Manualet dhe Thirrjet
8. Kuorumi i Pleqve


“8. Kuorumi i Pleqve”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“8. Kuorum i Pleqve”, Manuali i Përgjithshëm.

8.

Kuorumi i Pleqve

8.1

Qëllimi dhe Organizimi

Priftëria Melkizedeke i ndihmon fëmijët e Perëndisë që të përgatiten për t’u kthyer në praninë e Tij. Ajo mban “çelësat e të gjitha bekimeve shpirtërore të kishës” (Doktrina e Besëlidhje 107:18).

Detyrat në Priftërinë Melkizedeke janë plak, prift i lartë, patriark, I Shtatëdhjetë dhe Apostull. Ky kapitull përmban informacion rreth pleqve dhe kuorumeve të pleqve.

8.1.1

Qëllimi

Burrat e denjë të moshës 18 vjeç e lart mund të marrin Priftërinë Melkizedeke dhe të shugurohen në detyrën e plakut. Një burrë që shugurohet në atë detyrë, hyn në një besëlidhje të shenjtë për ta ndihmuar Perëndinë në përmbushjen e veprës së Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 84:33–44).

Çdo plak është pjesë e një grupi të organizuar të mbajtësve të priftërisë që quhet një kuorum i pleqve. Anëtarët e kuorumit të pleqve punojnë së bashku që të ndihmojnë në përmbushjen e punës së shpëtimit dhe të ekzaltimit. Ata u shërbejnë të tjerëve, përmbushin detyra të priftërisë, ndërtojnë unitet, mësojnë dhe e jetojnë doktrinën.

8.1.2

Anëtarësia në Kuorumin e Pleqve

Çdo lagje ka një kuorum pleqsh. Ai përfshin vëllezërit vijues:

  • Të gjithë pleqtë në lagje.

  • Të gjithë pleqtë e ardhshëm në lagje (shih 8.4).

  • Të gjithë priftërinjtë e lartë në lagje, përveç atyre që aktualisht po shërbejnë në një presidencë kunji, në një peshkopatë, në një këshill të lartë ose si patriark. Këta udhëheqës janë anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit. Për informacion rreth kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit, shihni 5.1.1.3 dhe 29.3.4.

Një i ri mund të fillojë t’i frekuentojë mbledhjet e kuorumit të pleqve kur ai mbush 18 vjeç, edhe nëse nuk është shuguruar ende si plak. Ai këshillohet me prindërit dhe peshkopin e vet për ta marrë këtë vendim. Kur mbush moshën 19 vjeç ose kur largohet nga shtëpia, si në rastet kur ndjek një universitet apo shërben në mision, ai duhet të shugurohet plak, në qoftë se është i denjë. Shihni 10.6.

Burrat e martuar nën moshën 18 vjeç janë pleq të ardhshëm dhe gjithashtu janë anëtarë të kuorumit të pleqve.

Për informacion rreth prindërve të pamartuar nën moshën 18 vjeç, shihni 38.1.5.

8.1.3

Pamja
ikonë, orientimet për përshtatjen
Përshtatja ndaj Nevojave Vendore

Disa lagje kanë një numër shumë të madh të mbajtësve aktivë të Priftërisë Melkizedeke. Për këto lagje, presidenca e kunjit mund të organizojë një kuorum shtesë të pleqve (shih Doktrina e Besëlidhje 107:89). Secili kuorum ka presidencën e vet. Nëse është e mundur, secili kuorum duhet të ketë anëtarë me larmi moshash dhe përvoje.

8.2

Pjesëmarrja në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit

Perëndia i fton të gjithë njerëzit të vijnë te Krishti dhe të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit nëpërmjet:

  • Të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit.

  • Përkujdesjes për njerëzit nevojtarë.

  • Ftesës ndaj të gjithë njerëzve që ta marrin ungjillin.

  • Bashkimit të familjeve për përjetësinë.

Udhëheqësit e kuorumeve të pleqve planifikojnë mbledhjet e së dielës, aktivitetet, dhënien e shërbesës dhe ndërveprime të tjera për t’i ndihmuar vëllezërit që të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Anëtarët e kuorumit të pleqve dhe anëtaret e Shoqatës së Ndihmës punojnë në unitet për ta përmbushur këtë vepër.

Për më shumë informacion rreth veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit, studioni kapitullin 1.

8.2.1

Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit

Udhëheqësit e kuorumit të pleqve i përkrahin anëtarët në të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit. Ata theksojnë ushtrimin e besimit, pendimin, rritjen e mbështetjes te vetja dhe bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet marrjes së ordinancave. Ordinanca të tilla përfshijnë dhurimin në tempull. Shihni 1.2.1.

8.2.1.1

Të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi

Kur anëtarët e mësojnë dhe e jetojnë ungjillin në shtëpi, thellohet kthimi i tyre në besimin tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Udhëheqësit e kuorumit të pleqve i nxitin vëllezërit që t’i studiojnë shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë, individualisht dhe me familjet e tyre. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe burime të tjera mund ta plotësojnë studimin e tyre.

Mbrëmjet e shtëpisë janë një mënyrë e rëndësishme për ta mësuar ungjillin në shtëpi. Ato zakonisht mbahen çdo javë të dielën, të hënën në mbrëmje ose në ndonjë kohë tjetër. Mund të përfshijnë lutje, studim të ungjillit, dëshmi, këngë dhe veprimtari argëtuese.

8.2.1.2

Mësimdhënia e Ungjillit në Mbledhjet e Kuorumeve

Kuorumet e pleqve mblidhen të dielave për qëllimet vijuese:

  • Të forcojnë besimin.

  • Të krijojnë unitet.

  • Të forcojnë familjet dhe shtëpitë.

  • Të bëjnë plane që të ndihmojnë për të përmbushur veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

Mbledhjet zhvillohen në të dielat e dyta dhe të katërta të muajit. Ato zgjatin 50 minuta. Këto mbledhje i planifikon presidenca e kuorumit të pleqve. Një anëtar i presidencës drejton.

Mbledhja fillon me një anëtar të presidencës që drejton çfarëdo pune të kuorumit. Për shembull, kuorumi mund të këshillohet së bashku rreth aspekteve të përmbushjes së veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit. Më pas duhet t’i jepet kohë e mjaftueshme mësimdhënies dhe diskutimit domethënës të ungjillit.

Mbledhjet e kuorumit përqendrohen tek temat në një ose më shumë biseda nga konferenca e përgjithshme më e fundit. Presidenca e kuorumit të pleqve me lutje përzgjedh mesazhe për t’i diskutuar nisur nga nevojat e anëtarëve. Himne mund të këndohen për ta pasuruar një mësim. Mbledhjet duhet të mbarojnë me një lutje.

Për më shumë informacion, shihni EjaMeNdiq.ChurchofJesusChrist.org.

8.2.1.3

Aktivitetet

Presidencat e kuorumeve të pleqve mund të planifikojnë aktivitete. Këto aktivitete i forcojnë anëtarët e kuorumeve dhe u japin mundësi për të shërbyer së bashku. Shumica e aktiviteteve nuk zhvillohen të dielave ose në mbrëmjet e të hënave.

Presidenti i kuorumit të pleqve i mbikëqyr këto aktivitete. Ai mund t’i kërkojë një këshilltari ose anëtari tjetër të kuorumit që të marrë drejtimin në planifikimin dhe zbatimin e tyre (shih 8.3.5). Presidencat i diskutojnë aktivitetet me peshkopin si pjesë e planifikimit të tyre.

8.2.2

Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë

Si pasues të Jezu Krishtit, anëtarët e kuorumit të pleqve kanë përgjegjësi që t’i ndihmojnë me dashuri njerëzit nevojtarë. Individualisht dhe si kuorum, ata kërkojnë mënyra për t’u shërbyer të tjerëve në lagje dhe komunitet. Atje ku është në dispozicion, faqja JustServe.org sugjeron mundësi shërbimi në komunitet.

Për më shumë informacion rreth mënyrës se si anëtarët e kuorumit të pleqve dhe anëtaret e Shoqatës së Ndihmës kujdesen për njerëzit nevojtarë, shihni 22.2.4.

8.2.2.1

Dhënia e Shërbesës

Dhënia e shërbesës është përkujdesje për të tjerët sikurse do të përkujdesej Shpëtimtari. Anëtarët e kuorumit të pleqve marrin detyra për të dhënë shërbesë nga presidenca e kuorumit. Për më shumë informacion, shihni kapitullin 21.

8.2.2.2

Nevojat Afatshkurtra

Vëllezërit shërbestarë përpiqen t’i kuptojnë dhe t’u përgjigjen nevojave të njerëzve të cilëve u shërbejnë. Anëtarëve mund t’u nevojitet ndihmë afatshkurtër në kohë sëmundjeje, lindjeje, vdekjeje, humbjeje të punësimit dhe rrethana të tjera.

Kur nevojitet, vëllezërit shërbestarë i kërkojnë ndihmë presidencës së kuorumit të pleqve. Me miratimin e peshkopit, presidenca mund të thërrasë një bashkërendues për shërbimin që t’i organizojë këto përpjekje (shih 8.3.5).

Kuorumi i pleqve dhe Shoqata e Ndihmës i bashkërendojnë përpjekjet për të trajtuar nevojat afatshkurtra (shih 22.2.4.1). Peshkopi mund të japë ndihmë nga ofertat e agjërimit, nëse nevojitet.

Në disa vendndodhje, peshkopët kanë mundësinë që t’u japin anëtarëve nevojtarë një fletëporosi nga peshkopi për ushqime dhe artikuj të tjerë bazë. Peshkopi në përgjithësi cakton presidenten e Shoqatës së Ndihmës që të takohet me anëtarët dhe të plotësojë fletëporosinë. Gjithsesi, ai mund të caktojë edhe presidentin e kuorumit të pleqve. Një këshilltare në presidencën e Shoqatës së Ndihmës ose një këshilltar në presidencën e kuorumit të pleqve mund të caktohet nëse presidentja/i nuk është në dispozicion. Udhëheqësi/ja i/e caktuar ia dorëzon formularin e plotësuar peshkopit për miratimin e tij.

Për më shumë informacion, shihni 22.6.4.3 dhe “Burimet për Mirëqenien” te Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit.

8.2.2.3

Nevojat Afatgjata dhe Mbështetja te Vetja

Nën drejtimin e peshkopit, presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës i ndihmojnë anëtarët për nevojat afatgjata dhe për mbështetjen te vetja. Ata japin mësim parimet e mbështetjes te vetja materialisht dhe shpirtërisht. Shihni kapitullin 22 dhe pjesën “Mbështetja te Vetja” në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Nëse një person ose familje ka nevojë për ndihmë, presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës këshillohen së bashku nën drejtimin e peshkopit rreth mënyrës se si të ndihmojnë (shih 22.6.3).

Presidenti i kuorumit të pleqve, presidentja e Shoqatës së Ndihmës apo një udhëheqës tjetër e ndihmon personin ose familjen që të zhvillojë një Plan të Mbështetjes te Vetja. Vëllezërit ose motrat shërbestare mund të ndihmojnë gjithashtu për planin. Shpesh, anëtarë të tjerë të kuorumit të pleqve apo anëtare të tjera të Shoqatës së Ndihmës kanë aftësi ose përvoja që mund të vijnë në ndihmë. Të gjithë ata që ndihmojnë, e trajtojnë informacionin me fshehtësi. Për më shumë informacion, shihni 22.2.4.2 dhe 22.2.4.5.

8.2.2.4

Kur Vdes një Anëtar/e i/e Lagjes

Kur vdes një anëtar/e i/e lagjes, presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës ofrojnë ngushëllim e ndihmë. Nën drejtimin e peshkopit, ato mund të ndihmojnë për funeralin.

Nëse është e mundur, anëtarët/et e vdekur/a që e kishin marrë dhurimin në tempull, varrosen me veshjen e tempullit. Peshkopi mund t’i kërkojë presidentit të kuorumit të pleqve të caktojë një burrë që e ka marrë dhurimin në tempull, për ta veshur ose për ta mbikëqyrur procesin e veshjes së një burri të vdekur që e kishte marrë dhurimin në tempull. Për më shumë informacion, shihni 27.3.9.

Presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës, vëllezërit dhe motrat shërbestare, si dhe njerëz të tjerë vazhdojnë të ofrojnë ngushëllim dhe ndihmë pas varrimit.

8.2.3

Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Marrin Ungjillin

Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke kanë si detyrë që t’i ftojnë të gjithë njerëzit të marrin bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit (shih Doktrina e Besëlidhje 53:3). Ata e bëjnë këtë gjë duke përhapur ungjillin, duke i forcuar anëtarët e rinj dhe duke u zgjatur dorën e ndihmës njerëzve që janë më pak aktivë.

Në mbledhjet e presidencës dhe të kuorumit, presidenca e kuorumit të pleqve diskuton për mënyrat se si vëllezërit mund t’i ftojnë të gjithë njerëzit që të marrin bekimet e ungjillit.

Presidenti i kuorumit të pleqve cakton një anëtar të presidencës për të ndihmuar që ta udhëheqë punën misionare të anëtarëve në lagje. Ai punon me anëtaren e caktuar nga presidenca e Shoqatës së Ndihmës për t’i bashkërenduar këto përpjekje.

Ky anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve mund të përmbushë rolin e udhëheqësit të misionit të lagjes. Nëse peshkopata ka thirrur një udhëheqës të misionit të lagjes, ky anëtar i presidencës e mbikëqyr punën e tij. Shihni 23.1.1 dhe 23.1.3.

Anëtari i caktuar i presidencës së kuorumit të pleqve dhe udhëheqësi i misionit të lagjes (nëse thirret) bëjnë diskutime të shkurtra, joformale për të bashkërenduar mënyrën se si t’i ftojnë të gjithë njerëzit që të marrin bekimet e ungjillit. Këto diskutime zhvillohen çdo javë. Ata gjithashtu përfshijnë anëtaren e caktuar të presidencës së Shoqatës së Ndihmës, misionarët e lagjes, një ndihmës nga kuorumi i priftërinjve, një anëtare të presidencës së klasës me moshën më të madhe tek Të Rejat dhe misionarët kohëplotë.

8.2.4

Bashkimi i Familjeve për Përjetësinë

Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke i përkrahin anëtarët për bashkimin e familjeve për përjetësinë. Kjo përfshin:

  • Bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet marrjes së ordinancave, përfshirë dhurimin në tempull.

  • Bërjen e punës në tempull dhe të historisë familjare (shih 1.2.4).

Në mbledhjet e presidencës dhe të kuorumit, presidenca e kuorumit të pleqve diskuton për mënyrat se si vëllezërit mund të marrin pjesë në këto përpjekje.

Presidenca i nxit anëtarët e kuorumit që të mësojnë rreth historisë së familjes së tyre dhe rreth besëlidhjeve dhe ordinancave të tempullit. Anëtarët e presidencës gjithashtu i nxitin vëllezërit që ta frekuentojnë rregullisht tempullin, atje ku është e mundur.

Presidenti i kuorumit të pleqve cakton një anëtar të presidencës që të ndihmojë për ta udhëhequr punën për në tempull dhe për historinë familjare në lagje. Ai punon me anëtaren e caktuar nga presidenca e Shoqatës së Ndihmës për t’i bashkërenduar këto përpjekje.

Ky anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve mund të përmbushë rolin e udhëheqësit të lagjes për tempullin dhe historinë familjare. Nëse peshkopata ka thirrur një udhëheqës për tempullin dhe historinë familjare, ky anëtar i presidencës e mbikëqyr punën e tij. Shihni 25.4.1.

Anëtari i caktuar nga presidenca e kuorumit të pleqve, si dhe udhëheqësi për tempullin dhe për historinë familjare në lagje (nëse thirret) bëjnë diskutime të shkurtra, joformale për të bashkërenduar punën në tempull dhe për historinë familjare. Këto diskutime zhvillohen rregullisht. Ato përfshijnë gjithashtu anëtaren e caktuar nga presidenca e Shoqatës së Ndihmës, një ndihmës nga kuorumi i priftërinjve, një anëtare të presidencës së klasës me moshën më të madhe tek Të Rejat dhe këshilltarët për tempullin dhe historinë familjare.

8.3

Udhëheqësit e Kuorumit të Pleqve

8.3.1

Presidenca e Kunjit dhe Peshkopi

Presidenti i kuorumit të pleqve është drejtpërsëdrejti përgjegjës para presidencës së kunjit. Ai takohet rregullisht me një anëtar të presidencës për të marrë udhëzim dhe për të raportuar lidhur me përgjegjësitë e tij.

Presidenti i kuorumit të pleqve gjithashtu merr udhëzim nga peshkopi, i cili është drejtuesi kryesues në lagje. Ata takohen rregullisht. Ata diskutojnë për veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit, përfshirë shërbimin e vëllezërve shërbestarë. Gjithashtu diskutojnë për 1) përparimin dhe nevojat e anëtarëve të lagjes dhe 2) mbledhjet, mësimdhënien dhe aktivitetet e kuorumit të pleqve.

8.3.2

Këshilltari i Lartë

Presidenca e kunjit cakton një këshilltar të lartë për ta përfaqësuar atë në secilin kuorum të pleqve. Përgjegjësitë e tij përvijohen te 5.3.1.

8.3.3

Presidenca e Kuorumit të Pleqve

8.3.3.1

Thirrja e një Presidence të Kuorumit të Pleqve

Pasi këshillohet me peshkopin, presidenti i kunjit thërret një plak ose prift të lartë për të shërbyer si president i kuorumit të pleqve.

Nëse njësia është mjaft e madhe, presidenti i kuorumit të pleqve i rekomandon presidentit të kunjit një ose dy pleq ose priftërinj të lartë që të shërbejnë si këshilltarët e tij. E bën këtë në këshillim me peshkopin. Presidenca e kunjit i merr në shqyrtim rekomandimet. Një anëtar i presidencës së kunjit ose i këshillit të lartë i jep thirrjet.

Të gjitha rekomandimet për thirrjen e anëtarëve të presidencave të kuorumeve të pleqve kërkojnë miratimin e presidencës së kunjit dhe të këshillit të lartë.

Një anëtar i presidencës së kunjit i paraqet anëtarët e presidencës së kuorumit të pleqve në një mbledhje sakramenti për një votë mbështetëse. Presidenca e kunjit mund të caktojë edhe një këshilltar të lartë për ta bërë këtë.

Një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve i paraqet vëllezërit që janë thirrur në thirrje të tjera në kuorum për një votë mbështetëse në një mbledhje të kuorumit (shih 8.3.4 dhe 8.3.5).

Presidenti i kunjit e veçon presidentin e kuorumit të pleqve dhe i jep atij çelësat e thirrjes së tij. Për më shumë informacion rreth çelësave të priftërisë, shihni 3.4.1. Një anëtar i presidencës së kunjit ose i këshillit të lartë i veçon këshilltarët.

8.3.3.2

Përgjegjësitë

Presidenti i kuorumit të pleqve ka përgjegjësitë vijuese. Këshilltarët e tij e ndihmojnë.

  • Shërben në këshillin e lagjes. Ai shërben si 1) anëtar i këshillit që ndihmon për të trajtuar nevojat në lagje dhe për të gjetur zgjidhje, dhe si 2) përfaqësues për kuorumin e pleqve (shih 7.6.1).

  • Udhëheq përpjekjet e kuorumit për të marrë pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shih kapitullin 1).

  • Organizon dhe mbikëqyr shërbimin e vëllezërve shërbestarë. Bashkërendon me presidencën e Shoqatës së Ndihmës detyrat e caktuara për dhënie shërbese, duke bërë mbledhje të paktën çdo tremujor. Kërkon miratimin e peshkopit për detyrat e caktuara për dhënie shërbese. Zhvillon intervista për dhënien e shërbesës të paktën çdo tremujor. Shihni kapitullin 21.

  • Nën drejtimin e peshkopit, këshillohet me anëtarët në moshë madhore të lagjes rreth çështjeve të tjera përveç atyre që janë përgjegjësia e peshkopit, të tilla si denjësia, keqtrajtimi dhe miratimi për të përdorur fonde të ofertave të agjërimit. Shihni CounselingResources.ChurchofJesusChrist.org.

  • Me presidencën e Shoqatës së Ndihmës, ndihmon për të udhëhequr përpjekjet në lagje për t’i ftuar të gjithë njerëzit që të marrin bekimet e ungjillit (shih 9.2.3). Mbikëqyr udhëheqësin e misionit të lagjes nëse është thirrur një i tillë.

  • Me presidencën e Shoqatës së Ndihmës, ndihmon për të udhëhequr punën për në tempull dhe për historinë familjare në lagje (shih 9.2.4). Mbikëqyr udhëheqësin për tempullin dhe historinë familjare në lagje nëse thirret një i tillë.

  • Bashkërendon përpjekjet e kuorumit të pleqve për t’i forcuar vëllezërit e rinj në moshë madhore, si të pamartuar dhe të martuar.

  • Takohet me secilin anëtar të kuorumit individualisht të paktën një herë në vit. Diskuton për detyrat e priftërisë dhe mirëqenien e anëtarit dhe të familjes së tij.

  • U mëson anëtarëve të kuorumit detyrat e tyre të priftërisë (shih Doktrina e Besëlidhje 107:89). Kjo përfshin që t’u japë mësim se si ta ushtrojnë priftërinë e tyre në kryerjen e ordinancave dhe bekimeve.

  • Mbikëqyr dhe ndihmon për ta përmirësuar mësimdhënien në kuorum (shih kapitulli 17).

  • Planifikon dhe drejton mbledhje të kuorumit.

  • Mbikëqyr aktivitetet e kuorumit të pleqve (shih 8.2.1.3).

  • I ndihmon të rinjtë dhe pleqtë e ardhshëm që të përgatiten për të marrë Priftërinë Melkizedeke (shih 8.4).

  • Mbikëqyr analet, raportet dhe financat e kuorumit (shih LCR.ChurchofJesusChrist.org). Një sekretar mund të ndihmojë (shih 8.3.4).

Presidenca e kunjit dhe anëtarët e caktuar të këshillit të lartë i mësojnë presidencës së kuorumit të pleqve rreth këtyre përgjegjësive. Ata mund ta bëjnë këtë gjatë mbledhjeve të udhëheqjes së priftërisë së kunjit dhe mbledhjeve të presidencës së kuorumit (shih 29.3.3).

Nëpërmjet këtij shërbimi, presidenti i kuorumit të pleqve e përkrah peshkopin që ai të përqendrohet te rinia dhe përgjegjësitë unike të peshkopit.

8.3.3.3

Mbledhja e Presidencës

Presidenca e kuorumit të pleqve dhe sekretari bëjnë mbledhje rregullisht. Këto mbledhje i drejton presidenti. Herë pas here merr pjesë këshilltari i lartë i caktuar për kuorumin.

Rendi i ditës mund të përfshijë pikat vijuese:

  • Të planifikojnë se si t’i forcojnë anëtarët e kuorumit (përfshirë pleqtë e ardhshëm) dhe familjet e tyre.

  • Të planifikojnë se si të ndihmojnë për të përmbushur veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

  • Të bashkërendojnë punën misionare, punën në tempull dhe për historinë familjare.

  • T’u përgjigjen këshillës dhe detyrave të caktuara nga peshkopi.

  • T’u përgjigjen detyrave të caktuara nga mbledhja e këshillit të lagjes.

  • Me lutje të marrin në shqyrtim detyrat e caktuara për dhënien e shërbesës.

  • Të rishikojnë informacionin nga intervistat për dhënien e shërbesës. Të planifikojnë mënyra se si t’i dallojnë anët e forta dhe të ndihmojnë që të plotësohen nevojat. (Shih kapitullin 21.)

  • Të marrin parasysh vëllezër që të shërbejnë në thirrje dhe detyra të caktuara.

  • Të planifikojnë mbledhje dhe aktivitete të kuorumit.

8.3.4

Sekretari

Me miratimin e peshkopit, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve mund t’i japë thirrje një anëtari të kuorumit që të jetë sekretari i kuorumit. E paraqet atë për një votë mbështetëse në një mbledhje të kuorumit dhe e veçon atë.

Përgjegjësitë e sekretarit mund të përfshijnë sa vijon:

  • Të përgatitë rende dite për mbledhjet e presidencës dhe mbledhjet e kuorumit.

  • Të mbajë shënime në mbledhje dhe të ndjekë ecurinë e detyrave të caktuara.

  • Të caktojë orarin e intervistave për dhënien e shërbesës (shih 21.4).

  • Të përgatitë dhe të dorëzojë raportet tremujore të frekuentimit dhe numrin e intervistave të zhvilluara për dhënien e shërbesës.

  • Të ndihmojë për të përgatitur një buxhet vjetor dhe të ndjekë ecurinë e shpenzimeve (shih 34.7).

8.3.5

Thirrje të Tjera

Thirrje të tjera shtesë mund të jenë të dobishme. Peshkopi dhe presidenti i kuorumit të pleqve diskutojnë nëse ato janë të nevojshme.

  • Mësues të kuorumit të pleqve për të dhënë mësim në mbledhjet e kuorumit të dielën.

  • Një bashkërendues për shërbimin që të ndihmojë për të planifikuar dhe për të vënë në zbatim shërbimin ndaj njerëzve nevojtarë (shih 8.2.2.2). Gjithashtu mund të thirren ndihmës dhe anëtarë të komitetit.

  • Një bashkërendues për aktivitetet që të ndihmojë për të planifikuar dhe vënë në zbatim aktivitetet e kuorumit të pleqve (shih 8.2.1.3). Gjithashtu mund të thirren ndihmës dhe anëtarë të komitetit.

  • Ndihmëssekretarë që të ndihmojnë sekretarin e kuorumit të pleqve.

  • Sekretarë për dhënien e shërbesës që të organizojnë intervista për dhënien e shërbesës dhe të ndihmojnë për të përgatitur raportet tremujore.

Nëse nevojiten këto apo thirrje të tjera, presidenca e kuorumit të pleqve rekomandon vëllezër për të shërbyer. Ata ia bëjnë këto rekomandime peshkopatës. Nëse peshkopata i miraton, një anëtar i presidencës së kuorumit i thërret ata. Ai i paraqet ata për një votë mbështetëse në një mbledhje të kuorumit dhe i veçon ata.

Sipas nevojës, presidenca e kuorumit të pleqve mund të caktojë vëllezër që të ndihmojnë për përpjekjet e kuorumit të pleqve në mënyra të tjera. Vëllezërit me detyra të caktuara afatshkurtra nuk kanë nevojë të thirren dhe të veçohen.

8.4

Të Ndihmuarit e Pleqve të Ardhshëm që të Përgatiten për të Marrë Priftërinë Melkizedeke

Një plak i ardhshëm është një anëtar mashkull i Kishës, i cili nuk e ka marrë Priftërinë Melkizedeke dhe 1) është 19 vjeç e lart ose 2) nuk i ka mbushur 19 vjeç dhe është i martuar.

Të ndihmuarit e pleqve të ardhshëm që të përgatiten për të marrë Priftërinë Melkizedeke, është një nga përparësitë më të larta të presidencës së kuorumit. Presidenca u jep pleqve të ardhshëm mundësitë për të shërbyer dhe për të përdorur anët e tyre të forta. Pleqve të ardhshëm duhet t’u caktohen vëllezër të përkushtuar shërbestarë.

Presidenca e kuorumit dhe vëllezërit shërbestarë u mësojnë pleqve të ardhshëm për:

  • Betimin dhe besëlidhjen e priftërisë (shih Doktrina e Besëlidhje 84:33–44)

  • Detyrat e një plaku, përfshirë detyrën për të dhënë shërbesë (shih Doktrina e Besëlidhje 20:38–45; 42:44; 107:11–12). Pleqtë e ardhshëm që janë mësues ose priftërinj, mund të shërbejnë si vëllezër shërbestarë.

  • Qëllimet e ordinancave dhe të bekimeve të priftërisë, si dhe mënyrën se si t’i kryejnë ato (shih kapitullin 18).

  • Mënyrën se si burrat dhe gratë punojnë së bashku për të përmbushur veprën e Perëndisë.

Për informacion rreth këtyre temave, shihni “Melchizedek Priesthood” [“Priftëria Melkizedeke”], “Priesthood” [“Priftëria”] dhe “Women in the Church” [“Gratë në Kishë”] (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org).

Ky udhëzim mund të bëhet individualisht ose në një orë mësimore të mbajtur jashtë mbledhjeve të rregullta të së dielës.

Sapo peshkopi dhe presidenti i kunjit përcaktojnë se një plak i ardhshëm është i përgatitur dhe i denjë, ai mund të shugurohet një plak në Priftërinë Melkizedeke.

8.5

Orientime dhe Rregullore Shtesë

8.5.1

Anëtarët me Aftësi të Kufizuara

Presidenca e kuorumit të pleqve u jep përkujdesje të veçantë anëtarëve me aftësi të kufizuara. Për informacion rreth ndihmës ndaj këtyre anëtarëve, shihni disability.ChurchofJesusChrist.org dhe 38.8.31.