Manualet dhe Thirrjet
34. Financat dhe Kontrollet Financiare


“34. Financat dhe Kontrollet Financiare”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“34. Financat dhe Kontrollet Financiare”, Manuali i Përgjithshëm.

34.

Financat dhe Kontrollet Financiare

34.0

Parathënia

Të dhjetat dhe ofertat lejojnë që Kisha të vijojë me punën e Zotit për shpëtimin dhe ekzaltimin (shih 1.2). Këto fonde janë të shenjta. Ato përfaqësojnë sakrificën dhe besimin e anëtarëve te Kisha (shih te Marku 12:41–44).

Disa nga mënyrat për t’i përdorur të dhjetat dhe ofertat për përkrahjen e punës së Zotit përfshijnë:

  • Ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tempujve, shtëpive të mbledhjeve dhe ndërtesave të tjera të Kishës.

  • Përkrahjen e aktiviteteve dhe veprimeve të Kishës dhe bashkësive të saj vendore.

  • Përhapjen e ungjillit në mbarë botën.

  • Përkrahjen e programeve të Kishës, siç janë arsimimi dhe historia familjare.

  • Sigurimin e ushqimeve, strehimit dhe gjërave të tjera të nevojshme për njerëzit nevojtarë.

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët kanë një detyrim të shenjtë që t’i mbikëqyrin fondet e Kishës (shih te Doktrina e Besëlidhje 72:9–10). Këto fonde duhet të përdoren vetëm nga anëtarë të autorizuar për qëllime të autorizuara të Kishës. Për to duhet të jepet llogari dhe të mbrohen me kujdes.

34.1

Udhëheqja për Financat e Kunjit

34.1.1

Presidenca e Kunjit

Presidenti i kunjit ka përgjegjësitë vijuese për financat e kunjit. Ai ia delegon një pjesë të kësaj pune këshilltarëve dhe nëpunësve të tij.

Presidenti i kunjit:

  • U mëson anëtarëve dhe i frymëzon ata që të paguajnë një të dhjetë të plotë dhe të japin oferta bujare (shih 34.3).

  • Sigurohet që fondet e kunjit trajtohen siç duhet dhe për to jepet llogari (shih 34.5).

  • Shqyrton deklaratën financiare çdo muaj dhe sigurohet që zërat për veprim të zgjidhen menjëherë.

  • Sigurohet që peshkopatat, udhëheqësit e organizatave dhe nëpunësit të mësojnë përgjegjësinë e tyre për fondet e shenjta të Kishës.

  • Përgatit dhe administron buxhetin vjetor të kunjit (shih 34.6).

  • Sigurohet që ndiqen orientimet e kunjit për buxhetin e lejuar (shih 34.6.2).

  • Këshillohet rregullisht me çdo peshkop për të diskutuar financat e lagjeve.

  • Verifikon që çdo lagje e kryen çdo vit deklarimin për të dhjetën.

  • Sigurohet që fjalëkalimet për të hyrë në sistemet financiare të Kishës nuk tregohen asnjëherë.

  • Sigurohet që komiteti i kontrollit financiar të kunjit organizohet dhe funksionon siç duhet (shih 34.7.1).

  • Është në dispozicion për t’iu përgjigjur pyetjeve gjatë kontrolleve financiare për dokumentet financiare të kunjit (shih 34.7).

  • Shqyrton kontrollet financiare të kunjit dhe dokumentet financiare të lagjeve dhe sigurohet që të gjitha zërat për veprim të zgjidhen menjëherë (shih 34.7).

  • Sigurohet që kunji dhe lagjet pajtohen me të gjitha ligjet e zbatueshme tatimore (shih 34.8).

34.1.2

Nëpunësit e Kunjeve

Presidenti i kunjit cakton nëpunësin e kunjit ose një ndihmësnëpunës të kunjit që të ndihmojë për mbajtjen e dokumenteve financiare të kunjit. Nëpunësit i ndjekin me kujdes rregulloret aktuale për të ruajtur fondet e Kishës dhe për t’u siguruar që dokumentet e Kishës të jenë të sakta.

Nëpunësi ka përgjegjësitë vijuese:

  • Regjistron dhe depoziton me një anëtar të presidencës së kunjit të gjitha fondet që merren.

  • Shqyrton deklaratën financiare çdo muaj dhe sigurohet që zërat për veprim të zgjidhen menjëherë.

  • Ndihmon presidencën e kunjit që të përgatitë buxhetin vjetor të kunjit (shih 34.6.1 dhe 34.6.2).

  • Verifikon që çdo lagje ta ketë dorëzuar raportin vjetor të deklarimit të së dhjetës.

  • Merr pjesë në kontrollet financiare të bëra nga kontrollorët financiarë të kunjit dhe ndërmerr veprime ndreqëse nëse nevojitet (shih 34.7).

  • Ndihmon peshkopatat për trajnimin e nëpunësve të lagjeve.

Nëpunësit duhet të mbajnë Priftërinë Melkizedeke dhe të jenë të denjë për të mbajtur një rekomandim aktual tempulli. Për më shumë informacion rreth thirrjes së nëpunësve të kunjit, shihni 33.3.2 dhe 33.3.3.

34.2

Udhëheqja për Financat e Lagjes

34.2.1

Peshkopata

Peshkopi ka përgjegjësitë vijuese për financat e lagjeve. Ai mund t’ua delegojë një pjesë të kësaj pune këshilltarëve dhe nëpunësve të tij.

Peshkopi:

  • U mëson anëtarëve dhe i frymëzon ata që të paguajnë një të dhjetë të plotë dhe të japin oferta bujare (shih 34.3).

  • Sigurohet që fondet e lagjes trajtohen siç duhet dhe për to jepet llogari (shih 34.5).

  • Shqyrton deklaratën financiare çdo muaj dhe sigurohet që zërat për veprim të zgjidhen menjëherë.

  • Sigurohet që udhëheqësit dhe nëpunësit e organizatave të mësojnë përgjegjësinë e tyre për fondet e shenjta të Kishës.

  • Përgatit dhe administron buxhetin vjetor të lagjes (shih 34.6).

  • Sigurohet që ndiqen orientimet e lagjes për buxhetin e lejuar (shih 34.6.2).

  • Kryen çdo vit intervistën për deklarimin e së dhjetës me anëtarët e lagjes.

  • Sigurohet që fjalëkalimet për të hyrë në sistemet financiare të Kishës nuk tregohen asnjëherë.

  • Është në dispozicion për t’iu përgjigjur pyetjeve gjatë kontrolleve financiare për dokumentet financiare të lagjes dhe sigurohet që të zgjidhen menjëherë të gjitha çështjet (shih 34.7).

34.2.2

Nëpunësit e Lagjeve

Peshkopi cakton nëpunësin e lagjes ose një ndihmësnëpunës të lagjes që të ndihmojë për mbajtjen e dokumenteve financiare të lagjes. Nëpunësit i ndjekin me kujdes rregulloret aktuale për të ruajtur fondet e Kishës dhe për t’u siguruar që dokumentet e Kishës të jenë të sakta.

Nëpunësi ka përgjegjësitë vijuese:

  • Regjistron dhe depoziton me një anëtar të peshkopatës çdo fond që merret.

  • Shqyrton deklaratën financiare çdo muaj dhe sigurohet që zërat për veprim të zgjidhen menjëherë.

  • Ndihmon peshkopatën të përgatitë buxhetin vjetor të lagjes (shih 34.6.1 dhe 34.6.2).

  • Sigurohet që anëtarët të kenë të drejtë hyrjeje në deklaratat e kontributeve të tyre dhe ndihmë sipas nevojës.

  • E ndihmon peshkopin të përgatitet për intervistat për deklarimin e së dhjetës.

  • Merr pjesë në kontrollet financiare të bëra nga kontrollorët financiarë të kunjit dhe ndërmerr veprime ndreqëse nëse nevojitet (shih 34.7).

Nëpunësit duhet të mbajnë Priftërinë Melkizedeke dhe të jenë të denjë për të mbajtur një rekomandim aktual tempulli. Për më shumë informacion rreth thirrjes së nëpunësve të lagjes, shihni 33.4.2 dhe 33.4.3.

34.3

Kontributet

Udhëheqësit e Kishës u mësojnë anëtarëve parimet e së dhjetës dhe ofertave të tjera dhe i nxitin ata që t’i vënë në jetë këto parime. Edhe njerëzit që nuk janë anëtarë të Kishës, mund të japin kontribute. Megjithatë, vetëm anëtarët e Kishës mund ta paguajnë të dhjetën.

Anëtarët nxiten t’i japin kontributet e tyre në internet atje ku është e mundur (shih donations.ChurchofJesusChrist.org). Anëtarët gjithashtu mund t’ia japin peshkopit ose njërit prej këshilltarëve të tij kontributet e tyre dhe formularin e plotësuar “E Dhjeta dhe Oferta të Tjera” (shih 34.5.2).

34.3.1

E Dhjeta

E dhjeta është dhurimi i një të dhjetës së të ardhurave Kishës së Perëndisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 119:3–4; interes kuptohet se do të thotë e ardhura). Të gjithë anëtarët që kanë të ardhura, duhet ta paguajnë të dhjetën.

Populli i besëlidhjes së Zotit e ka jetuar ligjin e së dhjetës që në kohët e lashta (shih te Zanafilla 14:18–20; Levitiku 27:30–32). Zoti ka thënë: “[E] dhjet[a e] popullit tim … duhet të jetë një ligj i qëndrueshëm për ta përgjithmonë” (Doktrina e Besëlidhje 119:3–4).

Të dhjetat janë të shenjta për Zotin dhe anëtarët e nderojnë Atë duke paguar të dhjetën. Kjo është një shprehje e besimit te Perëndia dhe te premtimet e Tij. Ata që e paguajnë të dhjetën marrin këtë premtim nga Zoti: “‘Më vini në provë për këtë gjë’, thotë Zoti i ushtrive, ‘në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini’” (Malakia 3:10).

34.3.1.1

Përdorimi i Fondeve të së Dhjetës

Dhurimet e së dhjetës përdoren përherë për qëllimet e Zotit, siç drejtohen nga Këshilli mbi Planifikimin e të Dhjetave (shih te Doktrina e Besëlidhje 120). Disa prej këtyre qëllimeve përvijohen te pjesa 34.0.

34.3.1.2

Deklarimi i të Dhjetës

Peshkopi zhvillon intervista për deklarimin e së dhjetës afër fundit të çdo viti. Në raste të rralla, kur peshkopi nuk është i pranishëm, presidenti i kunjit mund të autorizojë njërin prej këshilltarëve të peshkopit që t’i kryejë intervistat për deklarimin e së dhjetës.

Të gjithë anëtarët ftohen të marrin pjesë në deklarimin e së dhjetës që:

  • Të sigurohen që dokumentet e kontributeve janë të sakta.

  • T’i deklarojnë peshkopit gjendjen e tyre si pagues të së dhjetës.

Nëse është e mundur, të gjithë pjesëtarët e një familjeje, përfshirë fëmijët, duhet të marrin pjesë së bashku në intervistën për deklarimin e së dhjetës.

Gjatë intervistës për deklarimin e së dhjetës, peshkopi u shpreh mirënjohje anëtarëve për besnikërinë e tyre. Ai gjithashtu jep mësim parimin e së dhjetës, i nxit anëtarët të japin një ofertë agjërimi bujare dhe diskuton çështje të tjera të rëndësishme.

Udhëzimet për intervistën për deklarimin e së dhjetës sigurohen nga zyrat qendrore të Kishës ose zyra e caktuar e zonës.

34.3.2

Ofertat e Agjërimit

Udhëheqësit e Kishës i nxitin anëtarët që ta jetojnë ligjin e agjërimit. Kjo përfshin dhënien e një oferte agjërimi bujare (shih 22.2.2).

Në disa lagje, peshkopi mund t’i autorizojë mbajtësit e Priftërisë Aarone që t’i mbledhin ofertat e agjërimit. Për ta vendosur këtë gjë, peshkopi merr parasysh numrin e mbajtësve të Priftërisë Aarone në dispozicion, sigurinë e tyre dhe bekimin për anëtarët që përndryshe mund të mos kontribuojnë.

Mbajtësit e priftërisë duhet të shkojnë në dyshe kur mbledhin oferta agjërimi. Ata ia dorëzojnë ofertat e agjërimit menjëherë një anëtari të peshkopatës.

Anëtarët nuk duhet t’u japin kontribute të tjera, të tilla si të dhjetën ose oferta të tjera, atyre që mbledhin ofertat e agjërimit.

Orientimet për të përdorur fondet e ofertave të agjërimit jepen te 22.5.2.

34.3.3

Fondet për Misionarët

Kontributet për fondin e misionarit të lagjes përdoren kryesisht për të përmbushur zotimet për kontribut për misionarët kohëplotë nga lagjja (shih 24.3.4). Fondet e tepërta mund të përdoren për të përmbushur zotimet ndaj misionarëve të tjerë në kunj ose në këshillin bashkërendues. Fondet për misionarët e lagjes nuk duhet t’u dërgohen drejtpërdrejt misionarëve të veçantë. Këto fonde nuk duhet të përdoren për asnjë lloj aktiviteti për punë misionare në lagje ose kunj.

Kontributet për Fondin e Përgjithshëm të Misionarëve përdoren nga Kisha në përpjekjet e saj të përgjithshme misionare.

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët duhet t’ia dërgojnë fondet për misionarët që i tejkalojnë nevojat e arsyeshme të kunjit dhe të lagjes, Fondit të Përgjithshëm të Misionarëve në zyrat qendrore të Kishës ose në zyrën e zonës.

Për më shumë informacion rreth fondeve për misionarët dhe shërbimit të financimit për misionarët, shihni 24.6.

34.3.4

Kontributet Shtesë

Anëtarët mund të kontribuojnë financiarisht në kategoritë shtesë të miratuara. Nëse dhuruesit po përdorin formularin “E Dhjeta dhe Oferta të Tjera”, ata e shkruajnë emrin e kategorisë te pjesa “Tjetër” e formularit.

Kunjet dhe lagjet nuk duhet të vendosin kategori te pjesa “Tjetër” për të kërkuar, mbledhur apo shpenzuar fonde për projekte që nuk janë miratuar nga Presidenca e Zonës. Për një listë të kategorive të miratuara, anëtarët duhet të vihen në kontakt me nëpunësin e lagjes.

34.3.5

Filantropitë

Filantropitë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një sektor i Zyrës së Peshkopatës Kryesuese. Ky sektor bashkërendon dhe ndërmjetëson kontributet vullnetare filantropike për Kishën dhe organizatat bamirëse si dhe aktivitetet e lidhura me të, përveç të dhjetave dhe ofertave të tjera. Ndihma për të bërë kontribute mund të merret duke u vënë në kontakt me zyrën e Filantropive:

Philanthropies

1450 North University Avenue

Provo, UT 84604–6080

Telefoni: 1–801–356–5300 ose 1–800–525–8074

Adresa e postës elektronike: philanthropies@ChurchofJesusChrist.org

34.3.6

Pamja
ikonë, orientimet për përshtatjen
Dhurimet në Natyrë, Përfshirë të Dhjetën

Kisha zakonisht nuk e inkurajon bërjen e kontributeve në natyrë (jo monetare) si të dhjeta dhe oferta të tjera. Parapëlqehet që anëtarët ta shesin vetë pronën dhe më pas të paguajnë të dhjetën dhe dhurime të tjera në para. Sidoqoftë, dhurimet në natyrë mund të pranohen në raste të caktuara. Dhurime të tilla mund të jenë një praktikë e zakonshme në disa vende të botës.

Kisha pranon: 1) aksione, obligacione ose garanci të tjera që janë të tregtueshme menjëherë dhe 2) disa pasuri të paluajtshme që mund të shiten. Nëse anëtarët dëshirojnë t’i japin si kontribute këto ose artikuj të tjerë, presidenti i kunjit vihet në kontakt për miratim me zyrat qendrore të Kishës ose zyrën e zonës përpara se t’i japë peshkopit autorizimin për t’i pranuar ato.

Dëftesat për anëtarët që bëjnë dhurime në natyrë, lëshohen vetëm nga zyrat qendrore të Kishës ose zyra e zonës.

34.3.7

Kontributet Nuk Mund të Rikthehen

Kur të dhjetat dhe oferta të tjera i jepen Kishës, ato i përkasin Zotit. Ato i janë kushtuar Atij. Të gjitha kontributet e tilla janë oferta me vullnet të lirë. Ato bëhen pa kufizim për qëllimin, pa mbajtje të kontrollit, të pronësisë në çfarëdo forme ose pa pritur për ndonjë përfitim nga dhuruesi përveçse bekimeve të Zotit.

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët i informojnë ata që kontribuojnë të dhjeta dhe oferta, se këto kontribute nuk mund të rikthehen. As fondet e parapaguara të misionarëve nuk mund të rikthehen.

34.4

Konfidencialiteti për të Dhjetën dhe Ofertat e Tjera

Shuma e së dhjetës dhe ofertave të tjera të paguara nga një dhurues është konfidenciale. Vetëm peshkopi dhe ata që autorizohen për t’u marrë me këto kontribute ose për t’i parë ato, duhet të lejohen për ta përdorur këtë informacion. Presidencat e kunjeve, peshkopatat dhe nëpunësit asnjëherë nuk duhet ta diskutojnë në mënyrë të papërshtatshme gjendjen e së dhjetës së një anëtari. As nuk duhet ta diskutojnë shumën e përgjithshme të të dhjetave ose ofertave të tjera që janë marrë.

34.5

Trajtimi i Fondeve të Kishës

Presidenti i kunjit dhe peshkopi sigurohen që të gjitha fondet e Kishës trajtohen siç duhet. Kjo është një përgjegjësi e shenjtë e thirrjeve të tyre. Parimet e përgjithshme përvijohen në pjesët vijuese. Peshkopatat dhe nëpunësit nxiten të rishikojnë materialin filmik: “Fonde të Shenjta, Përgjegjësi të Shenjta” të paktën një herë në vit.

34.5.1

Parimi i Shoqërimit

Parimi i shoqërimit kërkon dy persona – një anëtar të peshkopatës dhe një nëpunës ose dy anëtarë të peshkopatës – që të përfshihen aktivisht kur regjistrohen dhe shpërndahen fondet e Kishës. Ky parim është thelbësor për ruajtjen e fondeve të shenjta dhe mbrojtjen e udhëheqësve të Kishës.

Udhëheqësit duhet t’i mbrojnë dhe të mos i tregojnë asnjëherë fjalëkalimet e tyre (shih 33.9.1.1).

34.5.2

Marrja e Së Dhjetës dhe Ofertave të Tjera

Zoti u ka dhënë peshkopëve mirëbesimin e shenjtë për të marrë të dhjetat dhe ofertat e tjera të shenjtorëve dhe për të qenë përgjegjës për to (shih te Doktrina e Besëlidhje 42:30–33119). Vetëm peshkopi dhe këshilltarët e tij mund t’i marrin të dhjetat dhe ofertat e tjera. Në asnjë rrethanë nuk duhet t’i marrin këto kontribute bashkëshortet e tyre, pjesëtarë të tjerë të familjeve të tyre, nëpunësit ose anëtarë të tjerë të lagjes. Përjashtimi i vetëm është kur mbajtësit e Priftërisë Aarone caktohen për të mbledhur ofertat e agjërimit (shih 34.3.2).

Çeqet duhet të bëhen të pagueshme ndaj Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Paratë e marra nga peshkopata duhet të regjistrohen dhe depozitohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës nuk duhet t’i lënë dhurimet të pambikëqyrura.

34.5.3

Verifikimi dhe Regjistrimi i Së Dhjetës dhe Ofertave të Tjera

Kontributet duhet të verifikohen dhe regjistrohen të dielën që merren. Një anëtar i peshkopatës dhe një nëpunës, ose dy anëtarë të peshkopatës, e hapin së bashku çdo zarf. Ata verifikojnë se fondet e futura aty janë të njëjta me shumën e shkruar në formularin “E Dhjeta dhe Oferta të Tjera”. Ata e regjistrojnë siç duhet çdo dhurim. Nëse fondet dhe shuma e shkruar ndryshojnë, ata vihen në kontakt me dhuruesin sa më shpejt që të jetë e mundur për ta zgjidhur mospërputhjen.

34.5.4

Depozitimi i Së Dhjetës dhe Ofertave të Tjera

Një depozitim duhet të përgatitet pasi të sigurohet që shumat e regjistruara përputhen me fondet e marra.

Atje ku një depozitim bankar 24‑orësh është në dispozicion, anëtari i peshkopatës dhe një mbajtës tjetër i Priftërisë Melkizedeke, i depozitojnë fondet në bankë në të njëjtën ditë kur fondet hapen dhe verifikohen.

Atje ku një depozitim bankar 24‑orësh nuk është në dispozicion dhe banka është e mbyllur të dielën, peshkopi cakton një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke që ta bëjë depozitimin ditën tjetër të punës. Zakonisht ky person duhet të jetë anëtar i peshkopatës. Ai është përgjegjës për këto fonde. Ai duhet:

  • Të sigurohet që fondet të mbahen të sigurta derisa të depozitohen.

  • Të marrë një dëftesë depozitimi që tregon datën dhe shumën e depozitimit.

Për më tepër, një anëtar i peshkopatës dhe një nëpunës ose dy anëtarë të peshkopatës, duhet ta përfundojnë procedurën vijuese të dielën pasuese përpara përpunimit të dhurimeve për atë ditë.

  • Ta krahasojnë dëftesën e depozitimit me dokumentet e javës së mëparshme të depozitimit për të verifikuar që u depozitua shuma e saktë.

  • Ta nënshkruajnë dëftesën e depozitimit dhe ta vendosin në dosje me informacionin e dhurimit të javës së mëparshme.

34.5.5

Ruajtja e Fondeve të Kishës

Anëtarët që janë përgjegjës për fondet e Kishës, duhet të mos i lënë ato kurrë në shtëpinë e mbledhjeve gjatë natës ose t’i lënë të pambikëqyrura për ndonjë çast, të tillë si gjatë mbledhjeve dhe aktiviteteve.

34.5.6

Deklaratat e Dhurimeve

Deklaratat e Kontributeve të Dhuruesve janë në dispozicion për të gjithë anëtarët në faqen donations.ChurchofJesusChrist.org. Udhëheqësit duhet t’i nxitin anëtarët që t’i shqyrtojnë rregullisht deklaratat e tyre të dhuruesve. Atje ku gjen zbatim, deklaratat zyrtare të taksave janë gjithashtu në dispozicion te donations.ChurchofJesusChrist.org, nga njësia vendore ose nga zyra e zonës.

34.5.7

Administrimi i Pagesave të Kunjeve dhe Lagjeve

Të gjitha fondet e kunjit administrohen në sistemet financiare të Kishës. Presidenti i kunjit administron financat e kunjit. Këshilltarët dhe nëpunësit e tij mund ta ndihmojnë atë. Këshilltari që shërben si kryetar i komitetit të kontrollit financiar të kunjit, në përgjithësi nuk duhet të përfshihet në mbajtjen e dokumenteve financiare të kunjit.

Të gjitha fondet e lagjes administrohen në sistemet financiare të Kishës. Peshkopi administron financat e lagjes. Këshilltarët dhe nëpunësit e tij mund ta ndihmojnë atë.

Pagesat në përgjithësi bëhen nëpërmjet transferimit elektronik të fondeve ose nëpërmjet çekut. Në disa zona, njësitë mund të miratohen për t’i përdorur kartat bankare.

Asnjë shpenzim i kunjit apo i lagjes nuk mund të ndodhë ose të paguhet pa autorizimin e drejtuesit kryesues.

Dy udhëheqës të autorizuar duhet ta miratojnë çdo pagesë. Njëri prej tyre duhet të jetë anëtar i presidencës së kunjit ose i peshkopatës. Ndonëse këshilltarët mund të autorizohen që t’i miratojnë pagesat, presidenti i kunjit ose peshkopi mund ta shqyrtojnë çdo pagesë. Udhëheqësit nuk duhet ta miratojnë një pagesë për veten e tyre.

Kërkohet miratimi me shkrim i presidentit të kunjit para se një peshkop të mund t’i përdorë ofertat e agjërimit ose të miratojë fletëporosinë e peshkopit për veten ose familjen e tij. Kërkohet miratimi me shkrim nga një anëtar i Presidencës së Zonës para se një peshkop të mund t’i përdorë ofertat e agjërimit ose të miratojë fletëporosinë e peshkopit për presidentin e kunjit ose familjen e tij. Shihni 22.5.1.2 për orientime.

Një anëtar që kërkon rimbursim, jep një kopje fizike ose elektronike të çdo fature apo dëftese. Ai ose ajo gjithashtu përfshin qëllimin, shumën dhe datën e blerjes.

Nëse një anëtari i jepen fonde paradhënie, ai dorëzon një formular për kërkesë pagese, duke vënë në dukje qëllimin, shumën dhe datën. Pasi është paguar shpenzimi, anëtari më pas: 1) jep dëftesat ose faturat për fondet e shpenzuara dhe 2) rikthen çfarëdo fondesh të pashpenzuara. Fondet e rikthyera duhet të ridepozitohen.

Udhëheqësit dhe nëpunësit e autorizuar nuk duhet t’i miratojnë pagesat pa i shqyrtuar me kujdes shpenzimet dhe faturat ose dëftesat.

Kunjet dhe lagjet nuk mund të hapin llogaritë e tyre bankare ose të mbajnë një fond të vogël me para në dorë.

34.5.7.1

Pamja
ikonë, burime jo të detyrueshme
Pagesat Elektronike

Nëse kunji ose lagjja përdor pagesat elektronike, anëtarët nxiten të shkruajnë hollësitë e llogarisë bankare personale në pjesën Llogaria e Rimbursimit për Shpenzimet nën Veçoritë te Dhurimet në Internet te donations.ChurchofJesusChrist.org. Lagjja ose kunji nuk duhet të mbajnë asnjëherë kopje fizike ose elektronike të hollësive të informacioneve të llogarive bankare të anëtarëve.

34.5.7.2

Pamja
ikonë, burime jo të detyrueshme
Çeqet

Nëse kunji ose lagjja përdor çeqe, një çek nuk duhet të nënshkruhet derisa të plotësohet tërësisht. Blloqet e çeqeve dhe çeqet bosh duhet të ruhen në një sirtar ose kasë me çelës. Ato nuk duhet të lihen të pambikëqyrura kur nuk janë të mbyllura me çelës në mënyrë të sigurt. Nëse mungojnë çeqe bosh, presidenti i kunjit ose peshkopi ua raporton menjëherë numrat e atyre çeqeve zyrave qendrore të Kishës ose zyrës së zonës.

34.5.7.3

Pamja
ikonë, burime jo të detyrueshme
Kartat e Pagesave

Nëse kunji ose lagjja përdor kartat e pagesave për shpenzimet e njësisë vendore, ato mund të përdoren për transaksionet në pikën e shitjes ose për tërheqjen e parave në dorë. Transaksionet me kartë dhe tërheqjet e parave në dorë ngarkohen automatikisht në sistemet financiare të Kishës. Të gjitha mënyrat e përdorimit të kartës duhet të regjistrohen menjëherë. Nëse këto mënyra përdorimi nuk regjistrohen, karta mund të çaktivizohet.

Të gjitha bilancet te kartat e pagesave duhet të jenë zero të paktën çdo vit.

34.5.8

Pamja
ikonë, orientimet për përshtatjen
Kutitë e Parave në Dorë

Zyra e zonës jep orientime specifike për njësitë që nuk kanë të drejtë përdorimi të një llogarie bankare të miratuar nga Kisha.

34.5.9

Mbajtja e Dokumenteve Financiare

Çdo kunj dhe lagje duhet të mbajë dokumente të përditësuara e të sakta financiare. Këto dokumente i ndihmojnë presidentët e kunjeve dhe peshkopët që të japin llogari për fondet e shenjta të Kishës dhe t’i mbrojnë ato. Dokumentet e sakta janë gjithashtu të nevojshme për:

  • Përgatitjen e buxheteve.

  • Administrimin e buxhetit të lejuar.

  • Dhënien anëtarëve të informacionit për kontributet e tyre financiare.

  • Dhënien e përgjigjes ndaj kontrolleve financiare.

Për informacion rreth përdorimit dhe ruajtjes së dokumenteve dhe raporteve, nëpunësit duhet t’u referohen udhëzimeve nga zyrat qendrore të Kishës ose zyra e zonës. Dokumentet financiare duhet të ruhen për të paktën tre vjet plus vitin aktual. Ligjet vendore mund të kërkojnë periudha më të gjata ruajtjeje.

34.6

Buxheti dhe Shpenzimet

Programi për buxhetin e lejuar siguron që fondet e përgjithshme të Kishës të paguajnë për aktivitetet dhe programet e kunjeve dhe të lagjeve. Ky program mënjanon nevojën për të marrë kontribute buxhetore nga anëtarët. Pagimi me besnikëri i të dhjetave e ka bërë të mundur buxhetin e lejuar.

Nëse është e nevojshme, udhëheqësit duhet t’i pakësojnë dhe thjeshtojnë aktivitetet për të qenë brenda buxhetit të lejuar. Pjesa më e madhe e aktiviteteve duhet të jenë të thjeshta dhe të kenë kosto të vogël ose të jenë pa kosto.

34.6.1

Buxhetet e Kunjeve dhe të Lagjeve

Çdo kunj dhe lagje përgatit dhe mban një buxhet vjetor. Presidenti i kunjit administron buxhetin e kunjit dhe peshkopi administron buxhetin e lagjes. Ata mund të caktojnë një këshilltar që të mbikëqyrë buxhetin nën drejtimin e tyre. Ata gjithashtu mund të caktojnë një nëpunës për të ndihmuar që ta përgatitë buxhetin dhe ta mbajë atë nën vëzhgim.

Presidencat e kunjeve dhe peshkopatat e fillojnë përgatitjen e buxheteve shumë kohë përpara fillimit të secilit vit kalendarik. Orientimet renditen më poshtë:

  • Shqyrtojnë shumat e shpenzuara gjatë vitit të mëparshëm për t’u siguruar se janë marrë parasysh shpenzimet që përsëriten rregullisht.

  • U kërkojnë organizatave t’i vlerësojnë nevojat e tyre buxhetore me hollësi.

  • Përpilojnë buxhetin duke përdorur praktikat e miratuara për buxhetin. Buxhetet duhet të sigurojnë që shpenzimet e planifikuara të mos i tejkalojnë fondet e parashikuara për buxhetin e lejuar.

Mjetet buxhetore të përfshira në sistemet financiare të Kishës duhet të përdoren atje ku janë në dispozicion.

34.6.2

Buxheti i Lejuar

34.6.2.1

Shpërndarja e Buxhetit

Fondet buxhetore shpërndahen çdo tre muaj bazuar në pjesëmarrjen në kategoritë në vijim:

  • Mbledhja e sakramentit

  • Të rinjtë

  • Të rejat

  • Fëmijët e Fillores të moshave 7–10 vjeç

  • Të rinjtë në moshë madhore beqarë

Është e rëndësishme të raportohet pjesëmarrja me saktësi dhe në kohë (shih 33.5.1.1).

Para çdo shpërndarjeje tremujore, presidenti i kunjit merr informacion mbi shumën që do të shpërndahet. Ai më pas përcakton se çfarë shume nga fondet do t’u shpërndahet lagjeve. Ai punon me peshkopët në një mënyrë të njësuar bashkërenduese për t’u siguruar që kunji dhe lagjet po marrin fonde të mjaftueshme dhe të përshtatshme. Nëse ndodhin ndryshime të paparashikuara që mund ta justifikojnë ndryshimin e shumave fillestare të shpërndara të buxhetit, presidenti i kunjit sigurohet që bëhen përshtatjet e duhura.

Peshkopi mbikëqyr shpërndarjen e fondeve të buxhetit të lejuar në lagje. Ai sigurohet që organizatat në lagje marrin fonde të mjaftueshme dhe të përshtatshme.

Udhëheqësit e priftërisë sigurohen që niveli i buxhetit të lejuar dhe i aktiviteteve për të rinjtë e të rejat është i paanshëm dhe që shumat e shpërndara për fëmijët në Fillore janë të mjaftueshme.

34.6.2.2

Përdorimi i Duhur i Buxhetit

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët sigurohen që fondet e buxhetit të lejuar shpenzohen me urtësi. Fondet duhet të përdoren për t’i bekuar njerëzit dhe për t’i çuar më tej qëllimet e ungjillit. Udhëheqësit gjithashtu sigurohen që të gjitha shpenzimet të jenë brenda nivelit të lejuar.

Fondet e buxhetit të kunjit dhe të lagjeve duhet të përdoren për të paguar të gjitha aktivitetet, programet, manualet dhe pajisjet. Anëtarët zakonisht nuk duhet të paguajnë për pjesëmarrjen në aktivitete. As nuk duhet të sigurojnë materiale, pajisje, pagesa për marrje me qira ose për çmimin e hyrjes, apo për transportin në largësi të mëdha me shpenzimet e tyre personale. Anëtarët mund të sigurojnë ushqimin nëse kjo gjë nuk është një barrë (shih 20.6.1).

Anëtarët që dëshirojnë të kontribuojnë fonde shtesë për Kishën, nuk mund t’i paracaktojnë ato për buxhetin e kunjit ose të lagjes. Në vend të kësaj, udhëheqësit i nxitin ata që t’i kontribuojnë fondet tek ofertat e agjërimit, fondet për misionarët, ndihma humanitare ose kategori të tjera të dhurimeve të autorizuara.

Shpenzimet për ndërtimin e godinave, mirëmbajtjen, telefonat, ngrohjen, energjinë elektrike dhe ujin, kompjuterat dhe udhëtimin e udhëheqësve të priftërisë paguhen nga fondet e përgjithshme të Kishës sipas orientimeve aktuale.

34.6.2.3

Buxheti i Tepërt

Fondet e tepërta të buxhetit të lejuar nuk duhet të shpenzohen. Fondet e tepërta të lagjes duhet t’i kthehen kunjit. Fondet e tepërta të kunjit duhet t’i kthehen Kishës.

Si përjashtim, kunjet dhe lagjet mund të mbajnë disa fonde të pashpenzuara nëse nevojiten për aktivitete të veçanta që janë planifikuar për vitin e ardhshëm, të tilla si një konferencë rinie. Megjithatë, nuk duhet të ruhen pjesë të konsiderueshme të buxhetit të lejuar të kunjit apo të lagjeve nga njëri vit tek tjetri.

34.6.3

Dhënia e Fondeve për Aktivitete dhe Pajisje të Veçanta

34.6.3.1

Aktivitetet si Kunj dhe Shumëkunjëshe

Udhëheqësit vendorë nxiten të zhvillojnë aktivitete si kunj dhe shumëkunjëshe, të cilat sigurojnë mundësi për të zhvilluar unitet dhe miqësi, veçanërisht mes rinisë dhe të rinjve e të rejave në moshë madhore beqarë. Udhëheqësit sigurohen që ata vendosin në buxhet fonde të mjaftueshme për të mbështetur një numër të përshtatshëm aktivitetesh si kunj dhe shumëkunjëshe.

Financimi për shumicën e aktiviteteve shumëkunjëshe vjen nga fondet buxhetore të kunjeve pjesëmarrëse. Financimi për aktivitetet e zonës mund të vijë nga buxhetet e zonës ose të zyrave qendrore të Kishës kur miratohen.

34.6.3.2

Aktivitetet dhe Pajisjet e Veçanta

Për informacion rreth aktiviteteve dhe pajisjeve të veçanta, shihni te kapitulli 20.

34.7

Kontrollet Financiare

34.7.1

Komiteti i Kontrollit Financiar të Kunjit

Presidenti i kunjit cakton një komitet të kontrollit financiar të kunjit. Ky komitet sigurohet që financat e kunjit dhe të lagjeve trajtohen sipas rregullores së Kishës. Ai përbëhet nga njëri prej këshilltarëve të presidentit të kunjit si kryetar dhe dy anëtarë të tjerë të kunjit që i kuptojnë çështjet financiare ose mund të trajnohen për to. Këta vëllezër ose motra duhet të mbajnë rekomandime aktuale tempulli.

Këshilltari që shërben si kryetar, në përgjithësi nuk duhet t’i miratojë pagesat ose të përfshihet në mbajtjen e dokumenteve financiare të kunjit.

Anëtarët e komitetit nuk duhet të jenë kontrollorë financiarë të kunjit. As nuk duhet të merren me mbajtjen e dokumenteve financiare të kunjit apo të lagjes.

34.7.2

Kontrollorët Financiarë të Kunjit

Presidenti i kunjit ose këshilltari i tij, i cili është kryetari i komitetit të kontrollit financiar të kunjit, thërret të paktën dy kontrollorë financiarë të kunjit. Këta vëllezër dhe këto motra duhet të mbajnë rekomandime aktuale tempulli. Nëse është e mundur, ata duhet të kenë përvojë në kontabilitet ose kontroll financiar. Ata duhet të miratohen nga presidenca e kunjit dhe këshilli i lartë. Megjithatë, ata nuk mbështeten. Presidenti i kunjit përcakton nëse ata veçohen ose jo.

Këshilltarët e lartë gjithashtu mund të shërbejnë si kontrollorë financiarë të kunjit. Gjithsesi, nëpunësi i kunjit dhe ndihmësnëpunësit e kunjit nuk mund të thirren si kontrollorë financiarë. Ata që shërbejnë si kontrollorë financiarë, mund të mbajnë edhe thirrje të tjera.

34.7.3

Kontrolli Financiar

Kontrollorët financiarë të kunjit bëjnë kontrollin e dokumenteve financiare të kunjit, të lagjeve dhe qendrave të historisë familjare dy herë në vit. Ata gjithashtu bëjnë kontrollin e dokumenteve financiare të pronave të përdorura për argëtim një herë në vit. Këto janë mundësi për të nxitur, përkrahur dhe trajnuar me dashamirësi ata që janë thirrur për të trajtuar fondet e Kishës së Zotit.

Kontrollorët financiarë sigurojnë që:

  • E dhjeta dhe kontributet e tjera regjistrohen siç duhet.

  • Fondet e Kishës përdoren siç duhet, për to jepet llogari dhe ato mbrohen.

  • Dokumentet financiare janë të plota dhe të sakta.

Drejtuesi kryesues i njësisë dhe nëpunësi i caktuar për financat duhet të jenë në dispozicion që t’u përgjigjen pyetjeve gjatë kontrolleve financiare.

Presidenti i kunjit dhe komiteti i kontrollit financiar të kunjit i rishikojnë të gjitha kontrollet financiare. Pas rishikimit të tyre, kryetari i komitetit të kontrollit financiar të kunjit dhe presidenti i kunjit i nënshkruajnë kontrollet financiare. Kontrollet financiare mund të nënshkruhen dhe dorëzohen përpara se të korrigjohen të gjitha vërejtjet nga kontrolli. Presidenti i kunjit dhe komiteti i kontrollit financiar të kunjit sigurohen që çfarëdo vërejtje nga kontrolli financiar të korrigjohet menjëherë.

34.7.4

Kontrollorët Financiarë të Zonave dhe Ndihmëskontrollorët Financiarë të Zonave

Presidenca e Zonës, kur thërret një kontrollor financiar të zonës ose ndihmëskontrollor financiar të zonës, ndjek orientimet tek Guide to the Area Audit Program [Udhëzuesi për Programin e Kontrollit Financiar të Zonës].

34.7.5

Humbja, Vjedhja, Përvetësimi ose Keqpërdorimi i Fondeve të Kishës

Presidenti i kunjit ose kryetari i komitetit të kontrollit financiar të kunjit duhet të njoftohet menjëherë nëse:

  • Fondet e Kishës kanë humbur ose janë vjedhur.

  • Një udhëheqës i ka përvetësuar ose keqpërdorur fondet e Kishës.

Presidenti i kunjit ose kryetari i komitetit të kontrollit financiar të kunjit njofton Sektorin e Kontrollit Financiar të Kishës. Ai njofton kontrollorin financiar të zonës nëse njësia është jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Sektori i Kontrollit Financiar të Kishës (ose kontrollori financiar i zonës) i dërgon një formular të raportimit të humbjes presidentit të kunjit ose kryetarit të komitetit të kontrollit financiar. Nën drejtimin e Sektorit të Kontrollit Financiar të Kishës (ose të kontrollorit financiar të zonës), presidenti i kunjit ose kryetari i komitetit të kontrollit financiar sigurohet që çështja shqyrtohet siç duhet. Ai gjithashtu sigurohet që formulari i humbjes plotësohet dhe dorëzohet siç duhet.

Pasi përfundohet shqyrtimi, nëse Sektori i Kontrollit Financiar të Kishës përcakton se një udhëheqës ose punonjës i Kishës ka përvetësuar fonde ose gjëra me vlerë të Kishës, duhet të merret parasysh veprimi për anëtarësinë. Orientimet gjenden te 32.6.3.3.

Nëse zbulohet një keqpërdorim i madh i fondeve, presidenti i kunjit ose kryetari i komitetit të kontrollit financiar gjithashtu lajmëron Presidencën e Zonës.

34.7.6

Nëpunësi i Kunjit ose Ndihmësnëpunësi i Kunjit i Caktuar për Financat

Komiteti i kontrollit financiar të kunjit mund të caktojë nëpunësin e kunjit ose ndihmësnëpunësin e kunjit të caktuar për financat që t’i udhëzojë udhëheqësit e lagjes për rregulloren e duhur për financat. Ai i udhëzon ata edhe për procedurat që lidhen me përjashtimet e zbuluara nga kontrollet financiare.

34.7.7

Për më Shumë Informacion

Për më shumë informacion rreth komiteteve të kontrollit financiar, kontrollorëve financiarë dhe procedurave të kontrollit financiar shihni te Qendra e NdihmësChurchofJesusChrist.org. Komitetet e kontrollit financiar të kunjit mund t’i drejtojnë pyetje ndihmëskontrollorit financiar të zonës.

34.8

Taksat

Informacioni për taksat në këtë pjesë gjen zbatim vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Nëse udhëheqësit e priftërisë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada kanë nevojë për më shumë informacion, ata duhet të vihen në kontakt me Sektorin e Administrimit të Taksave:

Tax Administration

50 East North Temple Street, Room 2276

Salt Lake City, UT 84150–0022

Telefoni: 1–801–240–4405 ose 1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–4405

Udhëheqësit e priftërisë jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë vihen në kontakt me zyrën e zonës për t’u dhënë zgjidhje pyetjeve për taksat.

34.8.1

Statusi i Përjashtimit nga Tatimet

Kisha zakonisht përjashtohet nga pagimi i tatimeve për shitjet, pronat, të ardhurat dhe tatime të tjera, sepse është një organizatë fetare. Ndërtesat dhe pronat e tjera të Kishës duhet të përdoren për qëllime adhurimi, për udhëzim fetar dhe veprimtari të tjera që lidhen me Kishën. Udhëheqësit e kunjeve dhe të lagjeve sigurojnë që godinat e Kishës nuk përdoren për qëllime politike, biznesi ose investimesh, siç përvijohen në shembujt e ndryshëm te 35.5.2. Po të bëhej kjo, do të shkeleshin ligjet që lejojnë përjashtimin nga tatimet për pronat e Kishës.

Është e rëndësishme që udhëheqësit e kunjeve dhe të lagjeve t’i ndjekin këto orientime për ta ruajtur statusin e përjashtimit nga tatimet për Kishën. Nëse një kunj ose lagje e keqpërdor statusin e përjashtimit nga tatimet për Kishën, mund të ndikohen edhe njësitë e tjera të Kishës.

34.8.2

Taksa e Shitjeve dhe e Përdorimit

Ligjet e taksave të shitjes dhe të përdorimit, si dhe mënyra se si gjejnë zbatim për Kishën ndryshojnë në varësi të vendit dhe të shtetit. Udhëheqësit vihen në kontakt me Sektorin e Kishës për Administrimin e Taksave ose zyrën e zonës që të shohin nëse Kisha është e përjashtuar ose duhet të paguajë taksa të tilla.

34.8.3

Taksa për Pronat

Sektori i Kishës për Administrimin e Taksave i paraqet të gjitha përjashtimet nga taksat për pronat dhe i paguan të gjitha taksat e kërkuara për pronat. Asnjë veprim nuk kërkohet nga udhëheqësit vendorë.