Eja, Më Ndiq
14–20 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: ‘Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon’


“14–20 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: ‘Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“14–20 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Pali duke diktuar një letër nga burgu

14–20 Tetor

Filipianëve; Kolosianëve

“Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon”

Kur ishte hera e fundit që i lexuat mbresat shpirtërore që keni shënuar gjatë studimit tuaj të Dhiatës së Re? Mund të jetë e dobishme t’i rishikoni nxitjet që keni marrë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pali ua shkroi letrat e tij drejtuar filipianëve dhe kolosianëve ndërkohë që ishte në burg. Por këto letra nuk e kanë tonin që mund të prisni nga dikush që është në burg. Pali foli më shumë për harenë, gëzimin dhe falënderimin se sa për vuajtjet dhe sprovat: “Krishti shpallet” tha ai, “dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem” (Filipianëve 1:18). “Edhe pse me trup jam larg jush, me frymën jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin” (Kolosianëve 2:5). Sigurisht, “paqja e Perëndisë” që Pali përjetoi në rrethanat e tij të vështira “ia tejkalon[te] çdo zgjuarsie” (Filipianëve 4:7), por gjithsesi ishte një realitet. Në vetë sprovat tona, ne mund të ndjejmë të njëjtën paqe dhe të “gëzoh[emi] gjithnjë në Zotin” (Filipanëve 4:4). Ne mund, ashtu siç bëri Pali, të mbështetemi plotësisht te Jezu Krishti, “në të cilin kemi shpagimin” (Kolosianëve 1:14). Ne mund të themi, ashtu siç tha Pali: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipanëve 4:13; shih edhe Kolosianëve 1:11).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Filipianëve 2:12–13

A po “puno[jmë] për [vetë] shpëtimin [tonë]”?

Fraza “punoni për shpëtimin tuaj” përdoret nga disa njerëz për të mbështetur idenë se ne shpëtohemi vetëm me anë të përpjekjeve tona. Por kjo është një pamje e kufizuar, ashtu siç është e kufizuar kuptueshmëria për mësimdhënien e Palit – “jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit” (Efesianëve 2:8) – që nënkupton se për shpëtimin nuk kërkohet asnjë vepër. Shkrimet shenjta, përfshirë shkrimet e Palit, japin mësim qartësisht nevojën si për hirin e Jezu Krishtit ashtu dhe për përpjekjet vetjake me qëllim që të merret shpëtimi. Siç tha Nefi: “Ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23). Madje në përpjekjet tona për të punuar për shpëtimin tonë, “Perëndia është që vepron në [ne]” (Filipianëve 2:13; shih edhe Filipianëve 1:6; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”).

Filipianëve 3:5–14

Ungjilli i Jezu Krishtit ia vlen çdo sakrificë.

Pali hoqi dorë nga shumë gjëra kur u kthye në besim në ungjillin e Jezu Krishtit, përfshirë vendin me ndikim të madh që mbante në shoqërinë judease si farise. Te Filipianët 3:5–14, kërkoni atë që Pali fitoi ngaqë ishte i gatshëm të bënte sakrifica për ungjillin. Si u ndje ai për sakrificat e tij?

Më pas, merreni në shqyrtim vetë dishepullimin tuaj. Çfarë keni sakrifikuar për ungjillin e Jezu Krishtit? Çfarë keni marrë? A ka ndonjë sakrificë tjetër që ju mendoni se duhet të bëni për t’u bërë një dishepull më i përkushtuar i Shpëtimtarit?

Shih edhe 3 Nefi 9:19–20; Doktrina e Besëlidhje 58:2–5; Robert C. Gei, “Çfarë do të Japë Njeriu si Shkëmbim të Shpirtit të Vet?” Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 34–36.

Filipianëve 4:1–13

Unë mund të gjej gëzim në Krishtin, pavarësisht nga rrethanat e mia.

Jeta e Palit është një ilustrim i gjallë i së vërtetës të shprehur nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen nga dhe për shkak të Tij” (Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 82).

Ndërsa lexoni letrën drejtuar filipianëve – veçanërisht kapitullin 4 – kërkojini thëniet që mund t’ju ndihmojnë të gjeni gëzim në çfarëdo rrethane të jetës suaj. Kur e keni përjetuar “paq[en] e Perëndisë” gjatë një kohe sfiduese? (vargu 7). Kur keni gjetur forcë “me anë të Krishtit” për të bërë gjëra të vështira? (vargu 13). Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të “kënaqe[ni]” në të gjitha rrethanat? (vargu 11). Në ç’mënyrë cilësitë te vargu 8 ju ndihmojë të gjeni gëzim në rrethanat tuaja?

Shih Alma 33:23; Diter F. Uhtdorf, “Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 70–77.

Kolosianëve 1:12–23

Besimi im bazohet te Jezu Krishti.

Ja ku është një qasje studimi që mund ta provoni me pothuajse çfarëdo kapitulli të shkrimit të shenjtë, edhe pse funksionon veçanërisht mirë me Kolosianëve 1:12–13. Shqyrtojini vargjet për çfarëdo gjëje që [mund] të mësoni rreth Jezu Krishtit dhe bëni një listë të asaj që gjeni. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që t’i dimë këto gjëra rreth Shpëtimtarit?

Kolosianëve 3:1–17

Dishepujt e Jezu Krishtit bëhen “[të] rinj” kur e jetojnë ungjillin e Tij.

Si e dini nëse ungjilli i Jezu Krishtit është duke ju ndihmuar të bëheni një “[burrë ose grua] e re”? Një mënyrë për ta zbuluar është duke shqyrtuar Kolosianëve 3:1–17 dhe duke bërë një listë qëndrimesh, cilësish dhe veprimesh të “njeriu[t të] vjetër” dhe një listë tjetër qëndrimesh, cilësish dhe veprimesh të “njeriu[t të] ri”.

A ju frymëzon studimi juaj i këtyre vargjeve ndonjë mendim rreth mënyrës se si po ju ndryshon ungjilli? Shënojini mendimet tuaja që të mund t’i rishikoni ato në të ardhmen dhe përsiatni mbi mënyrën se si po përparoni.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Filipianëve

Familja juaj mund të vërejë fjalët gëzim ose gëzohuni që përsëriten shpesh te Filipianët. Sa herë që ju ndesheni me njërën prej këtyre fjalëve, ju mund të ndaloni dhe të diskutoni për atë që dha mësim Pali rreth mënyrës se si të gjeni gëzim.

Filipianëve 2:14–15

Si mund të “ndriço[jmë] si pishtarë në botë”?

Filipianëve 4:8

Ndoshta familja juaj mund të përcaktojë gjëra për të cilat të “mendo[jë]”, që i përputhen përshkrimeve në këtë varg (shih edhe Nenet e Besimit 1:13). Si do të bekohej familja juaj duke i ndjekur këshillat e Palit?

Kolosianëve 1:9–11; 2:2–3

Çfarë mund të bëjmë për t’u rritur “në njohjen e Perëndisë”? Çfarë “thesare[sh] … dituri[e] dhe të njohjes” gjejmë në ungjill?

Kolosianëve 1:23; 2:7

Ndoshta familja juaj mund t’i lexojë këto vargje duke u ulur rreth një peme ose ndërsa shohin një figurë të një peme (të tillë si ajo që e shoqëron këtë përvijim). Çfarë do të thotë të kesh “themel” dhe “rrënjë” në Krisht? Si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin që t’i forcojmë rrënjët tona shpirtërore?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jetojeni dëshminë tuaj. “Ju jepni mësim atë që jeni”, dha mësim Plaku Nil A. Maksuell. “Tiparet tuaja do të kujtohen më shumë … sesa një e vërtetë e caktuar në një mësim të caktuar” (në Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 13).

Pamja
pemë

Pali dha mësim se besimi ynë duhet të “rrënj[oset]” te Jezu Krishti (Kolosianëve 2:7).