Eja, Më Ndiq
29 Korrik–4 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28: ‘Shërbyes dhe Dëshmues’


“29 Korrik–4 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28: ‘Shërbyes dhe Dëshmues’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“29 Korrik–4 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Pali në burg

29 Korrik–4 Gusht

Veprat e Apostujve 22–28

“Shërbyes dhe Dëshmues”

Mbresat nga Fryma e Shenjtë janë shpesh të qeta dhe ndonjëherë kalimtare. Të shënuarit e mbresave tuaja ju lejon që t’i reflektoni ato më thellë. Ndërsa i lexoni Veprat e Apostujve 22–28, shkruajini mendimet dhe ndjenjat që ju vijnë, dhe kaloni kohë për t’i përsiatur ato.

Shënojini Mbresat Tuaja

“Kur jemi në punën e Zotit”, Presidenti Tomas S. Monson premtoi, “na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit” (“Të Mësojmë, të Bëjmë, të Jemi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 62). Mirëpo, ne nuk na është dhënë e drejta për një rrugë të shtruar [pa pengesa] dhe një lumë pambarim suksesesh. Si provë për këtë, nuk kemi nevojë të shkojmë më larg sesa Pali, Apostulli. Detyra e Tij nga Shpëtimtari ishte: “Për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit” (Veprat e Apostujve 9:15). Te kapitujt 22–28 të Veprave të Apostujve, ne e shohim Palin duke e përmbushur këtë detyrë dhe duke u përballur me kundërshtim të madh – zinxhirë, burgosje, dhunim fizik, mbytjeje të anijes dhe madje një pickim gjarpri. Por ne gjithashtu shohim që Jezusi “iu shfaq atij dhe tha: ‘Pal, kurajo’” (Veprat e Apostujve 23:11). Përvojat e Palit janë një kujtues frymëzues se kur shërbëtorët e Zotit e pranojnë thirrjen e Tij që të “shko[jnë] … dhe bë[jnë] dishepuj nga të gjithë popujt”, Ai do ta përmbushë premtimin e Tij ndaj tyre: “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19–20).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Veprat e Apostujve 22:1–21; 26:1–29

Dishepujt e Jezu Krishtit i japin dëshmitë e tyre me guxim.

Kur Pali dha dëshmitë e fuqishme të shënuara te Veprat e Apostujve 22 dhe 26, ai po mbahej i burgosur nga ushtarë romakë. Njerëzit të cilëve ai u foli, kishin fuqinë ta dënonin me vdekje. Prapëseprapë, ai zgjodhi që të jepte dëshmi me guxim për Jezu Krishtin dhe “vegimi[n] qiellor” (Veprat e Apostujve 26:19) që kishte parë. Çfarë ju frymëzon te fjalët e tij? Merrni parasysh mundësitë që keni për të dhënë dëshminë tuaj. Për shembull, kur qe hera e fundit që i treguat familjes suaj ose të tjerëve rreth mënyrës se si e fituat dëshminë tuaj për ungjillin?

Veprat e Apostujve 22:1–21; 26:9–20

Përse ka ndryshime ndërmjet tri rrëfimeve të vegimit të Palit për Jezu Krishtin?

Libri i Veprave të Apostujve përmban tri rrëfime të vegimit mrekullibërës të Palit rrugës për në Damask (shih Veprat e Apostujve 9:3–20; 22:1–21; 26:9–20). Secili nga këto rrëfime është paksa i ndryshëm nga të tjerët dhe disa japin më shumë hollësi sesa të tjerët. Për shkak se rrëfimet iu treguan dëgjuesve të ndryshëm për qëllime të ndryshme, është logjike që Pali zgjodhi të theksonte pjesë të ndryshme të përvojës për secilin auditor.

Në mënyrë të ngjashme, Jozef Smithi shënoi disa rrëfime të Vegimit të tij të Parë. Rrëfimet e ndryshme iu dhanë dëgjuesve të ndryshëm për qëllime të ndryshme dhe japin këndvështrime që nuk do të ishin në dispozicion nëse do të ekzistonte vetëm një rrëfim.

Veprat e Apostujve 23:10–11; 27:13–25, 40–44

Zoti u qëndron pranë atyre që përpiqen t’i shërbejnë Atij.

Sikurse e tregon qartë shërbesa e Palit, vështirësitë në jetën tonë nuk janë një shenjë që Perëndia nuk e miraton punën që po bëjmë. Në fakt, ndonjëherë është gjatë vështirësive që ne e ndiejmë më fort mbështetjen e Tij. Mund të jetë interesante ta shqyrtoni atë që keni lexuar kohët e fundit rreth shërbesës së Palit dhe t’i renditni disa nga gjërat që ai duroi (shih, për shembull, Veprat e Apostujve 14:19–20; 16:19–27; 21:31–34; 23:10–11; 27:13–25, 40–44). Si i qëndroi Zoti pranë atij dhe çfarë ju mëson kjo rreth vetë përpjekjeve tuaja në shërbim të Zotit?

Veprat e Apostujve 24:24–27; 26:1–3, 24–2927

Unë mund të zgjedh t’i pranoj ose jo fjalët e shërbëtorëve të Perëndisë.

Gjatë gjithë shërbesës së tij, Pali dha dëshmi të fuqishme për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Shumë njerëz e pranuan dëshminë e tij, por jo kushdo e pranoi. Teksa i lexoni Veprat e Apostujve 24:24–27 dhe Veprat e Apostujve 26:1–3, 24–29, shkruani fjalë dhe fraza që tregojnë se si reaguan udhëheqësit vijues romak në Jude ndaj mësimeve të Palit:

Feliksi

Festi

Mbreti Agripa

Ndërsa lundronte drejt Romës për t’u gjykuar nga Cezari, Pali profetizoi se “rrezik dhe … dëm [i] madh” do t’i ndodhte anijes dhe pasagjerëve të saj (Veprat e Apostujve 27:10). Lexojeni kapitullin 27 për të zbuluar se si pasagjerët që po lundronin me Palin, reaguan ndaj paralajmërimeve të tij. A gjeni ndonjë mësim për veten tuaj në përvojën e tyre?

A keni reaguar ndonjëherë si ndonjëri prej këtyre njerëzve kur dëgjuat mësimet e udhëheqësve të Kishës? Cilat janë disa pasoja të mundshme të reagimit në këto mënyra? Çfarë mësoni nga këto rrëfime në lidhje me të dëgjuarit e këshillës së Zotit nga shërbëtorët e Tij?

Shih edhe 2 Nefi 33:1–2; Joseph Smith—Historia 1:24–25; D. Tod Kristoferson, “Zëri i Paralajmërimit”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 108–111.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Veprat e Apostujve 24:16

Përpara kthimit të tij në besim, Pali kishte një histori të gjatë veprimesh fyese ndaj Perëndisë. Por për shkak se qe i gatshëm të pendohej, ai qe në gjendje të thoshte: “Prandaj unë përpiqem të kem vazhdimisht një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve” (shih edhe DeB 135:4). Si mund ta pastrojmë ndërgjegjen tonë nga veprimet fyese ndaj Perëndisë dhe ndaj të tjerëve?

Veprat e Apostujve 26:16–18

Në këto vargje, çfarë e thirri Zoti Palin që të bënte? Çfarë mundësish kemi për të bërë gjëra të ngjashme?

Veprat e Apostujve 28:1–9

A i pëlqen ndonjë gjarpërinjtë në familjen tuaj? Ju mund të dëshironi t’i kërkoni atij personi ose një pjesëtari tjetër të familjes që të tregojë historitë që gjenden te Veprat e Apostujve 28:1–9. Fëmijët tuaj mund të kënaqen duke vizatuar figura të këtyre historive ose duke i aktruar ato. Çfarë mësimesh mund të marrim nga këto rrëfime? Një mësim mund të jetë që Zoti i përmbush premtimet e Tij ndaj shërbëtorëve të Tij. Për shembull, ju mund t’i krahasoni premtimet e bëra te Marku 16:18 me përmbushjet e tyre në përvojat e Palit. Ju gjithashtu mund të gjeni në një nga fjalimet e fundit të konferencës së përgjithshme një premtim të bërë nga një prej shërbëtorëve të Zotit – ndoshta një premtim që është domethënës për familjen tuaj – dhe ta shpalosni atë në shtëpinë tuaj. Si mund ta tregojmë besimin tonë që ky premtim do të përmbushet?

Pamja
gjarpër

Perëndia e mbrojti Palin kur një gjarpër helmues e kafshoi atë.

Veprat e Apostujve 28:22–24

Sikurse Kisha në kohën e Palit (që u quajt “sekt” te vargu 22), shpesh [edhe] sot “flitet kundra” Kishës. Kur njerëzit folën kundra Shpëtimtarit dhe Kishës së Tij, si u përgjigj Pali? Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Palit?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përqendrohuni në parime që do ta bekojnë familjen tuaj. Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, pyeteni veten: “Çfarë gjej këtu që do të jetë veçanërisht domethënëse për familjen time?” (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 17.)

Pamja
Pali përpara mbretit Agripa

I Guximshëm në Dëshminë për Jezu Krishtin, nga Daniel A. Lewis. Pali përpara mbretit Agripa.