“Abraham 1: ‘Duke Dëshiruar … të Jem Ndjekës … i Drejtësisë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Abraham 1: ‘Duke Dëshiruar … të Jem Ndjekës … i Drejtësisë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 12–17; Abraham 1–2: Mësimi 22
Abraham 1
“Duke Dëshiruar … të Jem Ndjekës … i Drejtësisë”
Abrahami u rrit i rrethuar nga ligësia dhe idhujtaria. Pavarësisht nga këto rrethana, Abrahami dëshironte ta ndiqte Jezu Krishtin, i cili në jetën para lindjes dhe nga Abrahami njihej si Jehova. Teksa Abrahami ndiqte dëshirat e tij të drejta, Zoti e bekoi që t’i merrte ato. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë shpresë se Ati Qiellor mund t’i ndihmojë të marrin bekimet që Ai do që ata të marrin.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë një listë të atyre që dëshirojnë më së shumti në jetë dhe të mendojnë rreth mënyrës se si ndihet Ati Qiellor për ato që ata dëshirojnë më së shumti.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë dëshiron?
Fillojeni mësimin duke i ndihmuar nxënësit të mendojnë për situata ku mund ta kenë të vështirë të besojnë se Zoti mund t’i ndihmojë të marrin një bekim të drejtë që e dëshirojnë. Për ta bërë këtë, mund të tregoni skenarët vijues të papërfunduar dhe t’i ftoni nxënësit të përcaktojnë një pengesë me të cilën mund të përballet ai individ.
Sara ka një dëshirë të fortë për ta ndjekur Jezu Krishtin duke ua predikuar ungjillin e Tij njerëzve të tjerë. Megjithatë, për momentin kjo duket e vështirë sepse …
Jori ka një dëshirë të fortë për ta ndjekur Jezu Krishtin duke paguar të dhjetën. Megjithatë, për momentin kjo duket e vështirë sepse …
Klesti ka një dëshirë të fortë për ta ndjekur Jezu Krishtin duke u pagëzuar. Megjithatë, për momentin kjo duket e vështirë sepse …
Ftojini nxënësit të mendojnë për rrethanat e tyre dhe pengesat me të cilat mund të përballen për ndjekjen e Jezu Krishtit. Kërkojuni t’i plotësojnë hapat vijues në ditarët e tyre të studimit.
Në ditarin tënd të studimit:
-
Shëno disa nga bekimet që dëshiron më së shumti në jetë.
-
Rendit çdo pengesë që sheh për marrjen e këtyre bekimeve.
Ndërsa nxënësit studiojnë kapitullin tek Abraham 1, ftojini të kërkojnë ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë të ndiejnë shpresë se mund ta ndjekin Jezu Krishtin dhe të marrin bekimet e Tij pavarësisht nga pengesat me të cilat mund të përballen.
Rrethanat e Abrahamit
Te Mësimi 3: Abraham 3, nxënësit mësuan origjinën e librit të Abrahamit. Nëse nuk e shpjeguat këtë te Mësimi 3, mund ta bëni tani. Nëse nxënësit kanë pyetje për origjinën e librit të Abrahamit, mund të shfaqni materialin filmik “The Book of Abraham | Now You Know” [“Libri i Abrahamit: Tani e Dini”] nga kodi kohor 0:00 deri në 2:43. Ky material filmik gjendet te ChurchofJesusChrist.org.
Mund të jetë e dobishme t’i vini nxënësit të krijojnë një tabelë me dy kolona. Ata mund ta titullojnë kolonën e parë “Bekimet që dëshiroi Abrahami” dhe të dytën “Pengesat me të cilat u përball Abrahami”. Kjo mund të ndihmojë për organizimin e atyre që mësojnë nxënësit tek Abraham 1:1–7.
|
Bekimet që dëshiroi Abrahami |
Pengesat me të cilat u përball Abrahami |
|---|---|
Bekimet që dëshiroi Abrahami | Pengesat me të cilat u përball Abrahami |
Lexo tek Abraham 1:1–7, duke kërkuar se çfarë bekimesh dëshironte Abrahami dhe me çfarë pengesash u përball ai për t’i marrë ato bekime.
-
Çfarë të bën përshtypje nga bekimet që dëshironte Abrahami?
-
Pse këto bekime mund të jenë diçka që e dëshiron dhe ti?
-
Në ç’mënyrë dëshira e Abrahamit për ta ndjekur Jezu Krishtin mund ta ketë ndihmuar atë në rrethanat e vështira me të cilat u përball?
Jehova e ndihmoi Abrahamin t’i kapërcente pengesat e tij
Lexo tek Abraham 1:15–20, duke kërkuar mënyrën se si Jehova e ndihmoi Abrahamin t’i kapërcente pengesat me të cilat u përball.
Përndryshe, mund të zgjidhni të shfaqni materialin filmik “Deliverance of Abraham” [“Çlirimi i Abrahamit”] (1:38), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Nëse e lejon koha dhe keni dëshirë, mund të shpenzoni ca kohë duke diskutuar mënyrën e mrekullueshme se si e çliroi Jehova Abrahamin. Mund ta krahasoni këtë çlirim me mënyrat se si Zoti na çliron nga pengesat për të jetuar me drejtësi. Zoti mund të na çlirojë nga zakone të pashëndetshme si përdorimi i tepruar i mediave shoqërore, teknologjisë ose pornografisë. Mund të dëshmoni se Jehova mund të na çlirojë nga çdo pengesë që përndryshe mund të na e bënte të vështirë ta ndiqnim Atë.
-
Si mendon, çfarë mësoi Abrahami rreth Jehovës nga kjo përvojë?
-
Si mund të na ndihmojë Ati Qiellor t’i kapërcejmë pengesat për të marrë bekimet e drejta që dëshirojmë?
Shpjegojuni nxënësve se pasi Abrahami u çlirua, ai përfundimisht shkoi në Kanaan. Zoti e nderoi Abrahamin që veproi sipas dëshirave të Tij duke e bekuar me priftërinë dhe bekime të tjera domethënëse. Perëndia ia premtoi Abrahamit këto bekime si pjesë e asaj që ne e quajmë besëlidhja e Abrahamit. Nxënësit do të mësojnë më shumë rreth kësaj besëlidhjeje në mësimet e ardhshme.
Më vonë në jetën e Abrahamit, Zoti e vizitoi atë dhe premtoi se do t’i plotësonte të gjitha dëshirat e drejta të Abrahamit (shih tek Abraham 2:9–11). Lexo tek Abraham 2:12–13, duke kërkuar atë që tha Abrahami pas kësaj përvoje.
-
Çfarë parimesh mund të mësojmë nga përvoja e Abrahamit?
Nxënësit mund të përcaktojnë një larmi parimesh, përfshirë: Nëse kërkojmë ta ndjekim Jezu Krishtin, Perëndia do të na i japë bekimet e drejta që dëshirojmë.
Lexo thënien vijuese nga Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ose shikoje materialin filmik “Një Ndriçim i Përkryer i Shpresës” nga kodi kohor 11:09 deri në 11:38. Materiali filmik gjendet te ChurchofJesusChrist.org.
“Pse të mos shpresojmë ne që dëshirat e drejta dhe dëshirimet si të Krishtit munden ende të marrin përgjigje në mënyrë të mahnitshme e mrekullibërëse nga Perëndia i çdo shprese? Të gjithë kemi nevojë të besojmë se ajo që dëshirojmë me drejtësi, mundet një ditë, në njëfarë mënyre, disi, të jetë e jona.” (“Një Ndriçim i Përkryer i Shpresës”, Liahona, maj 2020, f. 83)
Ftojini nxënësit t’i diskutojnë pyetjet vijuese në dyshe ose grupe të vogla ose vërini nxënësit t’i shënojnë përgjigjet në ditarët e tyre të studimit. Pas një kohe të mjaftueshme, nxënësit e gatshëm mund t’i tregojnë klasës një ose të dyja përgjigjet.
-
Si të japin shpresë fjalët e Presidentit Holland dhe përvoja e Abrahamit se Zoti mund të të ndihmojë t’i kapërcesh pengesat për ta ndjekur Jezu Krishtin?
-
Kur të ka ndihmuar Ati Qiellor ty ose dikë që ti e njeh, për të kapërcyer pengesat për ta ndjekur Jezu Krishtin?
Merreni parasysh të tregoni përvojën tuaj të kohës kur Ati Qiellor ju ka ndihmuar të kapërceni një pengesë për të marrë një bekim të drejtë.
Ftojini nxënësit ta shënojnë atë që mësuan sot, në ditarët e tyre të studimit.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit e gatshëm ta tregojnë atë që shkruan. Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për këto të vërteta.