Eja, Më Ndiq
30 Shtator–13 Tetor. Efesianëve: ‘Për Përsosjen e Shenjtorëve’


“30 Shtator–13 Tetor. Efesianëve: ‘Për Përsosjen e Shenjtorëve’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“30 Shtator–13 Tetor. Efesianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
familje duke parë fotografi

30 Shtator–13 Tetor

Efesianëve

“Për Përsosjen e Shenjtorëve”

A shihni ndonjë lidhje midis mesazheve në konferencën e përgjithshme dhe letrës së Palit drejtuar efesianëve?

Shënojini Mbresat Tuaja

Kur ungjilli filloi të përhapej në Efes, ai shkaktoi “një trazirë [të] madhe” (Veprat e Apostujve 19:23) midis efesianëve. Tregtarët vendas të cilët prodhonin tempuj për një perëndeshë pagane, e shihnin krishterimin si një kërcënim për jetesën e tyre dhe shpejt “ata u mbushën me inat, … dhe gjithë qyteti u mbush me rrëmujë” (shih Veprat e Apostujve 19:27–29). Përfytyroni sikur jeni një i sapokthyer në besim në ungjill në një mjedis të tillë. Shumë efesianë e pranuan dhe e jetuan ungjillin mes kësaj “ngjarje[je]” (Veprat e Apostujve 19:40), dhe Pali i siguroi ata se “Krishti … është paqja jonë” (Efesianëve 2:13–14). Këto fjalë, së bashku me ftesën e tij për “t[a] flak[ur] larg [nesh] çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë, dhe shpifje” (Efesianëve 4:31) duken po aq në kohën e duhur dhe ngushëlluese tani saç ishin edhe atëherë. Për efesianët, ashtu si edhe për ju, forca për t’u përballuar me fatkeqësinë vjen “në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij” (Efesianëve 6:10–13).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Efesianëve 1:4–11, 17–19

A i ka “zgj[edhur]” apo “paracaktuar” Perëndia disa prej fëmijëve të Tij që të shpëtohen?

Pali foli për shenjtorë që janë “paracaktuar” nga Perëndia dhe “zgj[edhur]… përpara të krijimit të botës” për të qenë populli i Tij. Ashtu si Presidenti Henri B. Ajring ka vërejtur, fakti që kaq shumë njerëz jetojnë dhe vdesin pa mundësinë për ta marrë ungjillin, i bën disa njerëz të “arrijnë në përfundimin se Perëndia duhet ta ketë paracaktuar që përpara se cilin nga fëmijët e Tij do ta shpëtojë duke ia bërë të mundur ungjillin atyre, ndërkohë që ata, të cilët nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për ungjillin, thjesht nuk janë ‘të zgjedhur’. Por … plani i Perëndisë është shumë herë më i dashur dhe më i drejtë se aq. Ati ynë Qiellor është i shqetësuar për ta mbledhur dhe për ta bekuar të gjithë familjen e Tij” (“Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 20). Të gjithë fëmijët e Perëndisë mund ta pranojnë ungjillin dhe ordinancat e tij për shkak të punës së kryer për të vdekurit në tempujt e shenjtë.

Megjithëse askush nuk është i paracaktuar për t’u shpëtuar apo jo, zbulesa bashkëkohore na mëson se disa njerëz u zgjodhën ose u “paracaktua[n]” në botën para lindjes për të përmbushur përgjegjësi të caktuara këtu në tokë. Kjo përfshin përgjegjësinë që kanë të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme për ta shpërndarë ungjillin dhe për t’i ndihmuar të gjithë fëmijët e Perëndisë në të dyja anët e velit që të vijnë te Krishti.  

Efesianëve 1:10

Perëndia do t’i “sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat ”.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë është “plotës[ia e] kohëra[ve]” apo se çfarë do të thotë t’i “s[jellësh] në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat”? Ndërsa i përsiatni këto fraza, lexoni shkrimet e shenjta vijuese: Efesianëve 4:13; 2 Nefi 30:7–8; Doktrina e Besëlidhje 110:11–16; 112:30–32; 128:18–21. Ju mund të ndiheni të frymëzuar që t’i shkruani vetë shpjegimet tuaja të këtyre frazave.

Efesianëve 2:19–22; 4:11–16

Kisha është e themeluar mbi apostuj e profetë, dhe Jezu Krishti është guri i qoshes.

Leximi i mësimeve të Palit rreth apostujve dhe profetëve mund t’ju ndihmojë që të përgatiteni për t’i dëgjuar mesazhet e apostujve dhe profetëve bashkëkohorë gjatë konferencës së përgjithshme. Sipas Efesianëve 2:19–22; 4:11–16, përse kemi profetë dhe apostuj? Si ju kanë ndihmuar mësimet e tyre që të mos jeni “të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje”?

Shih edhe Veprat e Apostujve 4:10–12.

Pamja
anëtarë të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

Zoti thërret profetë dhe apostuj për ta udhëhequr Kishën e Tij.

Efesianëve 5:21–6:4

Unë mund t’i forcoj marrëdhëniet e mia familjare.

Ndërsa lexoni Efesianëve 5:21–6:4, çfarë mendimesh ju vijnë rreth mënyrës se si t’i forconi marrëdhëniet tuaja familjare?

Është e rëndësishme të vëreni se fjalët e Palit tek Efesianët 5:22 u shkruan në kontekstin e zakoneve shoqërore të kohës së tij. Profetët dhe apostujt sot japin mësim se burrat nuk janë më të mirë se gratë dhe se bashkëshortët duhet të jenë “partnerë të barabartë” (shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 145). Megjithatë, ju ende mund të gjeni këshilla të përshtatshme tek Efesianët 5:23–33, veçanërisht nëse jeni të martuar apo duke u përgatitur për martesë. Për shembull, si e tregon Krishti dashurinë e Tij për shenjtorët? Çfarë nënkupton kjo rreth mënyrës se si bashkëshortët duhet t’i trajtojnë bashkëshortet e tyre? Çfarë mesazhesh gjeni për veten tuaj në këto vargje?

Efesianëve 6:10–18

Veshja e “gjithë armatimi[t të] Perëndisë” do të më ndihmojë që të mbrohem nga e liga.

Ndërsa lexoni Efesianëve 6:10–18, merreni parasysh arsyen përse Pali mund ta ketë emërtuar çdo pjesë të armatimit në mënyrën që e bëri. Nga se do të na mbrojë “gjithë armatimi [i] Perëndisë”? Çfarë mund të bëni për ta veshur më plotësisht secilën pjesë të armatimit çdo ditë?

Shih edhe 2 Nefi 1:23; Doktrina e Besëlidhje 27:15–18.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa sugjerime:

Efesianëve 1:10

Nëpërmjet Rivendosjes së ditëve të mëvonshme, Perëndia po i mbledh të gjitha gjërat në një, përfshirë të gjitha parimet dhe ordinancat e ungjillit. Për ta ilustruar këtë ide, ju mund të fshihni sende apo fraza të shkruara rreth shtëpisë suaj të cilat përfaqësojnë gjëra që janë rivendosur në kohën tonë (si çelësat e priftërisë, ordinancat e tempullit, shkrimet e shenjta dhe dhuratat shpirtërore). Pjesëtarët e familjes mund t’i kërkojnë ato dhe t’i “mbledhin” së bashku. Përse jemi mirënjohës që jetojmë kur “plotësohe[n] … kohërat”?

Efesianëve 2:4–10; 3:14–21

Ftojini pjesëtarët e familjes që të tregojnë përvoja gjatë të cilave ata kanë ndier dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë e të Jezu Krishtit të përshkruar në këto vargje.

Efesianëve 2:12–19

Familja juaj mund të argëtohet duke ndërtuar mure me jastëkë apo sende të tjera që i keni në shtëpi dhe më pas t’i prishë ato. Ç’lloj muresh i ndajnë njerëzit sot? Si e “ka shembur [Jezu Krishti] murin e ndarjes” midis nesh dhe Perëndisë?

Efesianëve 6:10–18

Familja juaj mund ta krijojë vetë “armatimin e Perëndisë” duke përdorur sende shtëpiake.   Si na mbron shpirtërisht çdo pjesë e armatimit? Çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar njëri-tjetrin që ta “v[eshim] gjithë armatimin e Perëndisë” (Efesianëve 6:11) çdo ditë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Lejojeni Shpirtin që ta udhërrëfejë studimin tuaj. Jini të ndjeshëm ndaj Shpirtit ndërsa ju udhërrëfen drejt gjërave që duhet të mësoni çdo ditë, edhe nëse kjo ju çon drejt studimit të një teme që fillimisht nuk e kishit planifikuar.

Pamja
armatimi i një burri në kohën e Dhiatës së Re

Veshja e armatimit të Perëndisë mund të na mbrojë shpirtërisht.