“Gjetja e një Mentori: Zoti Vendos Shembuj në Shtegun Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Gjetja e një Mentori: Zoti Vendos Shembuj në Shtegun Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Përgatitja për Arsimimin dhe Punësimin e Ardhshëm: Mësimi 191
Gjetja e një Mentori
Zoti Vendos Shembuj në Shtegun Tonë
Kur reflekton mbi jetën tënde, si të kanë ndihmuar mentorët e mirëbesuar? Nga Moisiu dhe Jozueu tek Eliu dhe Samueli, historitë nga shkrimet e shenjta ilustrojnë vlerën e marrëdhënieve të ndjekjes nga një mentor. Këto histori na drejtojnë te mentorët tanë të përsosur: Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të bëjnë një plan për të përcaktuar dhe për t’u lidhur me mentorët e mundshëm të arsimimit dhe karrierës.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për arsimimin e tanishëm dhe të ardhshëm dhe synimet e karrierës. Kërkojuni nxënësve të bëjnë një listë të disa të rriturve të mirëbesuar që mund të shërbejnë si shembuj ose mentorë për t’i ndihmuar ata t’i arrijnë këto synime dhe ta sjellin listën e tyre në klasë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kë do të doje të ndiqje?
Merreni parasysh ta filloni mësimin duke i ftuar nxënësit të imagjinojnë sikur ishin pjesë e një grupi shokësh që ishin gati të fillonin një udhëtim përmes një xhungle të dendur. Grupit iu tha se udhëtimi do të ishte i vështirë, por vendmbërritja do të ishte e mrekullueshme dhe që ia vlente përpjekja. Grupi u ftua të përzgjidhte dikë si udhërrëfyes.
-
Cilat janë disa nga kualifikimet që do të doje të kishte udhërrëfyesi yt? Përse?
-
Si do të përgjigjeshe nëse një anëtar i grupit do të sugjeronte se nuk keni nevojë për një udhërrëfyes?
Ftojini nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si ky skenar mund të gjejë zbatim në planet e tyre për arsimim dhe karrierë. Mund të përmendni se ky mësim do të përqendrohet në përcaktimin dhe vënien në kontakt me mentorët.
Shënim: Mund të keni nxënës që nuk e shohin nevojën për një mentor. Mund të kërkoni mundësi për t’i ndihmuar ata të kuptojnë vlerën e mentorëve dhe fushat ku ata mund të marrin ndihmë sot. Ndihmojini nxënësit të dallojnë se, ashtu si një udhërrëfyes, një mentor mund të sjellë përvojë dhe pikëpamje që mund të na ndihmojnë të orientohemi në vendimet për arsimim dhe karrierë.
Studioji këto thënie duke kërkuar mënyrën se si Zoti mund të të udhërrëfejë nëpërmjet këshillës së mentorëve.
Vëllai Milton Kamargo, asokohe Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës, tha:
“Në njëfarë pike gjatë udhëtimit tuaj [në] arsimim … ju mund të ndiheni të mbingarkuar me kaq shumë gjëra për të bërë. Ju lutem kujtoni se nuk jeni vetëm gjatë sfidave tuaja. Zoti ju ka dhënë shumë njerëz që mund t’ju përkrahin: pjesëtarët e familjes, udhëheqësit e Kishës, shokë, si edhe instruktorë, mentorë dhe edukatorë. Dhe, sigurisht, Zoti Vetë qëndron gjithmonë gati për t’ju ngushëlluar dhe forcuar.” (“Persevere with the Lord’s Help” [takim shpirtëror i UBJ–Pathway Mbarëbotëror, 1 mars 2022], f. 2, byupathway.edu)
Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“[Mentorët] kanë shkuar para nesh dhe ata e dinë rrugën. … Një individ me më shumë përvojë, i mirëbesuar, shërben si një udhërrëfyes dhe këshillues i efektshëm për një person me më pak përvojë, duke ndihmuar të formësohet kuptueshmëria e atij personi dhe parimet e mësimdhënies që do ta bëjnë atë më të efektshëm, më të fortë, më të urtë dhe më me vlerë si një shërbëtor të Perëndisë” (“Thy Friends Do Stand by Thee” [Brigham Young University devotional, 7 mars 2010], f. 3, speeches.byu.edu).
-
Çfarë të bën përshtypje nga kjo këshillë?
Pasi nxënësit të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Zoti mund të na udhërrëfejë nëpërmjet mentorëve të mirëbesuar.
Ftojini nxënësit të reflektojnë mbi sa vijon:
-
Kur ke marrë ti ose dikush që ti njeh, ndihmë nga një mentor?
-
Cilat janë disa fusha të planifikimit tënd për arsimimin dhe karrierën që mund të kishin dobi nga udhërrëfimi i Zotit nëpërmjet këshillës së një mentori?
Ju mund të jepni një shembull të dikujt që ka shërbyer si një mentor për ju. Merreni parasysh të tregoni përvojën tuaj të punës me atë person dhe mënyrën se si ai ju ka ndihmuar ta dalloni udhërrëfimin e Shpëtimtarit në jetën tuaj.
Ndërsa studion sot, ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të përcaktosh mentorë të mirëbesuar në jetën tënde që mund të të ndihmojnë të kërkosh udhërrëfimin e Zotit ndërsa merr vendime rreth planeve të arsimimit dhe karrierës.
Shembuj nga shkrimet e shenjta për ndjekjen nga një mentor
Mund të jetë e dobishme të tregoni se një nga titujt që i është dhënë Atit Qiellor, është “Njeri i Këshillës” (shihni te Moisiu 7:35). Ju mund t’i ftoni nxënësit të lexojnë te Gjoni 5:19–20 dhe Gjoni 8:26–28, duke kërkuar mënyrën se si Ati Qiellor qe mentori i Birit të Tij, Jezu Krishtit. Mund të bëni një pyetje si:
-
Çfarë mund të na ndihmojë të kuptojmë kjo rreth nevojës së Shpëtimtarit për një mentor?
Nxënësit mund të përmendin se Jezusi mësoi nga shembulli i Atit të Tij dhe kërkoi këshillën dhe drejtimin e Atit të Tij.
Pasi nxënësit të shprehen, mund të jepni shembujt vijues nga shkrimet e shenjta për Zotin që e udhërrëfen popullin e Tij nëpërmjet mentorëve të frymëzuar. Nxënësit mund të punojnë me një partner dhe të përzgjedhin një tregim për ta studiuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve që pasojnë.
Moisiu dhe Jozueu: Ligji i Përtërirë 3:21–22 (Moisiu udhërrëfen Jozueun), 28 (udhëzimet e Zotit për Moisiun)
Debora profetesha dhe Baraku, komandanti i saj ushtarak: Gjyqtarët 4:4–10, 14; Gjyqtarët 5:1–3 (duke festuar fitoren e Izraelit)
Prifti i lartë Eliu dhe profeti i ri, Samueli: 1 Samuelit 3:1–10
-
Si e siguroi Zoti udhërrëfimin e Tij nëpërmjet këtij mentori?
-
Si mund ta ndihmojë ky tregim dikë që ngurron të kërkojë ndihmë nga një mentor?
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë dhe të bëjnë një plan për t’u lidhur me mentorë të mundshëm.
Siguroni fletushkën “Gjetja e një Mentori” për secilin nxënës. Organizojini nxënësit në grupe ose dyshe për të plotësuar fletushkën. Si një alternativë, mund ta vendosni secilën pjesë të fletushkës rreth dhomës dhe t’i ftoni nxënësit të lëvizin dhe të plotësojnë secilën veprimtari.
Zoti do të na udhërrëfejë nëpërmjet mentorëve të mirëbesuar
Pas një kohe të përshtatshme, ftoni disa nxënës ta tregojnë atë që diskutuan në grup. Mund t’i ftoni nxënësit e gatshëm t’ia tregojnë planin e tyre klasës.
Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se prindërit, mësuesit, këshilltarët e shkollës dhe të tjerë mund t’i ndihmojnë nxënësit të përcaktojnë një mentor të përshtatshëm. Disa degë, lagje dhe kunje mund të kenë edhe specialistë të arsimit dhe karrierës. Merreni parasysh t’i siguroni nxënësit se Zoti vendos shumë njerëz të mirëbesuar në shtegun tonë që mund të shërbejnë si mentorë. Disa njerëz janë mentorë afatshkurtër dhe plotësojnë nevojat specifike që kemi. Mentorë të tjerë mund të punojnë me ne gjatë një periudhe më të gjatë.
Ftojini nxënësit të kërkojnë ndihmën e Atit Qiellor për të gjetur dhe për t’u lidhur me mentorët e tyre që mund t’i ndihmojnë. Dëshmoni se Ai do t’u sigurojë atyre ndihmën që u nevojitet.