“Hyrje te Dhiata e Vjetër: Dhiata e Vjetër Dëshmon për një Atë Qiellor Përkujdesës dhe për Jezu Krishtin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Hyrje te Dhiata e Vjetër: Dhiata e Vjetër Dëshmon për një Atë Qiellor Përkujdesës dhe për Jezu Krishtin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Mirë se Vini në Dhiatën e Vjetër: Mësimi 1
Hyrje te Dhiata e Vjetër
Dhiata e Vjetër Dëshmon për një Atë Qiellor Përkujdesës dhe për Jezu Krishtin
Dhiata e Vjetër përmban shumë mësime dhe simbole rreth Zotit Jezu Krisht dhe rolit të Tij si Shpëtimtari i botës. Historitë nga Dhiata e Vjetër mund t’i ndihmojnë nxënësit të mësojnë rreth Tij dhe të shohin se si përfshihet Ai në jetën tonë. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që t’iu shtohet dëshira për t’iu afruar më shumë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nëpërmjet studimit të Dhiatës së Vjetër nga ana e tyre.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të rishikojnë një histori të parapëlqyer nga Dhiata e Vjetër dhe të përsiatin se çfarë mund t’iu mësojë ajo histori rreth Atit Qiellor ose Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përqendrimi ynë
Për ta filluar mësimin, mendoni se si mund t’i ndihmoni nxënësit ta shohin më me kujdes Shpëtimtarin në Dhiatën e Vjetër. Një mënyrë për ta bërë këtë, është të vendosni disa figura të Shpëtimtarit nëpër dhomë përpara orës mësimore. Pasi të fillojë ora mësimore, mund t’i pyesni nxënësit se sa figura të Shpëtimtarit vunë re dhe të diskutoni pse ata i vunë apo nuk i vunë re figurat.
Një mënyrë tjetër për ta bërë këtë, është t’u shpjegoni nxënësve që ata pas pak do të shohin një material filmik ku tregohen dy skuadra: njëra e veshur me të bardha dhe tjetra me të zeza. Të dyja skuadrat do të pasojnë një top basketbolli. Ftojini nxënësit të përpiqen ta numërojnë saktë numrin e pasimeve që bën skuadra e veshur me të bardha.
Shfaqni materialin filmik “Focus Test” [“Provë Përqendrimi”], që gjendet në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 0:22. Më pas ndaleni materialin filmik.
-
Sa pasime numërove?
-
A vure re ndonjë gjë tjetër që ndodhi në materialin filmik? Nëse po, çfarë?
Vëreni pjesën e mbetur të materialit filmik (ku përsëritet i njëjti ushtrim pasimi) dhe ftojini nxënësit të kushtojnë vëmendje të veçantë për ndonjë gjë që mund të mos e kenë parë herën e parë.
-
Çfarë vure re që nuk e kishe parë herën e parë?
Nëse është e nevojshme, mund të vini në dukje se një grua e moshuar kaloi përmes sallës, një luftëtar ninxha veshur me të zeza zëvendësoi një nga lojtarët, disa djem vunë kapela dhe disa pasuan një top futbolli në vend të një topi basketbolli.
-
Pse nuk i pe disa nga ato gjëra herën e parë që pe materialin filmik?
-
Si mund të ngjasojë kjo me atë që dikush mund të përjetojë kur lexon historitë e Dhiatës së Vjetër?
Me cilëndo qasje që ta filloni mësimin, sigurohuni që nxënësit ta kenë të qartë se, nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të përqendrohemi në gjëra të tjera dhe të mos e vëmë re atë që kemi për të mësuar nga Dhiata e Vjetër rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Lexoje thënien vijuese nga Plaku Majkëll T. Ringud, i Të Shtatëdhjetëve, duke kërkuar atë që mund të mësojmë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa e lexojmë Dhiatën e Vjetër.
“Ne jemi pika e përqendrimit të planit të Atit Qiellor dhe arsyeja për misionin e Shpëtimtarit tonë. …
Kapitull pas kapitulli [në Dhiatën e Vjetër] ne zbulojmë shembuj se si Ati Qiellor dhe [Jezu Krishti] janë të përfshirë ngushtësisht në jetën tonë.” (“Sepse Perëndia na Deshi aq Shumë”, Liahona, maj 2022, f. 88)
-
Sipas Plakut Ringud, çfarë na tregon Dhiata e Vjetër rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Nxënësve mund t’iu vijnë ndër mend të vërteta të ngjashme me këto:
Ne jemi pika e përqendrimit të planit të Atit Qiellor dhe arsyeja për misionin e Shpëtimtarit.
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë të përfshirë ngushtësisht në jetën tonë.
Kërkojuni nxënësve ta tregojnë atë që mendojnë dhe ndiejnë rreth këtyre të vërtetave, dhe arsyen pse ato mund të jenë kuptimplota për ta. Ftojini nxënësit ta plotësojnë vlerësimin vijues të vetes në mënyrë të pavarur. Ata mund t’i shënojnë përgjigjet e tyre në një ditar studimi.
Mendo për ndonjë përvojë që ke pasur me Dhiatën e Vjetër.
-
Si ka qenë përvoja jote me Dhiatën e Vjetër?
-
Nëse ke pasur përvoja me Dhiatën e Vjetër, a të kanë ndihmuar ato të ndihesh më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Ndërsa e studion këtë mësim, kërko ndihmë nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të ditur se si t’i afrohesh më shumë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nëpërmjet studimit tënd të Dhiatës së Vjetër.
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në Dhiatën e Vjetër
Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të tregojnë gjëra që i dinë tashmë rreth Dhiatës së Vjetër. Nëse është e nevojshme, mund të tregoni se Dhiata e Vjetër fillon me një rrëfim për Krijimin e botës dhe për Adamin dhe Evën. Ajo rrëfen historitë e shumë profetëve dhe njerëzve që më së shumti jetojnë në Izrael dhe përreth tij dhe mbaron rreth vitit 400 pr.K. Më pas, shpjegojeni sa vijon me fjalët tuaja.
Ndërsa e studion Dhiatën e Vjetër, ajo do t’i referohet Zotit ose Jehovës. Është e dobishme të dish se Jehova është Jezu Krishti. Jehova bëri vullnetin e Atit Qiellor në të gjitha gjërat. Teksa mëson për Jehovën, ti mëson edhe për Atin Qiellor, i cili e udhërrëfeu dhe e fuqizoi Atë.
Paraqitni disa figura në një model në formë rrethi që i përshkruajnë historitë e Dhiatës së Vjetër. (Mund të jetë e dobishme të përgatiteni përpara orës mësimore duke i rishikuar shkurtimisht historitë që paraqiten.) Në qendër të këtyre figurave, vendosni një figurë të Jezu Krishtit. Mund të zgjidhni të përdorni figura si ato vijueset.
Përndryshe, mund të paraqitni figurën e Jezu Krishtit dhe t’i ftoni nxënësit të mendojnë vetë për histori që ilustrojnë përfshirjen dhe dashurinë e Tij në Dhiatën e Vjetër. Nxënësit mund të shkruajnë tituj të thjeshtë për ato histori përreth Shpëtimtarit.
Historitë renditen më poshtë, duke filluar nga lart dhe duke ecur në drejtim të akrepave të orës.
-
Jozefi në Egjipt (Zanafilla 37:23–28; 39:1–5). Pasi Jozefi ia tregoi ëndrrën familjes së tij, vëllezërit e Jozefit komplotuan kundër tij.
-
Moisiu duke ndarë Detin e Kuq (Eksodi 14:10, 13–16, 21–22). Fëmijët e Izraelit po arratiseshin nga Egjipti kur ushtria e Faraonit u afrua për t’i sulmuar dhe skllavëruar ata përsëri.
-
Gjarpri në shtizë (Numrat 21:4–9). Pasi Zoti i çliroi izraelitët nga Egjipti dhe u siguroi mrekullisht bukë nga qielli, izraelitët u ankuan kundër Perëndisë.
-
Davidi dhe Goliathi (1 Samuelit 17:43–49). Luftëtari filiste, Goliathi, e sfidoi Izraelin që të dërgonte luftëtarin e tij më të mirë kundër tij. Davidi doli vullnetar që të përballej me të.
-
Furra me zjarr përvëlues (Daniel 3:4–6, 12–13, 16–25). Mbreti Nebukadnetsar ngriti një figurë të artë dhe i thirri sunduesit e tokës së tij së bashku për ta përkushtuar atë.
-
Gropa e luanëve (Daniel 6:7, 10, 16–23). Dari e bëri Danielin një sundues në Babiloni. Sundimtarët e tjerë komplotuan kundër tij që ai të humbiste miratimin e mbretit.
Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në dyshe ose në grupe të vogla. Nxënësit mund të zgjedhin një ose më shumë histori, të lexojnë vargjet që lidhen me to, dhe të diskutojnë pyetjet vijuese.
-
Si e demonstron kjo histori dashurinë ose përfshirjen e të dyve, Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Si mund të jetë e dobishme për ty që ta kuptosh historinë në këtë mënyrë?
Mund t’i ftoni nxënësit t’i tregojnë klasës pikëpamjet që morën nga diskutimi i tyre.
Nëse nxënësit nuk e përmendin atë, shpjegoni se studimi i mënyrës se si përfshihet Zoti në jetën e individëve në Dhiatën e Vjetër, mund të na ndihmojnë të përsiatim se si përfshihet Ai në jetën tonë. Ftojini nxënësit të përsiatin se si i ka bekuar dhe ndihmuar Zoti ata. Kërkojuni disa nxënësve të japin mendimet dhe përvojat e tyre nëse nuk janë tepër vetjake.
Studimi i Dhiatës së Vjetër
Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për t’ua kujtuar nxënësve synimet e tyre për studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta. Mund t’i ftoni nxënësit të kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa i shqyrtojnë, përshtatin ose krijojnë synimet për studimin e shkrimeve të shenjta. Mund t’i pyesni nxënësit a do të donte ndonjëri prej tyre t’ia tregonte synimet e veta klasës që të ndihmojë të krijohen ide për të tjerët.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të diskutojnë si klasë ose t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë ke mësuar sot që mendon se mund të të ndihmojë për studimin tënd të Dhiatës së Vjetër?
-
Pse do të ishte një bekim për ty që ta përjetoje dhe dalloje dashurinë dhe përfshirjen edhe të Atit Qiellor edhe të Jezu Krishtit në jetën tënde?
Për t’i ndihmuar nxënësit për studimin e tyre të Dhiatës së Vjetër këtë vit, mund t’i ftoni ata ta shenjojnë në shkrimet e tyre të shenjta ose të shënojnë në ditarët e tyre të studimit çdo rast që shohin prova për dashurinë ose përfshirjen e Perëndisë në jetën e fëmijëve të Tij. Merreni parasysh ta përmbyllni mësimin me dëshminë tuaj për mënyrën se si studimi i Dhiatës së Vjetër mund të na ndihmojë t’i afrohemi më shumë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe të fitojmë besim në përfshirjen e Tyre në jetën tonë.
Mund t’i ftoni nxënësit t’ua tregojnë familjeve të tyre atë që mësuan sot. Kjo mund t’i ndihmojë familjet e tyre ndërsa studiojnë Dhiatën e Vjetër.