“Psalmeve 51: ‘Më Pastro nga Mëkati Im’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Psalmeve 51: ‘Më Pastro nga Mëkati Im’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Psalmeve 49–51; 61–66; 69–72; 77–78; 85–86: Mësimi 104
Psalmeve 51
“Më Pastro nga Mëkati Im”
Davidi shkroi një psalm duke shprehur dëshirën e tij për të marrë faljen për mëkatet që kreu. Ai demonstroi dëshirën e tij për t’u penduar sinqerisht. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se, ndërsa pendohen, Shpëtimtari mund t’i bëjë të pastër.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta imagjinojnë veten në situatën vijuese: Imagjino sikur një shok ose shoqe të tregon se e di se është e nevojshme të pendohet por pyet veten se si. Çfarë do të doje që të kuptonte ai ose ajo rreth pendimit dhe rolit të Shpëtimtarit në mposhtjen e mëkatit?
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Pendimi
Veprimtaria vijuese u jep nxënësve një mundësi për të reflektuar mbi kuptueshmërinë e tyre të tanishme për pendimin. Nëse doni, mund t’i paraqitni udhëzimet.
Imagjino sikur pyetja anonime vijuese nga një i ri u përfshi në botimin e këtij muaji të revistës Për Forcën e Rinisë:
“Kohët e fundit kreva disa mëkate shumë të rënda për të cilat ndihem shumë keq. Nuk jam shumë i sigurt se si të pendohem. Të jem i sinqertë, madje pyes veten a ka më pendim për mua. Ndonjë ndihmë?”
Në ditarin tënd të studimit, duke përdorur atë që di rreth pendimit, shëno atë që ndien se do të ishte e dobishme për këtë person që ta dijë dhe ta kuptojë.
Ndërsa nxënësit e lexojnë pyetjen anonime dhe shënojnë përgjigjet e tyre, ata mund të kenë pyetje shtesë që u vijnë në mendje. Mund t’i ftoni ata të shkruajnë çdo pyetje tjetër që mund të kenë rreth pendimit. Ndihmojini të dinë se gjatë mësimit ata do të kenë mundësi për të studiuar më shumë rreth pendimit. Dëshmoni se Shpirti mund t’u japë atyre përgjigje për pyetjet rreth pendimit ndërsa kërkojnë me lutje përgjigje nëpërmjet studimit në orën mësimore dhe jashtë saj.
Pendimi i sinqertë
Pyetini nxënësit se çfarë dinë rreth mbretit David. Mund t’u kërkoni të tregojnë disa nga gjërat e mëdha që bëri ai, si edhe disa nga mëkatet që kreu ai. Tregojuni nxënësve ndonjërin nga kontekstet vijuese që ata nuk e përmendin në përmbledhjen e tyre.
Davidi “ishte fajtor për krime serioze, por … ishte në gjendje të pendohej me të vërtetë. Si rrjedhim, ai ishte i aftë të gjente falje, përveçse për vrasjen e Uriahut” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “David”, shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 42:18). Te Psalmeve 51, Davidi shkroi një psalm për Perëndinë në të cilin shprehu ndjenjat e keqardhjes pas mëkatit të tij me Bathshebën (shih te 2 Samuelit 11–12). Përulësia dhe dëshira e çiltër e Davidit për t’u rivendosur në hirin dhe pranimin e Perëndisë demonstrojnë qëndrimin e personit që po kërkon të pendohet me të vërtetë.
Në fillim, nxënësit mund ta studiojnë Psalmeve 51 më vete duke kërkuar atë që mësojnë rreth pendimit; më pas mund t’u siguroni atyre një mënyrë për ta treguar atë që zbuluan dhe mësuan. Këto janë disa udhëzime që mund t’i paraqitni për nxënësit që t’i ndjekin. Mund të përshtatni cilindo prej këtyre udhëzimeve për t’i plotësuar më mirë nevojat dhe aftësitë e nxënësve tuaj.
Studio te Psalmeve 51:1–19 më vete duke kërkuar atë që mund të mësojmë nga psalmi i Davidit rreth 1) Perëndisë, ose 2) pendimit. Shenjoje atë që gjen.
Përcaktoji tri frazat që shenjove dhe bëj një nga gjërat vijuese:
-
Shkruaj një pohim të vërtete që fraza na mëson rreth Perëndisë ose pendimit.
-
Gjej një referencë-kryq që konfirmon ose thellon kuptueshmërinë tënde të asaj që nënkupton fraza.
-
Gjej një citat nga një udhëheqës Kishe që mund të ndihmojë me kuptueshmërinë.
-
Shkruaj një pyetje rreth frazës.
Një mënyrë se si mund t’i ndihmoni nxënësit të përgatiten për të folur është të renditni 1–19 në tabelë. Ftojini nxënësit t’i shkruajnë emrat e tyre pranë numrave të vargjeve që përmbajnë një frazë për të cilën do të ishin të gatshëm të jepnin një referencë-kryq, citat ose pyetje. Pasi të kenë mbaruar, mund t’i ftoni nxënësit të flasin. Ndërsa nxënësit flasin, nëse doni, mund t’i renditni pohimet e së vërtetës në tabelë.
Më poshtë është një përmbajtje që nëse doni, mund ta jepni si pjesë të diskutimit. Shkrimet e shenjta dhe thëniet janë të organizuara sipas grupimeve të vargjeve dhe të vërtetave të theksuara me të zezë. Synoni të ndiqni çdo nxitje të Shpirtit që mund t’ju vijë rreth asaj që doni të tregoni ose doni të pyesni.
Psalmeve 51:1–2, 7, 9: Perëndia ka fuqi të më pastrojë nga mëkati.
Isaia 1:18
Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi:
“Pavarësisht gabimeve të shumta që ndieni se keni bërë … ose distancës nga shtëpia dhe familja, dhe Perëndia që mendoni se jeni larguar, ju dëshmoj se nuk keni shkuar përtej shtrirjes së dashurisë hyjnore. Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit që shkëlqen.” (“Punëtorët në Vresht”, Liahona, maj 2012, f. 33)
Psalmeve 51:3–4: Pranimi i mëkatit tonë para Perëndisë është i nevojshëm për pendim.
Doktrina e Besëlidhje 58:42–43
Manuali i Përgjithshëm shpjegon:
“Pendimi kërkon që mëkatet t’i rrëfehen Atit Qiellor. …
Kur anëtarët e Kishës kryejnë mëkate të rënda, pendimi i tyre gjithashtu përfshin rrëfimin te peshkopi ose presidenti i tyre i kunjit. Ai është në gjendje më pas të ushtrojë çelësat e ungjillit për pendimin në emër të tyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1; 84:26–27; 107:18, 20). Kjo i ndihmon të shërohen dhe të kthehen te shtegu i ungjillit nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit.
… Rrëfimi me dashje tregon se një person dëshiron të pendohet.” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 32.4.1, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
Psalmeve 51:10–12: Ndërsa pendohemi, Perëndia mund të na ndihmojë të ndryshojmë, të ndiejmë gëzim dhe të kemi Frymën e Shenjtë me ne.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai. Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Jezu Krishti!” (“Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67)
Psalmeve 51:16–17: Për t’u penduar me të vërtetë përpara Perëndisë, duhet të kem një zemër dhe shpirt të thyer dhe të penduar.
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Të keni një zemër të thyer do të thotë të jeni të përulur, të penduar dhe të butë, pranues me padurim të vullnetit të Perëndisë. Një shpirt i penduar i vendos interesat e veta në duart e Perëndisë, duke besuar se vullneti i Tij, jo i yni, do të na ndihmojë të bëhemi ata që duhet të bëhemi.” (The Divine Gift of Forgiveness [2019], f. 153)
Shpjegoje pendimin
Për t’i ndihmuar nxënësit të demonstrojnë kuptueshmërinë e tyre për pendimin e sinqertë dhe rolin e Shpëtimtarit në të, ftojini të shqyrtojnë atë që kanë mësuar në orën mësimore sot.
Kujtoje atë që shkrove në fillim të orës mësimore rreth pyetjes në revistën Për Forcën e Rinisë. Duke përdorur atë që ke mësuar sot rreth pendimit të sinqertë, shto dy ose tri fjali në përgjigjen tënde fillestare.
Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës të gatshëm të tregojnë mënyrën se si do t’i përgjigjeshin pyetjes. Inkurajojini nxënësit t’ia japin mesazhin e tyre një shoku ose pjesëtari të familjes që e ndiejnë se do të bekohej po ta dëgjonte atë.
Merreni parasysh ta përmbyllni orën mësimore duke i ftuar nxënësit të kthehen te Shpëtimtari nëpërmjet pendimit dhe dëshmimit të fuqisë së Tij për të na bërë të pastër ndërsa pendohemi.