Manualet dhe Thirrjet
17. Mësimdhënia e Ungjillit


“17. Mësimdhënia e Ungjillit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2024).

“17. Mësimdhënia e Ungjillit”, Manuali i Përgjithshëm.

një nënë duke mësuar të birin

17.

Mësimdhënia e Ungjillit

Ne e japim mësim ungjillin për t’i ndihmuar njerëzit që ta forcojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit të bëhen më shumë si Shpëtimtari, të marrin fuqinë e Tij në jetën e tyre dhe përfundimisht të fitojnë jetë të përjetshme. Kur fjala e Perëndisë jepet mësim dhe pranohet me anë të Shpirtit, ajo ka fuqinë për t’i ndryshuar zemrat dhe për ta frymëzuar kthimin në besim. Ajo ka “ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa … çdo gjë tjetër” (Alma 31:5).

17.1

Parimet e Mësimdhënies si të Krishtit

Kur e japin mësim ungjillin, prindërit, mësuesit dhe udhëheqësit ndjekin shembullin e Jezu Krishtit, i cili është Mësuesi Mjeshtër. Mësimdhënia sipas mënyrës së Shpëtimtarit është një mirëbesim dhe përgjegjësi e shenjtë.

Udhëheqësit u flasin për parimet vijuese të mësimdhënies si të Krishtit mësuesve në organizatat e tyre. Këto parime shpjegohen me më shumë hollësi te manuali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit.

3:46

17.1.1

Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim

Gjithçka që bën Shpëtimtari, është shprehje e dashurisë së Tij (shihni te 2 Nefi 26:14). Udhëheqësit dhe mësuesit e ndjekin shembullin e Tij duke treguar dashuri për njerëzit të cilëve u japin mësim. Ata luten me emër për njerëzit të cilëve u japin mësim, përpiqen të krijojnë lidhje me ta, t’i kuptojnë ata dhe të përqendrohen te nevojat individuale. Ata i ndihmojnë anëtarët në klasat ose kuorumet e tyre të cilët nuk i frekuentojnë orët mësimore.

3:20

17.1.2

Jepni Mësim me Anë të Shpirtit

Për t’i frymëzuar njerëzit që të kenë besim te Jezu Krishti, mësuesit duhet të japin mësim me anë të Shpirtit. Mësuesit kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit teksa përgatiten, japin mësim dhe përpiqen fort të jetojnë të denjë për ndikimin e Tij çdo ditë.

3:47

17.1.3

Jepeni Mësim Doktrinën

Shpëtimtari dha mësim doktrinën e Atit të Tij. Duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, mësuesit përqendrohen tek të vërtetat thelbësore, shpëtuese të ungjillit. Ata japin mësim duke përdorur shkrimet e shenjta, mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme dhe materialet e miratuara të programit mësimor. Mësuesit udhëheqin diskutime të frymëzuara dhe sigurohen që mësimdhënia e tyre është lartësuese dhe e saktë nga ana doktrinore. Materialet e miratuara renditen në materialin e tanishëm Udhëzime për Programin Mësimor te ChurchofJesusChrist.org.

3:33

17.1.4

Ftoni të Mësuarit me Zell

Mësuesit i nxitin anëtarët që të jenë të përgjegjshëm për të mësuarit e tyre vetjak. Ata i përkrahin anëtarët në përpjekjet e tyre për ta mësuar ungjillin individualisht dhe me familjet e tyre. Ata i ftojnë anëtarët që të tregojnë atë që po mësojnë dhe të veprojnë sipas saj. Besimi i një personi rritet kur ai ose ajo merr pjesë aktivisht në të mësuarit e ungjillit dhe i zbaton parimet e tij në jetën e përditshme.

17.2

Të Mësuarit dhe Mësimdhënia e Ungjillit të Përqendruar te Shtëpia

Që të bëhet i kthyer në besimin te Zoti Jezu Krisht, çdo anëtar i Kishës është përgjegjës për ta mësuar ungjillin vetë. Përveç kësaj, prindërit janë përgjegjës për t’ua mësuar ungjillin fëmijëve të tyre. Të mësuarit dhe mësimdhënia e ungjillit duhet të përqendrohen te shtëpia. Udhëheqësit dhe mësuesit e Kishës nxitin dhe përkrahin të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit të përqendruar te shtëpia.

Udhëheqësit dhe mësuesit i nxitin anëtarët që të kërkojnë frymëzimin e tyre vetjak rreth mënyrës se si ta studiojnë dhe japin mësim ungjillin. Burimet e tyre kryesore duhet të jenë shkrimet e shenjta dhe mesazhet e konferencave të përgjithshme. Burimet përkrahëse mund të përfshijnë manualin Eja, Më Ndiq dhe revista të Kishës.

3:36

17.3

Përgjegjësitë e Udhëheqësve

Udhëheqësit janë përgjegjës për mësimdhënien dhe të mësuarit në organizatat e tyre. Më poshtë përvijohen disa nga mënyrat se si ata e përmbushin këtë përgjegjësi.

  • Japin një shembull duke e mësuar vetë dhe duke e dhënë mësim ungjillin sipas mënyrës së Shpëtimtarit.

  • Sigurohen që mësimdhënia në organizatat e tyre ndërton besim dhe është e saktë nga ana doktrinore.

  • Nëse udhëheqësit janë anëtarë të këshillit të lagjes, ata diskutojnë me anëtarë të tjerë të këshillit se si ta përmirësojnë të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit në lagje. Peshkopi mund ta ftojë presidentin e Shkollës të së Dielës që t’i udhëheqë këto diskutime.

  • Sipas nevojës, i rekomandojnë peshkopatës emra të anëtarëve të lagjes që të thirren si mësues në organizatat e tyre, duke ndjekur orientimet te 30.1.

  • Takohen me mësuesit e sapothirrur dhe i ndihmojnë të përgatiten për thirrjet e tyre (shihni te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 40).

  • U japin përkrahje të vazhdueshme mësuesve në organizatat e tyre. U flasin rregullisht mësuesve rreth përpjekjeve të tyre për të ndërtuar besim te njerëzit të cilëve u japin mësim. Nëse është e nevojshme, i kërkojnë ndihmë presidentit të Shkollës të së Dielës.

17.4

Mbledhjet e Këshillit të Mësuesve

Në mbledhjet e këshillit të mësuesve, mësuesit këshillohen së bashku rreth parimeve të mësimdhënies si të Krishtit. Ata gjithashtu këshillohen rreth mënyrës se si ta përmirësojnë të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit. Ata përdorin si burim manualin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit.

Mbledhjet e këshillit të mësuesve zhvillohen çdo tre muaj gjatë orës mësimore 50‑minutëshe të dielën.

  • Mbledhjet për mësuesit e priftërisë, mësueset e Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave mund të zhvillohen të dielën e parë ose të tretë.

  • Mbledhjet për mësuesit e Shkollës të së Dielës mund të zhvillohen të dielën e dytë ose të katërt.

Presidenca e Fillores këshillohet me një anëtar të peshkopatës për të përcaktuar se si ta forcojnë mësimdhënien në Fillore. Presidenti i Shkollës të së Dielës mund të ndihmojë sipas nevojës. Më poshtë renditen disa mundësi:

  • Mësuesit/et e Fillores mund të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të mësuesve me mësues nga organizata të tjera.

  • Për mësuesit/et e Fillores mund të zhvillohen mbledhje të veçanta të këshillit të mësuesve. Këto mbledhje mund të zhvillohen gjatë kohës 20‑minutëshe të të kënduarit në Fillore. Si mundësi tjetër, ato mund të zhvillohen përpara ose pas mbledhjeve të rregullta të së dielës ose në një ditë tjetër gjatë javës.

  • Anëtaret e presidencës së Fillores mund të vizitojnë klasa të Fillores dhe më pas të këshillohen me mësuesit/et rreth mësimdhënies sipas mënyrës së Shpëtimtarit.

Këshilli i lagjes mbikëqyr dhe cakton orarin për mbledhjet e këshillit të mësuesve. Mbledhjet i drejton zakonisht një anëtar i presidencës së Shkollës të së Dielës. Megjithatë, peshkopata mund t’i kërkojë një anëtari tjetër që t’i drejtojë ato.

Për më shumë informacion, shihni te “Mbledhjet e Këshillit të Mësuesve” te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit (faqet 38–39).

6:7

17.5

Mbledhjet e Këshillit të Mësuesve për Prindërit

Këshilli i lagjes mund të organizojë mbledhje të këshillit të mësuesve për prindërit që t’i ndihmojë për ta përmirësuar mësimdhënien e ungjillit në shtëpi. Ashtu si edhe mbledhjet e tjera të këshillit të mësuesve, këto zhvillohen gjatë orës mësimore 50‑minutëshe të dielën.

Në këto mbledhje, prindërit këshillohen së bashku rreth mënyrës se si të vihen në zbatim parimet e mësimdhënies si të Krishtit ndërkohë që i mësojnë fëmijët e tyre. Ata përdorin si burim materialin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, përfshirë pjesën e titulluar “Shtëpia dhe Familja” (faqet 30–31). Ata gjithashtu mund të diskutojnë sugjerimet për mësimdhënie dhe studim të shkrimeve të shenjta te manuali Eja, Më Ndiq, të tilla si pjesa e titulluar “Përgatitja e Fëmijëve Tuaj për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”.

Këshilli i lagjes mbikëqyr dhe cakton orarin për mbledhjet e këshillit të mësuesve për prindërit. Ai vendos nëse të ftojnë prindër të caktuar për të marrë pjesë ose t’u drejtojnë një ftesë të gjithë prindërve në lagje.

Mbledhjet i drejton zakonisht një anëtar i presidencës së Shkollës të së Dielës. Megjithatë, peshkopata mund t’i kërkojë një anëtari tjetër që t’i drejtojë ato.

Për më shumë informacion, shihni te “Mbledhjet e Këshillit të Mësuesve” te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit (faqet 38–39).