Mësime të Presidentëve
Kapitulli 17: Priftëria – ‘për Shpëtimin e Familjes Njerëzore’


Kapitulli 17

Priftëria – “për Shpëtimin e Familjes Njerëzore”

“Priftëria që mbajmë, është zbuluar për shpëtimin e familjes njerëzore. Ne duhet të mendojmë shumë dhe të meditojmë se si mund [ta] përdorim [atë] për të ndihmuar në shpëtimin e të tjerëve.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Plaku Lorenco Snou u shugurua Apostull më 12 shkurt 1849. Tetë muaj më vonë ai u thirr për të krijuar një mision në Itali. Me vëllezër të tjerë që ishin thirrur për të shërbyer, ai u nis për këtë mision më 19 tetor 1849. Ai dhe shokët e tij të misionit e bënë udhëtimin e gjatë më këmbë, me kuaj dhe me barkë.

Pasi arritën në Itali në qershor të 1850-ës, ai dhe shokët e tij panë se populli në qytetet e mëdha italiane nuk ishte ende gati për të pranuar ungjillin. Por një popull i njohur si valdensianë tërhoqi vëmendjen e tij, dhe ai ndieu frymëzim të punonte midis tyre. Valdensianët patën jetuar për shekuj në rajonin e izoluar të Piemontit – një luginë malore pikërisht në jug të kufirit italo-zviceran dhe në lindje të kufirit italo-francez. Duke pasur formuar shoqërinë e tyre nga një dëshirë për reformë fetare, ata ishin të përkushtuar të studionin Biblën dhe të ndiqnin shembullin e Apostujve të Shpëtimtarit.

Plaku Snou ka thënë se, kur mendonte rreth predikimit të ungjillit midis valdensianëve, “një fluks i madh drite dukej të hynte në mendjen time”1. Por pavarësisht këtyre sigurive, ndieu se nuk ishte e urtë që të fillonte punë misionare aktive menjëherë, pasi armiqtë e Kishës patën shpërndarë botime midis njerëzve, duke përhapur gënjeshtra rreth Kishës.2 Plaku Snou raportonte: “Me sa ndieva, ishte vullneti i Shpirtit që duhej të ecnim fillimisht me hapa të ngadaltë e të kujdesshëm, unë iu nënshtrova vullnetit të qiellit”3.

Edhe pse misionarët nuk filluan të predikojnë menjëherë, Plaku Snou mbikëqyri botimin e broshurave në italisht dhe frëngjisht. Përveç kësaj, ai dhe shokët e tij të misionit u miqësuan me njerëzit përreth tyre. “Ne punuam fort që të vinim një themel për dobi të ardhshme”, tha ai, “duke përgatitur në qetësi mendjet e njerëzve për të pranuar Ungjillin, duke zhvilluar ndjenja miqësore në zemrat e atyre që na rrethonin. Përsëri unë e ndieja shumë të pazakontë dhe si një provë të madhe të durimit tim, të qëndroja javë dhe muaj mes një populli interesant, pa qenë i përfshirë aktivisht dhe publikisht në komunikimin e parimeve të mëdha për të cilat pata ardhur që t’i përhapja.”4

Ndjenjat e valdensianëve rreth Kishës filluan të ndryshojnë shumë pasi Plaku Snou administroi një bekim priftërie te një djalë që ishte shumë sëmurë. Plaku Snou shkroi si më poshtë në ditarin e tij:

“6 shtator – Këtë mëngjes vëmendja ime ishte drejtuar te Jozef Gaj, një djalë trevjeçar, fëmija më i vogël i familjes ku qëndronim. Shumë miq patën ardhur ta shikonin fëmijën, sepse të gjithë njerëzve u dukej se vdekja e tij do të ndodhte shpejt. Unë shkova për ta parë pasdite: vdekja po e shkatërronte trupin e tij; trupi që ishte i shëndetshëm deri tani, qe kthyer në një skelet dhe vetëm duke e vëzhguar nga afër mund të dallonim se ishte gjallë.”

I shqetësuar nga njerëzit që ishin kundër predikimit të ungjillit dhe në merak për Jozef Gajin e vogël, Plaku Snou iu drejtua Zotit atë mbrëmje për ndihmë. Më vonë kujtoi: “Për disa orë përpara se të shkoja në shtrat, unë i kërkova Zotit të na ndihmonte në këtë kohë. Ndjenjat e mia mbi këtë rast nuk do të fshihen lehtë nga kujtesa ime.

7 shtator – Këtë mëngjes, unë sugjerova … që duhej të agjëronim dhe të tërhiqeshim në male e të luteshim. Ndërsa po niseshim, vizituam dhe pamë fëmijën; kokërdhokët e tij të kthyer lart: kapakët e syve të tij të rënë dhe të mbyllur: fytyra dhe veshët e tij ishin të imta dhe me një ngjyrë të zbehtë mermeri, që tregonin se do të vdiste shpejt. Djersa e ftohtë e vdekjes mbulonte trupin e tij dhe jeta e tij thuajse kishte mbaruar. Madam Gaj dhe femra të tjera po qanin, ndërsa Mësjë Gaj kishte ulur kokën nga dëshpërimi.” Duke i pëshpëritur Plakut Snou dhe misionarëve të tjerë, Mësjë Gaj tha: “Ai po vdes. Ai po vdes.”

Plaku Snou vazhdon: “Pas një pushimi të vogël në male, larg çdo gjase për ndërprerje, atje iu drejtuam Zotit me një lutje solemne që ta kursente jetën e fëmijës. Ndërkohë që meditoja për atë që duhet të bënim dhe gjërat që shpejt duhet t’ua dëshmonim njerëzve, mendova se kjo ishte një ngjarje shumë e rëndësishme. Unë nuk dija ndonjë sakrificë që mund të bëja, të cilën nuk do të isha i gatshëm ta ofroja në mënyrë që Zoti të mund t’i plotësonte kërkesat tona.”

Kur u kthyen te familja Gaj atë pasdite, Plaku Snou i dha Jozefit një bekim priftërie. Ata shkuan ta vizitonin familjen disa orë më vonë dhe babai i Jozefit, “me një buzëqeshje falënderuese”, u tha se djali ishte shumë më mirë.

“8 shtator – Fëmija kishte qenë aq mirë, saqë prindërit qenë në gjendje të bënin pak pushim, që nuk e patën bërë për një kohë të gjatë. Sot, atyre iu krijua mundësia ta linin atë dhe të ndiqnin punën e tyre.” Kur nëna e Jozefit i tregoi rreth gëzimit të saj për shërimin e djalit, Plaku Snou iu përgjigj: “Perëndia i qiellit e bëri këtë për ju”.

“Nga ajo orë ai filloi të bëhej më mirë”, tregoi Plaku Snou, “dhe me zemër të mbushur me mirënjohje për Atin tonë Qiellor, unë jam i lumtur të them se brenda disa ditësh ai u ngrit nga shtrati dhe u bashkua me miqtë e tij të vegjël.”5

Pas kësaj përvoje, Plaku Snou ndieu se rrethanat ishin “të favorshme aq sa mund të pritej” që puna e Zotit të përparonte midis njerëzve. Më 19 shtator 1850, saktësisht 11 muaj pasi ishte larguar nga shtëpia për të shërbyer në Itali, ai u tha shokëve se duhej të “fillonin punën e tyre publike të predikimit”. Pastaj ata përsëri u ngjitën në një mal, ku Plaku Snou përkushtoi vendin për predikimin e ungjillit të rivendosur.6

Fjalët e Plakut Snou drejtuar Madam Gajit –“Perëndia i qiellit e bëri këtë për ju” – pasqyronin mësimdhënien e tij gjatë gjithë jetës rreth priftërisë. Ai u kujtonte shenjtorëve se nëpërmjet punës së mbajtësve të priftërisë, “lavdia dhe fuqia e Perëndisë [është] shfaqur” për përfitimin e të tjerëve.7 [Shih sugjerimin 1 në faqen 221.]

Mësime të Lorenco Snout

Mbajtësit e priftërisë janë lajmëtarë të të Plotfuqishmit, me autoritetin e dhënë nga qielli për të administruar ordinanca të shenjta.

Ne, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, deklarojmë se kemi marrë nga Perëndia plotësinë e ungjillit të përjetshëm; ne deklarojmë se kemi Priftërinë e shenjtë – autoritetin e Perëndisë dhënë njeriut, që na jep të drejtën të administrojmë ordinancat e saj në një mënyrë që Ai do t’i pranojë.8

Çdo njeri që do të përulet përpara Perëndisë dhe, pas pendimit, do të zhytet plotësisht në ujë për heqjen e mëkateve të tij, do të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, nëpërmjet vënies së duarve. A mundem unë t’ia jap këtë atij? Jo, unë jam thjesht një lajmëtar i të Plotfuqishmit që ka marrë autoritetin për të administruar zhytjen në ujë për heqjen e mëkateve; unë thjesht e zhys atë në ujë, duke pasur autoritet ta bëj këtë. Unë thjesht vendos duart mbi të për marrjen e Frymës së Shenjtë, pastaj Perëndia, nga prania e tij, pranon autoritetin tim, pranon që unë jam lajmëtari i tij dhe i jep Frymën e Shenjtë individit.9

Kur [kam] pagëzuar njerëz dhe administr[uar] ordinanca të kësaj priftërie të shenjtë, Perëndia i ka konfirmuar ato administrime duke dhënë Frymën e Shenjtë, duke u dhënë një njohuri individëve të cilët i administrova, duke i bindur se autoriteti ishte dhënë nga qielli. Dhe çdo Plak që ka dalë për të predikuar këtë Ungjill të përjetshëm, dhe ka vepruar siç duhet në thirrjen e tij, mund të ndajë të njëjtën dëshmi, se nëpërmjet administrimeve të tyre në këto ordinanca të shenjta, lavdia dhe fuqia e Perëndisë është shfaqur në një mënyrë bindëse në kokat e atyre që kanë administruar. Kjo është dëshmia jonë; kjo ishte dëshmia [në 1830-ën] e një individi që doli përpara dhe deklaroi se Perëndia e pati autorizuar të pagëzonte njerëz për heqjen e mëkateve dhe të vendoste duart mbi ta për të marrë Frymën e Shenjtë, e cila do t’u jepte atyre njohuri nga botët e përjetshme se ai e kishte këtë autoritet. Ky person ishte Jozef Smithi; dhe ai ua dha këtë autoritet, që i ishte dhënë nga engjëj të shenjtë, të tjerëve që ishin dërguar për të ndarë dëshmi për botën se ata që do t’i merrnin ato ordinanca të shenjta, do të merrnin dëshmi nga i Plotfuqishmi se kështu ishin të autorizuar për të administruar në këtë mënyrë. Dhe kjo është dëshmia jonë; dhe kjo është dëshmia ime përpara këtij populli dhe përpara botës.10

Ku mund të gjeni në gjithë botën një grup mësuesish fetarë që guxojnë të marrin pozitën që marrin Pleqtë tanë? Ku është burri apo grupi i burrave që mund të gjenden që guxojnë ta paraqesin veten përpara botës, dhe të thonë se janë autorizuar nga Perëndia për të administruar disa ordinanca te njerëzit, nëpërmjet të cilave ata mund të marrin zbulesë nga Perëndia? Kushdo që do të shpallte një doktrinë të këtij lloji shpejt do të gjendej jashtë nëse do të ishte një mashtrues – ai do ta vendoste veten në një pozicion shumë të rrezikshëm, dhe shpejt do të zbulohej nëse nuk e mbante një autoritet të tillë. Pleqtë tanë, sidoqoftë, guxojnë ta marrin këtë pozicion. … Perëndia i ka dërguar këta engjëj të shenjtë nga qielli dhe ka rivendosur autoritetin te njeriu për të administruar ordinancën[-at] e ungjillit.11 [Shih sugjerimin 2 në faqen 221.]

Priftëria na ndihmon të gjejmë lumturi në këtë jetë dhe nëpër gjithë përjetësinë.

Priftëria është rivendosur; i është dhënë njeriut që, nëpërmjet Priftërisë, të gjithë që do të donin të jenë mirë dhe të lumtur, të jenë në gjendje për këtë. Ungjilli na tregon se si të jemi shkëlqyeshëm, mirë dhe të lumtur. Është qëllimi i ungjillit të Krishtit që të na mësojë të gjitha gjërat që janë të nevojshme për mirëqenien tonë të tashme dhe të ardhme.

Ne i kemi këto objektiva në mendje sot dhe duhet vazhdimisht t’i mbajmë ato parasysh. Mendoni rreth njëzet e pesë viteve të fundit, ose shihni pas vetëm dhjetë vite prapa, dhe një numër i madh [njerëzish] ka qenë në kishë në atë periudhë kohe, dhe shihni çfarë kemi përmbushur. Ne shohim më larg dhe i kuptojmë gjërat më mirë, prandaj jemi më të përgatitur për gjërat që do të ndodhin në tokë sesa ishim dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzet apo njëzet e pesë vite përpara, për të ditur se si të jemi të dobishëm, për të ditur si t’i bëjmë gjërat ashtu siç duhet të bëhen. …

… Qëllimi i priftërisë është t’i bëjë të gjithë [njerëzit] të lumtur, të përhapë informacion, t’i bëjë të gjithë njerëzit pjesëmarrës të të njëjtave bekime kur të jetë radha e tyre për të vepruar kështu.12

Pikërisht për këtë qëllim Priftëria e Shenjtë është dhënë në kohën në të cilën jetojmë, që të drejtojë dhe të përsosë shenjtorët e Perëndisë këtu; dhe gjendja e ekzaltuar me të cilën do të shfaqemi në anën tjetër të velit, do të jetë po aq e madhe sa masa e punës që bëjmë për të arritur inteligjencë, integritet moral dhe besnikëri në këtë botë.13

Zoti ka thënë se do të na japë gjithçka që ka – dhe kjo është në përputhje me betimin dhe besëlidhjen që i përket Priftërisë [shih DeB 84:33–44]. Askush nuk duhet të dyshojë për atë që thotë Jezusi, dhe Ai deklaron, siç shënohet në Zbulesat e Shenjtorit Gjon: “Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e Tij”. [Zbulesa 3:21.] A mund të thoni ndonjë gjë që është më madhështore se kjo? A nuk e përmbledh kjo gjithçka?14

Ky ungjill që kemi marrë, është zbuluar nga qielli dhe priftëria që mbajmë, është zbuluar për shpëtimin e familjes njerëzore. Ne duhet të mendojmë shumë dhe të meditojmë se si mund t’i përdorim ato për të ndihmuar në shpëtimin e të tjerëve.15 [Shih sugjerimin 3 në faqen 221.]

Mbajtës të drejtë të priftërisë kërkojnë zellshëm dhe energjikisht dhurata shpirtërore që t’i ndihmojnë për t’u shërbyer të tjerëve.

Vëllezërve të mi në Priftëri unë do të doja t’u them disa fjalë këshillimi, udhëzimi dhe nxitjeje të fortë. Mbi ju qëndrojnë përgjegjësi të larta dhe të shenjta, që lidhen jo vetëm me shpëtimin e këtij brezi, por të shumë brezave të kaluara dhe të shumëve që do të vijnë. Flamuri i lavdishëm i mbretërisë së Emanuelit, me qëllim që të vendoset edhe një herë në botë, duhet të valëvitet në çdo komb, mbretëri dhe perandori; zëri paralajmërues … duhet të çohet përpara te çdo popull; ju jeni ata të cilët Zoti i zgjodhi për këtë qëllim, madje biri më i madh i Jozefit, për të mbledhur së bashku popullin [shih Ligji i Përtërirë 33:13–17]. Sigurisht ju nuk mund të keni tepri ankthi, as tepri zelli në përpjekje për të lartësuar sa më shumë detyrat tuaja të shenjta dhe hyjnore në mënyrën që është më e dobishme për ju dhe për njerëzimin.16

Ka burra në këtë Kishë që janë aq të mirë në zemrën dhe ndjenjat e tyre sa mund të kenë qenë ndonjëherë burrat, por u mungon besimi dhe energjia për të punuar fort dhe nuk e arrijnë vërtet atë që është privilegji i tyre ta marrin. Nëse besimi i tyre, energjia dhe vendosmëria e tyre do të ishin njësoj si ndjenjat e dëshirat e tyre të mira, ndershmëria dhe mirësia e tyre, ata vërtet do të ishin burra të fuqishëm në Izrael; dhe sëmundja dhe dobësia e fuqia e të ligut do të zhdukej para tyre si byku në erë. Përsëri, ne themi se jemi një popull i mirë dhe që jo vetëm që po veprojmë njësoj si njerëz të tjerë por po bëjmë përparime të mëdha në drejtësi përpara Perëndisë; dhe pa dyshim, jemi të mirë. Por unë dua të theksoj për ju, vëllezër dhe motra të mia, se ka Pleq midis nesh që u janë dhënë dhurata shpirtërore që mund të përdoren nëpërmjet ndihmës së Frymës së Shenjtë. Dhuratat e Ungjillit duhet të zhvillohen me zell dhe këmbëngulje. Kur Profetët e lashtë dëshironin një bekim të veçantë, ose njohuri, zbulesë apo vegim të rëndësishëm, ata agjëronin dhe luteshin për atë qëllim, ndonjëherë për ditë dhe madje javë.17

Vëllezër të mi të rinj, kur gjërat shkojnë kundër jush, kur çdo gjë duket e zezë, bëni detyrën tuaj dhe do të bëheni burra të fortë, burra të fuqishëm; i sëmuri do të shërohet nën bekimet tuaja; djalli do të largohet prej jush; i vdekuri do të ngrihet; dhe çdo gjë që është bërë ndonjëherë nga njeriu qysh prej ditëve të Adamit, do të jeni në gjendje ta bëni nëpërmjet fuqisë së Perëndisë dhe nëpërmjet dëshirës së duhur.18

Pastërtia, virtyti, besnikëria, perëndishmëria duhet të kërkohen me dëshirë të madhe, ose kurora nuk mund të fitohet. Këto parime duhet të bëhen pjesë e jona, të ndërthuren brenda fizikut tonë, duke u bërë pjesë e jona, duke na bërë një qendër, një burim të së vërtetës, barazisë, drejtësisë dhe mëshirës, të gjithçkaje që është e mirë dhe madhështore, që nga ne të mund të burojë drita, jeta, fuqia dhe ligji për të drejtuar, qeverisur dhe ndihmuar që të shpëtohet një botë që endet; duke vepruar si bij të Perëndisë, për dhe në emër të Atit tonë në qiell. Ne presim që në ringjallje të përdorim fuqitë e priftërisë sonë – ne mund t’i ushtrojmë ato vetëm në përpjesëtim me sa drejtësi dhe përsosje të saj arrijmë; këto kualifikime mund të merren vetëm kur kërkohen dhe arrihen, kështu që në fillim të ringjalljes do të zotërojmë vetëm ato gjëra që kemi fituar në këtë botë! Perëndishmëria nuk mund të dhurohet por duhet të fitohet, fakt për të cilin duket se bota fetare çuditërisht dhe fatkeqësisht nuk është e vetëdijshme. Përpiquni t’u bëni mirë të tjerëve dhe të tjerët do të përpiqen t’ju bëjnë mirë juve; dhe ai që do të jetë i mrekullueshëm, le të jetë i mirë, duke kërkuar mungesat dhe nevojat e së tërës, duke u bërë shërbëtor i të gjithëve.19

Si shenjtorë të Perëndisë, Pleq të Izraelit, ne duhet të jemi të gatshëm të përkushtojmë kohë dhe punë, duke bërë çdo sakrificë të nevojshme, me qëllim që të arrijmë kualifikimet e duhura shpirtërore për të qenë shumë të dobishëm në thirrje tona të shumta. Dhe Zoti frymëzoftë çdo zemër për rëndësinë e këtyre çështjeve që të mund të kërkojmë me zell dhe plot pasion për dhuratat dhe fuqitë e premtuara në Ungjillin të cilit i jemi bindur.20 [Shih sugjerimin 4 poshtë.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Rishikoni rrëfimin në faqet 213–215. Në cilat mënyra mund të përgatiten mbajtësit e priftërisë Melkizedeke për të dhënë bekime priftërie? Çfarë mund të bëjmë ne të gjithë për t’u përgatitur për të marrë bekime priftërie?

  2. Lexoni paragrafin në fund të faqes 216. Në cilat mënyra ordinancat e priftërisë tregojnë fuqinë e Perëndisë në jetën tonë?

  3. Në cilat mënyra ordinancat dhe bekimet e priftërisë na ndihmojnë të gjithëve të gjejmë lumturi në këtë jetë? Si na ndihmojnë ato që të arrijmë lumturi të përjetshme? Në lidhje me këto pyetje, meditoni mbi mësimet e Presidentit Snou në faqet 218–219.

  4. Në faqet 219–221, shqyrtoni dhuratat shpirtërore që Presidenti Snou i nxiti mbajtësit e priftërisë që t’i zhvillojnë. Çfarë mendoni se do të thotë të zhvillosh një dhuratë shpirtërore? Si lidhet kjo këshillë me përpjekjet e të gjithë anëtarëve të Kishës?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Jakobi [Bibël] 5:14–15; Alma 13:2–16; DeB 84:19–22; 128:8–14; Nenet e Besimit 1:3, 5

Ndihmë për Mësimdhënien: “Për të ndihmuar nxënësit që të përgatiten për t’iu përgjigjur pyetjeve, ju mund të doni t’u tregoni para se të lexohet apo të tregohet diçka, se ju do t’i pyesni ata për përgjigjet e tyre. … Për shembull, ju mund të thoni: ‘Dëgjoni ndërsa po lexoj këtë pjesë që të mund të tregoni se çfarë ju intereson më shumë rreth saj’, ose ‘Kur lexohet ky shkrim, shihni nëse mund të kuptoni se çfarë po na tregon Zoti rreth besimit’” (Teaching, No Greater Call, f. 69).

Shënime

  1. Shih letër drejtuar Brigham Young-ut, në The Italian Mission (1851), f. 11.

  2. Shih “Organization of the Church in Italy”, Millennial Star, 15 dhjetor 1850, f. 371.

  3. Letër drejtuar Brigham Young-ut, në The Italian Mission, f. 14.

  4. Letër drejtuar Brigham Young-ut, në The Italian Mission, f. 14.

  5. Cituar në “Organization of the Church in Italy”, f. 371.

  6. Shih letër drejtuar Brigham Young-ut, në The Italian Mission, f. 15.

  7. Në Conference Report, prill 1880, f. 81.

  8. Deseret News: Semi-Weekly, 23 janar 1877, f. 1.

  9. Deseret News, 24 janar 1872, f. 598.

  10. Në Conference Report, prill 1880, f. 81–82.

  11. Deseret News: Semi-Weekly, 2 dhjetor 1879, f. 1.

  12. Deseret News, 15 maj 1861, f. 81–82.

  13. Deseret Evening News, 6 tetor 1880, f. 2; nga një parafrazim i hollësishëm i një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e përgjithshme të tetorit të 1880-ës.

  14. “The Object of This Probation”, Deseret Semi-Weekly News, 4 maj 1894, f. 7.

  15. Në Journal History, 11 korrik 1865, f. 2.

  16. “Address to the Saints in Great Britain”, Millennial Star, 1 dhjetor 1851, f. 362.

  17. Deseret News: Semi-Weekly, 15 gusht 1882, f. 1.

  18. Në “Anniversary Exercises”, Deseret Evening News, 7 prill 1899, f. 9.

  19. “Address to the Saints in Great Britain”, f. 362–363.

  20. Deseret News: Semi-Weekly, 15 gusht 1882, f. 1.

Një fotografi e kohëve tona në rajonin e Piemontit të Italisë, ku Plaku Lorenco Snou shërbeu si misionar në fillimet e 1850-ës.

Të gjithë anëtarët besnikë të Kishës bekohen nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të priftërisë.

Apostujt e lashtë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni u dhanë Priftërinë Melkizedeke Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit.