Dhiata e Vjetër 2022
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Profetët dhe Profecia


“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Profetët dhe Profecia”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Profetët dhe Profecia”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
ikona e mendimeve

Mendime për t’i Mbajtur Parasysh

Profetët dhe Profecia

Sipas ndarjes tradicionale të krishterë të Dhiatës së Vjetër, pjesa e fundit (nga Isaia deri te Malakia) quhet “Profetët”1. Kjo pjesë, rreth një e katërta e Dhiatës së Vjetër, përmban fjalët e shërbëtorëve të autorizuar të Perëndisë, që folën me Zotin dhe më pas folën për Të, duke e përhapur mesazhin e Tij te njerëzit përafërsisht midis viteve 900 dhe 500 pr.K.2

Profetët dhe profecia luajnë rol kryesor në të gjithë Dhiatën e Vjetër. Patriarkët Abrahami, Isaku dhe Jakobi panë vegime dhe folën me lajmëtarë qiellorë. Moisiu foli me Perëndinë ballë për ballë dhe ua komunikoi vullnetin e Tij fëmijëve të Izraelit. Librat 1 dhe 2 Mbretërve tregojnë veprat dhe mesazhet e paharrueshme të profetëve Elia dhe Eliseu. Dhiata e Vjetër flet gjithashtu për profetesha si Miriami (shih Eksodi 15:20) dhe Debora (shih Gjyqtarët 4), së bashku me gra të tjera të bekuara me shpirtin e profecisë, të tilla si Rebeka (shih Zanafilla 25:21–23) dhe Ana (shih 1 Samuelit 1:20–2:10). Dhe ndonëse libri i Psalmeve nuk është shkruar nga profetë të rafinuar, [psalmet] gjithashtu janë të mbushur me shpirtin e profecisë, veçanërisht kur e presin me padurim ardhjen e Mesias.

Asgjë nga kjo nuk vjen si befasi për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Në fakt, ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit na mëson se profetët nuk janë vetëm një pjesë interesante e historisë, por një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë. Ndërsa disa mund t’i shohin profetët si unikë për kohën e Dhiatës së Vjetër, ne i shohim ata si diçka që e kemi të përbashkët me kohët e Dhiatës së Vjetër.

Prapëseprapë, të lexosh një kapitull nga libri Isaia ose Ezekiel, mund të ndihet ndryshe nga leximi i një mesazhi të konferencës së përgjithshme nga Presidenti aktual i Kishës. Ndonjëherë mund të jetë e vështirë të kuptohet se profetët e lashtë kishin diçka për të na thënë. Mbi të gjitha, bota në të cilën jetojmë sot, është shumë e ndryshme nga ajo ku ata predikuan dhe profetizuan. Dhe fakti që ne vërtet kemi një profet të gjallë, mund të ngrejë pyetjen: “Përse ia vlen përpjekja – dhe kërkohet përpjekje – për t’i lexuar fjalët e profetëve të lashtë?”

Ata vërtet kanë diçka për të na thënë

Për pjesën më të madhe, njerëzit sot nuk janë publiku kryesor i profetëve të Dhiatës së Vjetër. Ata profetë kishin shqetësime aktuale që iu drejtoheshin kohës dhe vendit të tyre – ashtu sikurse profetët tanë të ditëve të mëvonshme iu drejtohen shqetësimeve tona aktuale sot.

Në të njëjtën kohë, profetët gjithashtu mund të shohin përtej shqetësimeve aktuale. Para së gjithash, ata japin mësim për të vërtetat e përjetshme, që i përkasin çdo epoke. Dhe, të bekuar me zbulesë, ata shohin tablonë më të madhe, këndvështrimin më të gjerë të veprës së Perëndisë. Për shembull, Isaia jo vetëm që mund t’i paralajmëronte njerëzit e kohës së tij për mëkatet e tyre – ai gjithashtu mund të shkruante për çlirimin e izraelitëve që do të jetonin 200 vjet më pas dhe njëkohësisht të jepte mësim për çlirimin që e kërkojnë të gjithë njerëzit e Perëndisë. Përveç këtyre, ai mund të shkruante profeci që, madje edhe sot, po presin përmbushjen e plotë – ashtu si premtimet e “një tok[e] të re” (Isaia 65:17) që është e “mbush[ur] me njohurinë e Zotit” (Isaia 11:9), ku janë mbledhur fiset e humbura të Izraelit dhe ku “kombe[t]” nuk do të “mësojnë më luftën” (Isaia 2:4). Një pjesë e gëzimit dhe frymëzimit që vjen nga leximi i fjalëve të profetëve të Dhiatës së Vjetër si Isaia, është të kuptuarit se ne luajmë rol në ditën e lavdishme që ata parashikuan.3

Ndaj kur i lexoni profecitë e lashta, është e dobishme të mësoni për kontekstin në të cilin u shkruan. Por gjithashtu ju duhet ta shihni veten në to, ose “[t’i] përshtatni te vetja juaj”, siç e tha Nefi (shih 1 Nefi 19:23–24). Ndonjëherë kjo do të thotë ta njohësh Babiloninë si një simbol të gjërave të botës dhe krenarisë, jo vetëm si një qytet të lashtë. Mund të nënkuptojë ta mendosh Izraelin si popullin e Perëndisë në çdo epokë dhe ta mendosh Sionin si kauzën e ditëve të mëvonshme që populli i Perëndisë e përqafon, sesa thjesht si një fjalë tjetër për Jerusalemin.

Ne mund t’i përshtatim shkrimet e shenjta pasi e kuptojmë që një profeci mund të përmbushet në mënyra të shumta.4 Një shembull i mirë për këtë është profecia tek Isaia 40:3: “Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: ‘Shtroni udhën e Zotit’”. Për judenjtë e robëruar në Babiloni, kjo deklaratë mund t’i ishte referuar Zotit që siguron një rrugëdalje nga robëria dhe rikthimin në Jerusalem. Për Mateun, Markun dhe Llukën, kjo profeci u përmbush te Gjon Pagëzori, i cili përgatiti udhën për shërbesën e Shpëtimtarit në vdekshmëri.5 Dhe Jozef Smithi mori zbulesë se kjo profeci është ende duke u përmbushur në ditët e mëvonshme në përgatitje për shërbesën mijëvjeçare të Krishtit.6 Profetët e lashtë vërtet na folën në mënyra që ende jemi duke arritur t’i kuptojmë. Dhe ata dhanë mësim për shumë të vërteta të çmuara e të përjetshme që janë po aq të përshtatshme për ne sa ishin për Izraelin e lashtë.

Pamja
profet i lashtë duke shkruar

Plotësia e Kohëve, nga Greg K. Olsen

Ato dëshmuan për Jezu Krishtin

Ndoshta edhe më e rëndësishme sesa të shohësh veten te profecitë e Dhiatës së Vjetër është të shohësh Jezu Krishtin në to. Nëse e kërkoni Atë, ju do ta gjeni, edhe nëse Ai nuk përmendet me emër. Mund t’ju ndihmojë të mbani parasysh se Perëndia i Dhiatës së Vjetër, Zoti Jehova, është Jezu Krishti. Çdo herë që profetët përshkruajnë se çfarë po bën Zoti ose çfarë do të bëjë Ai, ata po flasin për Shpëtimtarin.

Ju gjithashtu do të gjeni referenca për një të Vajosur (shih Isaia 61:1), një Shëlbues (shih Osea 13:14) dhe një Mbret të ardhshëm nga linja e Davidit (shih Isaia 9:6–7; Zakaria 9:9). Këto janë të gjitha profeci për Jezu Krishtin. Më në përgjithësi, ju do të lexoni rreth çlirimit, faljes, shëlbimit dhe rivendosjes. Me Shpëtimtarin në mendje dhe zemër, këto profeci natyrshëm do t’ju drejtojnë te Biri i Perëndisë. Mbi të gjitha, mënyra më e mirë për ta kuptuar profecinë është të kemi “frymë[n] e profecisë” për të cilën Gjoni na thotë se është “dëshmi[a] e Jezusit” (Zbulesa 19:10).

Shënime

  1. Isaias, Jeremias, Ezekielit dhe Danielit shpesh u referohemi si Profetët Kryesorë për shkak të gjatësisë së librave të tyre. Profetët e tjerë (Osea, Joeli, Amosi, Abdia, Jona, Mikea, Nahumi, Habakuku, Sofonia, Hagai, Zakaria dhe Malakia) quhen si Profetët e Vegjël për shkak se librat e tyre janë shumë më të shkurtër. Libri i Vajtimeve konsiderohet si pjesë e Shkrimeve, jo e Profetëve.

  2. Ne nuk e dimë se si u përpiluan librat profetikë. Në disa raste, një profet mund të ketë mbikëqyrur përmbledhjen e shkrimeve dhe profecive të tij. Në raste të tjera, ato mund të jenë regjistruar dhe përpiluar pas vdekjes së tij.

  3. “Vetëm mendoni për emocionin dhe ngutin në gjithë këtë: çdo profet, duke filluar nga Adami, e ka parë kohën tonë. Dhe çdo profet ka folur rreth kohës sonë, kur Izraeli do të mblidhej dhe bota do të përgatitej për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Mendoni për këtë! Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë në planetin tokë, ne jemi ata që na u dha mundësia të marrim pjesë në këtë ngjarje të fundit, në këtë mbledhje të madhe. Sa emocionuese është kjo!” (Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], material shtesë për revistat New Era dhe Ensign, f. 8, ChurchofJesusChrist.org). Shih edhe Ronald A. Rasband, “Përmbushja e Profecisë”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 75–78.

  4. Shpëtimtari, duke folur për Isaian, tha: “Dhe të gjitha gjërat që tha, janë vërtetuar dhe do të vërtetohen, madje, sipas fjalëve që ai tha” (3 Nefi 23:3; theksimi i shtuar).

  5. Shih Mateu 3:1–3; Marku 1:2–4; Lluka 3:2–6.

  6. Shih Doktrina e Besëlidhje 33:10; 65:3; 88:66.