Manualet dhe Thirrjet
32. Pendimi dhe Këshillat e Kishës për Anëtarësinë


“32. Pendimi dhe Këshillat e Kishës për Anëtarësinë”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“32. Pendimi dhe Këshillat e Kishës për Anëtarësinë”, Manuali i Përgjithshëm.

Pamja
burrë dhe grua duke i dhënë dorën njëri-tjetrit

32.

Pendimi dhe Këshillat e Kishës për Anëtarësinë

32.0

Parathënia

Pjesa më e madhe e pendimit ndodh midis një individi, Perëndisë dhe atyre që janë prekur nga mëkatet e personit. Sidoqoftë, nganjëherë nevojitet që një peshkop ose president kunji t’i ndihmojë anëtarët e Kishës në përpjekjet e tyre për t’u penduar.

Kur i ndihmojnë anëtarët për pendimin, peshkopët dhe presidentët e kunjeve tregojnë dashuri dhe kujdes. Ata ndjekin shembullin e Shpëtimtarit, i cili i lartësoi shpirtërisht individët dhe i ndihmoi të largohen prej mëkatit dhe të kthehen drejt Perëndisë (shihni te Mateu 9:10–13; Gjoni 8:3–11).

Siç përvijohet më poshtë, ky kapitull është organizuar që t’i udhërrëfejë udhëheqësit për vendimet kyç dhe veprimet e nevojshme për ta ndihmuar dikë që të pendohet për një mëkat të rëndë dhe për të ndihmuar për mbrojtjen e të tjerëve.

  • Roli i Kishës për ta Ndihmuar një Person të Pendohet. Pjesët 32.1–32.4 shpjegojnë doktrinën e Zotit për pendimin dhe faljen. Këto pjesë gjithashtu shpjegojnë tri qëllimet e kufizimeve ose të heqjes së anëtarësisë në Kishë. Përveç kësaj, ato shpjegojnë rolin e peshkopëve dhe të presidentëve të kunjeve që të ndihmojnë për pendimin.

  • Përcaktimi i Mjedisit për ta Ndihmuar një Person të Pendohet. Pjesët 32.5–32.7 japin orientime për të vendosur nëse një këshill për anëtarësinë apo këshillimi vetjak është mjedisi i duhur për ta ndihmuar dikë të pendohet.

  • Administrimi i Këshillimit Vetjak. Pjesa 32.8 jep orientime për këshillimin vetjak nëpërmjet peshkopit ose presidentit të kunjit. Gjithashtu shpjegon kufizimet joformale të anëtarësisë në Kishë.

  • Administrimi i Këshillave të Kishës për Anëtarësinë. Pjesët 32.9–32.14 shpjegojnë se cili ka përgjegjësinë mbi këshillat për anëtarësinë, si të drejtohen ato dhe vendimet e mundshme që marrin. Gjithashtu shpjegohen rezultatet e këtyre vendimeve.

  • Kthimi i Privilegjeve të Anëtarësisë në Kishë. Pjesët 32.15–32.17 shpjegojnë se si një personi mund t’i rivendosen privilegjet e anëtarësisë në Kishë nëpërmjet pendimit.

Nëse nuk shënohet ndryshe, përmendjet e presidentëve të kunjeve gjejnë zbatim edhe për presidentët e misioneve. Përmendjet e peshkopëve gjejnë zbatim edhe për presidentët e degëve.

Presidenca e Parë përcakton rregulloret dhe proceset për t’u penduar për një mëkat të rëndë. Presidenca e Parë përkrahet nga Zyra e Dokumenteve Konfidenciale të Kishës. Presidenti i kunjit ose peshkopi mund të vihen në kontakt me atë zyrë për pyetje administrative ose ato për rregulloret. Ajo zyrë mund të sigurojë edhe udhëzime mbi atë se si t’ia dorëzoni kërkesat Zyrës së Presidencës së Parë. Informacioni i kontaktit tregohet më poshtë:

Telefoni: 1–801–240-2053 ose 1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–2053

Telefoni pa pagesë (telefonat celularë GSD): 855–537–4357

Adresa e postës elektronike: ConfidentialRecords@ChurchofJesusChrist.org


ROLI I KISHËS PËR TA NDIHMUAR NJË PERSON QË TË PENDOHET


32.1

Pendimi dhe Falja

Zoti tha se “asgjë e papastër nuk mund të trashëgojë mbretërinë e qiellit” (Alma 11:37; shihni edhe te 3 Nefi 27:19). Mëkatet tona na bëjnë të papastër – të padenjë për të banuar në praninë e Atit tonë Qiellor. Ato gjithashtu na sjellin ankth në këtë jetë.

Ligji i Perëndisë për drejtësinë kërkon një pasojë kur ne mëkatojmë (shihni tek Alma 42:14, 17–18). Megjithatë, plani i Tij i madhërishëm i mëshirës “mund të kënaqë kërkesat e drejtësisë dhe [na] rrethon me krahët e sigurisë” (Alma 34:16; shihni edhe te Mosia 15:9).

Për ta realizuar planin e Tij të mëshirës, Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, që të shlyente për mëkatet tona (shihni tek Alma 42:15). Jezusi vuajti dënimin që ligji i drejtësisë e kërkon për mëkatet tona (shihni te Doktrina e Besëlidhje 19:15–19; shihni edhe tek Alma 42:24–25). Nëpërmjet këtij flijimi, si Ati ashtu edhe Biri treguan dashurinë e Tyre të pafundme për ne (shihni te Gjoni 3:16).

Kur ushtrojmë “besim deri në pendim”, Ati Qiellor na fal, duke na dhënë mëshirë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (Alma 34:15; shihni edhe tek Alma 42:13). Kur pastrohemi dhe falemi, ne më së fundmi mund të trashëgojmë mbretërinë e Perëndisë (shihni tek Isaia 1:18; Doktrina e Besëlidhje 58:42).

Pendimi është më shumë se ndryshim i sjelljes. Është largimi nga mëkati dhe kthimi drejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ai çon drejt një ndryshimi të zemrës dhe të mendjes (shihni te Mosia 5:2; Alma 5:12–14; Helamani 15:7). Nëpërmjet pendimit, ne bëhemi njerëz të rinj, të pajtuar me Perëndinë (shihni te 2 Korintasve 5:17–18; Mosia 27:25–26).

Mundësia për t’u penduar është njëri nga bekimet më të mëdha që Ati Qiellor na ka dhënë nëpërmjet dhuratës së Birit të Tij.

32.2

Qëllimet e Kufizimeve ose të Heqjes së Anëtarësisë në Kishë

Kur një person pagëzohet, ai ose ajo bëhet pjesë e “familjes së Perëndisë” (Efesianëve 2:19). Besëlidhja e pagëzimit përfshin një premtim për t’u përpjekur fort që të jetojmë sipas mësimeve dhe urdhërimeve të Krishtit. Kur një person nuk e mban besëlidhjen e pagëzimit, ai ose ajo ushtron besim te Jezu Krishti dhe pendohet, duke u mbështetur te mëshira e Tij për të forcuar dhe për të falur.

Nëse një anëtar/e kryen një mëkat të rëndë, peshkopi ose presidenti i kunjit e ndihmon atë që të pendohet. Si pjesë e këtij procesi, ai mund të ketë nevojë që t’i kufizojë disa privilegje të anëtarësisë në Kishë për njëfarë kohe. Në disa situata, mund të nevojitet që ai ta heqë anëtarësinë e një personi për njëfarë kohe.

Kufizimi ose heqja e anëtarësisë së një personi nuk ka për qëllim që të ndëshkojë. Përkundrazi, këto veprime nganjëherë janë të nevojshme për ta ndihmuar një person që të pendohet dhe të përjetojë një ndryshim të zemrës. Gjithashtu i japin kohë një personi për t’u përgatitur shpirtërisht që t’i ripërtërijë dhe t’i mbajë sërish besëlidhjet e tij ose të saj.

Peshkopi ose presidenti i kunjit i mbikëqyr kufizimet ose heqjen e anëtarësisë siç përvijohet te 32.5–32.14. Këto veprime shoqërohen nga kushtet e pendimit. Kur një person pendohet sinqerisht, atij ose asaj mund t’i rivendosen privilegjet e anëtarësisë në Kishë.

Kur janë të nevojshme kufizimet ose heqja e anëtarësisë, peshkopi ose presidenti i kunjit ndjek udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë dhe udhëzimet në këtë kapitull. Ai vepron me një frymë dashurie (shihni 32.3).

Kufizimet e anëtarësisë në Kishë janë fetare, jo civile apo penale. Ato ndikojnë vetëm mbi statusin e personit në Kishë. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 134:10.)

Tri qëllimet e kufizimeve ose të heqjes së anëtarësisë janë si vijojnë.

32.2.1

Ndihmojnë për t’i Mbrojtur të Tjerët

Qëllimi i parë është për të ndihmuar për mbrojtjen e të tjerëve. Nganjëherë një person përbën një kërcënim fizik ose shpirtëror. Sjelljet grabitqare, dëmtimi fizik, keqtrajtimi seksual, abuzimi me substancat, mashtrimi dhe braktisja fetare janë disa prej mënyrave se si mund të ndodhë kjo. Sipas frymëzimit, një peshkop ose president kunji vepron për t’i mbrojtur të tjerët kur dikush përbën një kërcënim në këto dhe në mënyra të tjera të rënda (shihni tek Alma 5:59–60).

32.2.2

E Ndihmojnë një Person për ta Përdorur Fuqinë Shëlbuese të Jezu Krishtit nëpërmjet Pendimit

Qëllimi i dytë është ta ndihmojnë një person për ta përdorur fuqinë shëlbuese të Jezu Krishtit nëpërmjet pendimit. Nëpërmjet këtij procesi, ai ose ajo mund të bëhet përsëri i/e pastër dhe i/e denjë për të marrë të gjitha bekimet e Perëndisë.

32.2.3

Mbrojnë Integritetin e Kishës

Qëllimi i tretë është që të mbrojnë integritetin e Kishës. Kufizimi ose heqja e anëtarësisë së një personi në Kishë mund të jetë e nevojshme nëse sjellja e tij ose e saj e dëmton Kishën në mënyrë domethënëse (shihni tek Alma 39:11). Integriteti i Kishës nuk mbrohet nga fshehja ose zvogëlimi i mëkateve të rënda – por duke i trajtuar ato.

32.3

Roli i Gjykatësve në Izrael

Pamja
peshkop duke i folur një burri

Peshkopët dhe presidentët e kunjeve thirren dhe veçohen që të jenë gjykatës në Izrael (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:72–74). Ata mbajnë çelësa të priftërisë që të përfaqësojnë Zotin për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës që të pendohen (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1; 107:16–18).

Shpesh peshkopët dhe presidentët e kunjeve ndihmojnë për pendimin nëpërmjet këshillimit vetjak. Kjo ndihmë mund të përfshijë heqjen në mënyrë joformale të disa privilegjeve të anëtarësisë në Kishë për njëfarë kohe. (Shihni 32.8.)

Për disa mëkate të rënda, udhëheqësit ndihmojnë për pendimin duke mbledhur një këshill për anëtarësinë (shihni 32.6 dhe 32.9–32.14). Kjo ndihmë mund të përfshijë kufizimin në mënyrë formale të disa privilegjeve të anëtarësisë në Kishë ose heqjen e anëtarësisë së personit për njëfarë kohe (shihni 32.11.3 dhe 32.11.4).

Peshkopët dhe presidentët e kunjeve i ndihmojnë anëtarët e Kishës të kuptojnë se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij. Ngaqë Ai dëshiron që ata të jenë të lumtur dhe të marrin bekime, Ai gjithashtu kujdeset jashtëzakonisht për bindjen dhe pendimin e tyre.

Peshkopët dhe presidentët e kunjeve janë të dashur dhe të kujdesshëm teksa i ndihmojnë anëtarët të pendohen. Ndërveprimi i Shpëtimtarit me gruan e kapur duke shkelur kurorën është një udhërrëfyes (shihni te Gjoni 8:3–11). Edhe pse nuk i tha që mëkatet e saj u falën, Ai nuk e dënoi atë. Në vend të kësaj, Ai i tha që të “mos mëkato[nte] më” – të pendohej dhe ta ndryshonte jetën e saj.

Këta udhëheqës na mësojnë se ka “në qiell … gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet” (Lluka 15:7). Ata janë të duruar, përkrahës dhe pozitivë. Ata frymëzojnë shpresë. Ata japin mësim dhe dëshmojnë se për shkak të flijimit shlyes të Shpëtimtarit, të gjithë mund të pendohen dhe të bëhen të pastër.

Peshkopët dhe presidentët e kunjeve kërkojnë udhërrëfim nga Shpirti për të ditur se si ta ndihmojnë secilin person që të pendohet. Vetëm për mëkatet më të rënda Kisha ka një standard të caktuar se çfarë veprimesh duhet të ndërmarrin udhëheqësit e saj (shihni 32.6 dhe 32.11). Nuk ka dy situata që të jenë njësoj. Këshillimi që japin udhëheqësit, dhe procesi i pendimit që ata bëjnë të mundur, duhet të jenë të frymëzuar dhe mund të jenë të ndryshëm për çdo person.

Zoti i njeh rrethanat, aftësinë dhe pjekurinë shpirtërore të çdo personi. Fryma e Shenjtë do t’i ndihmojë udhëheqësit që të dallojnë se si t’i ndihmojnë anëtarët për të bërë ndryshimet e nevojshme që ata të mund të shërohen dhe t’i bëjnë ballë tundimit për ta përsëritur mëkatin.

Ndihma ndaj dikujt që të pendohet, të kthehet sërish te Perëndia dhe të shërohet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, është një nga përvojat më të gëzueshme që mund të ketë një person. Doktrina e Besëlidhje 18:10–13 shpjegon:

“Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë;

Sepse, vini re, Zoti, Shëlbuesi juaj vuajti vdekjen në mish; prandaj ai vuajti dhembjen e gjithë njerëzve, që gjithë njerëzit të mund të pendohen e të vijnë tek ai.

Dhe ai është ngritur së vdekuri, që të mund t’i sjellë gjithë njerëzit te vetja, me kushtin e pendimit.

Dhe sa i madh është gëzimi i tij për shpirtin që pendohet!”

32.4

Rrëfimi, Konfidencialiteti dhe Raportimi tek Autoritetet Qeveritare

32.4.1

Rrëfimi

Pendimi kërkon që mëkatet t’i rrëfehen Atit Qiellor. Jezu Krishti tha: “Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij – vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato” (Doktrina e Besëlidhje 58:43; shihni edhe te Mosia 26:29).

Kur anëtarët e Kishës kryejnë mëkate të rënda, pendimi i tyre gjithashtu përfshin rrëfimin te peshkopi ose presidenti i tyre i kunjit. Ai është në gjendje më pas të ushtrojë çelësat e ungjillit për pendimin në emër të tyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1; 84:26–27; 107:18, 20). Kjo i ndihmon të shërohen dhe të kthehen te shtegu i ungjillit nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Qëllimi i rrëfimit është t’i nxitë anëtarët që ta heqin barrën nga vetvetja, që të mund të kërkojnë tërësisht ndihmën e Zotit për të ndryshuar dhe për t’u shëruar. Zhvillimi i një “zem[re] të thyer dhe një shpirt[i] të penduar” ndihmohet nga rrëfimi (2 Nefi 2:7). Rrëfimi me dashje tregon se një person dëshiron të pendohet.

Kur një anëtar/e rrëfehet, peshkopi ose presidenti i kunjit ndjek orientimet për këshillimin te 32.8. Ai me lutje kërkon udhërrëfim për mjedisin e duhur për ta ndihmuar anëtarin/en të pendohet (shihni 32.5). Ai merr parasysh nëse do të ishte i dobishëm një këshill për anëtarësinë. Nëse rregullorja e Kishës kërkon një këshill për anëtarësinë, ai e shpjegon këtë (shihni 32.6 dhe 32.10).

Nganjëherë një anëtar/e ka gabuar ndaj një bashkëshorteje/i ose një personi tjetër në moshë madhore. Si pjesë e pendimit, ai ose ajo zakonisht duhet t’ia bëjë rrëfimin atij personi dhe të kërkojë falje. Një i ri ose e re që kryen një mëkat të rëndë, zakonisht nxitet që të këshillohet me prindërit e vet.

32.4.2

Mëkatet e Rënda që Nuk Rrëfehen ose Mohohen

Një peshkop ose president kunji zakonisht mëson rreth një mëkati të rëndë nëpërmjet rrëfimit ose nga një person tjetër. Ai mund të marrë nxitje rreth një mëkati të mundshëm të rëndë edhe nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Nëse ndien nxitje me anë të Shpirtit se dikush mund të jetë duke u ndeshur me mëkatin, ai mund të planifikojë një intervistë. Gjatë intervistës, ai e shpreh shqetësimin e tij në një mënyrë dashamirëse dhe të respektueshme. Ai shmang çdo ton akuzues.

Nëse një anëtar/e e mohon kryerjen e një mëkati të rëndë për të cilin peshkopi ose presidenti i kunjit ka informacion që e mbështet [se ka ndodhur], ende mund të mblidhet një këshill për anëtarësinë. Megjithatë, vetëm një mbresë shpirtërore nuk është e mjaftueshme për të mbledhur një këshill (shihni te Doktrina e Besëlidhje 10:37). Udhëheqësi mund të mbledhë informacion shtesë nëse nevojitet. Ai ndjek orientimet te 32.4.3 dhe 32.10.2.

32.4.3

Mbledhja e Informacionit

Përpara se të mblidhet një këshill për anëtarësinë, peshkopi ose presidenti i kunjit mbledh sa më shumë informacion që i nevojitet. Informacioni nga rrëfimi i një anëtari/eje është shpesh i mjaftueshëm. Informacioni mund të vijë edhe nga një pjesëtar i familjes, një udhëheqës tjetër i Kishës, një viktimë apo një pjesëmarrës në atë mëkat.

Kur mbledh informacion, peshkopi ose presidenti i kunjit duhet të përdorë vetëm metoda që janë të përshtatshme për një udhëheqës të priftërisë. Ai nuk duhet ta mbajë nën vëzhgim shtëpinë e një personi ose ta filmojë atë pa miratim. As nuk duhet të përdorë ndonjë praktikë që është kundër ligjit.

Akuzat e rreme janë të rralla, por mund të ndodhin. Udhëheqësit e priftërisë duhet të jenë të kujdesshëm kur ka informacion të kufizuar përveç fjalës së një personi. Për shembull, një anëtar/e që akuzohet për shkelje kurore, mund ta mohojë akuzën. Shkrimet e shenjta shpjegojnë se “çdo fjalë duhet të bazohet kundër tij ose saj nga dy dëshmitarë të kishës” (Doktrina e Besëlidhje 42:80). “Dy dëshmitarë” do të thotë dy burime të veçuara informacioni. Kjo mund të përfshijë njohurinë e një pjesëmarrësi dhe disa burimeve të tjera të besueshme. Me raste, një udhëheqësi të priftërisë mund t’i nevojitet të presë që të veprojë derisa të vihet në dispozicion më shumë informacion.

Kur një udhëheqës i Kishës po mbledh informacion për një këshill për anëtarësinë, ai duhet të ndalojë menjëherë nëse mëson që autoritetet e zbatimit të ligjit po e hetojnë në mënyrë aktive anëtarin/en. Kjo bëhet për të shmangur pretendime të mundshme që udhëheqësi mund ta ketë penguar drejtësinë. Për këshillim ligjor rreth këtyre situatave në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, presidenti i kunjit vihet në kontakt me Zyrën e Kishës për Këshillim të Përgjithshëm:

1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–6301

1–801–240–6301

Jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, presidenti i kunjit vihet në kontakt me këshillin ligjor të zonës në zyrën zonale.

Zakonisht një këshill për anëtarësinë nuk mblidhet për të shqyrtuar sjellje që po hetohen nga një gjykatë civile ose penale, derisa gjykata të ketë arritur një gjykim përfundimtar. Në disa raste mund të jetë gjithashtu e përshtatshme që një këshill për anëtarësinë të shtyhet për më vonë derisa t’i ketë mbaruar afati periudhës së apelimit ligjor ose apelimi të jetë refuzuar.

32.4.4

Konfidencialiteti

Peshkopët, presidentët e kunjeve dhe këshilltarët e tyre kanë një detyrë të shenjtë që ta mbrojnë të gjithë informacionin konfidencial që u jepet atyre. Ky informacion mund të vijë nga intervistat, këshillimi dhe rrëfimet. E njëjta detyrë për konfidencialitet zbatohet për të gjithë ata që marrin pjesë në këshillat për anëtarësinë. Konfidencialiteti është thelbësor ngaqë anëtarët mund të mos rrëfejnë mëkate ose të kërkojnë udhërrëfim, në qoftë se ajo që do të tregojnë, nuk do të mbahet konfidenciale. Nxjerrja e një gjëje konfidenciale e tradhton mirëbesimin e anëtarëve dhe bën që ata ta humbasin besimin tek udhëheqësit e tyre.

Në përputhje me detyrën e tyre për konfidencialitet, një peshkop, një president kunji ose këshilltarët e tyre mund ta tregojnë një informacion të tillë vetëm si më poshtë:

  • Atyre iu nevojitet të diskutojnë me presidentin e kunjit, presidentin e misionit ose peshkopin e anëtarit/es rreth mbledhjes së një këshilli për anëtarësinë ose për çështje që lidhen me të. Presidenti i kunjit gjithashtu mund të diskutojë me Të Shtatëdhjetin Zonal të caktuar atij. Nëse nevojitet, I Shtatëdhjeti Zonal e referon presidentin e kunjit te Presidenca e Zonës. Vetëm presidenti i kunjit vendos nëse një këshill duhet të mblidhet ose për rezultatin e tij.

  • Personi shpërngulet në një lagje të re të Kishës (ose udhëheqësi i priftërisë lirohet nga detyra), ndërkohë që po mbeten pezull veprimi për anëtarësinë ose shqetësime të tjera të rënda. Në këto raste, udhëheqësi e njofton peshkopin ose presidentin e ri të kunjit rreth shqetësimeve ose veprimit të mbetur pezull (shihni 32.14.7). Ai gjithashtu e informon udhëheqësin nëse anëtari/ja mund të përbëjë një kërcënim për të tjerët.

  • Një peshkop ose president kunji mëson se një anëtar/e i/e Kishës që jeton jashtë kufijve të lagjes ose kunjit, mund të jetë përfshirë në një mëkat të rëndë. Në këtë rast, ai vihet në kontakt në mënyrë konfidenciale me peshkopin e anëtarit/es.

  • Është e nevojshme që ta paraqitni informacionin gjatë një këshilli për anëtarësinë. I gjithë informacioni i mbledhur dhe i dhënë si pjesë e një këshilli për anëtarësinë, është konfidencial.

  • Një anëtar/e zgjedh të japë leje që udhëheqësit t’ua tregojnë informacionin personave të caktuar. Këta mund të përfshijnë prindër, udhëheqës të Kishës ose të tjerë që mund të sigurojnë përkrahje. Udhëheqësi nuk ua tregon informacionin njerëzve të tjerë për të cilët anëtari/ja nuk ka dhënë leje.

  • Mund të jetë e nevojshme që të tregohet informacion i kufizuar rreth vendimit të një këshilli për anëtarësinë (shihni 32.12.2).

Në të gjitha situatat e tjera, udhëheqësi duhet t’i referohet pjesës 32.4.5. Këto raste përfshijnë rastet kur ligji mund të kërkojë që një krim, i tillë si keqtrajtimi i një fëmije, duhet t’u raportohet autoriteteve qeveritare.

Për t’i ndihmuar udhëheqësit në mbrojtjen e të tjerëve dhe veprimin në pajtim me ligjin, Kisha siguron ndihmë nga profesionistë të trajnuar. Për ta marrë këtë orientim, udhëheqësit menjëherë marrin në telefon shërbimin telefonik të Kishës për ndihmën ndaj keqtrajtimit kudo ku ai është në dispozicion (shihni 32.4.5 dhe 38.6.2.1). Atje ku nuk është në dispozicion, presidenti i kunjit vihet në kontakt me këshillin ligjor të zonës në zyrën zonale.

Vetëm në një situatë duhet një peshkop ose president kunji të tregojë informacion konfidencial pa kërkuar fillimisht një orientim të tillë. Kjo ndodh kur dhënia e informacionit është e nevojshme për të parandaluar lëndimin me rrezik për jetën ose dëmtim të rëndë dhe nuk ka kohë për të kërkuar orientim. Në raste të tilla, detyra për t’i mbrojtur të tjerët është më e rëndësishme sesa detyra e konfidencialitetit. Udhëheqësit duhet të vihen në kontakt menjëherë me autoritetet civile.

Nëse udhëheqësit mbajnë shënime ose komunikojnë me njëri‑tjetrin në mënyrë elektronike, ata tregojnë kujdes se kush mund ta përdorë këtë informacion. Ata gjithashtu e fshijnë ose shkatërrojnë informacionin kur nuk iu nevojitet më. Ata nuk e tregojnë në mënyrë të panevojshme informacionin vetjak.

Autoritetet civile mund ta kundërshtojnë konfidencialitetin e kërkuar nga një udhëheqës i priftërisë. Nëse kjo ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, presidenti i kunjit kërkon këshillë ligjore nga Zyra e Kishës për Këshillimin e Përgjithshëm:

1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–6301

1–801–240–6301

Jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, presidenti i kunjit vihet në kontakt me këshillin ligjor të zonës në zyrën zonale.

32.4.5

Raportimi tek Autoritetet Qeveritare

Disa njerëz që po pendohen, kanë shkelur ligjet civile ose penale. Në disa raste, autoritetet qeveritare nuk janë në dijeni për këtë gjë. Peshkopët dhe presidentët e kunjeve i nxitin anëtarët ta ndjekin ligjin dhe t’i raportojnë çështje të tilla kur kërkohet. Udhëheqësit gjithashtu i këshillojnë anëtarët që të marrin këshillim kompetent ligjor kur raportojnë. Rregullorja e Kishës është që t’i bindemi ligjit.

Në shumë vende, kërkohet me ligj që udhëheqësit e priftërisë të raportojnë disa sjellje të paligjshme për të cilat vihen në dijeni. Për shembull, disa shtete dhe vende kërkojnë që keqtrajtimi i fëmijës t’u raportohet autoriteteve të zbatimit të ligjit.

Në disa vende, Kisha ka ngritur një shërbim telefonik konfidencial të ndihmës ndaj keqtrajtimit që t’iu vijë në ndihmë peshkopëve dhe presidentëve të kunjeve. Këta udhëheqës duhet të marrin menjëherë në telefon shërbimin telefonik të ndihmës për çdo situatë në të cilën një person mund të jetë keqtrajtuar – ose është në rrezik të keqtrajtohet (shihni 38.6.2.1). Është në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.

Në vendet që nuk kanë shërbim telefonik të ndihmës, një peshkop që mëson për keqtrajtimin, duhet të vihet në kontakt me presidentin e tij të kunjit, i cili duhet të kërkojë udhëzim nga këshilli ligjor i zonës në zyrën zonale.

Për më shumë informacion rreth raportimit të keqtrajtimit, shihni 38.6.2.1 dhe 38.6.2.7.


PËRCAKTIMI I MJEDISIT PËR TA NDIHMUAR NJË PERSON QË TË PENDOHET


32.5

Mjediset për ta Ndihmuar një Person që të Pendohet

Pasi vihet në dijeni se një anëtar/e ka kryer një mëkat të rëndë, një peshkop ose president kunji ndërmerr hapa për t’i mbrojtur të tjerët. Ai gjithashtu kërkon udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për përcaktimin e mjedisit për ta ndihmuar personin që të pendohet dhe të afrohet më shumë me Shpëtimtarin.

32.5.1

Vështrim i Përgjithshëm i Mjediseve

Tabela vijuese rendit tri mjedise për ta ndihmuar një person të pendohet. Ajo gjithashtu përmbledh disa prej gjërave që i marrin parasysh udhëheqësit kur vendosin se cilin mjedis të përdorin.

Mjediset për ta Ndihmuar një Person që të Pendohet

Mjedisi

Disa Gjëra për t’i Marrë Parasysh (shihni edhe 32.7)

Mjedisi

Këshilli i Kunjit për Anëtarësinë

Disa Gjëra për t’i Marrë Parasysh (shihni edhe 32.7)

  • Për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit në tempull.

  • Kërkohet nëse një burri ose një gruaje që e ka kryer ordinancën e dhurimit, ka të ngjarë që do t’i hiqet anëtarësia në Kishë për ndonjërin nga mëkatet ose veprimet e rënda që përmenden te 32.6.1, 32.6.2 ose 32.6.3.

Mjedisi

Këshilli i Lagjes për Anëtarësinë

Disa Gjëra për t’i Marrë Parasysh (shihni edhe 32.7)

  • Për çdo anëtar/e.

  • Kërkohet për mëkatet e rënda që përmenden te 32.6.1.

  • Mund të jetë i nevojshëm për mëkatet dhe veprimet e rënda që përmenden te 32.6.2 dhe 32.6.3.

  • Është i pamjaftueshëm në qoftë se një burri ose një gruaje që e ka kryer ordinancën e dhurimit, ka të ngjarë që do t’i hiqet anëtarësia në Kishë për ndonjërin nga mëkatet e rënda ose veprimet e përmendura te 32.6.1, 32.6.2 ose 32.6.3.

Mjedisi

Këshillimi Vetjak (shihni 32.8)

Disa Gjëra për t’i Marrë Parasysh (shihni edhe 32.7)

  • Për çdo anëtar/e.

  • Mund të përfshijë kufizime joformale të anëtarësisë në Kishë.

  • Mund të jetë i pamjaftueshëm për mëkatet ose veprimet e rënda për të cilat një këshill për anëtarësinë do të ishte i dobishëm në procesin e pendimit (shihni 32.6.2 dhe 32.6.3).

  • Është i pamjaftueshëm për mëkate të rënda që kërkojnë një këshill për anëtarësinë (shihni 32.6.1).

  • Është i pamjaftueshëm në qoftë se një burri ose një gruaje që e ka kryer ordinancën e dhurimit, ka të ngjarë që do t’i hiqet anëtarësia në Kishë për ndonjërin nga mëkatet e rënda ose veprimet e përmendura te 32.6.1, 32.6.2 ose 32.6.3.

Këshillimi vetjak dhe kufizimet joformale nga peshkopi ose presidenti i kunjit nganjëherë janë të pamjaftueshme për ta ndihmuar një njeri që të pendohet për mëkate të rënda. Zoti ka siguruar këshilla për anëtarësinë që ta ndihmojnë një gjykatës në Izrael në këto situata. (Shihni tek Eksodi 18:12–27; Mosia 26:29–36; Doktrina e Besëlidhje 42:80–83102.) Për disa mëkate të rënda, kërkohet një këshill nga rregullorja e Kishës (shihni 32.6.1). Shkelja e besëlidhjeve të tempullit e rrit gjasën që të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë (shihni 32.7.4).

Në një lagje, këshilltarët e peshkopit ndihmojnë në këshillat për anëtarësinë. Në një kunj ndihmojnë këshilltarët e presidentit të kunjit. Në disa këshilla të kunjit për anëtarësinë merr pjesë edhe këshilli i lartë (shihni 32.9.2). Në një këshill për anëtarësinë, peshkopata ose presidenca e kunjit takohet me personin me një frymë dashurie.

32.5.2

Përcaktimi i Mjedisit dhe Kohës

Kur vendosin se cili nga këto mjedise do ta ndihmonte më së miri një person që të pendohet, udhëheqësit kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Ata gjithashtu marrin parasysh faktorët vijues:

  • Gjendja sa i rëndë është mëkati dhe nëse rregullorja e Kishës e kërkon apo jo një këshill (shihni 32.6)

  • Rrethanat e personit (shihni 32.7)

Një peshkop këshillohet me presidentin e kunjit rreth situatave të caktuara. Ai duhet të marrë miratim nga presidenti i kunjit përpara se të mbledhë një këshill për anëtarësinë.

Për çështje të vështira, presidenti i kunjit mund të kërkojë këshillë nga I Shtatëdhjeti Zonal i caktuar atij. Presidenti i kunjit duhet të këshillohet me Presidencën e Zonës për çështjet e përvijuara te 32.6.3. Megjithatë, vetëm presidenti i kunjit vendos nëse duhet të mblidhet një këshill për ta shqyrtuar sjelljen. Nëse mblidhet një këshill, presidenti i kunjit ose peshkopi vendos për rezultatin.

Nëse një peshkop ose president kunji vendos se këshillimi vetjak është i mjaftueshëm, ai ndjek orientimet te 32.8. Nëse vendos që nevojitet një këshill për anëtarësinë, ose nëse rregullorja e Kishës e kërkon një këshill, personi që e drejton atë, ndjek procedurat te 32.9–32.14.

Përpara se të mblidhet këshilli, peshkopi ose presidenti i kunjit mund të përcaktojë se kufizimet joformale të anëtarësisë do të jenë gjëja më e mirë për njëfarë kohe. Ai e mbledh këshillin kur ky këshill do ta nxitë më së miri pendimin e sinqertë të anëtarit/es. Megjithatë, ai nuk duhet ta vonojë një këshill nëse është i nevojshëm për t’i mbrojtur të tjerët.

32.6

Gjendja sa i Rëndë Është Mëkati dhe Rregullorja e Kishës

Gjendja sa i rëndë është një mëkat, është një gjë e rëndësishme për t’u marrë parasysh që të përcaktohet mjedisi i cili 1) do të ndihmojë për t’i mbrojtur të tjerët dhe 2) do ta ndihmojë një person të pendohet. Zoti ka thënë se Ai “nuk mund ta shoh[ë] mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit” (Doktrina e Besëlidhje 1:31; shihni edhe te Mosia 26:29). Shërbëtorët e Tij nuk duhet ta shpërfillin provën për një mëkat të rëndë.

Mëkatet e rënda janë një fyerje e paramenduar dhe e madhe kundër ligjeve të Perëndisë. Kategoritë e mëkateve të rënda renditen më poshtë.

Pjesët vijuese përshkruajnë rastet kur kërkohet një këshill për anëtarësinë, kur mund të jetë i nevojshëm dhe kur nuk është i nevojshëm.

32.6.1

Rastet kur Kërkohet një Këshill për Anëtarësinë

Peshkopi ose presidenti i kunjit duhet të mbledhë një këshill për anëtarësinë kur informacioni tregon se një anëtar/e mund të ketë kryer ndonjë prej mëkateve që përshkruhen në këtë pjesë. Për këto mëkate, kërkohet një këshill pavarësisht nga niveli i pjekurisë shpirtërore dhe të kuptuarit e ungjillit nga ana e anëtarit/es.

Shihni 32.11 për rezultate të mundshme nga këshillat që mblidhen për mëkatet e renditura në këtë pjesë. Kufizimet joformale të anëtarësisë nuk janë një mundësi për këta këshilla.

32.6.1.1

Veprimet e Dhunshme dhe Keqtrajtimi

Vrasja. Një këshill për anëtarësinë kërkohet nëse një anëtar/e vret dikë. Siç përdoret këtu, vrasja i referohet marrjes së jetës njerëzore me dashje dhe në mënyrë të pajustifikuar. Kërkohet heqja e anëtarësisë së personit në Kishë.

Vrasja nuk përfshin veprimet policore apo ushtarake gjatë kryerjes së detyrës. Aborti nuk përkufizohet si vrasje në këtë kontekst. Nëse vdekja u shkaktua nga pakujdesia ose mbrojtja e vetes apo e të tjerëve, marrja e një jete njerëzore mund të mos përkufizohet si vrasje. Kjo mund të jetë e vërtetë edhe në situata të tjera, të tilla si ato kur një person ka aftësi të kufizuar mendore.

Përdhunimi. Një këshill për anëtarësinë kërkohet për përdhunimin. Siç përdoret këtu, përdhunimi është një marrëdhënie seksuale me forcë ose marrëdhënie seksuale me dikë që nuk mund të japë miratim në mënyrë të ligjshme për shkak të aftësisë së kufizuar mendore ose fizike. Siç përdoret këtu, përdhunimi nuk përfshin marrëdhënie seksuale me dëshirë midis dy të miturve që kanë mosha të përafërta.

Dënimi për Sulm Seksual. Një këshill për anëtarësinë kërkohet nëse një anëtar/e dënohet për një sulm seksual.

Keqtrajtimi i një Fëmije, një të Riu ose të Reje. Një këshill për anëtarësinë kërkohet nëse një person keqtrajton një fëmijë, një të ri ose të re, siç shpjegohet te 38.6.2.3.

Keqtrajtimi i një Bashkëshorteje/i apo një Personi Tjetër në Moshë Madhore. Ka një diapazon të ashpërsisë në sjelljeje keqtrajtuese. Shihni 38.6.2.4 për rastet kur kërkohet një këshill për anëtarësinë për keqtrajtimin e një bashkëshorteje/i ose të një personi tjetër në moshë madhore.

Sjellja Grabitqare e Dhunshme. Një këshill për anëtarësinë kërkohet nëse një njeri në moshë madhore në mënyrë të përsëritur i dëmton fizikisht njerëzit nëpërmjet sjelljes së dhunshme dhe nëse është një kërcënim për të tjerët.

32.6.1.2

Imoraliteti Seksual

Incesti. Një këshill për anëtarësinë kërkohet për incestin, siç përcaktohet te 38.6.10. Pothuajse gjithmonë kërkohet heqja e anëtarësisë së personit në Kishë.

Pornografia që Përfshin një Fëmijë. Një këshill për anëtarësinë kërkohet nëse një person merr pjesë në pornografi që përfshin një fëmijë, siç përvijohet te 38.6.6.

Martesa e Shumëfishtë. Një këshill për anëtarësinë kërkohet nëse një person me vetëdije fillon një martesë të shumëfishtë. Disa martesa të shumëfishta mund të ndodhin në fshehtësi, me një bashkëshort/e që nuk di për një ose më shumë bashkëshortë/e të tjerë/a. Kërkohet heqja e anëtarësisë së një personi në Kishë nëse një person me vetëdije fillon një martesë të shumëfishtë.

Sjellja Grabitqare Seksuale. Kërkohet një këshill për anëtarësinë nëse një njeri në moshë madhore në mënyrë të përsëritur dëmton seksualisht njerëz të tjerë dhe nëse është një kërcënim për të tjerët.

32.6.1.3

Veprimet Mashtruese

Sjellja Grabitqare Financiare. Kërkohet një këshill për anëtarësinë nëse një njeri në moshë madhore ka një histori të dëmtimit financiarisht me dashje dhe në mënyrë të përsëritur të njerëzve dhe në qoftë se ai/ajo është një kërcënim për të tjerët (shihni 38.6.2.4). Kjo përfshin mashtrimin në investime dhe veprime të ngjashme. Humbjet e paqëllimshme financiare për shkak të kushteve ekonomike nuk konsiderohen si mashtruese. Nëse është e përfshirë një çështje gjyqësore, udhëheqësit e priftërisë mund të vendosin që të presin derisa rezultati të jetë përfundimtar. Shihni 32.6.3.3 nëse një anëtar u përfshi në përvetësimin e fondeve ose gjërave me vlerë të Kishës.

32.6.1.4

Shkeljet e Mirëbesimit

Mëkati i Rëndë Ndërkohë që Mbahet një Pozicion i Lartë në Kishë. Kërkohet një këshill për anëtarësinë në qoftë se një anëtar/e kryen një mëkat të rëndë ndërkohë që mban një pozicion të lartë. Këto përfshijnë një Autoritet të Përgjithshëm, një Drejtues të Përgjithshëm të Kishës, një Të Shtatëdhjetë Zonal, një president ose kryekujdestare tempulli, një president misioni ose shoqëruesen e tij, një president kunji, një patriark ose peshkop. Ky nuk gjen zbatim për presidentët e degëve. Megjithatë, privilegjet e anëtarësisë në Kishë për një president dege mund të kufizohen ose hiqen sikurse për anëtarët e tjerë.

32.6.1.5

Disa Veprime të Tjera

Dënimi për Krime të Rënda. Kërkohet një këshill për anëtarësinë në shumicën e rasteve kur një person dënohet për një krim të rëndë.

32.6.2

Rastet kur Mund të Jetë i Nevojshëm një Këshill për Anëtarësinë

Një këshill për anëtarësinë mund të jetë i nevojshëm në rastet e mëposhtme.

32.6.2.1

Veprimet e Dhunshme dhe Keqtrajtimi

Zoti urdhëroi: “Mos vrit, as mos bëj diçka të ngjashme” (Doktrina e Besëlidhje 59:6; theksimi i shtuar). Veprat e dhunshme dhe keqtrajtimi për të cilat një këshill për anëtarësinë mund të jetë i nevojshëm, përfshijnë (por nuk kufizohen me) ato që renditen më poshtë.

Tentativë për Vrasje. Përpjekja e qëllimshme për ta vrarë dikë.

Keqtrajtimi Seksual, Përfshirë Sulmin dhe Ngacmimin. Keqtrajtimi seksual mbulon një gamë të gjerë veprimesh (shihni 38.6.18). Mund të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë për një person që ka sulmuar ose ka keqtrajtuar dikë seksualisht. Shihni 38.6.18.3 për rastet kur kërkohet një këshill.

Keqtrajtimi i një Bashkëshorteje/i apo një Personi Tjetër në Moshë Madhore. Ka një diapazon të ashpërsisë në sjelljeje keqtrajtuese (shihni 38.6.2.4). Mund të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë për një person që ka keqtrajtuar një bashkëshort/e ose një person tjetër në moshë madhore. Shihni 38.6.2.4 për rastet kur kërkohet një këshill.

32.6.2.2

Imoraliteti Seksual

Ligji i Zotit për dëlirësinë është shmangia nga marrëdhëniet seksuale jashtë një martese midis një burri dhe një gruaje sipas ligjit të Perëndisë (shihni tek Eksodi 20:14; Doktrina e Besëlidhje 63:16). Mund të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë për imoralitetin seksual, siç përshkruhet te 38.6.5. Shihni 32.6.1.2 për rastet kur kërkohet një këshill.

32.6.2.3

Veprimet Mashtruese

Dhjetë Urdhërimet na mësojnë: “Nuk do të vjedhësh” as nuk do të “bësh dëshmi të rreme” (Eksodi 20:15–16). Mund të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë për veprime të tilla si plaçkitje, grabitje, vjedhje, përvetësim financiar, dëshmi të rreme dhe mashtrim. Shihni 38.8.2 për mashtrim duke përdorur afrinë. Shihni 32.6.1.3 për rastet kur kërkohet një këshill për veprimet mashtruese. Shihni 32.6.3.3 nëse një anëtar u përfshi në përvetësimin e fondeve ose gjërave me vlerë të Kishës.

32.6.2.4

Shkeljet e Mirëbesimit

Mund të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë në qoftë se një anëtar/e:

  • Kryen një mëkat të rëndë ndërkohë që mban një pozicion autoriteti ose mirëbesimi në Kishë apo në komunitet.

  • Kryen një mëkat të rëndë që është gjerësisht i njohur.

Shihni 32.6.1.4 për rastet kur kërkohet një këshill. Shihni 32.6.3.3 nëse një anëtar u përfshi në përvetësimin e fondeve ose gjërave me vlerë të Kishës.

32.6.2.5

Disa Veprime të Tjera

Mbreti Beniamin dha mësim: “Unë nuk mund t’ju tregoj juve të gjitha gjërat që mund t’ju shtyjnë të bëni mëkat; pasi ka mënyra dhe mjete të ndryshme, madje aq shumë sa unë nuk mund t’i numëroj ato” (Mosia 4:29). Një këshill mund të jetë i nevojshëm nëse një person:

  • Tregon një zakon të kryerjes së mëkateve të rënda (shihni te Doktrina e Besëlidhje 82:7)

  • Qëllimisht i braktis përgjegjësitë familjare, përfshirë mospagesën e përkrahjes financiare [me vendim gjykate] ndaj fëmijëve dhe bashkëshortes/it.

  • Kërcënon me dhunë fizike, qoftë me prani fizike apo me anë të internetit (shihni 32.2.1).

  • Shet droga të paligjshme.

  • Kryen veprime të tjera të rënda kriminale.

Një këshill për anëtarësinë mund të jetë i nevojshëm nëse një anëtar/e i nënshtrohet një aborti, kryen, organizon, paguan ose nxit për një abort. Shihni 38.6.1 për orientime.

Rastet kur Mund të Kërkohet ose Mund të Jetë i Nevojshëm një Këshill për Anëtarësinë

Lloji i Mëkatit

Kërkohet një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.1)

Mund të Jetë i Nevojshëm një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.2)

Lloji i Mëkatit

Veprimet e Dhunshme dhe Keqtrajtimi

Kërkohet një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.1)

  • Vrasja

  • Përdhunimi

  • Dënimi për sulm seksual

  • Keqtrajtimi i një fëmije, një të riu ose të reje

  • Sjellja grabitqare e dhunshme

Mund të Jetë i Nevojshëm një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.2)

  • Tentativa për vrasje

  • Keqtrajtimi seksual, përfshirë sulmin dhe ngacmimin (shihni 38.6.18 për rastet kur kërkohet një këshill)

  • Keqtrajtimi i një bashkëshorteje/i apo një personi tjetër në moshë madhore (shihni 38.6.2.4 për rastet kur kërkohet një këshill)

Lloji i Mëkatit

Imoraliteti Seksual

Kërkohet një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.1)

  • Incesti

  • Pornografia që përfshin fëmijë

  • Martesa e shumëfishtë

  • Sjellja grabitqare seksuale

Mund të Jetë i Nevojshëm një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.2)

  • Shkelja e kurorës, kurvëria dhe marrëdhëniet mes së njëjtës gjini

  • Bashkëjetesa midis një burri e një gruaje, bashkëjetesa mes së njëjtës gjini dhe partneritetet seksuale, si dhe martesa mes së njëjtës gjini

  • Përdorimi intensiv ose me fiksim i pornografisë që i ka shkaktuar dëmtim të madh martesës ose familjes së një anëtari/eje.

Lloji i Mëkatit

Veprimet Mashtruese

Kërkohet një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.1)

  • Sjellja si grabitqar financiar, e tillë si mashtrimi dhe veprimtari të ngjashme (shihni 32.6.3.3 nëse anëtari u përfshi në përvetësimin e fondeve ose gjërave me vlerë të Kishës)

Mund të Jetë i Nevojshëm një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.2)

  • Plaçkitja, grabitja, vjedhja ose përvetësimi financiar (shihni 32.6.3.3 nëse anëtari u përfshi në përvetësimin e fondeve ose gjërave me vlerë të Kishës)

  • Dëshmia e rreme

Lloji i Mëkatit

Shkeljet e Mirëbesimit

Kërkohet një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.1)

  • Mëkati i rëndë ndërkohë që mbahet një pozicion i lartë në Kishë

Mund të Jetë i Nevojshëm një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.2)

  • Mëkati i rëndë ndërkohë që mbahet një pozicion autoriteti ose mirëbesimi në Kishë apo në komunitet (shihni 32.6.3.3 nëse anëtari u përfshi në përvetësimin e fondeve ose gjërave me vlerë të Kishës)

  • Mëkati i rëndë që dihet nga shumë njerëz

Lloji i Mëkatit

Disa Veprime të Tjera

Kërkohet një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.1)

  • Shumica e dënimeve për krime të rënda

Mund të Jetë i Nevojshëm një Këshill për Anëtarësinë (shihni 32.6.2)

  • Aborti

  • Zakoni i mëkateve të rënda

  • Braktisja me qëllim e përgjegjësive familjare, përfshirë mospagesën e përkrahjes financiare [me vendim gjykate] ndaj fëmijëve dhe bashkëshortes/it

  • Shitja e drogave të paligjshme

  • Veprime të tjera të rënda kriminale

32.6.3

Rastet kur Presidenti i Kunjit Këshillohet me Presidencën e Zonës mbi Faktin nëse një Këshill për Anëtarësinë ose Ndonjë Veprim Tjetër Është i Nevojshëm

Disa çështje kërkojnë ndjeshmëri dhe udhërrëfim shtesë. Që të dijë se si të ndihmojë më së miri, presidenti i kunjit duhet të këshillohet me Presidencën e Zonës për situatat në këtë pjesë. Megjithatë, vetëm presidenti i kunjit vendos nëse duhet të mblidhet një këshill për ta shqyrtuar sjelljen. Nëse mblidhet një këshill, presidenti i kunjit ose peshkopi vendos për rezultatin.

Nëse mblidhet një këshill për anëtarësinë për njërën nga çështjet e përvijuara në këtë pjesë, vendimi i këshillit duhet të jetë “mbetet me status të mirë”, “kufizime formale të anëtarësisë” ose “heqje të anëtarësisë”. Miratimi i Presidencës së Parë kërkohet për t’i hequr kufizimet formale ose për ta ripranuar personin në Kishë (shihni 32.16.1, numri 9).

32.6.3.1

Veprim Tjetër

Në qoftë se nuk mblidhet një këshill për anëtarësinë, një veprim tjetër mund të përfshijë:

  • Kufizimet joformale të anëtarësisë (shihni 32.8.3).

  • Shënimin shpjegues në dokumentin e anëtarësisë (shihni 32.14.5).

  • Kufizimet e ordinancave, të cilat e kufizojnë një person nga marrja ose ushtrimi i priftërisë apo nga marrja ose përdorimi i një rekomandimi të tempullit.

Presidenti i kunjit këshillohet me Presidencën e Zonës përpara se të ndërmerret njëri prej këtyre veprimeve.

32.6.3.2

Braktisja Fetare

Çështjet e braktisjes fetare shpesh kanë ndikim përtej kufijve të një lagjeje ose kunji. Nevojitet që ato të shqyrtohen menjëherë për t’i mbrojtur të tjerët.

Peshkopi këshillohet me presidentin e kunjit nëse e ndien se veprimi i një anëtari/eje mund të përbëjë braktisje fetare. Peshkopi ose presidenti i kunjit mund të vendosë kufizime joformale të anëtarësisë mbi anëtarin/en (shihni 32.8.3). Presidenca e kunjit menjëherë këshillohet me Presidencën e Zonës. Megjithatë, vetëm presidenti i kunjit vendos nëse është i nevojshëm një këshill për anëtarësinë ose ndonjë veprim tjetër.

Siç përdoret këtu, termi braktisje fetare i referohet përfshirjes së një anëtari/eje në njërën nga sa vijojnë:

  • Veprimin në mënyrë të përsëritur, të qartë dhe me dashje në kundërshtim të hapur ndaj Kishës, doktrinës së saj, rregullores së saj apo udhëheqësve të saj

  • Ngulmimin që të japë mësim si doktrinë të Kishës atë që nuk është doktrinë e Kishës, pasi të jetë korrigjuar nga peshkopi ose presidenti i kunjit

  • Shfaqjen e një zakoni të të punuarit qëllimisht për ta dobësuar besimin dhe statusin aktiv të anëtarëve të Kishës

  • Vazhdimin e ndjekjes së mësimeve të sekteve braktisëse pasi të jetë korrigjuar nga peshkopi ose presidenti i kunjit

  • Bashkimin formalisht me një kishë tjetër dhe nxitjen e mësimeve të saj (Vetëm mospjesëmarrja tërësore në Kishë ose vajtja në një kishë tjetër nuk përbën braktisje fetare. Gjithsesi, nëse një anëtar formalisht bashkohet me një kishë tjetër dhe i mbron mësimet e saj, mund të jetë e nevojshme heqja e anëtarësisë së tij ose të saj.)

Shpëtimtari u mësoi nefitëve se ata duhet të vazhdojnë t’i japin shërbesë një personi që ka mëkatuar. “Por në qoftë se ai nuk pendohet, nuk duhet të numërohet mes njerëzve të mi, që ai të mos mund të shkatërrojë popullin tim” (3 Nefi 18:31).

32.6.3.3

Përvetësimi i Fondeve të Kishës

Në qoftë se një anëtar përvetëson fonde të Kishës ose vjedh gjëra me vlerë të Kishës, presidenti i kunjit këshillohet me Presidencën e Zonës nëse mund të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë ose ndonjë veprim tjetër. Udhëheqësit marrin parasysh:

  • Shumën e përvetësuar ose të vjedhur.

  • Nëse përvetësimi ishte një rast i vetëm apo një përsëritje.

  • Nëse është bërë kthimi i shumës së përvetësuar.

  • Nivelin e keqardhjes që ndien personi.

  • Pozitën e mbajtur nga anëtari (shihni 32.6.1.4 për anëtarët që mbajnë një pozicion të spikatur në Kishë).

Presidenti i kunjit raporton një nga gjërat që vijojnë në sistemin Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit:

  • Rezultatet e një këshilli të anëtarësisë

  • Që ai u këshillua me Presidencën e Zonës dhe vendosi se nuk ishte i nevojshëm një këshill për anëtarësinë

Nëse Sektori i Kontrollit Financiar të Kishës vendos që një udhëheqës ose punonjës i Kishës ka përvetësuar fonde ose gjëra me vlerë të Kishës, Presidenca e Parë në përgjithësi udhëzon se do t’i vihet shënim shpjegues dokumentit të tij ose të saj të anëtarësisë. Fjala “udhëheqës” përkufizohet si një njeri që mban një pozicion të spikatur në Kishë, si edhe këshilltarët, nëpunësit ose presidencat e degëve. Kur pendimi është i plotë, një president kunji mund të kërkojë heqjen e shënimit shpjegues (shihni 32.14.5 dhe 34.7.5). Një shënim shpjegues nuk do të thotë që ka ndodhur një këshill për anëtarësinë ose ndonjë veprim tjetër.

32.6.3.4

Individët Transgjinorë

Peshkopët dhe presidentët e kunjeve kur punojnë me persona që e përcaktojnë veten si transgjinorë, duhet të ndjekin orientimet te 38.6.23.

32.6.4

Rastet kur Normalisht Nuk Është i Nevojshëm një Këshill për Anëtarësinë

Një këshill për anëtarësinë normalisht nuk është i nevojshëm në rastet e mëposhtme.

32.6.4.1

Mospajtimi me Disa Standarde të Kishës

Një këshill për anëtarësinë nuk mblidhet për veprimet e renditura më poshtë. Gjithsesi, vini re përjashtimin në zërin e fundit.

  • Qenia joaktiv në Kishë

  • Mospërmbushja e detyrave të Kishës

  • Mospagimi i së dhjetës

  • Mëkatet nga mosveprimi

  • Masturbimi

  • Mosmbajtja e Fjalës së Urtësisë

  • Përdorimi i pornografisë, përveç për pornografinë që përfshin fëmijët (siç përvijohet te 38.6.6) ose përdorimi intensiv apo me fiksim i pornografisë që i ka shkaktuar dëmtim të madh martesës ose familjes së një anëtari/eje (siç përvijohet te 38.6.13).

32.6.4.2

Dështimet në Biznes ose Mospagimi i Borxheve

Udhëheqësit nuk duhet të përdorin këshillat për anëtarësinë që të zgjidhin mosmarrëveshjet e bizneseve. Dështimet në biznes dhe mospagimi i borxheve nuk janë arsye për mbledhjen e një këshilli për anëtarësinë. Sidoqoftë, një këshill duhet të mblidhet për veprimtari të rënda mashtruese ose praktika financiare të tjera serioze dhe hileqare (shihni 32.6.1.3).

32.6.4.3

Mosmarrëveshjet Civile

Këshillat për anëtarësinë nuk mblidhen që të zgjidhin mosmarrëveshjet civile (shihni te Doktrina e Besëlidhje 134:11).

32.7

Rrethanat e Personit

Zoti tha: “Krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj; dhe të bekuar qofshin ata që vijnë tek unë” (3 Nefi 9:14). Rrethanat e një personi janë elemente të rëndësishme për të përcaktuar:

  • Mjedisin e duhur për ta ndihmuar atë që të pendohet për mëkate të rënda (shihni 32.5 dhe 32.6).

  • Vendimet e marra në këshillimin vetjak ose këshillat për anëtarësinë (shihni 32.8 dhe 32.11).

Peshkopët dhe presidentët e kunjeve kërkojnë mendjen dhe vullnetin e Zotit për çdo situatë. Ata marrin parasysh faktorët e mëposhtëm në përcaktimin se cilin mjedis të përdorin dhe cili do të jetë rezultati. Këta faktorë nuk diktojnë një vendim të veçantë. Përkundrazi, ata janë ndihma për një vendim të cilin udhëheqësit duhet ta marrin me lutje dhe siç udhërrëfehen nga Shpirti.

32.7.1

Përmasa e Mëkatit

Gjendja sa i rëndë është një mëkat matet nga përmasa e tij. Kjo mund të përfshijë numrin dhe shpeshtësinë e mëkateve të kryera, sa i rëndë është dëmtimi që rrjedh prej tyre, dhe numrin e njerëzve të lënduar prej tyre.

32.7.2

Interesat e Viktimës

Udhëheqësit marrin në konsideratë interesat e viktimave dhe të njerëzve të tjerë. Këta mund të përfshijnë bashkëshorten/in dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së një personi. Udhëheqësit gjithashtu marrin parasysh sa i madh është dëmtimi.

32.7.3

Provat e Pendimit

Nevojitet udhërrëfim shpirtëror për të dalluar nëse një person është penduar sinqerisht. Një pendim i tillë tregohet në mënyrë më të besueshme nga veprimet e drejta për një periudhë kohe sesa nga pikëllimi i thellë gjatë një interviste të vetme. Faktorët për t’u marrë parasysh përfshijnë:

  • Forcën e besimit te Jezu Krishti.

  • Natyrën e rrëfimit.

  • Thellësinë e pikëllimit për mëkatin.

  • Dëmshpërblimin e personave të dëmtuar.

  • Pajtueshmërinë me kërkesat ligjore.

  • Suksesin në braktisjen e mëkatit.

  • Besnikërinë në bindjen ndaj urdhërimeve që prej kryerjes së mëkatit.

  • Ndershmërinë me udhëheqësit e Kishës dhe të tjerët.

  • Gatishmërinë për ta ndjekur këshillën e udhëheqësve të Kishës.

Pamja
grua duke u lutur

32.7.4

Shkelja e Besëlidhjeve të Tempullit

Zoti shpalli: “Sepse atij që shumë i është dhënë, shumë i kërkohet” (Doktrina e Besëlidhje 82:3). Një person i cili e ka kryer ordinancën e dhurimit në tempull, ka bërë besëlidhje për të jetuar një standard më të lartë. Shkelja e këtyre besëlidhjeve e bën më të rëndë mëkatin. Kjo e rrit mundësinë që të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë.

32.7.5

Pozicioni i Mirëbesimit ose Autoritetit

Gjendja e rëndë e një mëkati shtohet nëse një person e kreu atë ndërkohë që ishte në një pozicion mirëbesimi ose autoriteti, të tilla si një prind, udhëheqës/e ose mësues/e.

32.7.6

Përsëritja

Një zakon i përsëritjes së të njëjtit mëkat të rëndë mund të tregojë një sjellje ose varësi të ngulitur thellë që e pengon përparimin drejt pendimit të vërtetë. Përveç kufizimeve në anëtarësinë që mund të jenë të nevojshme, mund të jenë të dobishme programe të shërimit nga varësia dhe këshillimi profesional (shihni 32.8.2).

32.7.7

Mosha, Pjekuria dhe Përvoja

Udhëheqësit marrin parasysh moshën, pjekurinë dhe përvojën kur e këshillojnë një anëtar/e ose marrin vendim për rezultatin e një këshilli për anëtarësinë. Shpesh zemërbutësia është e përshtatshme për ata që janë të paformuar në ungjill. Për shembull, zemërbutësia mund të jetë e përshtatshme për anëtarë të rinj të cilët përfshihen në sjellje të pamoralshme, në qoftë se ata e braktisin mëkatin dhe shfaqin pendim të sinqertë. Megjithatë, veprim më i rreptë mund të nevojitet nëse ata e vazhdojnë atë sjellje.

32.7.8

Aftësia Mendore

Sëmundja mendore, varësia ose aftësia e kufizuar mendore nuk e shfajëson një person që ka kryer një mëkat të rëndë. Sidoqoftë, këta janë faktorë për t’u marrë parasysh. Si pjesë e ndihmës ndaj një personi për t’u penduar, udhëheqësit kërkojnë udhërrëfimin e Zotit rreth kuptueshmërisë së personit për parimet e ungjillit dhe nivelin e përgjegjshmërisë.

32.7.9

Rrëfimi me Dashje

Një rrëfim me dashje dhe një hidhërim i perëndishëm për veprimet e veta tregon një dëshirë për t’u penduar.

32.7.10

Koha midis Mëkatit dhe Rrëfimit

Rrëfimi është pjesë e pendimit dhe nuk duhet vonuar. Nganjëherë një mëkat ndiqet nga një periudhë e gjatë e rimëkëmbjes dhe të jetuarit besnik. Nëse një anëtar/e e rrëfen një mëkat dhe nuk e ka përsëritur atë, kjo mund të tregojë se ai ose ajo e ka braktisur atë. Në këtë rast, rrëfimi mund ta përfundojë në vend që ta fillojë procesin e pendimit.

32.7.11

Mëkate që Përfshijnë Anëtarë që Jetojnë në Lagje ose Kunje të Ndryshëm

Nganjëherë anëtarët që kryejnë së bashku një mëkat të rëndë, jetojnë në lagje ose kunje të ndryshme. Në këtë situatë, presidentët e kunjeve këshillohen së bashku rreth nevojës për kufizimet ose këshillat për anëtarësinë. Ata gjithashtu diskutojnë nëse e meritojnë që të kenë të njëjtat kufizime ose vendime të këshillit apo nëse ka çështje të tjera që mund të vënë në dukje një nevojë për rezultate të ndryshme.


ADMINISTRIMI I KËSHILLIMIT VETJAK


32.8

Këshillimi Vetjak dhe Kufizimet Joformale të Anëtarësisë

Këshillimi vetjak shpesh është i mjaftueshëm për të ndihmuar për mbrojtjen e të tjerëve dhe që ta ndihmojë një person për ta përdorur fuqinë shëlbuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit nëpërmjet pendimit. Një këshillim i tillë gjithashtu mund t’i ndihmojë anëtarët të ruhen prej mëkateve më të rënda. Në këshillimin vetjak, udhëheqësit mund të japin edhe kufizime joformale të anëtarësisë për ta ndihmuar një anëtar/e të pendohet për disa mëkate të rënda (shihni 32.8.3).

Mëkatet e rënda nuk duhet të trajtohen me lehtësi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:31). Shkelja e besëlidhjeve të tempullit e rrit gjasën që të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë (shihni 32.7.4).

Orientimet për t’i ndihmuar udhëheqësit të dinë se kur mund të jenë të mjaftueshme këshillimi dhe kufizimet joformale, renditen më poshtë (shihni edhe 32.7):

  • Një person nuk ka kryer një mëkat të tillë që do të kërkonte një këshill për anëtarësinë (shihni 32.6.1).

  • Një person ka kryer rrëfimin me dashje dhe pendohet sinqerisht.

  • Një person po pendohet për një mëkat të rëndë të cilin ai ose ajo nuk e ka kryer më parë.

  • Mëkati i një personi nuk i ka shkelur besëlidhjet e tempullit.

  • Një person ka rrethana tepër lehtësuese.

32.8.1

Këshillimi Vetjak

Orientimet vijuese gjejnë zbatim kur një peshkop ose president kunji po e këshillon një anëtar/e për ta ndihmuar atë që të pendohet.

  • Kërkoni vetëm aq informacion sa të përcaktoni 1) qëndrimin e anëtarit/es kundrejt sjelljes mëkatare dhe 2) natyrën, shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen e sjelljes. Mos kërkoni hollësi përtej asaj që është e nevojshme për të kuptuar situatën. Mos bëni pyetje që ngrihen nga kureshtja vetjake.

  • Pyetni se si ka ndikuar sjellja tek të tjerët.

  • Përqendrohuni te kushtet pozitive që e thellojnë kthimin e anëtarit në besimin te Zoti dhe zotimin ndaj Tij. Nxiteni anëtarin/en që të ndërmarrë veprime të caktuara për të ndodhur ndryshimi i sjelljes dhe ndryshimi i zemrës që të pendohet. Ftojeni të afrohet më pranë Shpëtimtarit, duke kërkuar forcën e Tij për ta ndier dashurinë e Tij shëlbuese.

  • Nxitni veprimtari që lartësojnë moralisht, të tilla si lutja, studimi i shkrimeve të shenjta dhe pjesëmarrja në mbledhjet e Kishës. Mësojini se historia familjare dhe puna në tempull mund ta pakësojnë ndikimin e kundërshtarit. Nxitni shërbimin ndaj të tjerëve dhe shpërndarjen e ungjillit.

  • Nxiteni bërjen e dëmshpërblimit ndaj atyre që janë lënduar nga mëkatet, dhe kërkimin e faljes.

  • Nxiteni largimin prej ndikimeve të këqija. Ndihmojini anëtarët të ndërmarrin veprime parandaluese për t’u bërë ballë tundimeve të caktuara.

  • Kuptojeni se ju jeni një udhëheqës kishtar, jo një këshillues profesionist. Përveç këshillimit që jepni ju, disa anëtarë do të përfitonin nga këshillimi profesionist për sjelljen. Disa vuajnë nga sëmundje mendore. Siç nevojitet, këshillojini anëtarët të kërkojnë ndihmë nga profesionistë të kualifikuar mjekësorë, si dhe nga ata për shëndetin mendor.

  • Jini plot lutje dhe kërkoni udhërrëfim nga Shpirti përpara se të jepni kufizime joformale të anëtarësisë. Disa anëtarë mund të përfitojnë nga ushtrimi i privilegjeve të anëtarësisë në Kishë më aktivisht sesa kur ato u kufizohen.

  • Ndiqeni ecurinë që të jepni inkurajim, të rritni forcën shpirtërore dhe të vëzhgoni përparimin.

Pasi një anëtar/e është rrëfyer te një peshkop ose president kunji, këshillimi për të ndjekur ecurinë mund të ndodhë në disa mënyra. Udhëheqësi vetë mund ta bëjë atë. Ose, me lejen e anëtarit/es, ai mund të caktojë njërin nga këshilltarët e tij që ta bëjë atë.

Me miratimin e anëtarit/es, një peshkop ose president kunji mund të caktojë anëtarë të kuorumit të pleqve ose anëtare të Shoqatës së Ndihmës për të ndihmuar në mënyra të caktuara. Për rininë, ai mund të caktojë për të ndihmuar presidencën e Të Rejave ose këshilluesit e kuorumeve të Priftërisë Aarone. Personat që caktohen për të ndihmuar, kanë të drejtën për frymëzim që ta përmbushin atë detyrë të caktuar (shihni 4.2.6).

Kur cakton dikë që të ndihmojë në këshillimin për ndjekjen e ecurisë, udhëheqësi i jep vetëm aq informacion sa i nevojitet për ta ndihmuar anëtarin/en. Personi i caktuar duhet ta ruajë konfidencialitetin. Ai ose ajo gjithashtu e informon peshkopin për përparimin dhe nevojat e anëtarit/es.

32.8.2

Ndihma ndaj Njerëzve që Kanë Varësi

Këshillimi vetjak nganjëherë përfshin ndihmën ndaj anëtarëve që të pendohen për mëkatet që lidhen me varësitë ose që shkaktohen prej tyre. Këto varësi mund të përfshijnë substanca ose një gamë të gjerë sjelljesh. Varësitë i dëmtojnë individët, martesat dhe familjet. Peshkopët mund t’i këshillojnë anëtarët që të kërkojnë ndihmë nga programet e Kishës për riaftësimin nga varësitë dhe nga profesionistë të kualifikuar mjekësorë, si dhe nga ata për shëndetin mendor.

Një varësi gjithnjë e më e zakonshme që po rritet, është përdorimi i pornografisë. Qoftë një varësi apo një sjellje rastësore, përdorimi i pornografisë të çfarëdo lloji është i dëmshëm. Përdorimi i saj e largon Shpirtin. Ajo e dobëson aftësinë për të marrë nga fuqia që vjen prej mbajtjes së besëlidhjeve. Ajo gjithashtu i dëmton marrëdhëniet e çmuara.

Këshillimi vetjak dhe kufizimet joformale të anëtarësisë janë zakonisht të mjaftueshme për ta ndihmuar një njeri që të pendohet për përdorimin e pornografisë. Zakonisht nuk mblidhen këshillat për anëtarësinë. Për përjashtime, shihni 38.6.6 dhe 38.6.13. Këshillimi profesionist mund të jetë i dobishëm.

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët i përkrahin pjesëtarët e familjes si të jetë e nevojshme. Mund të përfshihen prindërit kur rinia këshillohet rreth përdorimit të pornografisë. Mund të përfshihet bashkëshorti/ja kur këshillohet një person i martuar.

Për më shumë informacion rreth këshillimit të anëtarëve që përfshihen me pornografinë, shihni 38.6.13.

32.8.3

Kufizimet Joformale të Anëtarësisë

Përveç nxitjes së veprimeve pozitive kur këshillon, një peshkop ose president kunji mund t’i kufizojë joformalisht disa privilegje të anëtarësisë në Kishë për njëfarë kohe. Kur administrohen me urtësi, këto kufizime mund të ndihmojnë për pendimin dhe përparimin shpirtëror. Ato konsiderohen joformale ngaqë nuk shënohen në një dokument të anëtarësisë.

Kufizimet joformale mund të zgjatin pak javë, disa muaj ose më gjatë nëse është e nevojshme për personin që të pendohet tërësisht. Në rrethana të pazakonta, koha mund të jetë më e gjatë se një vit.

Udhëheqësit kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit se cilat kufizime do të jenë më të mirat për ta ndihmuar një person që të pendohet. Këto mund të përfshijnë (por nuk kufizohen me) pezullimin e privilegjit për të shërbyer në një thirrje të Kishës, për të ushtruar priftërinë ose për të hyrë në tempull. Udhëheqësi gjithashtu mund ta kufizojë personin që të mos japë një bisedë, mësim ose lutje në mjedise të Kishës. Nëse udhëheqësi e pezullon të drejtën për të hyrë në tempull, ai e anulon rekomandimin e tempullit në sistemin Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (BUN).

Marrja e sakramentit është pjesë e rëndësishme e pendimit. Ai nuk duhet të jetë kufizimi i parë që i jepet një personi të penduar, që ka një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Megjithatë, nëse një person ka kryer mëkate të rënda, një udhëheqës mund ta pezullojë këtë privilegj për njëfarë kohe.

Udhëheqësit normalisht nuk i tregojnë askujt tjetër rreth kufizimeve joformale, në qoftë se nuk ekziston nevoja për ta ditur (shihni 32.12.2).

Peshkopi ose presidenti i kunjit mund t’i heqë kufizimet joformale siç udhërrëfehet nga Shpirti, kur personi bën përparim të veçantë në pendimin e pashtirur. Nëse anëtari e vazhdon zakonin e mëkatit, mund të jetë e dobishme ose e nevojshme që të mblidhet një këshill për anëtarësinë.

Pamja
grua duke u lutur

ADMINISTRIMI I KËSHILLAVE TË KISHËS PËR ANËTARËSINË


Këshillat e Kishës për anëtarësinë mblidhen kur peshkopi ose presidenti i kunjit përcakton se ata do të jenë të dobishëm ose kur kërkohen nga rregullorja e Kishës (shihni 32.6). Ata mblidhen në nivel lagjeje, kunji, dege, distrikti ose misioni. Kjo pjesë siguron informacion rreth mënyrës se si t’i administroni ato.

32.9

Pjesëmarrja dhe Përgjegjësia

Tabela vijuese tregon se kush merr pjesë normalisht në këshillat për anëtarësinë.

Pjesëmarrësit në Këshillat për Anëtarësinë

Këshilli i Lagjes për Anëtarësinë

Pjesëmarrësit në Këshillat për Anëtarësinë

  • Personi për të cilin mblidhet këshilli

  • Peshkopi dhe këshilltarët e tij

  • Nëpunësi i lagjes

  • Presidenti i kuorumit të pleqve ose presidentja e Shoqatës së Ndihmës (jo e detyrueshme; shihni 32.10.1)

Këshilli i Kunjit për Anëtarësinë

Pjesëmarrësit në Këshillat për Anëtarësinë

  • Personi për të cilin mblidhet këshilli

  • Presidenti i kunjit dhe këshilltarët e tij

  • Nëpunësi i kunjit

  • Këshilltarët e lartë (në situata të kufizuara siç shpjegohet te 32.9.2)

  • Peshkopi i personit për të cilin mblidhet këshilli (jo e detyrueshme; shihni 32.9.3)

  • Presidenti i kuorumit të pleqve ose presidentja e Shoqatës së Ndihmës (jo e detyrueshme; shihni 32.10.1)

32.9.1

Presidenti i Kunjit

Presidenti i kunjit:

  • Ka autoritet mbi këshillat për anëtarësinë në kunj; sidoqoftë, shumica e këtyre këshillave mblidhen nga peshkopët.

  • Duhet të japë miratim përpara se një peshkop të mbledhë një këshill për anëtarësinë.

  • Mbledh një këshill të kunjit për anëtarësinë nëse një burri ose një gruaje që e ka kryer ordinancën e dhurimit në tempull, ka të ngjarë që t’i hiqet anëtarësia e tij ose e saj në Kishë.

  • Mund të mbledhë një këshill nëse një anëtar e apelon vendimin e një këshilli të lagjes për anëtarësinë.

  • Duhet të japë miratim përpara se të jetë përfundimtar rekomandimi i këshillit të lagjes për anëtarësinë që të hiqet anëtarësia e një personi që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit.

32.9.2

Këshilli i Lartë

Anëtarët e këshillit të lartë normalisht nuk marrin pjesë në këshillat e kunjit për anëtarësinë. Megjithatë, këshilli i lartë mund të marrë pjesë në situata të vështira (shihni te Doktrina e Besëlidhje 102:2). Për shembull, presidenca e kunjit mund ta ftojë këshillin e lartë të marrë pjesë kur:

  • Ka fakte kundërshtuese me njëri‑tjetrin.

  • Ata do të shtojnë vlerë dhe baraspeshim.

  • Anëtari/ja e kërkon pjesëmarrjen e tyre.

  • Përfshihet një anëtar i presidencës së kunjit ose familja e tij (shihni 32.9.7).

32.9.3

Peshkopi (ose Presidenti i Degës në një Kunj)

Peshkopi:

  • Ka autoritet mbi këshillat e lagjes për anëtarësinë.

  • Këshillohet me presidentin e kunjit dhe merr miratimin e tij përpara se të mbledhë një këshill.

  • Nuk i lejohet të mbledhë një këshill nëse një burri ose një gruaje që ka e ka kryer ordinancën e dhurimit në tempull, ka të ngjarë që t’i hiqet anëtarësia e tij ose e saj në Kishë. Në ato situata duhet të mblidhet një këshill i kunjit për anëtarësinë.

  • Mund të ftohet për të ndjekur një këshill të kunjit për anëtarësinë për një anëtar/e të lagjes anëtarësia e të cilit/ës po rishikohet. Pjesëmarrja e tij duhet të miratohet nga presidenti i kunjit dhe personi.

Një këshill i lagjes ose degës për anëtarësinë mund të rekomandojë heqjen e anëtarësisë në Kishë të një personi nëse ai ose ajo nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit. Megjithatë, kërkohet miratimi nga presidenti i kunjit përpara se vendimi të bëhet përfundimtar.

Nganjëherë një këshill i lagjes për anëtarësinë mblidhet për një anëtar/e që e ka kryer ordinancën e dhurimit, dhe procedurat zbulojnë se anëtarit/es ka të ngjarë që t’i hiqet anëtarësia e tij ose e saj. Në këto situata, peshkopi ia referon çështjen presidentit të kunjit.

32.9.4

Presidenti i Misionit

Presidenti i misionit:

  • Ka autoritet mbi këshillat për anëtarësinë në degët dhe distriktet e misionit.

  • Duhet të japë miratimin përpara se një president i distriktit ose degës të mund të mbledhë një këshill për anëtarësinë.

  • Mbledh një këshill për anëtarësinë nëse një burri ose një gruaje që e ka kryer ordinancën e dhurimit në tempull, ka të ngjarë që t’i hiqet anëtarësia e tij ose e saj në Kishë. Nëse koha ose largësia e pengojnë këtë gjë, ai mund të caktojë njërin nga këshilltarët e tij për ta kryesuar këshillin. Ai cakton dy mbajtës të tjerë të Priftërisë Melkizedeke që të marrin pjesë.

  • Ku është e mundur, ai mbledh këshilla për anëtarësinë për ata që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit. Nëse koha ose largësia e pengojnë këtë gjë, ai mund të caktojë tre mbajtës të Priftërisë Melkizedeke për ta mbledhur atë. Në këtë rast, presidenti i distriktit ose presidenti i degës së anëtarit e drejton normalisht këshillin.

  • Ai mund të mbledhë një këshill nëse një anëtar e apelon vendimin e një këshilli të distriktit ose të degës për anëtarësinë.

  • Me miratimin e një Autoriteti të Përgjithshëm nga Sektori i Misionarëve, ai mbledh një këshill për anëtarësinë nëse një misionar/e kryen një mëkat të rëndë në fushën e misionit (shihni 32.9.8). Ai gjithashtu e shqyrton çështjen me një anëtar të Presidencës së Zonës dhe këshillohet me presidentin e kunjit të vendbanimit të misionarit.

  • Duhet të japë miratimin përpara se rekomandimi i një këshilli të degës ose distriktit për anëtarësinë të jetë përfundimtar për ta hequr anëtarësinë e personit që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit.

Në qoftë se një misionar/e rrëfen një mëkat të rëndë që ai ose ajo e kreu përpara se të shërbente në mision, presidenti i misionit vihet në kontakt për udhëzim me personin e kontaktit për fushën e misionit të tij në Sektorin e Misionarëve.

Kur një president misioni mbledh një këshill për anëtarësinë, ai cakton dy mbajtës të Priftërisë Melkizedeke që ta ndihmojnë. Vetëm në rrethana të pazakonta ai duhet të caktojë misionarë të rinj në moshë për të ndihmuar. Ai ndjek të njëjtat procedura si në një këshill të kunjit për anëtarësinë (shihni 32.10). Megjithatë, nuk merr pjesë një këshill i lartë ose një këshill distrikti.

32.9.5

Presidenti i Distriktit ose Degës në një Mision

Një president distrikti ose dege në një mision mund të mbledhë një këshill për anëtarësinë kur autorizohet nga presidenti i misionit. Këshilli i distriktit nuk merr pjesë.

Një këshill i distriktit ose degës për anëtarësinë mund të rekomandojë heqjen e anëtarësisë në Kishë të një personi nëse ai ose ajo nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit në tempull. Megjithatë, kërkohet miratimi nga presidenti i misionit përpara se vendimi të bëhet përfundimtar.

32.9.6

Nëpunësi i Kunjit ose i Lagjes

Nëpunësi i kunjit ose i lagjes:

  • Mban shënime me shkrim të këshillit vetëm për aq sa është e nevojshme për të dorëzuar formularin Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë.

  • Përgatit formularin nëse i kërkohet nga udhëheqësi që drejton këshillin.

  • Nuk merr pjesë në diskutimin ose në vendimin e këshillit.

32.9.7

Pjesëmarrja në Rrethana të Pazakonta

Nëse një këshilltar në presidencën e kunjit nuk është në gjendje të marrë pjesë në një këshill për anëtarësinë, presidenti i kunjit i kërkon një këshilltari të lartë ose një prifti tjetër të lartë të zërë vendin e këshilltarit. Nëse presidenti i kunjit nuk është në gjendje të marrë pjesë, Presidenca e Parë mund të autorizojë njërin prej këshilltarëve të tij që të kryesojë në vend të tij.

Nëse një këshilltar në peshkopatë nuk është në gjendje të marrë pjesë në një këshill për anëtarësinë, peshkopi mund t’i kërkojë një prifti të lartë në lagje që të zërë vendin e këshilltarit. Nëse peshkopi nuk është në gjendje të marrë pjesë, ai ia kalon çështjen presidentit të kunjit, i cili mbledh një këshill të kunjit për anëtarësinë. Peshkopit nuk i lejohet të caktojë një këshilltar për të mbledhur një këshill për anëtarësinë.

Nëse një këshill për anëtarësinë po mblidhet për një pjesëtar/e të familjes së peshkopit ose njërit prej këshilltarëve të tij, ai mblidhet në nivel kunji. Nëse po mblidhet për një pjesëtar të familjes së njërit prej këshilltarëve të presidentit të kunjit, presidenti i kunjit cakton një tjetër prift të lartë që të zërë vendin e këshilltarit. Nëse një këshill po mblidhet për një pjesëtar të familjes së presidentit të kunjit, ai këshillohet me Zyrën e Presidencës së Parë.

Nëse një anëtar e kundërshton pjesëmarrjen e peshkopit ose të këshilltarëve të tij, këshilli për anëtarësinë mblidhet në nivel kunji. Nëse një anëtar e kundërshton pjesëmarrjen e njërit prej këshilltarëve të presidentit të kunjit, presidenti i kunjit cakton një prift tjetër të lartë që të zërë vendin e këshilltarit. Nëse anëtari e kundërshton pjesëmarrjen e presidentit të kunjit ose nëse presidenti i kunjit ndien se nuk mund të jetë i paanshëm, ai këshillohet me Zyrën e Presidencës së Parë.

32.9.8

Përcaktimi se Cili Udhëheqës e Mbledh një Këshill në Rrethana të Veçanta

Këshillat për anëtarësinë pothuajse gjithmonë mblidhen në njësinë gjeografike të Kishës që ka dokumentin e anëtarësisë së personit.

Nganjëherë një këshill për anëtarësinë është i nevojshëm për një person që shpërngulet. Nëse shpërngulja është brenda të njëjtit kunj, presidenti i kunjit këshillohet me peshkopët e të dyja lagjeve dhe vendos se ku duhet të ndodhë këshilli.

Nëse anëtari/ja shpërngulet jashtë kunjit, presidentët e kunjit të të dyja kunjeve diskutojnë dhe vendosin se ku do të ndodhë këshilli. Nëse vendosin që duhet të mblidhet në lagjen ose kunjin e mëparshëm, dokumenti i anëtarësisë mbahet në atë lagje derisa të përfundojë këshilli. Përndryshe, dokumenti transferohet në lagjen e re. Peshkopi ose presidenti i kunjit në mënyrë konfidenciale e njofton peshkopin ose presidentin e kunjit të tanishëm të anëtarit se përse nevojitet një këshill.

Nganjëherë një këshill për anëtarësinë është i nevojshëm për një anëtar që po jeton përkohësisht larg nga shtëpia. Për shembull, një këshill mund të nevojitet për një student/e ose një anëtar/e në ushtri. Peshkopi ku anëtari/ja jeton përkohësisht, mund të japë këshillë dhe përkrahje. Megjithatë, ai nuk duhet të mbledhë një këshill për anëtarësinë nëse dokumenti i anëtarësisë nuk është në njësinë e tij dhe ai nuk është këshilluar me peshkopin e lagjes së vendbanimit.

Nganjëherë një misionar/e kryen një mëkat të rëndë në fushën e misionit, që nuk zbulohet deri pasi ai ose ajo lirohet nga misioni. Peshkopi dhe presidenti i kunjit diskutojnë se cili prej tyre duhet ta mbledhë këshillin për anëtarësinë. Njëri prej tyre diskuton me presidentin e mëparshëm të misionit përpara se ta mbledhë atë.

32.10

Procedurat e Këshillave për Anëtarësinë

32.10.1

Kush e Jep Njoftimin dhe Përgatitet për Këshillin

Peshkopi ose presidenti i kunjit i jep një anëtari/eje njoftim me shkrim për një këshill për anëtarësinë që do të mblidhet në emër të tij ose të saj. Ai e nënshkruan letrën. Ajo përfshin informacionin vijues:

“[Peshkopata ose presidenca e kunjit] po mbledh një këshill për anëtarësinë në emrin tuaj. Këshilli do të mblidhet më [data dhe ora] në [vendi].

Ky këshill do të marrë në shqyrtim [përmblidhni sjelljen e pahijshme në terma të përgjithshme, por mos jepni hollësi ose prova].

Ju jeni i/e ftuar të merrni pjesë në këshill që të jepni përgjigjen tuaj. Ju mund të siguroni deklarata me shkrim nga persona që mund të japin informacion domethënës. Ju mund t’i ftoni njerëz të tillë që t’i flasin këshillit në emrin tuaj nëse miratohen paraprakisht nga presidenti i kunjit ose peshkopi. Ju gjithashtu mund të ftoni [presidenten e Shoqatës së Ndihmës ose presidentin e kuorumit të pleqve të lagjes] që të jetë e pranishme ose i pranishëm dhe të ofrojë përkrahje.

Të gjithë ata që marrin pjesë, duhet të jenë të gatshëm të veprojnë në pajtim me natyrën e respektueshme të këshillit, përfshirë procedurat dhe konfidencialitetin e tij. Nuk lejohet që të jenë të pranishëm këshillues ligjorë dhe përkrahës përtej atyre që u përmendën më lart.”

Një paragraf në fund mund të përfshijë një shprehje të dashurisë, shpresës dhe shqetësimit.

Orientimet se kë mund të ftojë personi që t’i flasë këshillit, jepen te 32.10.3, numri 4.

Nëse letra nuk mund të dorëzohet personalisht, ajo mund të dërgohet me postë të garantuar ose të regjistruar, me një kërkesë për faturën e marrjes.

Peshkopi ose presidenti i kunjit planifikon një këshill për anëtarësinë në një kohë që është e volitshme për personin. Ai gjithashtu sigurohet që ka pasur kohë për të marrë deklaratat nga viktimat e sjelljes së pahijshme nëse dëshirojnë që t’i japin ato (shihni 32.10.2).

Peshkopi ose presidenti i kunjit e përgatit anëtarin/en për këshillin duke i shpjeguar qëllimin dhe procedurat e tij. Ai gjithashtu shpjegon vendimet që mund të marrë këshilli dhe rrjedhojat e tyre. Nëse një anëtar/e është rrëfyer, udhëheqësi shpjegon se do të jetë e nevojshme që rrëfimi të përdoret në këshillin për anëtarësinë.

32.10.2

Kush Merr Deklarata nga Viktimat

Kur një anëtar i Kishës është viktimë (e tillë si: e incestit, e keqtrajtimit me fëmijët, e keqtrajtimit nga bashkëshorti/ja ose e mashtrimit), peshkopi ose presidenti i kunjit vihet në kontakt me peshkopin ose presidentin aktual të kunjit të atij personi. Këta udhëheqës përcaktojnë nëse do të jetë e dobishme që t’i japin mundësi viktimës për të bërë një deklaratë me shkrim rreth sjelljes së pahijshme dhe efekteve të saj. Këto deklarata mund të lexohen në një këshill për anëtarësinë (shihni 32.10.3, numri 3). Udhëheqësit e Kishës nuk kanë autoritet për ta filluar kontaktin me viktimat që nuk janë anëtarë të Kishës.

Çdo takim me një viktimë për këtë qëllim kryhet nga peshkopi apo presidenti aktual i kunjit të tij ose të saj. Nëse një viktimë jep një deklaratë, ky udhëheqës ia jep atë peshkopit ose presidentit të kunjit i cili mbledh këshillin për anëtarësinë. Udhëheqësit duhet të tregojnë kujdes të madh për të shmangur trauma të mëtejshme.

Çdo kërkim të dhënash rreth një viktime që është nën moshën 18 vjeç, bëhet nëpërmjet prindërve ose kujdestarëve ligjorë të fëmijës, në qoftë se bërja e kësaj gjëje nuk e vë në rrezik viktimën.

Për informacion rreth mënyrës se si peshkopët dhe presidentët e kunjeve marrin udhërrëfim në rastet e keqtrajtimit, shihni 32.4.5 dhe 38.6.2.1.

32.10.3

Kush e Drejton Këshillin

Menjëherë përpara se të fillojë këshilli, peshkopi ose presidenti i kunjit u thotë pjesëmarrësve se për kë është mbledhur këshilli dhe cila është sjellja e pahijshme që u raportua. Nëse është e nevojshme, ai shpjegon procedurat e këshillit.

Personi, nëse është i pranishëm, më pas ftohet të hyjë në dhomë. Nëse peshkopi është ftuar të marrë pjesë në një këshill të kunjit për anëtarësinë, ai gjithashtu ftohet në dhomë në këtë kohë. Nëse personi ftoi presidenten e Shoqatës së Ndihmës ose presidentin e kuorumit të pleqve të lagjes që të jetë i pranishëm dhe të japë përkrahje, ajo ose ai gjithashtu ftohet të hyjë në dhomë.

Peshkopi ose presidenti i kunjit e drejton këshillin me një frymë dashurie, siç përvijohet më poshtë.

  1. Ai fton dikë të bëjë një lutje hapjeje.

  2. Ai thotë sjelljen e pahijshme të raportuar. Ai i jep mundësi personit (nëse është i pranishëm) që ta pohojë, mohojë ose qartësojë këtë deklaratë.

  3. Nëse anëtari/ja e pranon sjelljen e pahijshme, peshkopi ose presidenti i kunjit vazhdon me pikën 5 më poshtë. Nëse anëtari/ja e mohon, peshkopi ose presidenti i kunjit paraqet informacion rreth asaj sjelljeje. Kjo mund të përfshijë paraqitjen e dokumenteve të besueshme dhe leximin me zë të lartë të ndonjë deklarate me shkrim nga viktimat (shihni 32.10.2). Nëse e lexon një deklaratë të tillë, ai mbron identitetin e viktimës.

  4. Nëse anëtari/ja e mohon sjelljen e pahijshme, ai ose ajo i paraqet informacionin këshillit. Ky mund të jetë me shkrim. Ose anëtari mund t’u kërkojë personave që mund të japin informacion domethënës, që t’i flasin këshillit, një e nga një. Persona të tillë duhet të jenë anëtarë të Kishës, përveç rastit kur peshkopi ose presidenti i kunjit ka vendosur paraprakisht se mund të marrë pjesë një joanëtar. Ata presin në një dhomë të veçantë derisa t’u kërkohet të flasin. Çdo person largohet nga dhoma e këshillit kur ai ose ajo mbaron. Ata duhet të jenë të gatshëm të veprojnë në përputhje me natyrën e respektueshme të këshillit, përfshirë procedurat dhe konfidencialitetin e tij. Anëtarëve nuk u lejohet të kenë këshillues ligjorë të pranishëm. As nuk mund të kenë njerëz përkrahës përveç atyre që përmenden në paragrafin e dytë të kësaj pjese.

  5. Peshkopi ose presidenti i kunjit mund t’i bëjë pyetje anëtarit në mënyrë të sjellshme dhe të respektueshme. Ai gjithashtu mund t’u bëjë pyetje personave të tjerë që anëtari i ka kërkuar të japin informacion. Pyetje mund të bëjnë edhe këshilltarët në peshkopatë apo në presidencën e kunjit. Pyetjet duhet të jenë të shkurtra dhe të kufizuara te faktet thelbësore.

  6. Pasi është paraqitur i gjithë informacioni domethënës, peshkopi ose presidenti i kunjit e largon anëtarin/en nga dhoma. Nëpunësi gjithashtu lejohet të largohet, në qoftë se këshilli i lartë nuk ka marrë pjesë në këshillin e një kunji për anëtarësinë. Nëse peshkopi i anëtarit/es është i pranishëm në një këshill të kunjit për anëtarësinë, ai lejohet të largohet. Nëse presidentja e Shoqatës së Ndihmës ose presidenti i kuorumit të pleqve po merr pjesë për të dhënë përkrahje, ajo ose ai gjithashtu lejohet të largohet.

  7. Peshkopi ose presidenti i kunjit kërkon komente ose ide nga këshilltarët e tij. Në qoftë se këshilli i lartë ka marrë pjesë në një këshill të kunjit për anëtarësinë, ai kërkon komentet dhe idetë e tyre.

  8. Me këshilltarët e tij, peshkopi ose presidenti i kunjit me lutje kërkon vullnetin e Zotit për çështjen. Vetëm presidenti i kunjit dhe këshilltarët e tij ose peshkopi dhe këshilltarët e tij duhet të jenë në dhomë gjatë kësaj kohe. Nëse një këshill i kunjit për anëtarësinë përfshin këshillin e lartë, presidenca e kunjit zakonisht shkon te zyra e presidentit të kunjit.

  9. Peshkopi ose presidenti i kunjit u tregon këshilltarëve të vet për vendimin e tij dhe u kërkon atyre që ta mbështetin atë. Nëse një këshill i kunjit për anëtarësinë përfshin këshillin e lartë, presidenca e kunjit kthehet në dhomë dhe i kërkon këshillit të lartë që ta mbështetë atë. Nëse një këshilltar i presidentit të kunjit ose një këshilltar i lartë ka një mendim të ndryshëm, peshkopi ose presidenti i kunjit e dëgjon dhe kërkon që t’i zgjidhë mospajtimet. Përgjegjësia për vendimin i mbetet drejtuesit kryesues.

  10. Ai e fton sërish personin në dhomë. Në qoftë se nëpunësi u lejua të largohej, ai gjithashtu ftohet në dhomë. Nëse peshkopi i anëtarit është i pranishëm për një këshill të kunjit për anëtarësinë, ai gjithashtu ftohet të hyjë në dhomë. Nëse presidentja e Shoqatës së Ndihmës ose presidenti i kuorumit të pleqve po merr pjesë për të dhënë përkrahje, ajo ose ai gjithashtu ftohen të hyjë përsëri.

  11. Peshkopi ose presidenti i kunjit e shpreh vendimin e këshillit me një frymë dashurie. Nëse vendimi është që t’i kufizojë formalisht privilegjet e anëtarësisë së personit në Kishë ose ta heqë anëtarësinë nga Kisha, ai shpjegon kushtet (shihni 32.11.3 dhe 32.11.4). Ai gjithashtu shpjegon se si të kapërcehen kufizimet dhe jep udhëzime dhe këshilla të tjera. Një peshkop ose president kunji mund ta ndërpresë një këshill për njëfarë kohe që të kërkojë më shumë orientim ose informacion përpara marrjes së një vendimi. Në këtë rast, ai e shpjegon këtë gjë.

  12. Ai shpjegon të drejtën e personit për të apeluar (shihni 32.13).

  13. Ai fton dikë të bëjë një lutje mbylljeje.

Qoftë nëse personi është i pranishëm apo jo, peshkopi ose presidenti i kunjit e njofton atë për vendimin siç shpjegohet te 32.12.1.

Asnjë pjesëmarrës/e në këshillin për anëtarësinë nuk lejohet të bëjë një regjistrim zanor, pamor ose me shkrim. Një nëpunës mund të mbajë shënime për qëllimet e përgatitjes së Raportit të Këshillit të Kishës për Anëtarësinë. Sidoqoftë, shënime të tilla nuk duhet të jenë një regjistrim ose transkriptim fjalë për fjalë. Pasi përgatitet raporti, ai i shkatërron menjëherë të gjitha shënimet.

32.11

Vendimet nga Këshillat për Anëtarësinë

Vendimet nga këshillat për anëtarësinë duhet të drejtohen nga Shpirti. Ato duhet të pasqyrojnë dashurinë dhe shpresën e ofruar nga Shpëtimtari për personat që pendohen. Vendimet e mundshme përshkruhen më poshtë. Kur i marrin këto vendime, udhëheqësit marrin në shqyrtim rrethanat që përvijohen te 32.7.

Pas çfarëdo këshilli për anëtarësinë, peshkopi ose presidenti i kunjit dorëzon menjëherë formularin Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë nëpërmjet sistemit BUN [LCR] (shihni 32.14.1).

Vendimet e mundshme nga këshillat për anëtarësinë përvijohen në pjesët vijuese.

32.11.1

Mbetet me Status të Mirë

Në disa raste, një person mund të jetë i pafajshëm dhe mbetet me status të mirë. Në disa raste, një person mund ta ketë kryer mëkatin, të jetë penduar sinqerisht dhe të jetë me status të mirë. Peshkopi ose presidenti i kunjit mund të japë këshilla dhe paralajmërime për veprime të ardhshme. Pas këshillit, ai vazhdon të japë përkrahje sipas nevojës.

Pamja
çift i ulur së bashku

32.11.2

Këshillimi Vetjak me Peshkopin ose Presidentin e Kunjit

Në disa këshilla për anëtarësinë, udhëheqësit mund të përcaktojnë se anëtari/ja nuk është me status të mirë – por që nuk përligjen kufizimet formale të anëtarësisë. Në këto raste, këshilli mund të vendosë që personi duhet të marrë këshillim vetjak dhe korrigjim nga peshkopi ose presidenti i kunjit. Ky këshillim mund të përfshijë kufizimet joformale të anëtarësisë siç përvijohen te 32.8.3.

Këshillimi personal dhe kufizimet joformale të anëtarësisë nuk janë një mundësi kur një këshill mblidhet për mëkatet e renditura te 32.6.1.

32.11.3

Kufizimet Formale të Anëtarësisë

Në disa këshilla për anëtarësinë, udhëheqësit mund të përcaktojnë se është më mirë që t’i kufizojnë formalisht privilegjet për anëtarësinë në Kishë të një personi për njëfarë kohe. Kufizimet formale mund të jenë të përshtatshme për të gjitha mëkatet ose situatat, përveç më të rëndave, për të cilat anëtarësia do të hiqet (shihni 32.11.4).

Ata që kanë kufizime formale të anëtarësisë, janë ende anëtarë të Kishës. Gjithsesi, privilegjet e tyre për anëtarësinë në Kishë kufizohen si vijon:

  • Atyre nuk u lejohet të hyjnë në tempull. Megjithatë, ata mund të vazhdojnë t’i veshin veshjet e brendshme të tempullit nëse e kanë kryer ordinancën e dhurimit. Nëse anëtari ka një rekomandim tempulli, udhëheqësi e anulon atë në sistemin BUN [LCR].

  • Atyre nuk u lejohet ta ushtrojnë priftërinë.

  • Atyre nuk u lejohet ta marrin sakramentin ose të marrin pjesë në mbështetjen e drejtuesve të Kishës.

  • Atyre nuk u lejohet të japin një bisedë, mësim ose lutje në mjedise të Kishës. As nuk mund të shërbejnë në një thirrje të Kishës.

Ata nxiten të frekuentojnë mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës nëse sjellja e tyre është e rregullt. Ata gjithashtu nxiten të paguajnë të dhjetat dhe ofertat.

Peshkopi ose presidenti i kunjit mund të shtojë kushte të tjera, të tilla si qëndrimi larg nga materialet pornografike dhe ndikime të tjera të liga. Ai zakonisht shton kushte pozitive. Këto mund të përfshijnë frekuentim të rregullt në Kishë, lutje të rregullt dhe lexim të shkrimeve të shenjta dhe të materialeve të tjera të Kishës.

Nëse kufizohen formalisht privilegjet e anëtarësisë në Kishë të një personi, kjo shënohet në dokumentin e anëtarësisë.

Koha e kufizimit formal zakonisht është të paktën një vit dhe mund të jetë më e gjatë. Kur anëtari bën përparim të caktuar në pendimin e sinqertë, peshkopi ose presidenti i kunjit mbledh një këshill tjetër për të marrë në shqyrtim heqjen e kufizimeve (shihni 32.16.1). Nëse anëtari vazhdon në zakonin e mëkatit, udhëheqësi mund të mbledhë një këshill tjetër për të marrë në shqyrtim masa të tjera.

32.11.4

Heqja e Anëtarësisë

Në disa këshilla për anëtarësinë, udhëheqësit mund të përcaktojnë se është më e mira që ta heqin anëtarësinë e një personi në Kishë për njëfarë kohe (shihni te Mosia 26:36; Alma 6:3; Moroni 6:7; Doktrina e Besëlidhje 20:83).

Heqja e anëtarësisë së një personi në Kishë kërkohet për vrasjen (siç përcaktohet te 32.6.1.1) dhe martesën e shumëfishtë (siç shpjegohet te 32.6.1.2). Pothuajse gjithmonë ajo kërkohet për incestin, siç shpjegohet te 32.6.1.2 dhe 38.6.10.

Siç drejtohet nga Shpirti, heqja e anëtarësisë së një personi gjithashtu mund të jetë e nevojshme si vijon:

  • Për ata njerëz sjellja e të cilëve i bën ata një kërcënim serioz ndaj të tjerëve.

  • Për ata që kanë kryer mëkate veçanërisht të rënda.

  • Për ata që nuk shfaqin pendim për mëkatet e rënda (shihni gjërat e marra parasysh te 32.7).

  • Për ata që kryejnë mëkate të rënda, të cilat e dëmtojnë Kishën.

Një këshill i lagjes, degës ose distriktit për anëtarësinë mund të rekomandojë heqjen e anëtarësisë në Kishë prej një personi që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit në tempull. Megjithatë, miratimi nga presidenti i kunjit ose i misionit është i nevojshëm përpara se vendimi të jetë përfundimtar.

Atyre personave, anëtarësia e të cilëve në Kishë u është hequr, nuk u lejohet të gëzojnë asnjë nga privilegjet e anëtarësisë.

  • Atyre nuk u lejohet të hyjnë në tempull ose të veshin veshjet e brendshme të tempullit. Nëse personi ka një rekomandim tempulli, udhëheqësi e anulon atë në sistemin BUN [LCR].

  • Atyre nuk u lejohet ta ushtrojnë priftërinë.

  • Atyre nuk u lejohet ta marrin sakramentin ose të marrin pjesë në mbështetjen e drejtuesve të Kishës.

  • Atyre nuk u lejohet të japin një bisedë, mësim ose lutje në mjedise të Kishës apo të udhëheqin një aktivitet në kishë. As nuk mund të shërbejnë në një thirrje të Kishës.

  • Atyre nuk u lejohet të paguajnë të dhjeta dhe oferta.

Ata nxiten të frekuentojnë mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës nëse sjellja e tyre është e rregullt.

Ata persona, anëtarësia e të cilëve në Kishë është hequr, mund të merren në konsideratë për ripranim nëpërmjet pagëzimit dhe konfirmimit. Zakonisht, ata fillimisht nevojitet të tregojnë pendim të sinqertë për të paktën një vit. Peshkopi ose presidenti i kunjit mbledh një këshill tjetër për anëtarësinë që të merret në konsideratë ripranimi (shihni 32.16.1).

Vendimet dhe Rrjedhojat e Këshillit për Anëtarësinë

Vendimi

Rrjedhojat

Vendimi

Mbetet me Status të Mirë (shihni 32.11.1)

Rrjedhojat

  • Asnjë

Vendimi

Këshillimi Vetjak me Peshkopin ose Presidentin e Kunjit (shihni 32.11.2)

Rrjedhojat

  • Mund tʼi kufizohen joformalisht disa privilegje të anëtarësisë.

  • Kufizimet janë zakonisht më pak se një vit; në rrethana të pazakonta, ato mund të jenë më të gjata.

  • Kufizimet joformale hiqen pas pendimit të sinqertë.

  • Veprimi nuk shënohet në dokumentin e anëtarësisë.

Vendimi

Kufizimet Formale të Anëtarësisë (shihni 32.11.3)

Rrjedhojat

  • Privilegjet e anëtarësisë kufizohen formalisht.

  • Kufizimet zakonisht janë të paktën një vit dhe mund të jenë më të gjata.

  • Veprimi shënohet në dokumentin e anëtarësisë.

  • Kufizimet formale hiqen pas pendimit të sinqertë, një këshilli për anëtarësinë dhe, nëse është e nevojshme, miratimit të Presidencës së Parë.

  • Shenja treguese në dokumentin e anëtarësisë hiqet nëse kufizimet hiqen pas një këshilli për anëtarësinë (përveç shënimeve të kërkuara shpjeguese; shihni 32.14.5).

Vendimi

Heqja e Anëtarësisë (shihni 32.11.4)

Rrjedhojat

  • Hiqen të gjitha ordinancat.

  • Hiqen të gjitha privilegjet e anëtarësisë, zakonisht për të paktën një vit.

  • Një person ka të drejtën për ripranim nëpërmjet pagëzimit dhe konfirmimit vetëm pas pendimit të sinqertë, pas një këshilli për anëtarësinë dhe, nëse është e nevojshme, pas miratimit të Presidencës së Parë.

  • Një person që më parë e ka kryer ordinancën e dhurimit, ka të drejtën të marrë një rivendosje të bekimeve vetëm me miratimin e Presidencës së Parë dhe pas të paktën një viti të plotë nga ripranimi (shihni 32.17.2).

  • Për një person që e ka kryer më parë ordinancën e dhurimit, shenja treguese “Kërkohet Rivendosja e Bekimeve” hiqet nga dokumenti i anëtarësisë vetëm pasi të kryhet ordinanca (mbeten shënimet e kërkuara shpjeguese; shihni 32.14.5).

32.11.5

Pyetje rreth Marrjes së Vendimeve për Çështje të Vështira

Peshkopët ia drejtojnë presidentit të kunjit pyetjet rreth orientimeve të manualit për këshillat për anëtarësinë.

Për çështje të vështira, presidenti i kunjit mund të kërkojë këshillë nga I Shtatëdhjeti Zonal i caktuar atij. Presidenti i kunjit duhet të këshillohet me Presidencën e Zonës për çështjet e përvijuara te 32.6.3. Megjithatë, presidenti i kunjit nuk duhet t’i kërkojë një Të Shtatëdhjeti Zonal ose një Autoriteti të Përgjithshëm se si të marrë vendim për çështje të vështira. Presidenti i kunjit vendos nëse një këshill duhet të mblidhet për ta shqyrtuar sjelljen. Nëse mblidhet një këshill, presidenti i kunjit ose peshkopi vendos për rezultatin.

32.11.6

Autoriteti i Presidencës së Parë

Presidenca e Parë ka autoritetin përfundimtar mbi të gjitha kufizimet dhe heqjet e anëtarësisë në Kishë.

32.12

Njoftime dhe Lajmërime

Vendimi i këshillit për anëtarësinë i njoftohet personit – dhe të tjerëve kur nevojitet – siç shpjegohet më poshtë.

32.12.1

Njoftimi i një Personi për Vendimin

Peshkopi ose presidenti i kunjit normalisht ia thotë personit rezultatin e këshillit kur ai përfundon. Megjithatë, ai mund ta ndërpresë një këshill për njëfarë kohe që të kërkojë më shumë udhëzim ose informacion përpara marrjes së një vendimi.

Një këshill i lagjes, degës ose distriktit për anëtarësinë mund të rekomandojë heqjen e anëtarësisë në Kishë prej një personi që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit në tempull. Megjithatë, miratimi nga presidenti i kunjit ose i misionit është i nevojshëm përpara se vendimi të jetë përfundimtar.

Peshkopi ose presidenti i kunjit shpjegon efektet e vendimit siç përvijohet te 32.11. Normalisht ai gjithashtu jep këshillë mbi kushtet e pendimit, në mënyrë që kufizimet të mund të hiqen ose personi të mund të ripranohet në Kishë.

Peshkopi ose presidenti i kunjit i jep personit menjëherë njoftim me shkrim për vendimin dhe efektet e tij. Ky njoftim përfshin një deklaratë të përgjithshme se veprimi u ndërmor si rezultat i sjelljes që është në kundërshtim me ligjet dhe rendin e Kishës. Ai mund të përfshijë gjithashtu këshillë se si të hiqen kufizimet e anëtarësisë apo se si të ripranohet në Kishë. Duhet ta njoftojë personin se ai ose ajo mund ta apelojë vendimin (shihni 32.13).

Nëse personi nuk merr pjesë në këshill, njoftimi me shkrim mund të jetë i mjaftueshëm që ai ose ajo të njoftohet për vendimin. Peshkopi ose presidenti i kunjit gjithashtu mund të takohet me personin.

Peshkopi ose presidenti i kunjit nuk i jep personit një kopje të formularit Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë.

32.12.2

Informimi i të Tjerëve rreth një Vendimi

Nëse një peshkop ose president kunji i kufizon joformalisht privilegjet e anëtarësisë së një personi gjatë këshillimit vetjak, ai normalisht nuk informon askënd tjetër (shihni 32.8.3). Sidoqoftë, këta udhëheqës komunikojnë me njëri‑tjetrin rreth kufizimeve joformale teksa i ndihmojnë anëtarët.

Nëse privilegjet e anëtarësisë së një personi kufizohen formalisht ose hiqen gjatë një këshilli për anëtarësinë, peshkopi ose presidenti i kunjit ua njofton vendimin vetëm atyre që kanë nevojë ta dinë. Gjejnë zbatim orientimet e mëposhtme.

  • Ai merr parasysh nevojat e viktimave dhe të viktimave të mundshme, si dhe ndjenjat e familjes së personit.

  • Ai nuk e njofton vendimin nëse personi po e apelon atë. Megjithatë, ai mund të njoftojë se po bëhet apelim nëse e ndien se është e nevojshme për t’i mbrojtur viktimat e mundshme. Ai gjithashtu mund ta njoftojë atë për të përkrahur shërimin e viktimave (edhe pse nuk i jep emrat e viktimave) ose për të mbrojtur integritetin e Kishës.

  • Sipas nevojës, peshkopi ua njofton vendimin me mirëbesim anëtarëve të këshillit të lagjes. Kjo bëhet që t’i informojë udhëheqësit të cilët mund ta marrin në konsideratë personin se është në dispozicion për thirrje, dhënie mësimesh ose dhënie lutjesh apo bisedash. Gjithashtu bëhet që t’i nxitë udhëheqësit të ofrojnë përkujdesje dhe përkrahje për anëtarin/en dhe familjen e tij ose të saj.

  • Me miratim nga presidenti i kunjit, peshkopi mund ta njoftojë vendimin në mbledhjet e kuorumit të pleqve ose të Shoqatës së Ndihmës në lagjen e tij, në qoftë se situata përfshin:

    • Sjelljet grabitqare që mund t’i kërcënojnë të tjerët.

    • Mësimdhënie të doktrinës së rremë ose forma të tjera të braktisjes fetare.

    • Mëkate flagrante të tilla si ushtrimi i martesës së shumëfishtë ose përdorimi i mësimeve të kulteve për të tërhequr pasues.

    • Kundërshtimin haptazi të veprimeve ose mësimeve të dhëna nga udhëheqësit e përgjithshëm ose vendorë të Kishës.

  • Në raste të tilla, presidentit të kunjit mund t’i nevojitet gjithashtu të autorizojë një njoftim për anëtarë të lagjeve të tjera në kunj.

  • Në disa raste, peshkopi ose presidenti i kunjit mund të ndiejë se do të jetë e dobishme të njoftohen disa ose të gjitha viktimat dhe familjet e tyre që një këshill për anëtarësinë është mbledhur për personin. Ai e bën këtë nëpërmjet peshkopit ose presidentit të tyre të kunjit.

  • Nëse prirjet grabitqare të një personi i vendosin të tjerët në rrezik, peshkopi ose presidenti i kunjit mund të japë paralajmërime për të ndihmuar për mbrojtjen e të tjerëve. Ai nuk zbulon informacion konfidencial dhe nuk bën spekulime.

  • Në të gjitha rastet e tjera, peshkopi ose presidenti i kunjit e kufizon çdo njoftim me një deklaratë të përgjithshme. Ai thjesht thotë se privilegjet e anëtarësisë në Kishë të personit janë kufizuar ose hequr për shkak të sjelljes që është në kundërshtim me ligjet dhe rendin e Kishës. Ai u kërkon atyre që janë të pranishëm, të mos e diskutojnë atë. Ai nuk kërkon një votë mbështetëse.

  • Në qoftë se një anëtar është me status të mirë pas një këshilli për anëtarësinë (shihni 32.11.1), peshkopi ose presidenti i kunjit mund ta njoftojë këtë gjë për të larguar thashethemet.

32.12.3

Komunikimi i Dorëheqjes nga Anëtarësia

Në disa raste, një peshkopi mund t’i nevojitet të njoftojë që një person ka dhënë dorëheqje nga anëtarësia e tij ose e saj në Kishë (shihni 32.14.9). Peshkopi nuk jep asnjë hollësi tjetër.

32.13

Apelimi i një Vendimi

Një anëtar mund ta apelojë vendimin e një këshilli të lagjes për anëtarësinë te presidenti i kunjit brenda 30 ditësh. Presidenti i kunjit e mbledh një këshill të kunjit për anëtarësinë që të marrë në shqyrtim apelimin. Ai gjithashtu mund t’i kërkojë një peshkopi që të mbledhë sërish një këshill dhe ta shqyrtojë përsëri një vendim, veçanërisht nëse ka informacion të ri.

Një anëtar mund ta apelojë vendimin e një këshilli të kunjit për anëtarësinë duke i shkruar një letër Presidencës së Parë brenda 30 ditësh. Anëtari ia jep letrën presidentit të kunjit për t’ia dorëzuar Presidencës së Parë.

Në një mision, një anëtar mund ta apelojë vendimin e një këshilli të degës ose distriktit për anëtarësinë te presidenti i misionit brenda 30 ditësh. Presidenti i misionit mbledh një këshill për anëtarësinë që të marrë në shqyrtim apelimin. Nëse koha ose largësia e pengon atë në bërjen e kësaj gjëje, ai ndjek udhëzimet te 32.9.4.

Nëse një president misioni e drejtoi këshillin, anëtari/ja mund ta apelojë vendimin duke i shkruar një letër Presidencës së Parë brenda 30 ditësh. Anëtari/ja ia jep letrën presidentit të misionit që t’i dorëzohet Presidencës së Parë.

Një person i cili e apelon një vendim, specifikon me shkrim gabimet e pretenduara ose padrejtësinë në procedurë apo vendim.

Nëse një këshill për anëtarësinë mblidhet për të shqyrtuar një apelim, njëri nga dy vendimet është i mundur:

  • E lë në fuqi vendimin fillestar.

  • I bën ndryshime vendimit fillestar.

Vendimet e Presidencës së Parë janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen përsëri.

32.14

Raportet dhe Dokumentet e Anëtarësisë

32.14.1

Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë

Pas çfarëdo këshilli për anëtarësinë, peshkopi ose presidenti i kunjit menjëherë dorëzon formularin Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë nëpërmjet sistemit BUN [LCR]. Ai mund t’i kërkojë nëpunësit ta përgatitë raportin. Ai sigurohet që asnjë kopje në letër ose elektronike e formularit nuk mbahet nga njësia vendore. Gjithashtu sigurohet që çfarëdo shënimi i përdorur për ta përgatitur raportin, shkatërrohet menjëherë.

32.14.2

Kufizimet Formale të Anëtarësisë në Kishë

Kufizimet formale të anëtarësisë në Kishë shënohen në dokumentin e anëtarësisë së një personi. Zyrat qendrore të Kishës e bëjnë këtë shënim shpjegues pasi marrin Raportin e Këshillit të Kishës për Anëtarësinë. Kur një anëtar pendohet, udhëheqësi duhet të mbledhë një këshill tjetër për të marrë në shqyrtim heqjen e këtyre kufizimeve (shihni 32.16.1).

32.14.3

Dokumentet pasi Hiqet Anëtarësia e një Personi në Kishë

Nëse hiqet anëtarësia e një personi në Kishë, zyrat qendrore të Kishës e heqin dokumentin e anëtarësisë pasi marrin Raportin e Këshillit të Kishës për Anëtarësinë. Nëse personi dëshiron, udhëheqësit e ndihmojnë të përgatitet për t’u ripranuar në Kishë nëpërmjet pagëzimit dhe konfirmimit (shihni 32.16.1).

32.14.4

Dokumentet pas Ripranimit në Kishë

Pasi një person ripranohet në Kishë, peshkopi dorëzon formularin Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë. Nuk krijohet një Certifikatë Pagëzimi dhe Konfirmimi. Përkundrazi, pagëzimi dhe konfirmimi shënohen në formularin Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë.

Nëse anëtari nuk e kishte kryer ordinancën e dhurimit, zyrat qendrore të Kishës i caktojnë një dokument anëtarësie që tregon datat e pagëzimit të tij ose të saj fillestar dhe të ordinancave të tjera. Dokumenti nuk e përmend fare humbjen e anëtarësisë në Kishë.

Nëse anëtari e kishte kryer ordinancën e dhurimit, zyrat qendrore të Kishës e përditësojnë dokumentin e anëtarësisë për të treguar datat e pagëzimit dhe konfirmimit të ri. Ky dokument gjithashtu përfshin mesazhin “Kërkohet Rivendosja e Bekimeve”. Pasi rivendosen bekimet e anëtarit (shihni 32.17.2), dokumenti i anëtarësisë përditësohet për të treguar datat e pagëzimit fillestar dhe të ordinancave të tjera. Ai nuk e përmend fare humbjen e anëtarësisë në Kishë.

32.14.5

Dokumentet e Anëtarësisë me Shënime Shpjeguese

Siç autorizohet nga Presidenca e Parë, zyrat qendrore të Kishës vendosin shënime shpjeguese në dokumentin e anëtarësisë së një personi në cilëndo prej situatave të renditura më poshtë.

  1. Peshkopi ose presidenti i degës dorëzon formularin Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë që të tregojë se anëtarësia e personit u kufizua formalisht ose u hoq për cilëndo prej sjelljeve vijuese:

    1. Incesti

    2. Keqtrajtimi seksual i një fëmije, të riu ose të reje; shfrytëzimi seksual i një fëmije, të riu ose të reje; apo keqtrajtimi i rëndë fizik ose emocional i një fëmije, të riu ose të reje

    3. Përfshirja në pornografi që përfshin fëmijë, siç përvijohet te 38.6.6

    4. Martesa e shumëfishtë

    5. Sjellja grabitqare seksuale ndaj një personi në moshë madhore

    6. [Veprime] Transgjinore – veprime për të kaluar në një gjini të kundërt nga seksi biologjik i një personi në lindje (shihni 38.6.23)

    7. Përvetësimi i fondeve të Kishës ose vjedhja e gjërave me vlerë të Kishës (shihni 32.6.3.3)

    8. Shpërdorimi i fondeve të Kishës për mirëqenien

    9. Sjellja kërcënuese (të tilla si seksuale, e dhunshme ose financiare) apo sjellja që e dëmton Kishën

  2. Peshkopi dhe presidenti i kunjit dorëzojnë një lajmërim me shkrim që personi:

    1. E ka pranuar ose është dënuar për një krim që përfshinte njërin nga veprimet e renditura më lart.

    2. Është gjetur përgjegjës në një padi civile për mashtrim ose vepra të tjera të paligjshme që përfshijnë njërin nga veprimet e renditura më lart.

Kur një peshkop merr një dokument anëtarësie me shënim shpjegues, ai ndjek udhëzimet në shënimin shpjegues.

Vetëm Presidenca e Parë mund të autorizojë heqjen e një shënimi shpjegues nga një dokument anëtarësie. Që të rekomandojë heqjen e një shënimi shpjegues, presidenti i kunjit përdor sistemin BUN [LCR]. Zyra e Presidencës së Parë e lajmëron atë nëse rekomandimi miratohet apo jo.

32.14.6

Raportimi i Vjedhjes së Fondeve të Kishës

Nëse anëtarësia e një personi kufizohet ose hiqet për përvetësim të fondeve të Kishës, peshkopi ose presidenti i kunjit e raportojnë atë siç përvijohet te 34.7.5.

32.14.7

Kufizimet e Lëvizjes në Dokumentet e Anëtarësisë

Nganjëherë një anëtar/e i/e Kishës shpërngulet ndërkohë që është pezull veprimi për anëtarësinë ose shqetësime të tjera të rënda. Nganjëherë një peshkopi i nevojitet t’ia tregojë informacionin peshkopit të ri përpara se t’ia transferojë dokumentin e anëtarësisë njësisë së re. Në këto raste, peshkopi (ose nëpunësi nëse autorizohet) mund të vendosë një kufizim lëvizjeje në dokumentin e anëtarësisë. Dokumenti mbetet në njësi derisa peshkopi (ose nëpunësi nëse autorizohet) e heq kufizimin. Kjo i jep një mundësi peshkopit që të njoftojë shqetësimet dhe të japë informacion.

32.14.8

Dokumentet e Atyre që Janë Burgosur

Disa anëtarë dënohen për një krim dhe burgosen. Peshkopi ose presidenti i kunjit të njësisë ku personi jetonte në kohën kur u krye krimi, vazhdon me cilindo veprim të nevojshëm për kufizimet formale ose heqjen e anëtarësisë. Nëse u kufizuan privilegjet e anëtarësisë, udhëheqësi (ose nëpunësi nëse autorizohet) ia kalon dokumentin e anëtarësisë njësisë që është përgjegjëse për vendin ku personi është burgosur. Nëse anëtarësia ishte hequr, peshkopi ose presidenti i kunjit vihet në kontakt me udhëheqësin e asaj njësie. (shihni 32.15.)

32.14.9

Kërkesat për Dorëheqjen nga Anëtarësia

Nëse një anëtar/e kërkon dorëheqje prej anëtarësisë së tij ose të saj në Kishë, peshkopi lidhet me të për të parë nëse ai ose ajo është i/e gatshëm/me t’i diskutojë shqetësimet dhe të përpiqet t’i zgjidhë ato. Peshkopi dhe anëtari/ja mund të këshillohen edhe me presidentin e kunjit. Udhëheqësi sigurohet që anëtari/ja i kupton pajosat që vijnë prej dorëheqjes nga anëtarësia në Kishë:

  • I anulon të gjitha ordinancat.

  • I heq të gjitha privilegjet e anëtarësisë.

  • Ripranimi nëpërmjet pagëzimit dhe konfirmimit mund të ndodhë vetëm pas një interviste të hollësishme dhe, në shumë raste, një këshilli për anëtarësinë (shihni 32.16.2).

  • Një person që më parë e ka kryer ordinancën e dhurimit, ka të drejtën të marrë një rivendosje të bekimeve të priftërisë dhe të tempullit vetëm me miratimin e Presidencës së Parë dhe pas të paktën një viti të plotë nga ripranimi (shihni 32.17.2).

Nëse anëtari/ja ende dëshiron të japë dorëheqje nga anëtarësia në Kishë, ai ose ajo i jep peshkopit një kërkesë me shkrim dhe të nënshkruar. Peshkopi ia dorëzon kërkesën presidentit të kunjit nëpërmjet sistemit BUN [LCR]. Presidenti i kunjit më pas e shqyrton dhe e dorëzon kërkesën nëpërmjet atij sistemi. Udhëheqësit duhet të veprojnë sipas kërkesave menjëherë.

Një person gjithashtu mund të japë dorëheqje nga anëtarësia duke i dërguar një kërkesë të nënshkruar dhe të noterizuar zyrave qendrore të Kishës.

Një i/e mitur që dëshiron të japë dorëheqjen nga anëtarësia e vet në Kishë, ndjek të njëjtën procedurë si një i/e rritur me një përjashtim: kërkesa duhet të nënshkruhet nga i mituri (nëse është mbi 8 vjeç) dhe nga prindi/ërit ose kujdestari/ët që e kanë në kujdestari ligjore të miturin/ën.

Nëse një anëtar që jep dorëheqjen nga anëtarësia, kërcënon me padi penale kundër Kishës ose udhëheqësve të saj, presidenti i kunjit ndjek udhëzimet te 38.8.22.

Me një kërkesë për dorëheqjen nga anëtarësia duhet të ndërmerret veprim edhe në qoftë se udhëheqësit e priftërisë kanë informacion për një mëkat të rëndë. Çdo informacion rreth mëkateve të pazgjidhura shënohet kur kërkesa dorëzohet nëpërmjet sistemit Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit BUN [LCR]. Kjo gjë i lejon udhëheqësit e priftërisë që të zgjidhin çështje të tilla në të ardhmen, në qoftë se personi bën kërkesë për ripranim në Kishë (shihni 32.16.2).

Një udhëheqës i priftërisë nuk duhet të rekomandojë dorëheqje nga anëtarësia në Kishë me qëllim që të shmanget mbledhja e një këshilli për anëtarësinë.

Udhëheqësit vazhdojnë t’u japin shërbesë atyre që heqin dorë nga anëtarësia e tyre, përveçse kur ata kërkojnë të mos ketë asnjë kontakt.


KTHIMI I PRIVILEGJEVE TË ANËTARËSISË NË KISHË


Nëse privilegjet e anëtarësisë në Kishë të një personi janë kufizuar ose hequr, udhëheqësit e shoqërojnë, e këshillojnë dhe e përkrahin personin, kur ai ose ajo e lejon. Kjo pjesë shpjegon se si mund të kthehen ato privilegje.

32.15

Vazhdoni të Jepni Shërbesë

Roli i peshkopit ose i presidentit të kunjit si gjykatës i përbashkët nuk mbaron kur një anëtar/e ka marrë kufizime të anëtarësisë ose atij apo asaj i është hequr anëtarësia në Kishë. Ai vazhdon të japë shërbesë, kur e lejon personi, kështu që ai ose ajo të mund të gëzojë sërish bekimet e anëtarësisë në Kishë. Peshkopi takohet rregullisht me personin dhe, kur është e dobishme dhe e zbatueshme, me bashkëshorten/in e tij/saj. Shpëtimtari u mësoi nefitëve:

“Ju nuk duhet ta dëboni nga … vendet tuaja të adhurimit, pasi të tillëve ju duhet të vazhdoni t’u shërbeni; pasi ju nuk e dini në qoftë se ata do të kthehen dhe pendohen dhe vijnë tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’i shëroj; dhe ju do të jeni mjetet që do t’u sjellin shpëtim atyre” (3 Nefi 18:32).

Koha menjëherë pasi anëtarësia e një personi është kufizuar ose hequr, është e vështirë dhe kritike për të dhe familjen e tij ose të saj. Udhëheqësit duhet të jenë të ndjeshëm ndaj këtyre nevojave dhe t’i nxitin e ndihmojnë pjesëtarët e familjes.

Peshkopi sigurohet që të caktohen anëtarë të kujdesshëm për t’i dhënë shërbesë një personi anëtarësia e të cilit në Kishë është kufizuar ose hequr, kur e lejon personi. Ata gjithashtu u japin shërbesë pjesëtarëve të tjerë të familjes. Individët me kufizime të anëtarësisë mund të përfitojnë nga pjesëmarrja në indeksim (shihni 25.4.3).

Nëse personi shpërngulet nga lagjja, peshkopi e njofton peshkopin e ri dhe i shpjegon atë që ende nevojitet të ndodhë përpara se të mund të hiqen kufizimet e anëtarësisë në Kishë. Nëse anëtarësia e personit u hoq nga Kisha ose personi dha dorëheqje nga anëtarësia, peshkopi krijon po të njëjtin kontakt nëse personi ka rënë dakord që të ndihmohet nga udhëheqës të Kishës.

32.16

Heqja e Kufizimeve Formale ose Ripranimi në Kishë

32.16.1

Këshillat për Anëtarësinë që të Hiqen Kufizimet Formale ose që të Ripranohet një Person

Kur privilegjet e anëtarësisë kufizohen ose hiqen në një këshill për anëtarësinë, një tjetër këshill duhet të mblidhet që të marrë në shqyrtim heqjen e kufizimeve ose ripranimin e personit në Kishë. Ky këshill gjithashtu duhet të ketë të njëjtin nivel autoriteti (ose më të lartë) si këshilli fillestar. Për shembull, nëse një president kunji ose misioni kryesoi mbi këshillin fillestar, një president kunji ose misioni kryeson mbi këshillin që merr në shqyrtim heqjen e kufizimeve ose ripranimin e personit.

Peshkopi ose presidenti i tanishëm i kunjit e mbledh këshillin. Fillimisht ai sigurohet që personi është penduar e është gati dhe i/e denjë për të gëzuar bekimet e anëtarësisë në Kishë.

Ata që e kanë pasur të kufizuar formalisht anëtarësinë e tyre në Kishë, zakonisht nevojitet të tregojnë pendim të sinqertë për të paktën një vit përpara se të merret në konsideratë heqja e kufizimeve. Ata që e kanë pasur të hequr anëtarësinë e tyre në Kishë, pothuajse gjithmonë nevojitet të tregojnë pendim të sinqertë për të paktën një vit përpara se të merren në konsideratë për ripranim. Për një anëtar që mbante një pozicion të lartë në Kishë në kohën e kryerjes së mëkatit të rëndë, periudha në përgjithësi është më e gjatë (shihni 32.6.1.4).

Një këshill për të marrë në shqyrtim heqjen e kufizimeve ose ripranimin e një personi në Kishë ndjek të njëjtat orientime si këshillat e tjerë për anëtarësinë. Një peshkop ka nevojë për miratim nga presidenti i kunjit që ta mbledhë këshillin. Në një mision, një presidenti dege apo distrikti i nevojitet miratim nga presidenti i misionit.

Orientimet vijuese gjejnë zbatim kur mblidhet një këshill për anëtarësinë që të marrë në shqyrtim heqjen e kufizimeve të anëtarësisë në Kishë ose ripranimin e një personi në Kishë. Mund të mos gjejnë zbatim të gjitha këto orientime në secilin rast.

  1. Rishikon këshillin fillestar për anëtarësinë. Peshkopi ose presidenti i kunjit rishikon formularin Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë. Kërkon një kopje nëpërmjet sistemit BUN [LCR]. Pasi e shqyrton formularin, ai mund të vihet në kontakt me peshkopin ose presidentin e kunjit ku u mblodh këshilli fillestar për të kërkuar sqarim.

  2. Interviston personin. Peshkopi ose presidenti i kunjit e interviston personin hollësisht për të dalluar forcën e besimit të tij ose të saj te Jezu Krishti dhe masën e pendimit. Ai gjithashtu vendos nëse personi i ka plotësuar kushtet e përvijuara në veprimin fillestar.

  3. Përcakton statusin e veprimit të gjykatës penale ose civile. Nganjëherë një person e ka pranuar se e ka kryer një krim ose është dënuar për një krim. Nganjëherë një person është gjetur përgjegjës për një padi civile për mashtrim ose vepra të tjera të paligjshme. Në këto raste, udhëheqësi në përgjithësi nuk e mbledh një këshill derisa personi t’i ketë plotësuar të gjitha kushtet e çfarëdo dënimi, urdhri ose gjykimi të bërë nga autoritetet ligjore. Këto kushte mund të përfshijnë burgim, kohë prove, lirim me kusht dhe gjoba ose dëmshpërblim. Përjashtimet kërkojnë miratimin e Presidencës së Parë përpara se të mblidhet një këshill për anëtarësinë. Këto përjashtime mund të përfshijnë dikë që i ka plotësuar kërkesat ligjore dhe ka treguar pendim të sinqertë, por është në lirim me kusht për tërë jetën ose ka një gjobë të konsiderueshme.

  4. Kontakton udhëheqësit e priftërisë të viktimave. Peshkopi ose presidenti i kunjit vihet në kontakt me peshkopin ose presidentin aktual të kunjit të ciliësdo viktime (shihni 32.10.2).

  5. Jep njoftim për këshillin. Ai i njofton personit datën, orën dhe vendin e këshillit.

  6. Drejton këshillin. Ai e drejton këshillin sipas orientimeve te 32.10.3. Ai e pyet personin se çfarë ka bërë ai ose ajo që të pendohet. Ai gjithashtu e pyet për zotimin e tij ose të saj ndaj Jezu Krishtit dhe Kishës. Kur janë paraqitur të gjitha çështjet e rëndësishme, ai e lejon anëtarin/en që të largohet. Me këshilltarët e tij, ai lutet për të marrë në shqyrtim çfarë veprimi të ndërmarrin. Tri vendimet e mundshme janë:

    1. Të vazhdojnë kufizimet ose heqja e anëtarësisë.

    2. Të hiqen kufizimet ose të autorizohet ripranimi.

    3. T’i rekomandojë Presidencës së Parë që të hiqen kufizimet ose të autorizohet ripranimi (nëse është i nevojshëm në përputhje me “Bën Kërkesë për Miratim nga Presidenca e Parë” që ndodhet më poshtë).

  7. Njofton vendimin. Pasi këshilli e merr një vendim, drejtuesi kryesues ia njofton atë personit. Nëse është i nevojshëm miratimi nga Presidenca e Parë, ai shpjegon se vendimi është një rekomandim drejtuar Presidencës së Parë.

  8. Dorëzon një raport. Peshkopi ose presidenti i kunjit dorëzon formularin Raporti i Këshillit të Kishës për Anëtarësinë nëpërmjet sistemit BUN [LCR]. Ai mund t’i kërkojë nëpunësit ta përgatitë këtë raport. Ai sigurohet që asnjë kopje në letër ose elektronike nuk mbahet nga njësia vendore. Gjithashtu sigurohet që të gjitha shënimet e përdorura për të përgatitur raportin, shkatërrohen menjëherë.

  9. Bën Kërkesë për Miratim nga Presidenca e Parë (nëse nevojitet). Në rrethanat vijuese, miratimi nga Presidenca e Parë është i nevojshëm që të hiqen kufizimet formale të anëtarësisë ose të ripranohet personi në Kishë. Ky miratim kërkohet edhe nëse sjellja ndodhi pasi u kufizua formalisht ose iu hoq anëtarësia në Kishë.

    1. Vrasja

    2. Incesti

    3. Keqtrajtimi seksual i një fëmije, një të riu ose të reje, shfrytëzimi seksual i një fëmije, një të riu ose të reje, apo keqtrajtimi i rëndë fizik ose emocional i një fëmije, një të riu ose të reje nga një person në moshë madhore apo nga një i ri ose e re që është disa vite më i/e madh/e.

    4. Përfshirja në pornografi që përfshin fëmijë kur ka një dënim ligjor

    5. Braktisja Fetare

    6. Martesa e shumëfishtë

    7. Kryerja e një mëkati të rëndë gjatë mbajtjes së një pozicioni të lartë në Kishë

    8. [Veprime] Transgjinore – veprime për të kaluar në një gjini të kundërt nga seksi biologjik i një personi në lindje (shihni 38.6.23)

    9. Përvetësimi i fondeve ose i gjërave me vlerë të Kishës

  10. Jep njoftim me shkrim për vendimin. Peshkopi ose presidenti i kunjit sigurohet që personi merr menjëherë njoftim me shkrim për vendimin dhe efektet e tij.

  11. Pagëzon dhe konfirmon. Nëse anëtarësia në Kishë e një personi u hoq në këshillin fillestar, ai ose ajo duhet të pagëzohet e konfirmohet sërish. Nëse është i nevojshëm miratimi nga Presidenca e Parë, këto ordinanca mund të kryhen vetëm pasi të merret ky miratim. Nuk krijohet një Certifikatë Pagëzimi dhe Konfirmimi (shihni 32.14.4).

32.16.2

Ripranimi pas Dorëheqjes nga Anëtarësia në Kishë

Nëse një person jep dorëheqjen formalisht nga anëtarësia në Kishë, ai ose ajo duhet të pagëzohet dhe konfirmohet për t’u ripranuar në Kishë. Për të rriturit, ripranimi zakonisht nuk merret në konsideratë të paktën për një vit pas dorëheqjes nga anëtarësia.

Kur një person kërkon të ripranohet, peshkopi ose presidenti i kunjit merr një kopje të formularit Raporti i Veprimit Administrativ që shoqëronte kërkesën për dorëheqje. Ai mund ta marrë këtë nëpërmjet sistemit BUN [LCR].

Peshkopi ose presidenti i kunjit më pas e interviston hollësisht personin. Ai e pyet rreth arsyeve për kërkesën fillestare dhe dëshirën për ripranim. Në një frymë dashurie, ai bën pyetje rreth mëkateve të rënda që personi mund t’i ketë kryer qoftë përpara ose pas dorëheqjes nga anëtarësia. Udhëheqësi nuk vazhdon me ripranimin derisa të sigurohet që personi është penduar dhe është gati e i denjë për të gëzuar bekimet e anëtarësisë në Kishë.

Në vijim janë orientimet për ripranimin pas dorëheqjes:

  • Mblidhet një këshill për anëtarësinë nëse anëtarësia e personit u kufizua formalisht në kohën e dorëheqjes.

  • Mblidhet një këshill për anëtarësinë nëse personi kreu një mëkat të rëndë, përfshirë braktisjen fetare, përpara se të hiqte dorë nga anëtarësia.

Në rrethana të tjera, një këshill për anëtarësinë nuk mblidhet, në qoftë se peshkopi ose presidenti i degës nuk e përcakton se ai këshill do të ishte i nevojshëm.

Kur një këshill për anëtarësinë është i nevojshëm për një person që e ka kryer ordinancën e dhurimit, atë e mbledh presidenti i kunjit. Kur një këshill është i nevojshëm për një person që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit, atë e mbledh peshkopi me miratim nga presidenti i kunjit.

Nëse personi u përfshi në ndonjë sjellje te 32.16.1, numri 9, qoftë përpara ose pas dorëheqjes nga anëtarësia në Kishë, kërkohet miratimi i Presidencës së Parë për ripranim. Nëse personi u përfshi në ndonjë sjellje te 32.14.5, numri 1, qoftë përpara ose pas dorëheqjes nga anëtarësia, një shënim shpjegues do t’i vihet dokumentit të anëtarësisë.

Një person që kërkon ripranim, duhet të plotësojë të njëjtat kualifikime si të tjerët që pagëzohen. Kur peshkopi ose presidenti i kunjit është i bindur se personi është i denjë dhe i sinqertë në dëshirën për t’u ripranuar, personi mund të pagëzohet dhe konfirmohet. Nuk krijohet një Certifikatë Pagëzimi dhe Konfirmimi (shihni 32.14.4).

Pamja
burrë duke marrë sakramentin

32.17

Aktivizimi në Kishë, Shugurimi dhe Rivendosja e Bekimeve pas Ripranimit

32.17.1

Aktivizimi në Kishë dhe Shugurimi

Tabela vijuese tregon nivelin e duhur të aktivizimit në Kishë për një person që është ripranuar nëpërmjet pagëzimit dhe konfirmimit.

Nuk e Kreu më Parë Ordinancën e Dhurimit

E Kreu më Parë Ordinancën e Dhurimit

Mbajtës të Mëparshëm të Priftërisë

Nuk e Kreu më Parë Ordinancën e Dhurimit

  • Menjëherë pas pagëzimit dhe konfirmimit, atyre mund t’u jepet priftëria dhe mund të shugurohen në detyrën e priftërisë që e mbanin në kohën kur u hoq anëtarësia në Kishë ose kur ata hoqën dorë prej saj. Nuk kërkohet një votë mbështetëse.

  • Mund t’u lëshohet një rekomandim tempulli me përdorim të kufizuar.

E Kreu më Parë Ordinancën e Dhurimit

  • Nuk u lejohet të shugurohen në asnjë detyrë në priftëri. Kur të rivendosen bekimet e tyre të priftërisë dhe tempullit, detyra e tyre e mëparshme në priftëri do të rivendoset siç përvijohet te 32.17.2. Atyre nuk u lejohet të kryejnë ordinanca deri në atë kohë.

  • Mund të marrin pjesë në çdo aktivitet të Kishës që është i lejueshëm për një anëtar që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit, i cili nuk e mban priftërinë.

  • Nuk u lejohet t’i veshin veshjet e brendshme të tempullit ose të marrin çfarëdo lloji rekomandimi të tempullit derisa t’u rivendosen bekimet e tyre.

Anëtarë të Tjerë

Nuk e Kreu më Parë Ordinancën e Dhurimit

  • Mund të marrin pjesë në aktivitetin në Kishë sikurse do të merrte pjesë një i kthyer i ri në besim.

  • Mund t’u lëshohet një rekomandim tempulli me përdorim të kufizuar.

E Kreu më Parë Ordinancën e Dhurimit

  • Mund të marrin pjesë në çdo aktivitet të Kishës që është i lejueshëm për një anëtar që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit, i cili nuk e mban priftërinë.

  • Nuk u lejohet t’i veshin veshjet e brendshme të tempullit ose të marrin çfarëdo lloji rekomandimi të tempullit derisa t’u rivendosen bekimet e tyre (shihni 32.17.2).

32.17.2

Rivendosja e Bekimeve

Personat që e kryen më parë ordinancën e dhurimit në tempull dhe u ripranuan nëpërmjet pagëzimit e konfirmimit, mund t’i marrin bekimet e tyre të priftërisë dhe të tempullit vetëm nëpërmjet ordinancës së rivendosjes së bekimeve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:21). Ata nuk shugurohen në detyrat e priftërisë ose nuk e kryejnë ordinancën e dhurimit përsëri. Këto bekime rivendosen nëpërmjet ordinancës. Vëllezërit rivendosen në detyrën e tyre të mëparshme të priftërisë, me përjashtim të detyrës së Të Shtatëdhjetit, peshkopit ose patriarkut.

Vetëm Presidenca e Parë mund ta miratojë kryerjen e ordinancës së rivendosjes së bekimeve. Ata nuk do ta shqyrtojnë një kërkesë për këtë ordinancë më herët se një vit pasi personi të jetë ripranuar me anë të pagëzimit dhe konfirmimit. Peshkopi ose presidenti i kunjit bën kërkesë për një rivendosje të bekimeve nëpërmjet sistemit BUN [LCR].

Nëse Presidenca e Parë e miraton rivendosjen e bekimeve, ata caktojnë një Autoritet të Përgjithshëm ose presidentin e kunjit për ta intervistuar personin. Nëse personi është i denjë, ky udhëheqës kryen ordinancën për të rivendosur bekimet e personit.

Për informacion rreth dokumenteve të anëtarësisë dhe rivendosjes së bekimeve, shihni 32.14.4.