Dhiata e Re 2023
18–24 Dhjetor. Krishtlindja: “Ju Lajmëroj një Gëzim të Madh”


“18–24 Dhjetor. Krishtlindja: ‘Ju Lajmëroj një Gëzim të Madh’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“18–24 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
foshnjë e porsalindur

Little Lamb [Qengji i Vogël], nga Jenedy Paige

18–24 Dhjetor

Krishtlindja

“Ju Lajmëroj një Gëzim të Madh”

Merrni parasysh se si përsiatja për lindjen dhe misionin e Shpëtimtarit mund të ndihmojnë për të sjellë një frymë paqeje dhe shenjtërie në periudhën e Krishtlindjes.

Shënojini Mbresat Tuaja

Përse sjell gëzim kaq të madh lindja e një foshnje? Ndoshta ngaqë një foshnjë e vogël mund të jetë një simbol shprese. Ka diçka rreth një jete të sapofilluar, të mbushur me mundësi, që na fton të përsiatim se çfarë mund të përmbajë jeta për atë fëmijë dhe çfarë gjërash të mrekullueshme do të realizojë ai ose ajo. Kurrë nuk ka qenë kjo gjë më e vërtetë sesa në lindjen e Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. Kurrë nuk ka pasur më shumë shpresë të vendosur te një fëmijë dhe kurrë nuk ka pasur një fëmijë të lindur me kaq shumë premtim.

Kur një engjëll i ftoi barinjtë ta kërkonin një fëmijë të sapolindur në një grazhd, ai gjithashtu u dha atyre një mesazh rreth atij fëmije. Ishte një mesazh shprese – që kjo foshnjë kishte ardhur në tokë për të përmbushur një mision të shenjtë. Barinjtë e “përhapën” mesazhin e tyre “dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë. [Por] Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj” (Lluka 2:17–19). Ndoshta do të ishte mirë ta ndiqnit shembullin e Maries këtë Krishtlindje: të përsiatni në zemrën tuaj gjërat që i keni mësuar rreth Shpëtimtarit gjatë këtij viti. Si e përmbushi Ai misionin e Tij të shëlbimit në tregimet që keni lexuar? Dhe më e rëndësishme, si e ka ndryshuar misioni i Tij jetën tuaj? Më pas ju mund të ndiheni të frymëzuar të ndiqni shembullin e barinjve: si do ta “përhap[ni]” atë që Jezu Krishti ka bërë për ju?

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 1:18–25; 2:1–12; Lluka 1:26–38; 2:1–20

Jezu Krishti denjoi të lindej mes nesh në tokë.

Edhe nëse e keni lexuar apo dëgjuar historinë e lindjes së Jezu Krishtit shumë herë më parë, studiojeni këtë herë me këtë mendim në mendje: “Krishtlindja nuk është vetëm një kremtim i mënyrës se si Jezusi erdhi në botë, por edhe një njohuri e asaj se kush është Ai – Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti – dhe i arsyes pse erdhi Ai” (Krejg C. Kristensen, “Plotësia e Historisë së Krishtlindjes” [takim shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 4 dhjetor 2016], broadcasts.lds.org).

Çfarë dini rreth asaj se kush ishte Jezu Krishti përpara se të lindte? (Shih, për shembull, Gjoni 17:5; Mosia 3:5; Doktrina e Besëlidhje 6:13–14, 20–24; Moisiu 4:2.) Si ndikon kjo njohuri te mënyra se si ndiheni kur lexoni për lindjen e Tij?

Çfarë dini rreth arsyes përse Jezu Krishti erdhi në tokë? (Shih, për shembull, Lluka 4:16–21; Gjoni 3:16–17; 3 Nefi 27:13–16; Doktrina e Besëlidhje 20:20–28.) Si ndikon kjo njohuri te mënyra se si ndiheni rreth Shpëtimtarit? Si ndikon te mënyra se si jetoni?

Shih edhe 2 Korintasve 8:9; Hebrenjve 2:7–18; 1 Nefi 11:13–33; Alma 7:10–13; “The Nativity” [“Lindja e Krishtit”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

1 Korintasve 15:21–26; Kolosianëve 1:12–22; 1 Pjetër 2:21–25

Jezu Krishti e përmbushi misionin e Tij dhe bëri të mundur për mua që të trashëgoj jetë të përjetshme.

Edhe pse historia e lindjes së Krishtit u rrethua nga ngjarje të mrekullueshme, e Tija do të kishte qenë thjesht një tjetër lindje po të mos ishte vepra e madhërishme që Ai realizoi më vonë në jetën e Tij. Siç tha Presidenti Gordon B. Hinkli: “Foshnja Jezus nga Bethlehemi do të ishte veçse një foshnjë tjetër pa Krishtin shëlbues të Gjetsemanit e Kalvarit dhe faktin ngadhënjimtar të Ringjalljes” (“The Wondrous and True Story of Christmas”, Ensign, dhjetor 2000, f. 5).

Pamja
Jezusi i gjunjëzuar në Kopshtin e Gjetsemanit

Gethsemane [Gjetsemani], nga J. Kirk Richards

Prova e misionit hyjnor të Shpëtimtarit dhe dashurisë së Tij të fuqishme për të tjerët gjendet nëpër të gjithë Dhiatën e Re. Çfarë fragmentesh ose rrëfimesh ju vijnë në mendje? Ju mund ta ktheni vështrimin pas nëpër këtë burim ose ditarin tuaj të studimit dhe të rishikoni disa prej mbresave që shënuat. Ju gjithashtu mund të lexoni vargjet te 1 Korintasve 15:21–26; Kolosianëve 1:12–22; 1 Pjetër 2:21–25 dhe të përsiatni se si Shpëtimtari dhe vepra e Tij jua kanë bekuar jetën. Çfarë do të ndiheni të frymëzuar të ndryshoni në jetën tuaj? Si do të mbështeteni te fuqia e Shpëtimtarit?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Mateu 1:18–25; 2:1–12; Lluka 1:26–38; 2:1–20.Si mund ta kremtoni lindjen e Jezu Krishtit me familjen tuaj? Këtu janë disa ide ose ju vetë mund të krijoni tuajat:

  • Lexoni ose aktroni së bashku pjesë të historisë së Lindjes së Krishtit.

  • Shihni materialin filmik “Krishti Fëmijë” (ChurchofJesusChrist.org).

  • Shqyrtoni disa nga burimet te koleksioni “Jezu Krishti” në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], veçanërisht te pjesa që titullohet “Lindja e Tij (Krishtlindja)”.

  • Shihni një takim shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë (broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).

  • Këndoni së bashku himne Krishtlindjeje ose zgjidhni fqinj apo miq që t’i vizitoni dhe t’u këndoni (shih Himne, nr. 120–132).

  • Kryeni një veprim shërbimi.

  • Kërkojuni pjesëtarëve të familjes të kërkojnë hollësi në historinë e Lindjes së Krishtit, të cilat u japin ide për ornamente ose zbukurime që mund t’i bëjnë për t’u kujtuar atyre Jezu Krishtin.

1 Korintasve 15:21–26; Kolosianëve 1:12–22; 1 Pjetër 2:21–25.Përse jemi mirënjohës që Jezu Krishti lindi? Çfarë dhuratash na ka dhënë Ai? Si mund t’ia tregojmë Atij mirënjohjen tonë? Familja juaj mund të këndojë një këngë që i mëson për misionin e Tij, të tillë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21).

Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve.”Nëse dëshironi ta ndihmoni familjen tuaj të përqendrohet te Shpëtimtari gjatë kohës së Krishtlindjes, ndoshta mund të kaloni pak kohë duke e lexuar dhe studiuar së bashku dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (ChurchofJesusChrist.org). Ndoshta ju mund të mësoni përmendsh fragmente nga dokumenti “Krishti i Gjallë” ose të kërkoni përshkrime të jetës së Shpëtimtarit në Dhiatën e Re që i përkrahin thëniet në të. Ju gjithashtu mund ta ftoni secilin pjesëtar të familjes të shkruajë dëshminë e vet për Jezu Krishtin dhe, nëse nxitet ta bëjë këtë, t’ia lexojë atë familjes.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Dikur në një Stall’ t’Përulur”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 25.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkojeni Jezu Krishtin. Shkrimet e shenjta na japin mësim se të gjitha gjërat dëshmojnë për Jezu Krishtin (shih Moisiu 6:62–63), kështu që duhet ta kërkojmë Atë në të gjitha gjërat. Teksa lexoni shkrimet e shenjta, merreni parasysh të shënoni ose shenjoni vargje që ju mësojnë për Të. Gjeni kohë në ditët që çojnë drejt Krishtlindjes për të kërkuar gjëra përreth jush që dëshmojnë për Jezu Krishtin.

Pamja
Maria, Jozefi dhe barinjtë përreth foshnjës Jezus

The Nativity [Lindja e Krishtit], nga Brian Call