Mësime të Presidentëve
Kapitulli 20: Mbretëria e Perëndisë Përparon


Kapitulli 20

Mbretëria e Perëndisë Përparon

“Është puna e atyre që deklarojnë se janë të angazhuar në punën e [Perëndisë], që të vazhdojnë përpara, të përparojnë. … Sa kohë që ka një hap përpara për t’u bërë, ai hap duhet të bëhet.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Në 1844-ën, ndërsa po përmbushte një detyrë në lindje të Shteteve të Bashkuara, Lorenco Snou mësoi se Profeti Jozef Smith dhe vëllai i tij Hajrëm ishin martirizuar. Ai tha: “Lajmi i kësaj ngjarjeje të tmerrshme, sigurisht, ishte tërësisht i papritur, dhe më goditi me një befasi e hidhërim të madh, që nuk ka fjalë për ta përshkruar”. Duke iu bindur udhëzimeve nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, ai bëri përgatitjet për t’u kthyer në shtëpinë e tij në Navu të Ilinoisit.1

Më vonë ai kujton: “Në kohën e Jozefit, disa njerëz mendonin se kjo Kishë nuk mund të përparojë veçse e udhëhequr nga Jozefi dhe kur erdhi koha që ai duhej të largohej nga kjo botë si një martir në botën e shpirtrave, shenjtorët kudo në mbretërinë e Perëndisë u shqetësuan shumë. Ishte diçka e papritur. Ata zor se e dinin si do të vazhdonin pas saj. Përgjegjësia [për të udhëhequr Kishën] atëherë i kaloi Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve; dhe nëpërmjet bekimeve të Perëndisë që ata kishin dhe shpirtit të frymëzimit që ishte në kraharorin e tyre, dhe nën drejtimin e të Plotfuqishmit, mbretëria përparoi.”2

Presidenti i dytë i Kishës, Brigam Jangu, vdiq në 1877-ën, pasi e pati udhëhequr Kishën për 33 vjet. Plaku Lorenco Snou, atëherë anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, edhe një herë qe dëshmitar i një ndryshimi në udhëheqjen tokësore të Kishës. Ai më vonë tha se Presidenti Jang “vdiq thuajse papritur. Shenjtorët vështirë se ishin të përgatitur për të. Dhe përsëri mbretëria e Perëndisë përparoi.”3

Kur Xhon Tejlor, Presidenti i tretë i Kishës, vdiq në 1887-ën, Plaku Snou i siguroi shenjtorët: “Zoti e pa të përshtatshme ta thërrasë tani vëllain tonë të dashur, Presidentin Tejlor larg kësaj bote që ka shumë vuajtje, kësaj bote të martirizimit; dhe Kisha përsëri përparon”4.

Në 1898-ën, rreth 11 vjet pasi qetësoi shenjtorët në funeralin e Presidentit Tejlor, Lorenco Snou ndieu vetë nevojën për një qetësim të tillë. Ai po shërbente atëherë si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Presidenti Uillford Udraf shërbente si President i Kishës, dhe shëndeti i tij fizik po përkeqësohej. Presidenti Snou e dinte se, sipas mënyrës së vendosur për kalimin e udhëheqjes së Kishës nga një President te tjetri, ai do të kryesonte Kishën nëse do të jetonte pas Presidentit Udraf. Një mbrëmje u ndie veçanërisht i rënduar nga kjo mundësi. Duke ndier se nuk ishte aq i mirë për të marrë udhëheqjen e Kishës, ai shkoi i vetëm në një dhomë në Tempullin e Solt-Lejkut për t’u lutur. Ai i kërkoi Perëndisë të kursente jetën e Presidentit Udraf, por gjithashtu premtoi se do të kryente çdo detyrë që Perëndia do të kërkonte prej tij.

Presidenti Udraf vdiq më 2 shtator 1898, jo shumë pas lutjes së zjarrtë të Presidentit Snou në tempull. Presidenti Snou ishte në Brigam-Siti, rreth 100 kilometra në veri të Solt-Lejk-Sitit, kur mori lajmin. Ai bëri përgatitjet për të udhëtuar për në Solt-Lejk-Siti me tren po atë mbrëmje. Me të mbërritur, përsëri shkoi në një dhomë private në tempull për t’u lutur. Ai pohoi ndjenjat e tij të pamjaftueshmërisë por shprehu gatishmërinë e tij për të bërë vullnetin e Zotit. Ai kërkoi për drejtim dhe priti për një përgjigje, por asgjë nuk erdhi. Kështu u largua nga dhoma.

Duke hyrë në një korridor të gjatë, ai mori përgjigjen – dhe sigurimin – që pati kërkuar. Përpara tij qëndronte Shpëtimtari i ringjallur, që i tregoi atij çfarë duhej të bënte. Më vonë, Presidenti Snou i tregoi vajzës së djalit të tij, Elisa Pond, rreth këtij përjetimi. Elisa e shënoi bisedën që pati me gjyshin e saj në Tempullin e Solt-Lejkut:

“Në korridorin e madh që të çon drejt dhomës çelestiale, unë po ecja disa hapa përpara gjyshit kur ai më ndaloi dhe më tha: ‘Prit pak, Elli, dua të të tregoj diçka. Ishte pikërisht këtu që Zoti Jezu Krisht m’u shfaq në kohën e vdekjes së Presidentit Udraf. Ai më udhëzoi të shkoja përpara dhe të riorganizoja menjëherë Presidencën e Parë të Kishës dhe të mos prisja siç ishte bërë pas vdekjes së presidentëve të mëparshëm, dhe që unë duhej të bëhesha udhëheqësi tjetër pas Presidentit Udraf.’

Pastaj gjyshi erdhi një hap më afër dhe zgjati dorën e tij të majtë dhe tha: ‘Ai qëndroi pikërisht këtu, rreth një metër mbi dysheme. Ai dukej sikur qëndronte mbi një pjatë ari të plotë.’

Gjyshi më tregoi çfarë personazhi i lavdishëm është Shpëtimtari dhe përshkroi duart, këmbët, pamjen e fytyrës dhe rrobat e Tij të mrekullueshme të bardha, gjithçka nga të cilat ishte e një lavdie, bardhësie e shkëlqimi që ai zor se mund ta vështronte ngultas Atë.

Pastaj [gjyshi] erdhi edhe një hap më afër dhe vuri dorën e tij të djathtë mbi kokën time dhe tha: ‘Tani, mbesë, unë dua që ti të kujtosh se kjo është dëshmia e gjyshit tënd, që të tregoi ty me gojën e tij se ai vërtet e pa Shpëtimtarin, këtu në Tempull, dhe foli me Të ballë për ballë’.”5

Takimi i Presidentit Snou me Shpëtimtarin ishte një pohim i shenjtë i së vërtetës që ai e dinte prej shumë vitesh – që Jezu Krishti është kreu i Kishës. I frymëzuar nga kjo e vërtetë, Presidenti Snou shpesh dëshmoi se Kisha do të vazhdonte të përparonte pavarësisht kundërshtimit. Ai shprehu mirënjohjen e tij për mundësinë që të merrte pjesë në çuarjen përpara të punës së Zotit për ditët e mëvonshme. Në konferencën e përgjithshme të tetorit të 1898-ës, në të cilën u mbështet si President i Kishës, ai tha: “Le të vendosim në zemrat tona, le t’i dëshmojmë së brendshmi Zotit, se ne, në konferencën tjetër, do të jemi një popull më i mirë, një popull më i bashkuar nga sa jemi sot. Kjo duhet të jetë ndjenja dhe vendosmëria e çdo burri dhe gruaje të pranishme në këtë asamble solemne. Unë e ndiej në zemër se do të përpiqem të jem më i përkushtuar nga sa kam qenë në të kaluarën në interes të mbretërisë së Perëndisë dhe të plotësimit të qëllimeve të Tij.”6 [Shih sugjerimin 1 në faqen 254.]

Mësime të Lorenco Snout

Në përmbushje të profecisë, Zoti rivendosi Kishën e Tij në tokë.

Si një shërbëtor i Perëndisë unë jap dëshmi për zbulesën e vullnetit të Tij në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Ajo erdhi nga vetë zëri i Tij nga qiejt, nga shfaqja personale e Birit të Tij dhe nga shërbesa e engjëjve hyjnorë. Ai i urdhëron të gjithë popujt kudo që të pendohen, të largohen nga udhët e tyre të këqija dhe dëshirat e padrejta, të pagëzohen për shlyerjen e mëkateve që ata të mund të marrin Frymën e Shenjtë dhe të kenë shoqërimin e Tij. Ai ka filluar punën e shëlbimit për të cilën është folur nga të gjithë profetët, të urtët dhe shikuesit e shenjtë të të gjitha epokave dhe të të gjitha racave të njerëzimit.7

Mormonizmi, një emërtim për fenë e vërtetë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, nuk pretendon të jetë një gjë e re, përveçse për këtë brez. Ai e shpall veten si planin fillestar të shpëtimit, të krijuar në qiej përpara se bota të ishte dhe të zbuluar njeriut prej Perëndisë në epoka të ndryshme. Që Adami, Enoku, Noeu, Abrahami, Moisiu dhe njerëz të tjerë të vlefshëm të lashtë e patën këtë fe njëri pas tjetrit, në një radhë periudhash ungjillore, ne, si popull, vërtet e besojmë. … Mormonizmi, shkurt, është besimi i krishterë i lashtë i rivendosur, Ungjilli i lashtë i sjellë përsëri – këtë herë për të filluar periudhën ungjillore të fundit, për të hyrë në mijëvjeçar dhe për të përmbyllur punën e shëlbimit lidhur me këtë planet.8

Ne mund të shohim dorën e të Plotfuqishmit tek krijon një mbretëri për të cilën është folur që larg në epoka të shkuara nga Profeti Daniel, – një mbretëri e cila do të rritet dhe përhapet gjersa të mbushë gjithë tokën [shih Danieli 2:44], kur drita dhe inteligjenca do të jenë të përhapura aq gjerësisht saqë nuk do të jetë më e nevojshme për asnjë njeri që t’u thotë bashkëqenieve të tij: “‘Njihni Zotin!’, sepse të gjithë do ta njohin atë nga më i vogli e deri te më i madhi” [shih Jeremia 31:34]; dhe kur Shpirti i Zotit do të derdhet mbi gjithkënd në atë masë që bijtë e tyre dhe bijat e tyre do të profetizojnë, të moshuarit e tyre do të shohin ëndrra, të rinjtë e tyre do të kenë vegime [shih Joeli 2:28] dhe kur nuk do të ketë asgjë të keqe apo të shkatërruar mbi tërë malin e shenjtë të Zotit [shih Isaia 11:9].9 [Shih sugjerimin 2 në faqen 254.]

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është ndërtuar mbi një themel të sigurt dhe do të vazhdojë të përparojë pavarësisht kundërshtimit.

Vëllezër dhe motra, Perëndia ka krijuar Kishën dhe Mbretërinë e Tij në tokë për përfitimin dhe bekimin e familjes njerëzore, për t’i drejtuar ata në udhën e së vërtetës, për t’i përgatitur për ekzaltim në praninë e Tij dhe për ardhjen e Tij të lavdishme dhe mbretërinë e Tij në tokë. Qëllimi i Tij do të përmbushet pavarësisht të gjithë kundërshtimit që mund t’u dalë përpara nga njerëzit e këqij dhe fuqitë e errësirës. Çdo gjë që pengon udhën e kësaj pune do të hiqet. Asgjë nuk do të jetë në gjendje t’i rezistojë fuqisë së Tij, por çdo gjë që Ai ka urdhëruar do të përmbushet plotësisht dhe përsosmërisht. Dashuria e Perëndisë për popullin e Tij do të vazhdojë dhe do të zgjasë, dhe ata do të triumfojnë në fuqinë e Tij.10

Tani, a mund të vihet në diskutim që kjo mbretëri të shkatërrohet?! … Pse, ju mund po ashtu të përpiqeni të hiqni yjet nga qielli ose hënën apo diellin nga orbita e tij! Kjo nuk mund të ndodhë kurrë, sepse është puna e të Plotfuqishmit.11

Mbretëria e Perëndisë përparon me forcë e fuqi dhe me sukses të madh e të lavdishëm.12

Kjo punë është ngritur mbi një bazë të sigurt, është themeluar mbi shkëmbin e epokave. … Pavarësisht atyre që humbasin rrugës, besimi i të cilëve shkatërrohet, Kisha do të përparojë.13

Kjo Kishë do të qëndrojë, sepse është mbi një bazë të patundur. Ajo nuk është krijuar nga njeriu; nuk është nga studimi i Dhiatës së Re apo i Dhiatës së Vjetër; nuk është rezultat i mësimit që morëm në kolegje laike apo fetare, por ajo ka ardhur drejtpërdrejt nga Zoti. Zoti e ka shfaqur atë për ne nëpërmjet parimit të zbulesës nga Shpirti i Shenjtë i së vërtetës dhe çdo njeri mund ta marrë po këtë shpirt.

… Ai na jep një njohuri se çfarë duhet të bëjmë, për aq sa jemi të gatshëm që më mirë të sakrifikojmë jetën tonë, sesa të jetojmë apo të veprojmë në kundërshtim me atë njohuri. Ai na zbulon sekretet e mbretërisë çelestiale dhe vazhdimisht na komunikon gjëra që nuk i dinim kurrë më parë. Kjo njohuri dhe inteligjencë po rritet vazhdimisht në ne.

… Ne kemi marrë aq shumë njohuri, sa nuk mund të zhgënjehemi në qëllimet tona. Ata që dëshirojnë ta përndjekin apo ta rrëzojnë mormonizmin, le të vazhdojnë e ta bëjnë punën e tyre. … Puna jonë është të rritemi në njohurinë për Perëndinë, të mbajmë urdhërimet e Perëndisë, të jemi besnikë, të vazhdojmë të rritemi dhe të bëhemi gjithnjë e më të përsosur ndërsa përparojmë ndër vite.14 [Shih sugjerimin 3 në faqen 254.]

Ne jemi populli i Perëndisë dhe Ai do të na mbrojë ndërsa shkojmë përpara dhe bëjmë gjithçka që Ai kërkon.

Në shumë raste … kur shkatërrimi i popullit të Perëndisë dukej i afërt dhe nuk dukej rrugë shpëtimi, … befas ngrihej një gjë apo një tjetër, që ishte përgatitur për shpëtimin e tyre për të mënjanuar shkatërrimin e afërt. Ne e shohim këtë në rastin e izraelitëve kur u udhëhoqën nga Moisiu. Kur ata arritën te Deti i Kuq dhe ushtria egjiptiane pas tyre po i kërcënonte t’i shkatërronte, dukej se nuk kishte rrugëdalje shpëtimi, por, vini re, pikërisht në çastin kur u kërkua shpëtimi, ai erdhi dhe ata u shpëtuan [shih Eksodi 14:10–25].

Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë me ne. Edhe pse vështirësitë tona mund të duken shumë të mëdha, përsëri do të sigurohen mjete për shpëtimin tonë nëse vetë ne i kryejmë detyrat që na kërkohen si fëmijë të Perëndisë. Por – dhe kjo është pika që dua të theksoj – në të ardhmen, mund të bëhet e nevojshme për disa shenjtorë që të luajnë pjesën e Esterit, mbretëreshës, dhe të jenë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë dhe gjithçka që kërkohet prej tyre, me qëllim arritjen e çlirimit të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Së pari, duhet të dimë që jemi populli i Perëndisë. … Është puna jonë të ecim përpara siç bëri Esteri, dhe të jemi të gatshëm të rrezikojmë gjithçka për shpëtimin e popullit. Duke pranuar detyrën e saj, Esteri tha: “Në qoftë se duhet të vdes, do të vdes”. [Shih Esteri 4:3–16.] … Por populli i Perëndisë nuk do të vdesë. Do të ketë gjithmonë një dash të zënë nga brirët për çlirimin e tyre [shih Zanafilla 22:13]. …

… Zoti ka thënë: “Unë kam dekretuar në zemrën time, që unë do t’ju vë në provë në gjithçka, nëse do ta duroni besëlidhjen time, madje deri në vdekje, që ju të mund të gjendeni të denjë. Sepse, në qoftë se nuk do ta duroni besëlidhjen time, ju nuk jeni të denjë për mua.” [Shih DeB 98:14–15.] Ne kemi mjaft arsye që të duam të jetojmë; por ka edhe më shumë arsye për ne që ta japim jetën për Zotin. Por në këto çështje nuk ka vdekje. Ka shpëtim dhe ka jetë nëse populli i Perëndisë – ata që e quajnë veten sipas emrit të Zotit Jezu Krisht – do t’i mbajnë urdhërimet e Tij dhe do të bëjnë atë që është e pranueshme në shikimin e Tij. Nuk është në planin e të Plotfuqishmit që të lejojë që populli i Tij të shkatërrohet. Nëse do të bëjmë të drejtën dhe do të mbajmë urdhërimet e Tij, Ai do të na çlirojë nga çdo vështirësi.15 [Shih sugjerimin 4 në faqen 254.]

Është koha që të përulim veten përpara Perëndisë dhe të përmbushim punën që na ka mirëbesuar.

Është puna e atyre që deklarojnë se janë të angazhuar në punën e Tij, që të vazhdojnë përpara, të përparojnë, … pa murmuritur apo pa nevojë për t’u nxitur; sa kohë që ka një hap përpara për t’u bërë, ai hap duhet të bëhet.16

Tani është koha për shenjtorët e ditëve të mëvonshme të përulin veten përpara të Plotfuqishmit. … Është koha tani për shenjtorët e ditëve të mëvonshme të gjejnë se çfarë janë zotuar të bëjnë dhe të jenë; është koha për shenjtorët e ditëve të mëvonshme të pendohen për mëkatet dhe marrëzitë e tyre e të thërrasin të Plotfuqishmin, që ndihma e Tij të mund të jepet; … që ne të mund të ecim përpara dhe të përmbushim veprën e madhe të cilën jemi përgjegjës ta kryejmë.17

Ne po bëjmë punën e Perëndisë. Mundësitë përpara nesh janë të lavdishme, por le të kujtojmë gjithmonë, në çdo gjë që bëjmë dhe krijojmë, që ne jemi shërbëtorë të Perëndisë dhe po bëjmë vullnetin e Tij. Të mos japim shkak që njerëzit të mos na besojnë, por besimi ynë vazhdimisht të rritet ndërsa ecim gjatë jetës. Unë do të isha i kënaqur të veproja aty ku Drejtimi Hyjnor më ka vendosur, dhe t’i kërkoja Zotit atë që mund të bëja për të ndihmuar në ngritjen e mbretërisë së Perëndisë në atë vend, dhe të më ndihmonte të siguroja mjetet e jetesës për familjen time.18

Ne mund të fitojmë më shumë njohuri dhe fuqi, e të rrisim aftësinë për të ngritur mbretërinë e Perëndisë mbi tokë, që përmbushet me anë të zellit tonë, përulësisë dhe besnikërisë sonë ndaj besëlidhjeve që kemi bërë.19

Mund të duket, për shkak të padijes sonë për të mos kuptuar plotësisht mënyrat e Zotit dhe qëllimet e Tij, se, ndërsa punojmë për të realizuar planin e Zotit, ne ndonjëherë vijmë në një vend ku mund të pushojmë për pak kohë, por fakti është se nuk ka një gjë të tillë në plan dhe nuk mund të ketë, për aq kohë sa njerëzit vazhdojnë të punojnë dhe të vënë besimin e tyre në premtimet e Perëndisë. …

… Le të jetë çdo njeri besnik dhe shumë i zellshëm në mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë dhe të zhvillojë dëshirën për t’u bërë mirë atyre rreth tij; dhe nëse, kur mendojmë për të kaluarën, zbulojmë se nuk kemi vepruar saktësisht në përputhje me zërin e ndërgjegjes dhe të detyrës sonë, le ta vëmë jetën tonë në vijë në mënyrë që Perëndia dhe njerëzit e tjerë të mendojnë që jemi të mirë, që të mund të jemi të përgatitur për çdo ngjarje që mund të ndodhë. Le të vazhdojë puna për ndërtimin e tempujve dhe të shtëpive të adhurimit; le të vazhdojmë [ne] t’i edukojmë fëmijët [tanë] dhe t’i rrisim në frikën e Zotit dhe le të çohet më tej Ungjilli te kombet larg. …

Kjo është puna e Perëndisë dhe Ai po drejton udhën e përparimin në tokë, dhe kjo punë duhet të konsiderohet gjithmonë si gjëja më e rëndësishme në mendjen tonë, dhe për sa kohë vazhdojmë në udhën e detyrës, ne me siguri mund të qëndrojmë të përforcuar, të patundur e të vendosur në qëllimin tonë, dhe kështu t’i tregojmë botës besimin dhe besnikërinë tonë ndaj parimeve të së vërtetës që Perëndia ka zbuluar. …

Zoti me shumë gjasa mund të shkaktojë një presion të rëndë që të bjerë mbi ne, që do të kërkojë sakrificë të madhe nga ana e popullit të tij. Pyetja të cilës duhet t’i përgjigjemi është, a do ta bëjmë ne atë sakrificë? Kjo vepër është vepra e të Plotfuqishmit dhe bekimet që kërkojmë, të cilat na janë premtuar, do të vijnë pasi të jemi testuar dhe provuar se jemi besnikë. Unë nuk po përpiqem t’i them këtij populli se ka, ose se nuk ka, përpara tij një sprovë të vështirë që ai duhet të përjetojë; pyetja për mua është, a jam unë i përgatitur të marr çfarëdo bekimi që Zoti mund të më japë mua ose popullit të Tij dhe ta përdor siç duhet; ose, nga ana tjetër, a jam i përgatitur të bëj çfarëdo sakrifice që Ai mund të kërkojë prej meje? Unë nuk do të jepja as hirin e një kashte thekre për çfarëdo feje për të cilën nuk ia vlen të jetosh dhe për të cilën nuk ia vlen të vdesësh; dhe unë nuk do të jepja shumë për një njeri që nuk do të ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka që ka për hir të fesë së tij.

Epo, unë [i them] secilit dhe të gjithëve, Ecni përpara! Ecni përpara, dhe fitoni shpëtimin e Zotit e mos qëndroni në vend.20 [Shih sugjerimin 5 në faqen 254.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Lexoni tregimet në faqet 245–247. Çfarë kuptimi mendoni se ka të thuash që mbretëria e Perëndisë përparon? Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të shihni mbretërinë e Perëndisë të përparojë?

  2. Në paragrafin e fundit në faqen 248, Presidenti Snou iu referohet katër profecive në Dhiatën e Vjetër. Në cilat mënyra po përmbushen sot këto katër profeci?

  3. Studioni mësimet e Presidentit Snou rreth Kishës që përparon pavarësisht kundërshtimit (faqet 248, 250–251). Si mund të na ndihmojnë këto mësime kur njerëzit na përndjekin për shkak të besimit tonë? Si jeni përballur ju me kundërshtimin ndaj dëshmisë suaj?

  4. Shqyrtoni paragrafin e tretë dhe të katërt në faqet 251–252. Kur na kërkohet të bëjmë sakrifica, çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Esterit? Në situata të tilla, si mendoni ju se do të na ndihmonte të “dimë që jemi populli i Perëndisë”?

  5. Në pjesën e fundit të kapitullit, Presidenti Snou këshillon anëtarët që të ngrenë mbretërinë e Perëndisë kudo që Zoti i ka vendosur ata. Në çfarë mënyrash përpjekjet e prindërve në shtëpi ndihmojnë të ngrihet mbretëria e Perëndisë kudo në tokë? Si munden mësuesit e shtëpisë dhe mësueset vizitore të ngrenë mbretërinë e Perëndisë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 24:14; Ethëri 12:27; Moroni 7:33; DeB 12:7–9; 65:1–6; 128:19–23

Ndihmë për Mësimdhënien: “Shpesh është e dobishme të fillosh të mendosh rreth një mësimi të ardhshëm shpejt pasi keni dhënë mësimin e mëparshëm. Ju ndoshta do të dini më shumë për ata, të cilëve u jepni mësim dhe nevojat e interesat e tyre, menjëherë pasi keni qenë me ta” (Teaching, No Greater Call, f. 97).

Shënime

  1. Shih Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 79–82.

  2. Në “Laid to Rest: The Remains of President John Taylor Consigned to the Grave”, Millennial Star, 29 gusht 1887, f. 549.

  3. Në “Laid to Rest: The Remains of President John Taylor Consigned to the Grave”, f. 549.

  4. Në “Laid to Rest: The Remains of President John Taylor Consigned to the Grave”, f. 549.

  5. Alice Pond, në LeRoi C. Snow, “An Experience of My Father’s”, Improvement Era, shtator 1933, f. 677; shih gjithashtu korrespondencën midis Plakut John A. Widtsoe dhe Noah S. Pond, bashkëshort i Alice Armeda Snow Young Pond, 30 tetor 1945 dhe 12 nëntor 1946, Church History Library. Alice ishte në fillim të njëzetave, kishte marrë indaumentin dhe ishte vulosur me bashkëshortin e saj kur Presidenti Snow ndau këtë përvojë me të në tempull.

  6. Në Conference Report, tetor 1898, f. 55.

  7. “Greeting to the World by President Lorenzo Snow”, Deseret Evening News, 1 janar 1901, f. 5.

  8. “‘Mormonism’ by Its Head”, Land of Sunshine, tetor 1901, f. 252.

  9. Deseret News, 24 janar 1872, f. 597.

  10. Deseret Semi-Weekly News, 4 tetor 1898, f. 1.

  11. Deseret News, 24 janar 1872, f. 598.

  12. Deseret Weekly, 4 nëntor 1893, f. 609.

  13. Millennial Star, 12 maj 1890, f. 293; nga një parafrazim i hollësishëm i një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e përgjithshme të prillit të 1890-ës.

  14. Në Conference Report, prill 1900, f. 3–4.

  15. Deseret News, 22 nëntor 1882, f. 690.

  16. Deseret News: Semi-Weekly, 27 qershor 1882, f. 1.

  17. Deseret News, 22 nëntor 1882, f. 690.

  18. Në Journal History, 11 korrik 1865, f. 2.

  19. Deseret News, 15 maj 1861, f. 82.

  20. Deseret News: Semi-Weekly, 27 qershor 1882, f. 1.

Presidenti Lorenco Snou dëshmoi për Rivendosjen e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

“Vëllezër dhe motra, Perëndia ka krijuar Kishën dhe Mbretërinë e Tij në tokë për përfitimin dhe bekimin e familjes njerëzore.”