Manualet dhe Thirrjet
6. Udhëheqja e Kunjit


“6. Udhëheqja e Kunjit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“6. Udhëheqja e Kunjit”, Manuali i Përgjithshëm.

Pamja
udhëheqës duke i folur familjes

6.

Udhëheqja e Kunjit

6.1

Qëllimet e një Kunji

Isaia e përshkroi Sionin e ditëve të mëvonshme si një tendë ose tabernakull që sigurohej nga kunje (shihni tek Isaia 33:20; 54:2). Sot Kisha është e organizuar në kunje. Çdo kunj është i përbërë nga shumë lagje dhe udhëhiqet nga një president kunji.

Zoti krijon kunje për “mbledhj[en] së bashku” të popullit të Tij dhe “për mbrojtje e … strehim” nga bota (Doktrina e Besëlidhje 115:6). Anëtarët dhe udhëheqësit në një kunj punojnë së bashku për të përmbushur veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni 1.2).

6.2

Presidenca e Kunjit

Presidenti i kunjit mban çelësat e priftërisë për të udhëhequr punën e Kishës në kunj (shihni 3.4.1). Ai dhe këshilltarët e tij formojnë një presidencë kunji. Ata kujdesen për anëtarët e kunjit me dashuri, duke i ndihmuar të bëhen pasues të vërtetë të Jezu Krishtit.

Presidenti kunji ka katër përgjegjësi kryesore:

  1. Ai është prifti i lartë kryesues në kunj.

  2. Ai udhëheq veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit në kunj.

  3. Ai është një gjykatës i përbashkët.

  4. Ai mbikëqyr dokumentet, financat dhe pronat.

Për shkak se presidenti i kunjit mban çelësa priftërie, ai ka disa përgjegjësi që janë vetëm të tijat. Nëse ai nuk mundet t’i kryejë ato, një këshilltar mund të veprojë në vend të tij përveçse siç shënohet në këtë manual. Presidenti i kunjit ose këshilltari i tij këshillohet me Presidencën e Zonës nëse ka pyetje rreth të vepruarit të këshilltarit në vend të presidentit të kunjit.

Presidenti i kunjit u delegon shumë detyra të tjerëve. Këta përfshijnë këshilltarët e tij, këshilltarët e lartë, udhëheqësit/et e organizatave në kunj, sekretarin ekzekutiv të kunjit dhe nëpunësit e kunjit dhe ndihmësnëpunësit e kunjit.

6.2.1

Prifti i Lartë Kryesues

Presidenti i kunjit është udhëheqësi kryesor shpirtëror i kunjit. Ai e jep shembullin për kunjin duke e bërë punën e Zotit “me shenjtëri zemre” (Mosia 18:12). Ai jep mësim dhe ngre moralisht.

Një president kunji është dishepull besnik i Jezu Krishtit. Ai është i vërtetë ndaj besëlidhjeve të tij. Ai është besnik ndaj bashkëshortes dhe familjes së tij. Ai jep një shembull drejtësie për familjen e tij, për kunjin dhe komunitetin. Këshilltarët e tij janë burra me karakter të ngjashëm.

Presidenti i kunjit u jep udhërrëfim peshkopëve dhe udhëheqësve të tjerë në kunj.

6.2.1.1

Priftëria Melkizedeke

Presidenca e kunjit kryeson mbi të gjithë ata që mbajnë Priftërinë Melkizedeke në kunj.

Kuorumi i Priftërinjve të Lartë të Kunjit. Presidenti i kunjit është presidenti i kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit. Ai dhe këshilltarët e tij janë presidenca e atij kuorumi. Kuorumi i priftërinjve të lartë të kunjit përbëhet nga priftërinjtë e lartë të tjerë vijues:

  • Peshkopët dhe këshilltarët e tyre

  • Këshilltarët e lartë

  • Patriarkët veprues

Anëtarët e kuorumit të priftërinjve të lartë frekuentojnë mbledhjet e kuorumit të pleqve në lagjen e tyre nëse nuk caktohen diku tjetër. Shihni 29.3.5 për informacion rreth mbledhjes së kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit.

Kuorumet e Pleqve. Presidenca e kunjit ka përgjegjësi për kuorumet e pleqve (shihni 8.3.3.1).

Shugurimet në Priftërinë Melkizedeke. Presidenti i kunjit mbikëqyr dhënien e Priftërisë Melkizedeke. Ai gjithashtu mbikëqyr shugurimet në detyrat e plakut dhe të priftit të lartë (shihni 18.10.4).

6.2.1.2

Peshkopatat

Presidenti i kunjit takohet me peshkopatat për t’i udhëzuar ata menjëherë pasi ata thirren. Ai vazhdon t’i udhëzojë dhe nxitë peshkopët në mbledhje të rregullta dhe mjedise të tjera.

Anëtarët e presidencës së kunjit i udhëzojnë peshkopatat në përgjegjësitë e tyre për mbajtësit e Priftërisë Aarone dhe të rejat.

6.2.1.3

Patriarku i Kunjit

Presidenti i kunjit mbikëqyr punën e patriarkut të kunjit. Ai zhvillon një marrëdhënie të afërt me të. Për informacion rreth thirrjes dhe mbikëqyrjes së patriarkut të kunjit, shihni 6.6.

6.2.1.4

Këshillat, Komitetet dhe Mbledhjet

Presidenti i kunjit kryeson mbi këshillin e lartë dhe këshillin e kunjit. Ai kryeson gjithashtu mbi komitetin e kunjit të udhëheqjes së personave në moshë madhore (shihni 29.3.9). Ai cakton një nga këshilltarët e tij që të mbikëqyrë sa vijon:

  • Komitetin e kunjit të udhëheqjes së rinisë (shihni 29.3.10)

  • Komitetin e kunjit për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë

  • Komitetin e kunjit për personat në moshë madhore beqarë (atje ku është e organizuar)

Çdo president kunji është anëtar i një këshilli bashkërendues (shihni 29.4).

Presidenca e kunjit planifikon mbledhjet e kunjit të renditura te 29.3. Presidenti i kunjit kryeson në mbledhjet e kunjit veç nëse është i pranishëm një Autoritet i Përgjithshëm ose I Shtatëdhjetë Zonal. Këshilltarët e tij mund t’i drejtojnë këto mbledhje. Ata mund të kryesojnë gjithashtu nëse mungon presidenti i kunjit.

6.2.1.5

Thirrjet dhe Lirimet

Përgjegjësitë e presidentit të kunjit për thirrjet dhe lirimet janë përvijuar te kapitulli 30. Ai mund t’i caktojë këshilltarët e tij dhe këshilltarët e lartë që të japin thirrje dhe të bëjnë lirime siç përvijohet te 30.8. Presidenti i kunjit jep personalisht thirrjet vijuese. Për disa, ai fillimisht duhet të marrë miratim siç shënohet.

  • Këshilltarët në Presidencën e Kunjit. Kur thirret një president i ri kunji, Autoriteti i Përgjithshëm kryesues ose I Shtatëdhjeti Zonal thërret dhe veçon këshilltarët e tij, të cilët rekomandohen nga presidenti i ri i kunjit. Kur një këshilltar duhet të lirohet ose të thirret në një presidencë ekzistuese kunji, presidenti i kunjit dorëzon një rekomandim nëpërmjet sistemit Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (BUN). Ai mund të intervistojë, thërrasë dhe veçojë një këshilltar – ose ta lirojë një këshilltar – pasi merr miratim nga Presidenca e Parë.

  • Patriarku i Kunjit. Presidenti i kunjit mund të intervistojë, thërrasë dhe shugurojë një patriark pasi merr miratim nga Kuorumi i Dymbëdhjetëve Apostujve. Shihni 6.6.1.

  • Peshkopët. Presidenca e kunjit rekomandon vëllezër që të thirren si peshkopë. Ai rekomandon gjithashtu lirimin e tyre. Ai i dorëzon rekomandimet nëpërmjet sistemit BUN [LCR]. Ai mund ta thërrasë, shugurojë dhe veçojë një peshkop – ose ta lirojë një peshkop – pasi merr miratim nga Presidenca e Parë. Ai gjithashtu jep çelësat e priftërisë që shoqërohen me këtë thirrje. Shihni 30.7.

  • Presidentët e Kuorumeve të Pleqve. Presidenti i kunjit thërret dhe veçon presidentët e kuorumeve të pleqve. Ai këshillohet fillimisht me peshkopët. Ai gjithashtu jep çelësat e priftërisë që shoqërohen me këtë thirrje. Shihni 8.3.3.1.

  • Presidentja e Shoqatës së Ndihmës të Kunjit. Presidenti i kunjit thërret dhe veçon presidenten e Shoqatës së Ndihmës të kunjit.

Presidentët e kunjeve që nuk janë në gjendje ta përdorin sistemin BUN [LCR] duhet të vihen në kontakt me zyrën zonale që të bëjnë rekomandime sipas nevojës.

6.2.1.6

Organizatat dhe Programet e Kunjit

Presidenti i kunjit ka përgjegjësi për Shoqatën e Ndihmës të kunjit. Ai u cakton këshilltarëve të tij përgjegjësi për organizatat e Të Rinjve, Të Rejave, Fillores dhe të Shkollës të së Dielës për kunjin.

Anëtarët e presidencës së kunjit mblidhen rregullisht me presidencat e organizatave ku janë caktuar. Në këto mbledhje ata:

  • Sigurohen se presidencat i kuptojnë përgjegjësitë e tyre.

  • Këshillohen së bashku për nevojat e udhëheqësve në organizata.

Kur thirret një presidencë e re në një organizatë në kunj, presidenca e kunjit jep këshilla dhe vizionin për t’i orientuar ata në shërbimin e tyre.

Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, presidenca e re e organizatës mund të marrë gjithashtu orientim nga këshilli i përgjithshëm i organizatës (shihni 5.1.2). Në zona të tjera, presidenca e re mund të marrë gjithashtu orientim nga një këshilluese zonale për organizatat (shihni 5.2.5.1). Ky orientim është nën drejtimin e presidencës së kunjit. Një anëtar i presidencës së kunjit ose një këshilltar i lartë i caktuar merr pjesë.

Presidenti i kunjit gjithashtu i cakton këshilltarët e tij të mbikëqyrin programet në kunj sipas nevojës. Këto mund të përfshijnë:

  • Seminarin dhe institutin.

  • Programet për të rinjtë në moshë madhore beqarë dhe personat në moshë madhore beqarë.

  • Aktivitetet e kunjit.

  • Muzikën.

  • Godinat e shtëpive të mbledhjeve.

Anëtarët e presidencës së kunjit mblidhen rregullisht me komitetet, këshilltarët e lartë dhe specialistët në programe të tjera tek të cilat caktohen.

Pamja
mbledhja e udhëheqjes për të rejat

6.2.1.7

Komunikimi (Çështjet Publike)

Presidenca e kunjit drejton përpjekjet për komunikimin në kunj. Anëtarët e presidencës së kunjit kanë përgjegjësinë kryesore për statusin e mirë të Kishës në komunitet. Ata përpiqen që të ndërtojnë marrëdhënie të mira me udhëheqës të shoqërisë dhe të komunitetit.

Presidenti i kunjit është zëdhënësi kryesor i Kishës për mediat e lajmeve mbi çështje që i takojnë kunjit. Ai mund ta delegojnë këtë rol sipas nevojës.

Presidenti i kunjit ose një këshilltar i caktuar mund të organizojë e mbikëqyrë një këshill të komunikimeve të kunjit. Ky këshill i ndihmon udhëheqësit e Kishës të ndërtojnë marrëdhënie me udhëheqës të shoqërisë dhe komunitetit. Ai i ndihmon gjithashtu këta udhëheqës që të komunikojnë në mënyrë të efektshme me anëtarët e Kishës dhe publikun.

Këshilli për komunikimet mund të përfshijë një drejtor/eshë, ndihmësdrejtorët dhe specialistët e kunjit për komunikimet sipas nevojës. Ata thirren dhe veçohen nga presidenti i kunjit ose një këshilltar i caktuar apo një këshilltar i lartë.

Ka gjithashtu një këshill për komunikimet në nivelin e këshillit bashkërendues (shihni 29.4). Ai vepron nën drejtimin e një Të Shtatëdhjeti Zonal dhe udhëhiqet nga një drejtor/eshë për komunikimet. Ky këshill për komunikimet ndihmon në bashkërendimin e marrëdhënieve, ngjarjeve dhe çështjeve që i kalojnë kufijtë e kunjit. Drejtori/esha i/e këtij këshilli ofron përkrahje dhe trajnim për këshillat e komunikimeve të kunjit.

Struktura e këshillit për komunikimet ndryshon në Zonën e Jutës. Të Shtatëdhjetë Zonalë në Zonën e Jutës mund t’u japin presidentëve të kunjeve hollësi rreth kësaj strukture.

Për informacion rreth thirrjeve për komunikimet, shihni GCN.ChurchofJesusChrist.org .

6.2.2

Udhëheqja e Veprës së Shpëtimit dhe të Ekzaltimit

Presidenti i kunjit kryeson mbi veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit në kunj (shihni kapitullin 1). Ai i udhëzon dhe nxit udhëheqësit e kunjit dhe lagjeve dhe anëtarët në këtë vepër. Këshilltarët e tij dhe udhëheqës të tjerë e ndihmojnë.

Ai i ndihmon anëtarët ta jetojnë ungjillin dhe ta rritin forcën e tyre shpirtërore. Ai u mëson atyre të luten dhe t’i studiojnë shkrimet e shenjta. Ai gjithashtu u mëson atyre rreth besëlidhjeve që do të bëjnë teksa marrin ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Ai i nxit ata që t’i nderojnë besëlidhjet e tyre.

Presidenti i kunjit i forcon familjet. Ai i nxit ata të luten dhe ta mësojnë ungjillin së bashku, përfshirë në mbrëmjen e shtëpisë. Ai jep mësim me anë të fjalëve dhe shembullit se thirrjet e Kishës mund të përmbushen pa i shmangur përgjegjësitë familjare. Ai gjithashtu sigurohet që veprimtaritë e Kishës t’i përkrahin përpjekjet e prindërve për t’i rritur fëmijët në drejtësi.

Përveç të ndihmuarit e anëtarëve që ta jetojnë ungjillin, presidenti i kunjit mbikëqyr aspekte të tjera të veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit. Për shembull, ai:

  • I ndihmon vëllezërit të përgatiten për të marrë Priftërinë Melkizedeke (shihni 18.10.1).

  • Udhëheq përpjekjet për t’u përkujdesur për njerëzit nevojtarë në kunj (shihni 22.9.1).

  • Mbikëqyr punën misionare në kunj dhe i nxit anëtarët që ta shpërndajnë ungjillin (shihni 23.4).

  • Mbikëqyr përpjekjet për t’i forcuar anëtarët e rinj në kunj (shihni 23.4).

  • Interviston kandidatë për shërbimin misionar (shihni 24.4.2).

  • Mbikëqyr punën në tempull dhe për historinë familjare në kunj (shihni 25.3.1).

  • I ndihmon anëtarët të përgatiten për të marrë ordinancat e tempullit (shihni 27.1).

  • Me presidencën e Shoqatës së Ndihmës në kunj, i udhëzon dhe përkrah presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave të Ndihmës në lagje në përgjegjësitë e tyre për punën misionare (shihni 23.5.2) dhe punën në tempull dhe për historinë familjare (shihni 25.2.2).

6.2.3

Gjykatësi i Përbashkët

Presidenti i kunjit është gjykatësi i përbashkët në kunj (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:71–74). Në këtë rol, ai ka përgjegjësitë vijuese:

  • Të zhvillojë intervista siç përvijohet te 31.2. Ai gjithashtu mund t’i autorizojë këshilltarët e tij që të kryejnë intervista të caktuara (shihni 31.2.2).

  • Takohet me anëtarë të kunjit që kërkojnë udhërrëfim shpirtëror, që kanë probleme të rënda vetjake, ose që kanë kryer mëkate të rënda. Për orientime, shihni 31.1.

  • Mban këshillat për anëtarësinë kur anëtarët kanë kryer mëkate të rënda (shihni kapitullin 32).

6.2.4

Dokumentet, Financat dhe Pronat

Presidenti i kunjit mbikëqyr dokumentet, financat dhe pronat në kunj. Ai mund t’ua caktojë shumicën e punës me dokumentet dhe financat këshilltarëve dhe nëpunësve të tij. Ai cakton një këshilltar të lartë që të jetë përfaqësuesi i kunjit për ndërtesat dhe të ndihmojë në mbikëqyrjen e pronave.

Shihni kapitujt vijues për më shumë informacion:

6.3

Ndryshimet midis Autoritetit të Presidentëve të Distrikteve dhe Autoritetit të Presidentëve të Kunjeve

Në çdo distrikt anëtarësh, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke thirret si president distrikti. Ai mban çelësat e priftërisë të nevojshme për të kryesuar (shihni 3.4.1.1). Ai shërben gati njësoj si një president kunji me ndryshimet vijuese:

  • Ai thirret dhe veçohet nga presidenti i misionit, pas miratimit nga Presidenca e Zonës (shihni 30.8.4). Një president kunji thirret dhe veçohet nga një Autoritet i Përgjithshëm ose I Shtatëdhjetë Zonal i caktuar (shihni 30.8.3).

  • Ai mund të jetë një plak ose prift i lartë. Një president kunji duhet të jetë një prift i lartë.

  • Ai nuk është president i një kuorumi të priftërinjve të lartë. Kuorume të tilla organizohen vetëm në kunje.

  • Presidenti i distriktit kryeson mbi të gjithë mbajtësit e priftërisë në distrikt. Sidoqoftë, presidenti i misionit është prifti i lartë kryesues.

  • Me miratimin e presidentit të misionit, presidenti i distriktit mund të intervistojë një vëlla që të shugurohet plak. Ky miratim duhet të jepet për çdo situatë. Presidenti i distriktit ose dikush nën drejtimin e tij mundet gjithashtu 1) të paraqesë një vëlla për mbështetje dhe 2) të kryejë shugurimin (shihni 18.10.1.3, 18.10.3 dhe 18.10.4). Sidoqoftë, presidenti i distriktit nuk mund të shugurojë patriarkë, priftërinj të lartë apo peshkopë.

  • Me miratimin e presidentit të misionit, një president distrikti mund të veçojë presidentë degësh (shihni 18.11). Ky miratim duhet të jepet për çdo situatë.

  • Ai nuk i liron misionarët kohëplotë. Sidoqoftë, ai mund të marrë pjesë me një anëtar të presidencës së misionit në intervistën e lirimit. Nëse udhëtimi ose kufizimet kohore e bëjnë shumë të vështirë për një anëtar të presidencës së misionit të lirojë një misionar të caktuar, presidenti i misionit mund të autorizojë presidentin e distriktit që ta bëjë këtë gjë (shihni 24.8.2).

  • Ai nuk kryen intervista për rekomandime tempulli ose nuk nënshkruan rekomandime tempulli (shihni 26.3.1).

  • Ai nuk mbledh një këshill për anëtarësinë nëse nuk autorizohet nga presidenti i misionit (shihni 32.9.5).

  • Ai zakonisht nuk merret drejtpërdrejtë me Presidencën e Zonës. Në vend të kësaj, ai punon nëpërmjet presidencës së misionit.

Në rrethana të veçanta, një president distrikti mund të autorizohet të rekomandojë, veçojë dhe lirojë misionarë. Ai gjithashtu mund të autorizohet të kryejë intervista për rekomandime tempulli dhe të nënshkruajë rekomandimet. Nëse Presidenca e Zonës mendon se një presidenti të distriktit duhet t’i zgjerohet autoriteti, ata ia rekomandojnë atë Presidencës së Parë. Nëse jepet miratimi, është për atë person, jo për pozicionin. Kur thirret një president i ri distrikti, ky autoritet i zgjeruar nuk i transferohet atij.

6.4

Sekretari Ekzekutiv i Kunjit, Ndihmëssekretarët Ekzekutivë të Kunjit, Nëpunësi i Kunjit dhe Ndihmësnëpunësit e Kunjit

6.4.1

Sekretari Ekzekutiv i Kunjit dhe Ndihmëssekretarët Ekzekutivë të Kunjit

Presidenti i kunjit ose një këshilltar i caktuar thërret dhe veçon një sekretar ekzekutiv të kunjit. Ai duhet të mbajë Priftërinë Melkizedeke dhe të jetë i denjë për të mbajtur rekomandim tempulli.

Sekretari ekzekutiv ka përgjegjësitë vijuese:

  • Mblidhet me presidencën e kunjit dhe përgatit rendet e ditës siç caktohet.

  • Shërben si anëtar i këshillit të kunjit dhe frekuenton mbledhjet e këshillit të lartë. Siç drejtohet nga presidenca e kunjit, ai ndjek ecurinë e detyrave që caktohen në këto mbledhje.

  • Bashkërendon punët e kunjit midis presidencës së kunjit, këshillit të lartë dhe udhëheqësve të tjerë të kunjit.

  • Planifikon takime për presidencën e kunjit.

  • E këshillon presidencën e kunjit për anëtarët që po hyjnë në ushtri ose janë tashmë në shërbim ushtarak. Nën drejtimin e presidencës së kunjit, ndihmon për të bashkërenduar orientimin nga Kisha për anëtarët e kunjit që po hyjnë në shërbimin ushtarak (shihni 38.9.3).

  • Orienton sekretarët e rinj ekzekutivë të lagjeve menjëherë pasi janë thirrur. Siguron udhëzim të vazhdueshëm sipas nevojës.

Një ose dy ndihmëssekretarë ekzekutivë të kunjit mund të thirren sipas nevojës. Ata thirren dhe veçohen nga një anëtar i presidencës së kunjit. Këta vëllezër duhet të jenë të denjë për një rekomandim tempulli.

6.4.2

Nëpunësi i Kunjit dhe Ndihmësnëpunësit e Kunjit

Nëpunësi i kunjit thirret dhe veçohet nga presidenti i kunjit ose një këshilltar i caktuar. Mund të thirren edhe ndihmësnëpunës të kunjit. Presidenti i kunjit ose një këshilltar i caktuar i thërret dhe i veçon ata. Përgjegjësitë e nëpunësit të kunjit dhe ndihmësnëpunësve të kunjit përshkruhen te 33.3.2 dhe 33.3.3.

6.5

Këshilli i Lartë

Presidenca e kunjit thërret 12 priftërinj të lartë për të formuar këshillin e lartë të kunjit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 102:1; 124:131). Nëse një plak thirret për të shërbyer në këshillin e lartë, ai shugurohet prift i lartë përpara se të veçohet.

Nën drejtimin e presidencës së kunjit, këshilltarët e lartë ndihmojnë me veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit në kunj. Përgjegjësitë e tyre përshkruhen në pjesët vijuese.

Këshilli i lartë nuk mblidhet si grup në qoftë se një anëtar i presidencës së kunjit nuk është atje për të kryesuar.

6.5.1

Përfaqësojnë Presidencën e Kunjit

Presidenca e kunjit cakton një këshilltar të lartë në secilën lagje në kunj.

Presidenca e kunjit cakton gjithashtu një këshilltar të lartë për çdo kuorum pleqsh në kunj. Në këtë rol, këshilltarët e lartë udhëzojnë presidencat e sapothirrura të kuorumeve të pleqve. Kjo përfshin dhënien e udhëzimeve nga kapitujt 1–4 dhe 8 të këtij manuali.

Këshilltarët e lartë që u caktohen kuorumeve të pleqve mblidhen rregullisht me udhëheqësit e kuorumeve për të bërë sa vijon:

  • Mësojnë për nevojat e tyre.

  • Ofrojnë përkrahje.

  • Japin mësim përgjegjësitë e tyre, përfshirë ato që janë për punën misionare (shihni 23.5.2) dhe punën në tempull dhe për historinë familjare (shihni 25.2.2).

  • Komunikojnë informacionin nga presidenca e kunjit.

  • Diskutojnë se si t’i ndihmojnë anëtarët e kuorumit që kanë nevojë për ordinancën e tyre të ardhshme. Ky informacion është në dispozicion për udhëheqësit e kuorumeve të pleqve në BUN.

Sipas nevojës ose kur ftohen, ata frekuentojnë mbledhjet e kuorumit të pleqve dhe mbledhjet e presidencës së kuorumit. Me raste, presidenca e kuorumit mund ta ftojë këshilltarin e lartë për t’i shoqëruar ata kur u japin shërbesë anëtarëve të lagjes.

Kur ftohen ose caktohen, këshilltarët e lartë frekuentojnë mbledhjet e peshkopatës dhe të këshillit të lagjes.

Presidenca e kunjit mund të caktojë këshilltarë të lartë për të udhëzuar njerëzit e mëposhtëm në përgjegjësitë e tyre për punën në tempull dhe për historinë familjare dhe punën misionare:

  • Presidencat e kuorumeve të pleqve

  • Udhëheqësit e misionit të lagjes

  • Udhëheqësit e lagjes për tempullin dhe historinë familjare

Një ose më shumë këshilltarë të lartë mund të caktohen për t’i udhëhequr këto përpjekje. Sidoqoftë, të gjithë këshilltarët e lartë kanë këto përgjegjësi për lagjet dhe kuorumet e pleqve në të cilat janë caktuar.

Këshilltarët e lartë këshillohen me presidencën e kunjit dhe i mbështetin vendimet e tyre për të shuguruar vëllezër në detyrat e plakut dhe të priftit të lartë. Presidenti i kunjit mund të autorizojë këshilltarë të lartë që ta përfaqësojnë atë kur burrat shugurohen në këto detyra. Këta këshilltarë të lartë sigurohen që ordinanca të kryhet në mënyrën e duhur.

Këshilltarët e lartë gjithashtu këshillohen me presidencën e kunjit dhe i mbështetin vendimet e tyre kur u japin thirrje anëtarëve. Presidenca e kunjit mund të autorizojë këshilltarë të lartë për të dhënë thirrje, për të paraqitur disa anëtarë për mbështetje dhe për t’i veçuar disa të tjerë. (Shihni 30.8.)

Presidenti i kunjit cakton këshilltarë të lartë për të punuar me organizatat e Të Rejave dhe Fillores në kunj. Kur një anëtar i presidencës së kunjit mblidhet me një nga këto presidenca, merr pjesë edhe këshilltari i lartë. Këshilltarët e lartë të caktuar i frekuentojnë gjithashtu mbledhjet e udhëheqjes në kunj të këtyre organizatave.

Presidenca e kunjit mund të caktojë këshilltarë të lartë që të ndihmojnë me programet e renditura te 6.2.1.6.

Presidenca e kunjit mund të caktojë këshilltarë të lartë që t’i përfaqësojnë ata duke folur në mbledhjet e sakramentit dhe në mjedise të tjera. Presidenca e kunjit përcakton shpeshtësinë e këtyre detyrave për të folur. Nuk është e nevojshme që këshilltarët e lartë të flasin në mbledhje sakramenti çdo muaj. Presidenca e kunjit mund të caktojë gjithashtu anëtarë të presidencave të organizatave në kunj që të flasin në këto mjedise (shihni 6.7.1 dhe 6.7.2).

Pamja
burra duke biseduar

6.5.2

Shërbejnë në Këshillat dhe Komitetet e Kunjit

Të gjithë këshilltarët e lartë shërbejnë në këshillin e kunjit.

Në situata të kufizuara, këshilltarët e lartë marrin pjesë në këshillat e kunjit për anëtarësinë (shihni 32.9.2).

Presidenca e kunjit cakton këshilltarë të lartë që të shërbejnë në komitete të tjera. Për shembull, këshilltarët e lartë që caktohen për të punuar me kuorumet e pleqve, shërbejnë në komitetin e kunjit të udhëheqjes së personave në moshë madhore (shihni 29.3.9).

Këshilltarët e lartë me detyra që lidhen me kuorumet në Priftërinë Aarone, Të Rejat dhe Filloren shërbejnë në komitetin e kunjit të udhëheqjes së rinisë (shihni 29.3.10). Këshilltari i lartë që shërben si presidenti i Shkollës të së Dielës të kunjit mund të shërbejë gjithashtu në këtë komitet.

6.5.3

Shërbejnë si Udhëheqës të Organizatave të Kunjit

Presidenca e kunjit cakton një këshilltar të lartë për të qenë presidenti i Të Rinjve në kunj (shihni 6.7.2). Ata caktojnë një këshilltar tjetër të lartë që të jetë presidenti i Shkollës të së Dielës të kunjit (shihni 6.7.1).

6.6

Patriarku i Kunjit

Një patriark është një detyrë në Priftërinë Melkizedeke. Patriarkët thirren dhe shugurohen për t’u dhënë bekime patriarkale anëtarëve të denjë të Kishës. Kjo pjesë përvijon përgjegjësitë e presidentit të kunjit për patriarkun e kunjit. Për informacion rreth bekimeve patriarkale, shihni burimet vijuese:

  • Pjesët 18.17 dhe 38.2.10 në këtë manual

  • Informacione dhe Sugjerime për Patriarkët

  • Mbledhja e Trajnimit Mbarëbotëror për Udhëheqjen: Patriarku

Shihni Informacion dhe Sugjerime për Patriarkët për informacion rreth:

  • Patriarkëve që u jepet statusi joveprues.

  • Patriarkëve që shpërngulen në një kunj tjetër.

6.6.1

Thirrja, Mbështetja, dhe Shugurimi i një Patriarku të Kunjit

Një patriark duhet të jetë një mbajtës i denjë i Priftërisë Melkizedeke. Ai duhet të ketë pjekuri në kuptueshmërinë e tij për ungjillin dhe i ndjeshëm ndaj Shpirtit. Ai duhet ta ketë marrë bekimin e vet patriarkal. Normalisht duhet të jetë 55 vjeç ose më i madh. Duhet të jetë i martuar kur thirret.

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve drejton thirrjen e patriarkëve të kunjeve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:39). Presidenti i kunjit mund të rekomandojë se kush të thirret. Ai i dorëzon rekomandimet nëpërmjet sistemit BUN [LCR]. Kur bën një rekomandim, presidenti i kunjit duhet të agjërojë dhe lutet që Shpirti ta drejtojë. Këshilltarët e tij duhet të bien dakord me rekomandimin.

Në qoftë se Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve e miraton rekomandimin, presidenti i kunjit mund të autorizohet që ta intervistojë dhe thërrasë patriarkun. Më pas e paraqet emrin e patriarkut për votë mbështetëse në sesionin e përgjithshëm të konferencës së radhës të kunjit.

Presidenti i kunjit e shuguron patriarkun. Ai nuk ia delegon këtë përgjegjësi një këshilltari. Asnjë tjetër nuk duhet të qëndrojnë me të gjatë shugurimit. Një patriark i ri fillimisht shugurohet në atë detyrë dhe më pas veçohet që të shërbejë në një kunj të caktuar. Një patriark i shuguruar më parë, i cili po kthehet në statusin veprues, nuk shugurohet më. Sidoqoftë, ai veçohet.

Shugurimi duhet të regjistrohet në sistemin BUN [LCR] përpara se patriarku të mund të hyjë te mjetet në internet për patriarkët.

Një patriark veprues është anëtar i kuorumit të priftërinjve të lartë dhe merr pjesë në mbledhjet e kuorumit (shihni 29.3.5).

Pamja
e re duke marrë bekim

6.6.2

Thirrja e një Patriarku të Dytë të Kunjit

Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve normalisht nuk e miraton thirrjen e një patriarku të dytë për një kunj veç kur një patriark nuk është në gjendje të japë numrin e bekimeve të kërkuara. As Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve nuk miraton normalisht një patriark tjetër sepse një kunj:

  • Është gjeografikisht i madh.

  • Përfshin anëtarë që nuk flasin gjuhën e shumicës.

Nëse një kunj përfshin anëtarë që flasin gjuhë të ndryshme, peshkopët dhe presidencat e kunjit mund t’i autorizojnë ata që të shkojnë te një patriark në një kunj aty pranë i cili mund ta japë bekimin në gjuhën e vetë anëtarit.

6.6.3

Udhëzimi i një Patriarku të Sapothirrur të Kunjit

Përpara se ai të fillojë të japë bekime, presidenti i kunjit e udhëzon patriarkun e sapothirrur. Ai i jep mësim patriarkut rreth natyrës së shenjtë, zbuluese të detyrës së tij. Me patriarkun ai shqyrton me kujdes udhëzimet te:

  • Informacione dhe Sugjerime për Patriarkët

  • Mbledhja e Trajnimit Mbarëbotëror për Udhëheqjen: Patriarku

6.6.4

Mbikëqyrja e Punës së Patriarkut të Kunjit

Presidenti i kunjit e mbikëqyr punën e patriarkut të kunjit siç përvijohet tek Informacione dhe Sugjerime për Patriarkët. Ai nuk ia delegon këtë përgjegjësi njërit prej këshilltarëve të tij. Një patriark përfiton nga një marrëdhënie e afërt me presidentin e tij të kunjit.

Presidenti i kunjit takohet me patriarkun të paktën dy herë në vit. Ata diskutojnë për ndjenjat e patriarkut mbi punën, shëndetin dhe mirëqenien e familjes së tij dhe çdo çështje tjetër për të cilën patriarku ka nevojë për këshillë.

Të paktën dy herë në vit, presidenti i kunjit rishikon bekimet që ka dhënë patriarku. Sipas nevojës, ai mund të bëjë sugjerime të përgjithshme rreth përmbajtjes së bekimeve të patriarkut.

Presidenti i kunjit sigurohet që marrësve t’u jepen menjëherë kopje të bekimeve të shkruara. Ai gjithashtu sigurohet që të gjitha bekimet i dorëzohen zyrave qendrore të Kishës. Bekimet dorëzohen nëpërmjet Sistemit të Bekimeve Patriarkale te ChurchofJesusChrist.org. Atje ku ky sistem nuk është në përdorim, bekimet duhet të dërgohen me postë tek adresa e mëposhtme të paktën një herë në çdo gjashtë muaj:

Church History Library

Attn: Patriarchal Blessings

15 East North Temple Street

Salt Lake City, UT 84150–1600

6.6.5

Konfidencialiteti i Bekimeve Patriarkale

Presidenti i kunjit sigurohet që pasi patriarku i ka dhënë marrësit një kopje të bekimit patriarkal dhe ia ka dorëzuar atë zyrave qendrore të Kishës, të gjitha kopjet e tjera në letër dhe në formatin elektronik shkatërrohen ose fshihen. Patriarku sigurohet që bekimet e fshira nga kompjuteri i tij nuk mund të rigjenden.

6.6.6

Patriarkët që Thirren në një Pozicion Tjetër në Kishë

Nuk lejohet që një patriark të thirret në një pozicion në administratën e Kishës (të tillë si një peshkop, këshilltar i lartë apo president kunji) veç nëse Kuorumi i Dymbëdhjetëve Apostujve e miraton thirrjen paraprakisht. Nëse jepet miratimi, patriarkut i jepet statusi joveprues.

Një patriark mund të thirret që të shërbejë në thirrje të tjera pa miratimin nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve. Ai mund të shërbejë gjithashtu si vulosës ose punonjës i ordinancave të tempullit.

6.6.7

Shkruesit për Bekimet Patriarkale

Presidenti i kunjit ose një nga këshilltarët e tij mund të thërrasë dhe veçojë një anëtar/e të denjë e të aftë të kunjit për të transkriptuar bekimet patriarkale, veç nëse patriarku mund t’i transkriptojë ato vetë dhe parapëlqen ta bëjë këtë. Nëse është e nevojshme, mund të thirren më shumë se një shkrues/e.

Shkruesi/ja duhet të porositet se çdo bekim është i shenjtë dhe konfidencial. Asnjë kopje e asnjë bekimi nuk mund të mbahet nga shkruesi/ja ose patriarku. (Shihni 6.6.5.)

6.7

Organizatat e Kunjeve

Secila prej organizatave të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave, të Fillores, të Shkollës të së Dielës dhe të Të Rinjve të kunjit udhëhiqen nga një president/e. Këta/o presidentë/e shërbejnë nën drejtimin e presidencës së kunjit. Në kunjet e mëdha, një president/e organizate mund të rekomandojë një ose dy këshilltarë/e dhe një sekretar/e për të shërbyer me të. Presidenca e kunjit i merr në shqyrtim këto rekomandime.

Përgjegjësitë kryesore të këtyre udhëheqësve/eve janë që t’i vijnë në ndihmë presidencës së kunjit dhe t’i udhëzojnë e t’i përkrahin presidencat e organizatave të lagjeve. Ato nuk përmbushin detyra që duhet të përmbushen në nivel lagjeje ose familjeje. Ato gjithashtu nuk krijojnë përgjegjësi shtesë për presidencat e organizatave të lagjes.

6.7.1

Presidencat e Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave, Fillores dhe të Shkollës të së Dielës për Kunjin

Presidenti i kunjit thërret dhe veçon një motër për të qenë presidentja e Shoqatës së Ndihmës të kunjit. Ai ose një këshilltar i caktuar thërret dhe veçon motra që të jenë presidente të Të Rejave dhe Fillores në kunj. Nëse thirren këshilltare dhe sekretare, një anëtar i presidencës së kunjit ose një këshilltar i lartë i caktuar i thërret dhe i veçon ato.

Presidenca e kunjit thërret dhe veçon një këshilltar të lartë që të jetë presidenti i Shkollës të së Dielës të kunjit.

Anëtarët e këtyre presidencave kanë përgjegjësitë vijuese:

  • Shërbejnë në këshillin e kunjit (vetëm presidentët). Marrin pjesë në përpjekjet për të ndërtuar besim dhe për t’i forcuar individët dhe familjet në kunj.

  • Orientojnë presidencat e sapothirrura të organizatave të lagjeve. Kjo përfshin dhënien e udhëzimeve nga kapitujt 1–4 të këtij manuali dhe te kapitulli për organizatën e tyre.

  • Ofrojnë përkrahje dhe udhëzim të vazhdueshëm. Komunikojnë rregullisht me presidencat e organizatave të lagjeve për të mësuar mbi nevojat e tyre, diskutojnë mbi nevojat e anëtarëve të cilëve u shërbejnë dhe komunikojnë informacionet nga presidenca e kunjit. Organizohen me udhëheqësit e lagjes që të marrin pjesë periodikisht në mbledhjet dhe orët mësimore.

  • Udhëzojnë presidencat e organizatave të lagjeve gjatë mbledhjeve të udhëheqjes së kunjit (shihni 29.3.4). Këto zhvillohen përgjithësisht një herë në vit. Presidenca e kunjit mund të autorizojë një mbledhje të dytë nëse nuk do të krijonte një barrë për pjesëmarrësit. Peshkopët mund të kërkojnë udhëzime shtesë për presidencat e organizatave të lagjes.

  • Këshillohen së bashku rregullisht në mbledhjet e vetë presidencave të tyre (nëse thirren këshilltarë). Komunikojnë rregullisht me anëtarët e presidencës së kunjit përgjegjës për shërbimin e tyre.

  • Frekuentojnë mbledhjet e këshillave bashkërendues kur ftohen nga I Shtatëdhjeti Zonal (shihni 29.4).

  • Flasin në mbledhjet e sakramentit dhe mjedise të tjera kur ftohen nga presidenca e kunjit.

  • Në kunje të mëdha, i dorëzojnë presidencës së kunjit rekomandime për këshilltarë dhe të tjerë që të thirren për të shërbyer në organizatat e tyre sipas nevojës. Për orientime, shihni 30.1.1 dhe 30.1.5.

Presidencat e Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe të Fillores në kunj me raste mund të planifikojnë aktivitete të përbashkëta për organizatat e tyre. Këto aktivitete mund të përfshijnë të gjitha gratë, të rejat dhe vajzat 8 vjeç e lart në kunj. Aktivitete të tilla mund të zhvillohen edhe në kunje të shumëfishta. Presidencat këshillohen së bashku për t’i rekomanduar presidencës së kunjit aktivitete të përbashkëta (shihni 20.3.1). Aktivitete të tilla do të ishin në vend të një aktiviteti nga aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës të kunjit (shihni 6.7.1.1).

Pamja
grua duke punuar me fëmijë

6.7.1.1

Përgjegjësi Shtesë të Presidencës së Shoqatës së Ndihmës të Kunjit

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës të kunjit ka përgjegjësitë vijuese shtesë:

  • Shërben në komitetin e kunjit të udhëheqjes së personave në moshë madhore (shihni 29.3.9). Nëse thirret një sekretare, ftohet edhe ajo.

  • U mësojnë presidenteve të Shoqatës së Ndihmës të lagjeve parimet e dhënies së shërbesës dhe të kujdesit për njerëzit nevojtarë. I ndihmojnë ato të kuptojnë rolin e tyre për t’i ndihmuar peshkopët për çështje materiale dhe të mbështetjes te vetja.

  • U mësojnë presidencave të Shoqatës së Ndihmës në lagje përgjegjësitë e tyre për punën misionare (shihni 23.5.2) dhe punën në tempull dhe për historinë familjare (shihni 25.2.2).

  • Forcojnë motrat në moshë madhore beqare në kunj. Nëse kunji ka një komitet për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, një anëtare e presidencës shërben në të. E njëjta gjë është e vërtetë nëse kunji ka një komitet për personat në moshë madhore beqarë. (Shihni 14.1.1.2.)

  • Bashkërendon përpjekjet e Shoqatës së Ndihmës të kunjit gjatë rasteve urgjente.

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës të kunjit mund të planifikojë dhe vërë në zbatim një ose dy mbledhje çdo vit për të gjitha motrat e Shoqatës së Ndihmës në kunj. Këto mbledhje zhvillohen nën drejtimin e presidencës së kunjit. Ato mund të përfshijnë shërbim, orë mësimore, projekte, konferenca ose seminare praktike. Ato nuk ndërthuren me sesionin e grave në konferencën e përgjithshme. Presidenca e Shoqatës së Ndihmës të kunjit mund të formojë komitete për të ndihmuar sipas nevojës.

6.7.1.2

Përgjegjësi Shtesë të Presidencës së Të Rejave në Kunj

Presidenca e Të Rejave në kunj ka përgjegjësitë vijuese shtesë:

  • Shërben në komitetin e kunjit të udhëheqjes së rinisë (shihni 29.3.10). Nëse thirret një sekretare, ftohet edhe ajo.

  • Nën drejtimin e presidencës së kunjit, planifikon dhe bashkërendon aktivitetet dhe kampet e Të Rejave të kunjit.

6.7.1.3

Përgjegjësi Shtesë të Presidencës së Fillores të Kunjit

Presidenca e Fillores të kunjit me raste mund të planifikojë aktivitete kunji për fëmijë të moshës 8 deri 11 vjeç. Këto aktivitete mund të jenë për vajza, djem, ose të dyja. Ato ndjekin orientimet te 12.2.1.3.

6.7.1.4

Përgjegjësi Shtesë të Presidencës së Shkollës të së Dielës të Kunjit

Presidenca e Shkollës të së Dielës të kunjit ka përgjegjësitë vijuese shtesë:

  • Shërbejnë si specialistë në përpjekjet e kunjit për ta përmirësuar të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit.

  • Bashkërendon qendrat e burimeve në kunj atje ku gjen zbatim (shihni 13.7.2).

  • Shërben në komitetin e kunjit të udhëheqjes së rinisë, nëse ftohet (shihni 29.3.10).

6.7.2

Presidenca e Të Rinjve në Kunj

Presidenca e kunjit thërret dhe e veçon një këshilltar të lartë për të qenë presidenti i Të Rinjve në kunj. Anëtarët e këshillit të lartë të caktuar për Të Rejat dhe Filloren, mund të thirren dhe veçohen për të shërbyer si këshilltarët e tij.

Në kunje të mëdha, një ose dy mbajtës të tjerë të Priftërisë Melkizedeke nga kunji mund të thirren si këshilltarë. Një mbajtës priftërie mund të thirret gjithashtu si sekretar (shihni 6.7.3). Presidenti i Të Rinjve në kunj rekomandon se cili të thirret. Për orientime, shihni 30.1.1 dhe 30.1.5. Këshilltarët dhe sekretari thirren dhe veçohen nga një anëtar i presidencës së kunjit ose nga një këshilltar i lartë i caktuar.

Presidenca e Të Rinjve në kunj ka përgjegjësitë vijuese:

  • Shërben në këshillin e kunjit (vetëm presidenti, veç nëse këshilltarët e tij janë këshilltarë të lartë). Merr pjesë në përpjekjet për të ndërtuar besim dhe për t’i forcuar individët dhe familjet në kunj.

  • Shërben si burim për peshkopatat në përgjegjësitë e tyre për vëllezërit e Priftërisë Aarone. Kjo mund të përfshijë ndihmën ndaj tyre për të kuptuar detyrat e tyre për kuorumet e Priftërisë Aarone, siç drejtohet nga presidenti i kunjit.

  • Këshillohen rregullisht së bashku në mbledhjet e tyre të presidencës. Komunikon rregullisht me anëtarët e presidencës së kunjit të cilët kanë përgjegjësi për shërbimin e tyre.

  • Shërben në komitetin e kunjit të udhëheqjes së rinisë (shihni 29.3.10). Nëse thirret një sekretar, ftohet edhe ai.

  • Nën drejtimin e presidencës së kunjit, planifikon dhe bashkërendon aktivitetet dhe kampet e Priftërisë Aarone në kunj.

  • Flasin në mbledhjet e sakramentit dhe mjedise të tjera kur ftohen nga presidenca e kunjit.

  • Frekuentojnë mbledhjet e këshillave bashkërendues kur ftohen nga I Shtatëdhjeti Zonal (shihni 29.4).

Presidenca e Të Rinjve në kunj nuk zhvillon një mbledhje të udhëheqjes së kunjit. Udhëzimet për ata të cilët kanë përgjegjësi për kuorumet e Priftërisë Aarone jepen në mbledhjen e udhëheqjes së priftërisë së kunjit (shihni 29.3.3).

6.7.3

Pamja
ikonë, orientimet për përshtatjen
Sekretarët/et e Organizatave të Kunjit

Sekretarët/et e organizatave të kunjit zakonisht thirren vetëm në kunje të mëdha. Një anëtar i presidencës së kunjit ose një këshilltar i lartë i caktuar i thërret dhe i veçon ata. Nën drejtimin e presidentëve/eve të organizatave të kunjit, ata/o mund të kenë përgjegjësitë vijuese:

  • Përgatitin rende dite për mbledhjet e presidencës.

  • Mbajnë shënime në mbledhjet e presidencës dhe ndjekin ecurinë e detyrave.

  • Mbajnë dokumente të tjera dhe përgatitin raporte siç i kërkon presidenca.

  • E ndihmojnë presidencën që të përgatitë buxhetin vjetor për organizatën e tyre. Japin llogari për shpenzimet.

  • Sigurojnë trajnim për sekretarët/et e organizatave të lagjeve siç caktohen. Kjo mund të përfshijë udhëzimin mbi mbajtjen shënim dhe raportimin e frekuentimit.

6.8

Pamja
ikonë, burime jo të detyrueshme
Specialistët e Kunjit

Presidenca e kunjit mund të thërrasë dhe veçojë specialistë sipas nevojës për qëllime të tilla si:

  • Muzikën (shihni 19.5.3)

  • Mirëqenien dhe mbështetjen te vetja (shihni 22.9.4)