi të gjithë suksesin e tij Perëndisë së Plotfuqishëm që e thirri. Dhe kështu bëjmë ne. …

Tani, mund të jetë e mjaftueshme të themi se Perëndia na ka thirrur. Ne nuk predikojmë [përveçse] kur Perëndia e kërkon atë. Thuajse çdo burrë ndër pleqtë e Izraelit, është ndier i papërgatitur kur është thirrur për të predikuar ungjillin, për të përmbushur detyrat dhe detyrimet që i janë dhënë. Unë kam vënë re se disa nga folësit më të mirë që kanë folur ndonjëherë në këtë foltore, kur janë thirrur janë trembur, kanë ndier nevojën të kërkojnë besimin dhe mbështetjen e kongregacionit. Dhe ata kanë dalë përpara në fuqinë e Jehovait dhe kanë shpallur vullnetin e tij në frikë dhe dridhma; por nuk qe nga forca dhe urtësia e tyre që iu drejtuan kështu shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Edhe pse mundet që të mos kenë pasur kurrë përfitimet e një arsimimi universitar, përsëri ata qëndrojnë përpara anëtarëve, jo duke u mbështetur në fuqinë e tyre por në fuqinë dhe forcën e ungjillit.4

Ne nuk mundemi gjithmonë të bëjmë atë që do të donim të bënim, por do të kemi fuqinë të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Zoti do të na japë fuqinë që ta bëjmë këtë.5 [Shih sugjerimin 2 në faqen 159.]

Ne jemi thirrur të veprojmë në emrin e Perëndisë dhe pranojmë dorën e Tij në të gjitha të mirat që bëjmë.

Atë që bëjmë, e bëjmë në emër të Zotit Perëndi të Izraelit dhe jemi të gatshëm të pranojmë dorën e të Plotfuqishmit në çdo gjë që bëjmë. Kur Moisiu doli si çlirues i Fëmijëve të Izraelit nga skllavëria e tyre prej egjiptianëve, ai nuk e paraqiti veten në llojin e një çliruesi të zakonshëm, por ai shkoi në emër të Zotit Perëndi të Izraelit, duke qenë i urdhëruar të përmbushte shëlbimin e tyre me anë të fuqisë dhe autoritetit që mori nga Perëndia. Dhe që nga çasti që u shfaq përpara tyre në këtë cilësi, gjersa përmbushi detyrën e tij, ai veproi në dhe nëpërmjet emrit të Zotit, dhe jo nga vetë urtësia apo zotësia e tij, as sepse kishte inteligjencë më të madhe nga pjesa tjetër e njerëzimit. Zoti iu shfaq në ferrishtën që digjej, dhe e urdhëroi të dilte dhe të përmbushte një punë të veçantë, që lidhej me paqen, lumturinë dhe shpëtimin e një populli të madh; dhe suksesi e mbarësia e saj vareshin nga zbatimi i rendit të gjërave zbuluar atij nga Perëndia i Qiellit. Suksesi dhe mbarësia e tij qenë siguruar përsosmërisht nga fakti se ajo punë që i ishte caktuar nuk qe një gjë e zbuluar prej tij, por vinte nga Jehovai. …

Kështu është edhe lidhur me ne sot. Puna e madhe që po përmbushet tani – mbledhja e njerëzve nga kombet e tokës, nuk e ka prejardhjen nga mendja e ndonjë njeriu apo grupi njerëzish; por ajo erdhi nga Zoti i Plotfuqishëm.6

Ne mbështetemi te Perëndia; dhe në të gjithë veprat dhe punët tona dhe në të gjithë suksesin që është në punët tona, ndiejmë se ka qenë Perëndia që e ka përmbushur atë.7

Ne erdhëm në botë për një qëllim të madh, njësoj si Jezusi, vëllai ynë më i madh, për të bërë vullnetin dhe veprat e Atit tonë; në këtë ka paqe, gëzim dhe lumturi, një rritje të urtësisë, njohurisë dhe fuqisë së Perëndisë; jashtë kësaj nuk ka bekime të premtuara. Prandaj le t’ia përkushtojmë veten drejtësisë, të ndihmojmë këdo dhe të gjithë që të jenë më të mirë dhe më të lumtur; të bëjmë mirë për të gjithë dhe keq për askënd; të nderojmë Perëndinë dhe t’i bindemi Priftërisë së Tij; të edukojmë dhe të ruajmë një ndërgjegje të ndriçuar dhe të ndjekim Shpirtin e Shenjtë; të mos dorëzohemi, të qëndrojmë fort për atë që është e mirë, të durojmë deri në fund dhe kupa juaj e gëzimit do të jetë plot madje e tejmbushur, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj për sprovat tuaja dhe vuajtjet tuaja nën tundime, vështirësitë tuaja të rënda, dëshirat tuaja të zemrës dhe brengat; po, Perëndia ynë do t’ju japë një kurorë lavdie të pashuar.8 [Shih sugjerimin 3 më poshtë.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Studioni paragrafin që fillon në faqen 154. Si mund ta dini se kur sytë tuaj janë vetëm te lavdia e Perëndisë? Me kaq shumë argëtime në botë, si munden prindërit t’i ndihmojnë fëmijët e tyre t’i mbajnë sytë vetëm te lavdia e Perëndisë?

  2. Rilexoni komentet e Presidentit Snou rreth Moisiut dhe Jeremias (faqet 155–158). Si mund të na ndihmojnë këto tregime në përpjekjet tona për të shërbyer në kuorumet e priftërisë, Shoqatën e Ndihmës dhe në organizatat e tjera të Kishës?

  3. Presidenti Snou na mësoi se ne duhet të shërbejmë “në [emër] të Zotit” (faqe 158). Si do ta përshkruanit ju një person që vepron në emrin e Zotit? Mendoni rreth mundësive që keni për të shërbyer në emrin e Zotit.

  4. Presidenti Snou përdor fjalët sukses dhe i suksesshëm disa herë në këtë kapitull. Si ndryshon përkufizimi i Perëndisë për suksesin nga përkufizimi i botës? Pse ne mund të jemi të sigurt për sukses kur ndjekim vullnetin e Perëndisë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Filipianëve 4:13; 2 Nefi 10:24; Mosia 3:19; Helamani 3:35; 10:4–5; 3 Nefi 11:10–11; 13:19–24; DeB 20:77, 79; Moisiu 4:2

Ndihmë për Mësimdhënien: “Mos u trembni nga heshtja. Njerëzve shpesh u nevojitet kohë të mendojnë dhe t’u përgjigjen pyetjeve apo të shprehin atë që ndiejnë. Ju mund të ndaloni pasi keni bërë një pyetje, pasi është ndarë një përvojë shpirtërore, apo kur një person ka vështirësi për ta shprehur veten” (Teaching, No Greater Call, f. 67).

Shënime

  1. Në “Anniversary Exercises”, Deseret Evening News, 7 prill 1899, f. 9–10.

  2. “The Object of This Probation”, Deseret Semi-Weekly News, 4 maj 1894, f. 7.

  3. Në Conference Report, tetor 1899, f. 2.

  4. Salt Lake Daily Herald, 11 tetor 1887, f. 2.

  5. Deseret News, 15 maj 1861, f. 82.

  6. Deseret News, 8 dhjetor 1869, f. 517.

  7. Salt Lake Daily Herald, 11 tetor 1887, f. 2.

  8. Në Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 487.

Në kopshtin e Gjetsemanit Shpëtimtari tha: “Mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42).

Moisiu “ia atribuoi të gjithë suksesin e tij Perëndisë së Plotfuqishëm që e thirri. Dhe kështu bëjmë ne.”