Dhiata e Vjetër 2022
5–11 Shtator. Isaia 1–12: “Perëndia Është Shpëtimi Im”


“5–11 Shtator. Isaia 1–12: ‘Perëndia Është Shpëtimi Im’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“5–11 Shtator. Isaia 1–12”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
profet i lashtë duke shkruar

Profeti Isaia Parashikon Lindjen e Krishtit, nga Harry Anderson

5–11 Shtator

Isaia 1–12

“Perëndia Është Shpëtimi Im”

Kërkoni udhërrëfim shpirtëror ndërsa studioni. Fjalët e Isaias kuptohen më mirë kur ne “mbush[emi] me shpirtin e profecisë”, siç dha mësim Nefi (2 Nefi 25:4).

Shënojini Mbresat Tuaja

Edhe nëse kjo është hera e parë që e lexoni librin Isaia, ju mund të gjeni fragmente që ju duken të njohura. Kjo ndodh pasi, nga të gjithë profetët e Dhiatës së Vjetër, Isaia është ai që citohet më shpesh në librat e tjerë të shkrimeve të shenjta, përfshirë edhe nga Vetë Shpëtimtari. Fjalët e Isaias gjithashtu shfaqen shpesh në himne dhe muzikë tjetër të shenjtë. Përse Isaia citohet kaq shpesh?

Me siguri një pjesë e arsyes është se Isaia kishte dhunti për ta shprehur fjalën e Perëndisë me një gjuhë të gjallë dhe të paharrueshme. Por është më shumë se kaq. Isaia ka frymëzuar profetë për breza të tërë pasi të vërtetat që ai dha mësim, e tejkaluan vetë brezin e tij – izraelitët që jetuan midis viteve 740 dhe 701 pr.K. Roli i tij ishte të na hapte sytë ndaj punës së madhërishme të Perëndisë për shëlbimin, e cila është shumë më e madhe se një komb ose një periudhë kohore. Nga Isaia, Nefi mësoi se ai dhe populli i tij, ndonëse të ndarë nga pjesa tjetër e Izraelit, ishin ende pjesë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë. Tek Isaia, shkruesit e Dhiatës së Re gjetën profeci rreth Mesias që po përmbusheshin pikërisht përpara syve të tyre. Dhe tek Isaia, Jozef Smithi gjeti frymëzim për punën e mbledhjes së Izraelit në ditët e mëvonshme dhe për ndërtimin e Sionit. Kur e lexoni librin Isaia, çfarë do të gjeni?

Për më shumë rreth Isaias dhe shkrimeve të tij, shih “Isaia” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Për informacioni rreth kohës kur jetoi Isaia, shih librat 2 Mbretërve 15–20 dhe 2 Kronikave 26–32.

Pamja
Learn More image
Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Isaia 1–12

Si mund t’i kuptoj më mirë mësimet e Isaias?

Duke folur për shkrimet e Isaias, Shpëtimtari tha: “T’i kërkoni këto gjëra me zell; pasi të mëdha janë fjalët e Isaias” (shih 3 Nefi 23:1–3). Megjithatë, për shumë njerëz Isaia mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar. Këtu janë disa këshilla për t’ju ndihmuar të gjeni domethënie më të madhe te fjalët e Isaias:

  • Përsiatini simbolet dhe metaforat që përdori Isaia. Për shembull, përsiatni mbi atë se çfarë mendoni se dëshironte Isaia të komunikonte kur shkroi për vreshtin (shih Isaia 5:1–7), ujërat e Siloeut (shih Isaia 8:5–10), flamurin (shih Isaia 5:26; Isaia 11:10, 12).

  • Për çdo kapitull që lexoni, pyetni veten: “Çfarë po mësoj rreth Jezu Krishtit?” (Shih 1 Nefi 19:23.)

  • Shikoni për tema që i mendoni të përshtatshme për kohën tonë, si jeta dhe misioni i Jezu Krishtit, shpërndarja dhe mbledhja e Izraelit, ditët e fundit dhe Mijëvjeçari. Ju gjithashtu mund të mbani lista me referenca nga Isaia që japin mësim për këto tema.

  • Përdorni ndihmat për studimin atje ku janë në dispozicion, të tillë si shënimet në fund të faqes [në Biblën anglisht], krerët e kapitujve dhe Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.

Shih edhe 2 Nefi 25:1–8.

Isaia 1; 35

“Mos bëni më keq.”

Isaia vazhdimisht e paralajmëroi mbretërinë e Judës për gjendjen shpirtërore të njerëzve. Pasi të lexoni kapitujt tek Isaia 1, 3 dhe 5, si do ta përshkruanit gjendjen shpirtërore të njerëzve? Çfarë paralajmërimesh gjeni që e ndieni se gjejnë zbatim për kohën tonë?

Përveç paralajmërimeve, ju gjithashtu mund të mbani shënim mesazhet e shpresës për Izraelin mëkatar (shih, për shembull, Isaia 1:16–20, 25–27; 3:10). Çfarë mësoni rreth Zotit nga këto mesazhe?

Isaia 2; 4; 11–12

Perëndia do të bëjë një vepër të madhërishme në ditët e mëvonshme.

Shumë nga shkrimet e Isaias janë profeci që kanë domethënie të veçantë për kohën tonë. Cilat nga përshkrimet e Isaias për ditët e mëvonshme te kapitujt 2; 4; 11–12 janë veçanërisht frymëzuese për ju? (Doktrina e Besëlidhje 113:1–6 ofron ide të dobishme rreth kapitullit tek Isaia 11.) Çfarë mësoni rreth mbledhjes së Izraelit dhe shëlbimit të Sionit? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni pasi i lexoni këta kapituj?

Shih edhe Isaia 5:26; 10:20.

Isaia 6

Profetët thirren nga Perëndia.

Te kapitulli 6, Isaia ritregoi thirrjen e tij për të qenë profet. Ndërkohë që e lexoni këtë kapitull, çfarë ju bën përshtypje rreth asaj që përjetoi Isaia? Si ndikon ky kapitull në mënyrën se si ju mendoni për Zotin, profetët e Tij dhe punën që ata janë thirrur të bëjnë?

Pamja
grua duke mbajtur foshnjën

“Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë” (Isaia 9:5).

Isaia 7–9

Isaia profetizoi për Jezu Krishtin.

Në fillim të shërbesës së Isaias, mbretëria e Izraelit (e quajtur gjithashtu Efraim) krijoi aleancë me Sirinë për t’u mbrojtur kundër Asirisë. Izraeli dhe Siria donin ta detyronin Ashazin, mbretin e Judës, të bashkohej me aleancën e tyre. Por Isaia profetizoi se aleanca nuk do të arrihej dhe e këshilloi Ashazin që të mirëbesonte te Zoti (shih Isaia 7–9, veçanërisht Isaia 7:7–9; 8:12–13).

Ndërsa Isaia e këshilloi Ashazin, ai bëri disa profeci të njohura, të tilla si ato që gjenden tek Isaia 7:14; 8:13–14; 9:2, 6–7. Ndonëse nuk është plotësisht e qartë se çfarë nënkuptonin këto profeci në kohën e Ashazit, ato gjejnë zbatim qartësisht te Jezu Krishti (shih edhe Mateu 1:21–23; 4:16; 21:44; Lluka 1:31–33). Çfarë mësoni për Shpëtimtarin nga këto vargje?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Isaia 1:16–18.Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes që t’i kuptojnë këto vargje, ju mund të lexoni pjesën “Disa nga Ne Ndiejnë se Kurrë nuk Mund të Jenë të Mirë Mjaftueshëm” nga mesazhi i Motrës Sheron Iubank: “Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë” (Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 75). Ose mund të demonstroni se si mund të hiqen njollat nga rrobat. Si është mesazhi i Zotit në këto vargje i ndryshëm nga ajo që Satani dëshiron që ne të besojmë?

Isaia 2:1–5.Pjesëtarët e familjes mund të zgjedhin një nga këto vargje dhe ta vizatojnë atë që ai përshkruan. Çfarë na mëson tempulli për udhët e Zotit? Si bekohemi kur “ecim në dritën e Zotit”? (Isaia 2:5.)

Isaia 4:5–6.Çfarë na premton Zoti në këto vargje? Çfarë mund të nënkuptojnë këto premtime? Si po i përmbush Ai ato? (Shih edhe Eksodi 13:21–22.)

Isaia 7:14; 9:1–7.Duke përdorur vizatimet ose figurat nga revistat e Kishës, ju mund të bëni një afishe që ilustron disa prej gjërave që ne mësojmë rreth Jezu Krishtit nga këto vargje.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Maj’ Malit Atje Lart”, Himne, nr. 5.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkojini ndihmë Zotit. Për t’i kuptuar shkrimet e shenjta, ne kemi nevojë për zbulesë vetjake. Zoti ka premtuar: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7).

Pamja
Tempulli i Ajdaho-Follsit, Ajdaho gjatë një stuhie

Isaia dha mësim se tabernakulli do të ishte “strehë” dhe “mbrojtje kundër furtunës dhe shiut” (Isaia 4:6).Tempulli i Ajdaho-Follsit, Ajdaho