Eja, Më Ndiq
23–29 Shtator. Galatasve: ‘Ecni sipas Frymës’


“23–29 Shtator. Galatasve: ‘Ecni sipas Frymës’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“23–29 Shtator. Galatasve”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Krishti i shfaqet Palit në burg

23–29 Shtator

Galatasve

“Ecni sipas Frymës”

Ndërsa e lexoni letrën drejtuar galatasve, mbajini shënim mbresat që merrni. Bërja e kësaj do t’ju ndihmojë t’i kujtoni dhe përsiatni ato në të ardhmen.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ungjilli i Jezu Krishtit ofron liri nga skllavëria shpirtërore. Por ndonjëherë njerëzit që e kanë përjetuar lirinë e ungjillit largohen prej tij dhe “dëshirojnë përsëri t’[i] nënshtrohen” [skllavërisë shpirtërore] (Galatasve 4:9). Kjo është ajo çka po bënin disa shenjtorë galatas – ata po largoheshin nga liria që Krishti u kishte ofruar atyre (shih Galatasve 1:6). Letra e Palit drejtuar galatasve, atëherë, ishte një thirrje e ngutshme për t’u kthyer te “liri[a], me të cilën Krishti na liroi” (Galatasve 5:1). Kjo thirrje është një thirrje të cilën kemi nevojë ta dëgjojmë dhe t’ia vëmë veshin sepse ndërkohë që rrethanat ndryshojnë, beteja midis lirisë dhe skllavërisë është e vazhdueshme. Ashtu siç dha mësim Pali, nuk është e mjaftueshme të “thirr[emi] në liri” (Galatasve 5:13); ne duhet gjithashtu të “qëndrojmë të patundur” në të (Galatasve 5:1) duke u mbështetur te Krishti.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Galatasve 1–5

Ligji i Krishtit na bën të lirë.

Pali u shkroi shenjtorëve galatas kur mësoi se ata po çoheshin në rrugë të gabuar nga mësime të rreme. Njëri prej këtyre mësimeve ishte se, në mënyrë që të shpëtoheshin, johebrenjtë që e kishin pranuar ungjillin kishin nevojë të rrethpriteshin dhe të zbatonin tradita të tjera të ligjit të Moisiut. Pali i quajti këto tradita “zgjedh[a] e skllavërisë” (Galatasve 5:1), ngaqë ato po i pengonin shenjtorët ta jetonin plotësisht ligjin e Krishtit, i cili sjell liri të vërtetë. Çfarë gjeni te këshilla e Palit drejtuar galatasve që mund t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë është liria e vërtetë? Ju mund të përsiatni gjithashtu se çfarë lloj skllavërie mund të ekzistojë në jetën tuaj. A ka ndonjë gjë që po ju pengon ta përjetoni lirinë që ofron ungjilli? Si ju kanë “bërë të lirë” Krishti dhe ungjilli i Tij? (Galatasve 5:1).

Shih edhe 2 Nefi 2:27; 9:10–12.

Galatasve 3

Unë jam një trashëgimtar i bekimeve që iu premtuan Abrahamit.

Disa nga shenjtorët galatas ishin të shqetësuar se ngaqë nuk ishin pasardhës të drejtpërdrejtë (“pasardhës”) të Abrahamit, ata nuk do t’i merrnin bekimet që i ishin premtuar Abrahamit, përfshirë ato të ekzaltimit. Sipas Galatasve 3:7–9, 13–14, 27–29, çfarë e kualifikon një person për të qenë “pasardhës [i] Abrahamit”? Për të mësuar rreth bekimeve që iu premtuan Abrahamit dhe bekimeve që mund të trashëgojmë si pasardhësit e tij, shih Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Abraham”.

Galatasve 3:6–25

A e kishte Abrahami ungjillin e Jezu Krishtit?

Profeti Jozef Smith shpjegoi: “Ne nuk mund ta besojmë se të moçmit në të gjitha epokat ishin aq të paditur për sistemin e qiellit siç mendojnë shumë vetë, pasi të gjithë ata që u shpëtuan ndonjëherë, u shpëtuan me anë të fuqisë së këtij plani të madh të shëlbimit, para ardhjes së Krishtit po aq sa pas ardhjes. … Abrahami ofroi sakrificën dhe megjithë këtë, Ungjilli iu predikua atij” (“The Elders of the Church in Kirtland to Their Brethren Abroad”, The Evening and the Morning Star, mars 1834, f. 143, josephsmithpapers.org). Shkrimet e shenjta vijuese tregojnë gjithashtu se ungjilli i Jezu Krishtit u predikua përpara shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit: Helamani 8:13–20; Moisiu 6:50–66.

Galatasve 5:13–26; 6:7–10.

Nëse “ec[i] në Frymë”, unë do ta marr “fryti[n e] Frymës”.

Studimi i këtyre vargjeve mund t’ju ndihmojë të vlerësoni se sa plotësisht po ecni në Frymë. A po e përjetoni frytin e Frymës të përmendur në vargjet 22–23? Çfarë frytesh apo rezultatesh të tjera të të jetuarit shpirtërisht keni vënë re? Përsiatni mbi atë që duhet të bëni për ta kultivuar këtë fryt më plotësisht. Në ç’mënyrë kultivimi i këtij fryti i përmirëson marrëdhëniet e rëndësishme në jetën tuaj?

Pamja
mollë në një pemë

Unë duhet ta kërkoj “fryti[n e] Frymës” në jetën time.

Ndoshta ju po përpiqeni të ecni në Frymë, por duket sikur përpjekjet tuaja nuk po japin frytin e premtuar. Lexoni Galatasve 6:7–10 (shpesh përmendet si ligji i të korrave). Çfarë mesazhi mendoni se ka Zoti për ju në këto vargje? Si mund t’i përdorni këto vargje për ta nxitur dikë që po has vështirësi për ta jetuar ungjillin?

Shih edhe Alma 32:28, 41–43; Doktrina e Besëlidhje 64:32–34.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Galatasve 3:11

Çfarë do të thotë të “rro[sh] me anë të besimit”? Çfarë po bën familja juaj për të treguar se ju po rroni me anë të besimit?

Galatasve 4:1–7

Ju mund ta paraqitni Galatasve 4, duke diskutuar për ndryshimet midis shërbëtorëve të një mbreti dhe fëmijëve të tij. Çfarë mundësish apo potenciali ka fëmija i një mbreti që një shërbëtor nuk i ka? Mendoni për këtë ndërsa i lexoni së bashku vargjet 1–7. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth marrëdhënies sonë me Atin Qiellor?

Galatasve 5:22–23

Për t’i shtuar pak argëtim diskutimit tuaj të Galatasve 5:22–23, familja juaj mund të emërtojë fruta të ndryshme me fjalë që Pali i përdori për të përshkruar “fryti[n e] Frymës”. Më pas, çdo pjesëtar i familjes mund ta përzgjedhë njërin, ta përkufizojë atë dhe të flasë rreth dikujt që e mishëron atë fryt. Kjo mund të çojë drejt një diskutimi rreth mënyrave se si familja juaj mund ta ftojë Shpirtin në shtëpinë tuaj dhe ta kultivojë këtë fryt. Pas diskutimit, ju mund të shijoni një sallatë me fruta së bashku.

Galatasve 6:1

Mund të ketë raste kur dikush në familjen tuaj “bie në ndonjë faj”. Çfarë këshille gjeni te Galatasve 6:1 rreth asaj që duhet të bëni në një situatë të tillë?

Galatasve 6:7–10

Nëse familja juaj ka mbjellë ndonjëherë diçka së bashku, ju mund ta përdorni atë përvojë për të ilustruar parimin se “ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë” (vargu 7). Ose ju mund t’i pyesni pjesëtarët e familjes rreth frutave apo perimeve të tyre të parapëlqyera dhe të bisedoni rreth asaj që kërkohet për ta rritur një bimë që e prodhon atë ushqim. (Ju mund ta përdorni figurën që e shoqëron këtë përvijim si një mjet pamor ndihmës.) Më pas ju mund të bëni një bisedë rreth bekimeve që familja juaj shpreson të marrë dhe mënyrës se si t’i “korr[ni]” ato bekime.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojeni familjen tuaj t’i përshtatë shkrimet e shenjta me veten. Nefi tha: “I përshtata të gjitha shkrimet e shenjta për ne, që ato të mund të jenë për përfitimin dhe mësimin tonë” (1 Nefi 19:23). Për ta ndihmuar familjen tuaj që ta bëjë këtë, ju mund t’i ftoni ata të përsiatin për rastet kur i kanë përjetuar frytet e Frymës të përshkruara te Galatasve 5:22–23. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 21.)

Pamja
dardha në një pemë

Pali dha mësim se kur ecim në Frymë, ne do ta përjetojmë frytin e Frymës në jetën tonë.