Seminari
Mësimi 39: Doktrina e Besëlidhje 25, Pjesa 1: “Ema Smith, Bija Ime”


“Doktrina e Besëlidhje 25, Pjesa 1: ‘Ema Smith, Bija Ime’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet, (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 25, Pjesa 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 39: Doktrina e Besëlidhje 23–26

Doktrina e Besëlidhje 25, Pjesa 1

“Ema Smith, Bija Ime”

Ema Smithi

Te Doktrina e Besëlidhje 25, Shpëtimtari e këshilloi Ema Smithin mbi mënyrën se si ta përmbushte misionin e saj hyjnor për t’u bërë si Ai. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kuptojnë mënyrat se si mund të bëhen më shumë si Shpëtimtari.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

“Ti je një zonjë e zgjedhur, të cilën unë e kam thirrur”

Mund të paraqitni një figurë të Ema Smithit dhe t’i pyesni nxënësit se çfarë dinë rreth saj.

Merreni parasysh të tregoni disa nga çastet vijuese nga jeta e Ema Smithit. Ftojini nxënësit të diskutojnë se si mund të ketë qenë përvoja për Emën.

Imagjino se si do të ishe ndier po t’i kishe përjetuar këto ngjarje nga jeta e Ema Smithit. (Këto rrëfime mund të gjenden te Shenjtorët, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 [2018], f. 37–38, 46, 52, 94–96.)

  • Ema priti me karrocën në rrëzë të kodrës Kumorah ndërsa Jozefi mori udhëzimet e fundit dhe fletët prej ari nga Moroni.

  • Ema shërbeu si shkruesja e parë e Jozefit për përkthimin e Librit të Mormonit dhe më pas ato faqe të dorëshkrimit humbën.

  • Fëmija i parë i Emës dhe Jozefit jetoi vetëm disa orë dhe Ema u sëmur aq shumë, saqë për pak sa nuk vdiq.

  • Ema hyri në ujërat e pagëzimit nën kërcënimin e dhunës së turmës. Atë mbrëmje Jozefin e arrestuan me akuza të rreme, duke vonuar konfirmimin e Emës.

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë kontekstin historik të seksionit Doktrina e Besëlidhje 25, merreni parasysh t’u tregoni paragrafin vijues.

Te Doktrina e Besëlidhje 24, Shpëtimtari zbuloi se Jozef Smithi duhet ta “kushto[nte] gjithë shërbimin [e tij] në Sion” (vargu 7). Kjo zbulesë krijoi një ndjenjë pasigurie në jetën e Ema Smithit pasi nënkuptonte se Jozefi nuk do të kishte shumë kohë për të siguruar jetesën dhe të mira materiale për familjen e tyre (shih te Saints, 1:96). Duke e ditur dëshirën e Emës për udhërrëfim, Zoti zbuloi seksionin Doktrina e Besëlidhje 25. Kjo këshillë nga Shpëtimtari mund të gjejë zbatim te të gjithë njerëzit (shih te Doktrina e Besëlidhje 25:16).

ikona e trajnimit Mësojeni vetë doktrinën e Jezu Krishtit: Për ta ushtruar më shumë se si t’i nxitni nxënësit ta bëjnë këtë, shihni trajnimin e titulluar “Mësojeni vetë doktrinën e Jezu Krishtit (2022)” që gjendet te trajnimi Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve. Ky trajnim do t’ju ndihmojë të ushtroni krijimin e pyetjeve kërkimore që nuk marrin përgjigje me “po” ose “jo”, për t’i ndihmuar nxënësit të zbulojnë vetë të vërteta.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 25:1–3 dhe kërko se si u ndje Shpëtimtari për Emën.

  • Çfarë mësoi Ema rreth marrëdhënies së saj me Zotin?

  • Çfarë thotë Shpëtimtari se kërkohet për të qenë një bir ose bijë në mbretërinë e Tij?

    Ndihmojini nxënësit ta përcaktojnë të vërtetën: Ndërsa e marrim ungjillin e Shpëtimtarit, ne bëhemi bij dhe bija në mbretërinë e Tij dhe thirremi në punën e Tij. Duke bërë besëlidhje, ne bëhemi bij dhe bija të Shpëtimtarit në mbretërinë e Tij. Nëse nxënësit do të përfitonin nga të parit e kësaj të vërtete, mund të lexoni te Mosia 5:7.

    Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë këtë parim, merreni parasysh të përzgjidhni nga pyetjet vijuese.

  • Si mendon, çfarë kuptimi mund të ketë pasur për Emën marrja e kësaj këshille?

  • Si të ka ndihmuar marrja e ungjillit të Shpëtimtarit të ndihesh më pranë Tij si bija ose biri i Tij?

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 25:4–9 dhe kërkoje atë që Zoti e thirri Emën të bënte.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë një listë në tabelë të asaj që Shpëtimtari e thirri Emën të bënte. Ndihmojini nxënësit ta kuptojnë se në kontekstin e vargut 7, “shugurohesh” do të thotë të jesh veçuar si një thirrje. Mund të qartësoni gjithashtu se “sqaroj” do të thotë të shpjegosh ose interpretosh dhe “këshilloj” do të thotë të nxitësh, japësh zemër, ose këshillosh.

  • Çfarë zbulove?

  • Si mundi ta ndihmonte Emën lartësimi me besnikëri i thirrjeve të saj të bëhej më shumë si Shpëtimtari?

Zbatimi i këshillës së Shpëtimtarit

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë se si udhëzimet e Zotit për Emën gjejnë zbatim edhe tek ata, merreni parasysh ta organizoni klasën në grupe studimi të vogla. Siguroni tre pika studimi, që mund të vendosen përreth dhomës. Çdo pjesë studimi përfshin një rrëfim nga jeta e Ema Smithit, një ftesë për të gjetur një shembull nga shkrimet e shenjta nga jeta e Jezu Krishtit dhe pyetje diskutimi ose një veprimtari.

Nëse është e nevojshme, një veprimtari e katërt mund të gjendet te pjesa Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit.

Ftojini nxënësit ta shohin se si Ema ishte e bindur ndaj këshillës që mori te Doktrina e Besëlidhje 25.

“Mos mërmërit” (Doktrina e Besëlidhje 25:4)

Nga jeta e Ema Smithit

Jozef Smithi përjetoi vegime qiellore, vizitorë engjëllorë dhe procesin e përkthimit të Librit të Mormonit, Biblës dhe teksteve të tjera të shenjta. Ema Smithi sakrifikoi kaq shumë gjëra për jetën e saj me Jozefin, por kishte gjëra që ai i kishte parë dhe ajo jo.

Nga jeta e Shpëtimtarit

Trego për një kohë nga jeta e Jezu Krishtit kur Ai refuzoi të mërmëriste (për disa shembuj, shih tek Isaia 53:7; Mateu 27:12).

Si mund të na ndihmojë përmbajtja për të mos mërmëritur që të bëhemi si Jezu Krishti?
  • Si mendon, përse Shpëtimtari na urdhëron të mos mërmëritim për gjëra që mund të mos i kuptojmë ende?

  • Si mund të sillet dikush me besim kur nuk e kupton vullnetin dhe kohën e Zotit?

“Do të jetë për një Ngushëllim” (Doktrina e Besëlidhje 25:5)

Nga jeta e Ema Smithit

Megjithëse jeta e Emës me Jozefin ishte shpesh e vështirë, ajo e deshi dhe e mbështeti atë nëpër çdo sprovë. Në 1835-ën, një turmë e inatosur e sulmoi shtëpinë ku po qëndronin Jozefi dhe Ema, duke e zvarritur Jozefin në errësirë. Jozefi u kthye në shtëpi atë mbrëmje. Ai ishte i gjallë, por e kishin rrahur keq, lyer me zift dhe pupla. Ema e kaloi natën duke qëruar dhe larguar ziftin nga trupi i Jozefit. Një nga foshnjat binjake të Jozefit dhe Emës vdiq nga sëmundja pas asaj nate të tmerrshme (shih te Saints, 1:150–153).

Nga jeta e Shpëtimtarit

Mendo për një kohë kur Jezu Krishti ishte një ngushëllim për ata rreth Tij (për disa shembuj, shih te Mateu 9:20–22; Gjoni 14:18, 27; 3 Nefi 17:5–7).

Si mund t’i ngushëllojmë të tjerët dhe të bëhemi si Jezu Krishti?
  • Tregoje diçka që ka bërë dikush për të të ngushëlluar gjatë një kohe të vështirë.

  • Përsiat për diçka që mund të bësh për të qenë një ngushëllim për një shok ose pjesëtar të familjes. Si mund ta ndihmosh atë ta ndiejë dashurinë e Shpëtimtarit?

  • Shkruaj një shënim ose mesazh me celular që mund ta ngrejë gjendjen shpirtërore të një pjesëtari të familjes ose shoku dhe ta ndihmojë atë ta ndiejë dashurinë e Shpëtimtarit.

“Sqaruar Shkrimet e Shenjta dhe … Këshilluar Kishën” (Doktrina e Besëlidhje 25:7)

Nga jeta e Ema Smithit

Në vitin 1842, Ema u mbështet si presidentja e parë e Shoqatës së Ndihmës. Udhëheqja e Emës ishte vendimtare në dhënien formë të organizatës. Ema e tregoi dhembshurinë e saj dhe ndjenjën e kuptueshmërisë shpirtërore duke u dhënë zemër dhe mësim shenjtorëve. Ema i ftoi gratë e Shoqatës së Ndihmës ta ushtronin dashurinë hyjnore, të siguronin ndihmë në mënyra të jashtëzakonshme, ta forconin njëra-tjetrën, të pendoheshin dhe të falnin (shih te Saints, 1:448–451).

Nga jeta e Shpëtimtarit

Trego një shembull nga shkrimet e shenjta të Shpëtimtarit duke iu shpjeguar shkrimet e shenjta ose duke u dhënë mësim atyre që e ndoqën Atë (për disa shembuj, shih te Mateu 5:21–25; 3 Nefi 23:1–3; Joseph Smith – Historia 1:19).

Ushtro shpjegimin e shkrimit të shenjtë
  • Zgjidhe një fragment të shkrimit të shenjtë që të ka ndihmuar ta rritësh lidhjen tënde me Shpëtimtarin ose të bëhesh më shumë si Ai.

  • Tregoje përzgjedhjen tënde dhe shpjegoje se çfarë do të thotë për ty.

  • Diskutoje se si kuptueshmëria dhe mësimdhënia e shkrimeve të shenjta mund të na ndihmojë të bëhemi më shumë si Jezu Krishti.

Pasi nxënësit ta përfundojnë këtë veprimtari, mund t’i ftoni ata t’ia tregojnë klasës atë që u bëri përshtypje atyre nga ajo që studiuan. Për ta përmbyllur orën mësimore, merreni parasysh ta tregoni dëshminë tuaj që çdo nxënës është një bijë ose bir “i zgjedhur” në mbretërinë e Shpëtimtarit. Theksojeni se ata do të kenë shumë mundësi për të shërbyer dhe bekuar të tjerët dhe për t’u bërë si Jezu Krishti.