Eja, Më Ndiq
21–27 Tetor. 1 dhe 2 Thesalonikasve: ‘Mos Lejoni që Menjëherë t’ju Prishet Mendja ose të Trazoheni’


“21–27 Tetor. 1 dhe 2 Thesalonikasve: ‘Mos Lejoni që Menjëherë t’ju Prishet Mendja ose të Trazoheni’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“21–27 Tetor. 1 dhe 2 Thesalonikasve”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
motra misionare duke folur me një të ri

21–27 Tetor

1 dhe 2 Thesalonikasve

“Mos Lejoni që Menjëherë t’ju Prishet Mendja ose të Trazoheni”

Nëse nuk i shënojmë mbresat që marrim nga Shpirti, ne mund t’i harrojmë ato. Çfarë ju nxit Shpirti të shënoni teksa lexoni 1 dhe 2 Thesalonikasve?

Shënojini Mbresat Tuaja

Në Thesaloniki, Pali dhe Sila u akuzuan se “e k[ishin] bërë rrëmujë botën” (Veprat e Apostujve 17:6). Predikimi i tyre i egërsoi disa udhëheqës mes judenjve dhe këta udhëheqës e nxitën popullin në një trazirë (shih Veprat e Apostujve 17:1–10). Prandaj Pali dhe Sila u këshilluan ta linin Thesalonikin. Pali shqetësohej për të kthyerit e rinj në besim në Thesaloniki dhe përndjekjen me të cilën po përballeshin, por nuk ishte në gjendje të kthehej për t’i vizituar. “Mbasi nuk rezistoja më”, shkroi ai, “dërgova të marr vesh për besimin tuaj.” Si përgjigje, ndihmësi i Palit, Timoteu, i cili po shërbente në Thesaloniki, “na solli lajme të mira për besimin dhe dashurinë tuaj” (1 Thesalonikasve 3:5–6). Në fakt, shenjtorët thesalonikas njiheshin si shembuj “për të gjithë besimtarët” (1 Thesalonikasve 1:7) dhe lajmi i besimit të tyre u përhap në qytete të tjera. Përfytyroni gëzimin dhe ngushëllimin e Palit kur dëgjoi se puna e tij mes tyre “nuk qe e kotë” (1 Thesalonikasve 2:1). Por Pali e dinte se besnikëria në të shkuarën nuk është e mjaftueshme për të mbijetuarin shpirtëror në të ardhmen dhe ishte i vëmendshëm ndaj ndikimit të mësuesve të rremë mes shenjtorëve (shih 2 Thesalonikasve 2:2–3). Mesazhi i tij drejtuar atyre dhe neve, është të vazhdojmë të “plotësojmë gjërat që ende i mungojnë besimit [tonë]” dhe të “shtohemi edhe më shumë” në dashuri (shih 1 Thesalonikasve 3:10; 4:10).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Thesalonikasve 1–2

Shërbestarët e ungjillit predikojnë me sinqeritet dhe dashuri.

Te 1 Thesalonikasve fjalët e Palit zbulojnë si shqetësimin ashtu edhe gëzimin e dikujt që ia ka kushtuar vetveten tërësisht shërbimit ndaj fëmijëve të Perëndisë. Veçanërisht në dy kapitujt e parë të 1 Thesalonikasve, ju do të gjeni fjalë dhe fraza që përshkruajnë se si një shërbestar i vërtetë e jep mësim ungjillin. Çfarë frymëzoheni të bëni që ta përmirësoni mësimdhënien tuaj të ungjillit?

1 Thesalonikasve 3–4:12

Teksa e ndjek Jezu Krishtin, unë mund të bëhem i shenjtë.

Ne të gjithë shpresojmë se në “ardhjen e Perëndisë sonë” do të jemi të aftë të qëndrojmë përpara Tij me “zemrat … pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë” (1 Thesalonikasve 3:13). Çfarë dha mësim Pali rreth bërjes më të shenjtë te 1 Thesalonikasve 3:9–13; 4:1–12?

Shih edhe Moroni 10:32–33; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shenjtëri”; Karol F. Mek-Konki, “Shkëlqimi i Shenjtërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 9–12.

1 Thesalonikasve 4:16–18; 5:1–10; 2 Thesalonikasve 1:4–10

Nëse jam besnik dhe i vëmendshëm, unë vërtet do të përgatitem për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Te 1 Thesalonikasve 5:1–10 Pali përdori disa metafora për të dhënë mësim të vërteta të rëndësishme rreth kohës kur Jezusi do të kthehet në tokë. Ndërkohë që i studioni këto metafora, merreni parasysh të shkruani mbresat që ju vijnë rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit:

“Një vjedhës natën”:

“Dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë”:

Metafora të tjera që gjeni:

Çfarë të vërteta shtesë mësoni rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit nga 1 Thesalonikasve 4:16–18; 5:1–10; 2 Thesalonikasve 1:4–10? Çfarë nxiteni të bëni që të jeni të vëmendshëm e të përgatiteni për ardhjen e Tij?

Shih edhe Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 7–10.

2 Thesalonikasve 2

Një braktisje, ose një rënie nga e vërteta, u profetizua se do ta paraprijë Ardhjen e Dytë.

Mes përndjekjeve në rritje, shumë prej shenjtorëve thesalonikas besonin se Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit duhej të ishte pranë. Por Pali e dinte që përpara se Jezusi të kthehej në tokë, do të kishte braktisje – një rebelim ose “rëni[e]” nga e vërteta (shih 2 Thesalonikasve 2:1–4). Ju mund ta thelloni të kuptuarin tuaj për Braktisjen e Madhe – dhe vlerësimin tuaj për Rivendosjen – duke shqyrtuar disa nga burimet vijuese:

  • Shkrime të shenjta që e paratreguan Braktisjen: Isaia 24:5; Amos 8:11–12; Mateu 24:4–14; 2 Timoteut 4:3–4

  • Shkrime të shenjta që tregojnë se Braktisja po fillonte tashmë në kohën e Palit: Veprat e Apostujve 20:28–30; Galatasve 1:6–7; 1 Timoteut 1:5–7

  • Vëzhgime rreth Braktisjes së Madhe nga reformatorë të krishterë:

    Martin Luteri: “Nuk kam kërkuar asgjë tjetër veç reformimit të Kishës në përputhje me shkrimet e shenjta. … Thjesht them se krishterimi ka pushuar së ekzistuari mes atyre që duhej ta kishin ruajtur atë” (në E. G. Schweibert, Luther and His Times: The Reformation from a New Perspective [1950], f. 590).

    Roxher Uilliamsi: “Braktisja … deri më tani ka korruptuar gjithçka sa nuk mund të ketë shërim nga ajo braktisje derisa Krishti të dërgojë apostuj të rinj për t’i vendosur kishat sërish” (në Philip Schaff, The Creeds of Christendom [1877], f. 851).

    Erasmusi: “Gjithçka është tani kaq e ngatërruar me këto pyetje [të doktrinës] dhe dekrete sa ne nuk guxojmë as të shpresojmë për ta kthyer botën drejt krishterimit të vërtetë” (The Praise of Folly, përkth. Clarence H. Miller, bot. i 2‑të [2003], f. 155–156).

Shih edhe 2 Nefi 28.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të diskutoni nisur nga nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

1 Thesalonikasve 3:9–13

Çfarë ju bën përshtypje rreth ndjenjave që kishte Pali për miqtë e tij? Si mund t’i ushqejmë ndjenja të tilla për familjen tonë, miqtë dhe bashkëshenjtorët tanë?

1 Thesalonikasve 4:13–18

Si mund t’i përdorim këto vargje për ta ngushëlluar veten tonë ose dikë tjetër kur ndërron jetë një njeri i dashur?

1 Thesalonikasve 5:14–25

Shqyrtoni këshillën e Palit te 1 Thesalonikasve 5:14–25 dhe gjeni një frazë tek e cila dëshironi të përqendrohet familja juaj. Merreni parasysh ta shkruani në një afishe për ta vënë në dukje në shtëpinë tuaj. Pjesëtarët e familjes mund të shtojnë një shënim tek afishja kur ta shohin njëri‑tjetrin duke jetuar sipas këshillës në afishe.

2 Thesalonikasve 3:13

A ndiheni ndonjëherë të “lodh[ur] së bëri mirë” – ndoshta të mbingarkuar me gjërat që kërkon dishepullimi? Çfarë na ndihmon kur ndihemi në këtë mënyrë? (Shih Galatasve 6:9; DeB 64:33.) Si mund ta mbështetim njëri‑tjetrin kur kjo ndodh?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Tonë Vetjak

Kërkoni zbulesë çdo ditë. “Zbulesa shpesh vjen ‘rresht pas rreshti’ (2 Nefi 28:30), jo e tëra njëherësh. … Mos mendoni për [studimin e ungjillit] si diçka për të cilën krijoni kohë, por si diçka që ju po e bëni gjithmonë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 12).

Pamja
Krishti në retë

Krishti i Ringjallur, nga Robert T. Barrett