Eja, Më Ndiq
9–15 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’


“9–15 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“9–15 Shtator. 2 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Jezu Krishti

9–15 Shtator

2 Korintasve 1–7

“Paqtohuni me Perëndinë”

Ndërsa i studioni letrat e Palit drejtuar korintasve, shkruani disa nga parimet e ungjillit që zbuloni dhe përsiatni se si mund t’i zbatoni ato në jetën tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndonjëherë, të qenit një udhëheqës i Kishës do të thotë të jesh i detyruar të thuash disa gjëra të vështira. Kjo ishte e vërtetë në kohën e Palit ashtu siç është edhe sot. Me sa duket, një letër e mëparshme e Palit drejtuar shenjtorëve korintas përfshinte qortimin dhe shkaktoi ndjenja të lënduara. Në letrën që u bë 2 Korintasve, ai u përpoq të shpjegonte se çfarë i kishte nxitur fjalët e tij të ashpra: “Ju shkrova, në fakt, me shumë lot dhe me pikëllim të madh dhe ankth në zemër, jo që të hidhëroheni, por që të njihni dashurinë shumë të madhe që kam për ju” (2 Korintasve 2:4). Kur je nga ana e atij që e merr korrigjimin nga një udhëheqës, pa dyshim që ju ndihmon të dini se ai është i frymëzuar nga dashuria si e Krishtit. Por edhe në ato raste kur nuk është, nëse jemi të gatshëm t’i shohim të tjerët me llojin e dashurisë që ndjeu Pali, është më e lehtë të reagojmë siç duhet ndaj çdo fyerjeje. Ashtu siç këshilloi Plaku Xhefri R. Holland: “Jini dashamirës lidhur me dobësinë e karakterit njerëzor – tuajit, si edhe të atyre që shërbejnë me ju në një Kishë të udhëhequr nga burra dhe gra vullnetare, të vdekshme. Me përjashtim të rastit të Birit të Tij të përsosur, të Vetëmlindur, njerëz të papërsosur janë gjithë çka Perëndia ka pasur si veprues përherë” (“Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 94).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

2 Korintasve 1:3–7; 4:6–10, 17–18; 7:4–7

Sprovat e mia mund të jenë një bekim.

Duke parë mundimet me të cilat u përball Pali në shërbesën e tij, nuk është për t’u çuditur që ai shkroi shumë për qëllimet dhe bekimet e mundimeve. Ndërsa lexoni 2 Korintasve 1:3–7; 4:6–10, 17–18 dhe 7:4–7, mendoni për mënyrën se si sprovat tuaja mund të jenë një bekim. Për shembull, ju mund të përsiatni se si Perëndia ju “ngushëllon në çdo shtrëngim t[uajin]” dhe mbi mënyrën se si, në kthim, ju mund t’i “ngushëllo[ni] ata që janë në çfarëdo shtrëngimi” (2 Korintasve 1:4). Ose ju mund të përqendroheni te drita e Jezu Krishtit që “shkëlqen në zemrat tona” edhe kur jeni të “shtrënguar” e “ndërdyshas” (2 Korintasve 4:6–10).

Shih edhe Mosia 24:13–17.

2 Korintasve 2:5–11

Unë marr bekime dhe i bekoj të tjerët kur fal.

Nuk dimë shumë rreth njeriut që Pali e përmendi te 2 Korintasve 2:5–11 – vetëm se ai kishte bërë shkelje (shih vargjet 5–6) dhe se Pali dëshironte që shenjtorët ta falnin atë (shih vargjet 7–8). Përse nganjëherë ne nuk arrijmë t’ia “shfaq[im] dashuri[në tonë]” dikujt që na ka fyer? (vargu 8). Në ç’mënyrë mosfalja e të tjerëve na lëndon ne dhe të tjerët? (shih vargjet 7, 10–11). Çfarë do të thotë për ju që mosfalja e të tjerëve bën “që të … na mposhtë Satani”? (vargu 11).

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 64:9–11.

2 Korintasve 5:14–21

Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, unë mund të pajtohem me Perëndinë.

Po aq sa çdokush tjetër, Pali e dinte se çfarë do të thoshte të bëheshe “një krijesë e re”. Nga një përndjekës i të krishterëve, ai u bë një mbrojtës i patrembur i Krishtit. Ai vetë e dinte se si Jezusi, i cili “nuk njihte mëkat”, mund ta na e heqë mëkatin tonë dhe të na japë “drejtësi[në]” e Tij, duke na rivendosur në unitet me Perëndinë. Ndërsa i lexoni këto vargje, mendoni se çfarë do të thotë të pajtohemi me një person tjetër. Si ju ndihmon kjo për të kuptuar se çfarë do të thotë të pajtohesh me Perëndinë? Përsiatni se çfarë mund të jetë duke ju ndarë nga Perëndia. Çfarë duhet të bëni për t’u pajtuar më plotësisht me Të?

Shih edhe 2 Nefi 10:23–25.

2 Korintasve 7:8–11

Trishtimi sipas Perëndisë çon drejt pendimit.

Ne zakonisht nuk e shohim trishtimin si një gjë të mirë, por Pali foli për “trishtimi[n] sipas Perëndisë” si një pjesë të nevojshme të pendimit. Çfarë mësoni rreth trishtimit sipas Perëndisë nga sa vijon? 2 Korintasve 7:8–11; Alma 36:16–21; Mormoni 2:11–15. Kur e keni ndier trishtimin sipas Perëndisë dhe çfarë ndikimi pati kjo në jetën tuaj?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

2 Korintasve 3:1–3

A i kanë kërkuar ndonjëherë pjesëtarët e familjes suaj dikujt që të shkruajë një letër rekomandimi për ta, të tillë si një kërkesë për punë apo për shkollë? Kërkojuni atyre që të flasin rreth kësaj përvoje dhe atë që thuhej në letër për ta. Pali dha mësim se jeta e shenjtorëve ishte si një letër rekomandimi për ungjillin nga Vetë Krishti, “e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë”. Ndërsa lexoni së bashku 2 Korintasve 3:1–3, diskutoni se si shembujt tuaj janë si letra rekomandimi për ungjillin që mund të “nj[ihen] dhe … lex[ohen] nga të gjithë njerëzit”. Ndoshta çdo pjesëtar i familjes mund të shkruajë një letër apo “shkresë”, duke shpjeguar se si një pjesëtar tjetër i familjes ka qenë shembull i mirë i një dishepulli të Jezu Krishtit. Ata mund t’ia lexojnë letrat e tyre familjes dhe t’ia japin ato pjesëtarëve të familjes për të cilët i shkruan. Përse është e rëndësishme të kuptojmë se jeta jonë është një “letër e Krishtit”?

2 Korintasve 5:6–7

Çfarë do të thotë të “ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit”? Çfarë po bëjmë që të tregojmë se ne besojmë në gjëra që nuk mund t’i shohim?

2 Korintasve 5:17

A mund të mendojë familja juaj – apo të gjejë – shembuj të natyrës së gjërave që kalojnë përmes shndërrimeve të mrekullueshme dhe bëhen krijesa të reja? (shih figurat që e shoqërojnë këtë përvijim). Çfarë na mësojnë këta shembuj rreth mënyrës se si mund të na ndryshojë ungjilli i Jezu Krishtit?

2 Korintasve 6:1–10

Sipas këtyre vargjeve, çfarë do të thotë të jemi “shërbëtorë të Perëndisë”?

2 Korintasve 6:14–18

Si mund ta ndjekim këshillën e Palit, “dilni nga mesi i [të padrejtëve] dhe ndahuni prej tyre”, duke qenë njëkohësisht shembuj të mirë tek ata që janë përreth nesh?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni mësime me sende. Disa koncepte të ungjillit, të tilla si Shlyerja, mund të jenë të vështira për t’u kuptuar. Merreni parasysh përdorimin e figurave apo sendeve të cilat mund ta ndihmojnë familjen tuaj t’i kuptojë parimet që zbuloni në shkrimet e shenjta.

Pamja
vemje, fshikëz dhe flutur

Kur ne kthehemi në besim në ungjillin e Jezu Krishtit, shndërrimi ynë është kaq i thellë saqë Pali e përshkroi si të bërit “krijesa të reja” (2 Korintasve 5:17).