Eja, Më Ndiq
12–18 Gusht. Romakëve 7–16: ‘Munde të Keqen me të Mirën’


“12–18 Gusht. Romakëve 7–16: ‘Munde të Keqen me të Mirën’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“12–18 Gusht. Romakëve 7–16”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Roma

12–18 Gusht

Romakëve 7–16

“Munde të Keqen me të Mirën”

Vetëm pak prej parimeve të ungjillit te Romakëve 7–16 mund të përfshihen në këtë përvijim të mësimit, kështu që mos e kufizoni veten [vetëm] me atë që është trajtuar këtu. Kushtojini vëmendje frymëzimit që merrni ndërsa studioni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në hyrjen e letrës së tij drejtuar romakëve, Pali i përshëndeti anëtarët e Kishës në Romë duke i quajtur “të dashur nga Perëndia”, të cilët ishin “thirrur shenjtorë”. Ai vuri në dukje që “për besimin [e tyre ishte] folur në gjithë botën” (Romakëve 1:7–8). Ndonëse Pali e përdori një pjesë të madhe të letrës së tij për të korrigjuar ide të rreme dhe sjellje të gabuara, duket që ai donte gjithashtu t’i siguronte këta të krishterë të rinj të kthyer në besim se ata me të vërtetë ishin shenjtorë, të cilët ishin të dashur për Perëndinë. Me një shfaqje të përulur empatie, Pali pranoi që herë-herë ishte ndier si një “njeri i mjerë” (Romakëve 7:24), por ungjilli i Jezu Krishtit i kishte dhënë atij fuqi për ta mundur mëkatin (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Romakëve 7:22–27 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 235]). Ai vijoi duke dhënë këshillë të dhembshur për të gjithë ne që përpiqemi të kemi dashuri dhe për të cilët të bërit shenjtorë mund të duket e paarritshme. “Mos u mund nga e keqja”, tha ai – si e keqja në botë, dhe e keqja brenda vetes sonë – “por munde të keqen me të mirën” (Romakëve 12:21).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Romakëve 7–8

Nëse i bindem Shpirtit, unë mund ta mposht mëkatin dhe të përgatitem për një trashëgimi me Perëndinë.

Edhe pas hyrjes në “risinë e jetës” me anë të ordinancës së pagëzimit (Romakëve 6:4), ndoshta ju keni ndier një pjesë të konfliktit të brendshëm që Pali e përshkroi te Romakëve 7 – “luft[ën]” ndërmjet njeriut të natyrshëm dhe dëshirave tona të drejta (Romakëve 7:23). Por Pali foli edhe për shpresën te Romakëve 8:23–25. Çfarë arsyesh për këtë shpresë gjeni te kapitulli 8? Ju mund të kërkoni gjithashtu bekime që vijnë kur e keni “Frym[ën] e Perëndisë [që] banon në ju” (Romakëve 8:9). Si mund ta kërkoni shoqërimin e Frymës së Shenjtë më plotësisht në jetën tuaj?

Romakëve 8:17–39

Lavdia e përjetshme që i pret besnikët, ka shumë më tepër peshë se sprovat në vdekshmëri.

Vetëm pak vite pasi Pali e shkroi këtë letër, shenjtorët në Romë vuajtën përndjekje të llahtarshme. Çfarë zbuloni te Romakëve 8:17–39 që mund t’i ketë ndihmuar këta shenjtorë kur erdhi përndjekja? Si mund të gjejnë zbatim këto fjalë për ju dhe për sprovat me të cilat përballeni tani?

Kërkojini lidhjet ndërmjet këtyre vargjeve dhe kësaj këshille nga Motra Linda S. Rivs: “Unë nuk e di pse i kemi sprovat e shumta që kemi, por ndjesia ime vetjake është … që shpërblimi është kaq i madh, kaq i përhershëm dhe i përjetshëm, kaq i gëzueshëm dhe përtej kuptueshmërisë tonë saqë në ditën e shpërblimit, ne mund të ndiejmë t’i themi Atit tonë të dashur e të mëshirshëm: ‘A ishte kjo gjithçka që kërkohej?’ Unë besoj se, nëse do të mund ta kujtonim dhe dallonim çdo ditë thellësinë e dashurisë që Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari kanë për ne, ne do të ishim të gatsh[ëm] të bënim gjithçka që Ata do të kërkonin që të ishim sërish në praninë e Tyre, të rrethuar përjetësisht nga dashuria e Tyre. Çfarë rëndësie do të kenë … ato që kemi vuajtur këtu, nëse, në fund, ato sprova janë pikërisht gjërat që na kualifikojnë për jetën e përjetshme dhe ekzaltimin në mbretërinë e Perëndisë me Atin dhe Shpëtimtarin tonë?” (“Të Denja për Bekimet Tona të Premtuara”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 11).

Vendosni se çfarë do të bëni që ta “kujtoni dhe dalloni çdo ditë” dashurinë e Perëndisë për ju.

Romakëve 8:29–30; 9–11

Çfarë donte të thoshte Pali me “paracaktuar”, “zgjedhur” dhe “njohur që më parë”?

Pali i përdori këto terma për të dhënë mësim që disa prej fëmijëve të Perëndisë ishin paracaktuar, ose caktuar që më parë, për të marrë bekime dhe detyra të veçanta, që ata të mund t’i bekonin të gjitha kombet e botës (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Zgjedhje”, [f. 215]). Kjo bazohej në paranjohjen prej Perëndisë të gatishmërisë së fëmijëve të Tij për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për t’u bërë si Ai (shih edhe Efesianëve 1:3–4; 1 Pjetër 1:2). Megjithatë, Pali e theksoi te Romakëve 9–11 që pavarësisht se si hyjmë në shtëpinë e Izraelit – apo bëhemi anëtarë të Kishës – të gjithë njerëzit duhet ta marrin shpëtimin individualisht nëpërmjet besimit në Jezu Krisht dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij.

Për më shumë informacion, shih Alma 13:1–5.

Romakëve 12–16

Pali më fton që të bëhem shenjtor dhe pasues i vërtetë i Jezu Krishtit.

Pesë kapitujt e fundit të Romakëve përmbajnë disa udhëzime specifike lidhur me mënyrën se si duhet të jetojnë shenjtorët. Ju mund të mos jeni në gjendje që ta zbatoni të gjithë këtë këshillë njëherësh, por dëgjojeni Shpirtin dhe Ai mund t’ju ndihmojë që të gjeni një apo dy këshilla me të cilat mund të filloni të punoni sot. Shprehjani dëshirat tuaja Atit tuaj Qiellor në lutje dhe kërkojeni ndihmën e Tij.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Romakëve 7:23

Për ta ndihmuar familjen tuaj që të kuptojë më shumë rreth “luft[ës]” së përshkruar nga Pali në këtë varg, merrni parasysh të tregoni historinë për ujqërit në artikullin e Plakut Shein M. Bouen “Agency and Accountability” [“Liria e Zgjedhjes dhe Përgjegjshmëria”] (New Era, shtator 2012, f. 8–9).

Romakëve 9:31–32

Mesazhi i Plakut Uilford W. Andersen “Muzika e Ungjillit” (Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 54–56) mund të ndihmojë në ilustrimin e asaj që jep mësim Pali rreth ligjit, veprave dhe besimit. Familjes suaj mund t’i pëlqejë të diskutojë për bisedën e tij dhe të provojë që të vallëzojë me dhe pa muzikë. Si ngjan të vallëzuarit pa muzikë me të bindurit ndaj ungjillit pa besim?

Pamja
atë e bijë duke vallëzuar

Plaku Uilford W. Andersen dha mësim: “Muzika e ungjillit është [një] ndjenj[ë] e gëzueshme shpirtërore”.

Romakëve 10:17; 15:4

Si i ka sjellë të studiuarit e fjalës së Perëndisë bekimet e përshkruara në këto vargje? Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të tregojnë disa prej shkrimeve të tyre të shenjta të parapëlqyera (shih edhe 2 Nefi 25:26).

Romakëve 12

Çfarë do të thotë ta bëjmë veten “fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia”? (Romakëve 12:1).

Romakëve 14:13–21

Familja juaj mund të ketë dobi nga studimi i këshillës së Palit rreth paragjykimit dhe debatit për parapëlqimet vetjake të të tjerëve. Ndoshta ju mund të diskutoni rreth mënyrave të përshtatshme për t’u përgjigjur kur zgjedhjet e të tjerëve ndryshojnë nga tuajat. Si mund të jemi më të ndërgjegjshëm për mënyrën se si zgjedhjet tona vetjake ndikojnë tek të tjerët?    

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Lërini fëmijët ta shprehin krijueshmërinë e tyre. “Kur i ftoni fëmijët të krijojnë diçka që lidhet me një parim të ungjillit, ju i ndihmoni ta kuptojnë më mirë parimin. … Lejojini të ndërtojnë, vizatojnë, ngjyrosin, shkruajnë dhe krijojnë” (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).

Pamja
Krishti me duart e shtrira

Me Mua Rri, nga Del Parson