Eja, Më Ndiq
19–25 Gusht. 1 Korintasve 1–7: ‘Të Jeni Plotësisht të Bashkuar’


“19–25 Gusht. 1 Korintasve 1–7: ‘Të Jeni Plotësisht të Bashkuar’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“19–25 Gusht. 1 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Korinti

Korinti, Greqia jugore, Forumi dhe Qendra Qytetase, pikturë nga Balage Balogh

19–25 Gusht

1 Korintasve 1–7

“Të Jeni Plotësisht të Bashkuar”

Shënojini mbresat tuaja ndërsa lexoni 1 Korintasve 1–7. Këto mbresa mund të përfshijnë nxitje për ta studiuar më tej një ide, për t’u treguar të tjerëve diçka që mësuat, apo për të bërë ndryshime në jetën tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Gjatë muajve që Pali kaloi në Korint, “shumë Korintas, duke [e] dëgjuar [atë], besuan dhe u pagëzuan” (Veprat e Apostujve 18:8). Kështu që duhet të ketë qenë pikëlluese për Palin të merrte vesh që, vetëm pak vite më vonë, mes shenjtorëve korintas kishte “ndasi” dhe “grindje” dhe që në mungesë të tij ata filluan t’ia vinin veshin “dituri[s]ë [së] kësaj bote” (1 Korintasve 1:10–11, 20). Si përgjigje, Pali shkroi letrën të cilën ne tani e quajmë 1 Korintasve. Ajo është plot me doktrinë të thellë, dhe prapëseprapë në të njëjtën kohë, Pali duket i zhgënjyer që shenjtorët nuk ishin gati ta merrnin të gjithë doktrinën që ai dëshironte t’u jepte. “Unë, o vëllezër, nuk munda t’ju flas si njerëz frymëror”, tha ai me pikëllim, “sepse jeni akoma të mishit” (1 Korintasve 3:1–3). Ndërsa përgatitemi për t’i lexuar fjalët e Palit, mund të jetë e dobishme të analizojmë gatishmërinë tonë vetjake për ta marrë të vërtetën – përfshirë gatishmërinë tonë për t’ia vënë veshin Shpirtit dhe për t’u përpjekur për unitet brenda familjeve tona, me shenjtorët tanë miq dhe me Perëndinë.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Korintasve 1:10–17; 3:1–11

Anëtarët e Kishës së Krishtit janë të bashkuar.

Ne nuk i dimë të gjitha hollësitë rreth mungesës së unitetit mes shenjtorëve korintas, por ne në të vërtetë jemi në dijeni të mungesës së unitetit në vetë marrëdhëniet tona. Mendoni për një marrëdhënie në jetën tuaj që mund të ketë dobi nga rritja e unitetit; pastaj kërkojeni atë që dha mësim Pali te 1 Korintasve 1:10–17; 3:1–11 rreth mungesës së unitetit mes shenjtorëve korintas. Çfarë idesh mund të fitoni rreth mënyrës se si të zhvilloni unitet më të madh me të tjerët?

Shih edhe Mosia 18:21; 4 Nefi 1:15–17; Doktrina e Besëlidhje 38:23–27; 105:1–5.

1 Korintasve 1:17–312

Për ta përmbushur punën e Perëndisë, unë kam nevojë për diturinë e Perëndisë.

Ndërkohë që është mirë – madje nxitemi – që të kërkojmë dituri kudo ku mund ta gjejmë atë (shih 2 Nefi 9:29; DeB 88:118), Pali dha disa paralajmërime të formuluara fuqishëm rreth diturisë së mangët njerëzore, të cilën ai e quajti “dituri[a] e kësaj bote”. Ndërsa i lexoni 1 Korintasve 1:17–25, përsiatni se çfarë kuptimi mund të ketë kjo frazë. Çfarë mendoni se nënkuptoi Pali me “dituri[a] e Perëndisë”? Përse kemi nevojë për diturinë e Perëndisë për ta përmbushur punën e Perëndisë?

Në përpjekjet tuaja për t’i plotësuar përgjegjësitë tuaja në përmbushjen e punës së Perëndisë, a e keni përjetuar ndonjëherë “frikë[n] dhe drithërimë[n e] madhe”, që Pali ndjeu kur ai i mësoi shenjtorët korintas? (1 Korintasve 2:3). Çfarë gjeni te vargjet 1–5 që ju jep kurajë? Merrni parasysh se si mund të tregoni se mirëbesoni në “fuqinë e Perëndisë” më shumë sesa në “diturinë e njerëzve”.

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 1:17–28.

1 Korintasve 2:9–16

Unë kam nevojë për Frymën e Shenjtë në mënyrë që t’i kuptoj gjërat e Perëndisë.

Nëse do të donit të mësonit më shumë për diçka si mekanika automobilistike apo arkitektura mesjetare, si do ta bënit atë? Sipas 1 Korintasve 2:9–16, si është të mësuarit e “gjëra[ve të] Perëndisë” ndryshe nga të mësuarit e “gjëra[ve të] njeriut”? Përse duhet ta kemi Frymën e Shenjtë në mënyrë që t’i kuptojmë gjërat e Perëndisë? Pasi i lexuat këto vargje, çfarë ndieni se duhet të bëni që t’i kuptoni gjërat shpirtërore më plotësisht? Si mund ta ndihmojnë fjalët e Palit dikë që po has vështirësi lidhur me dëshminë e tij apo të saj?

1 Korintasve 6:13–20

Trupi im është i shenjtë.

Shumica e njerëzve në Korint mendonin që imoraliteti seksual ishte i pranueshëm dhe se trupat e tyre ishin krijuar së pari për të pasur kënaqësi. Me fjalë të tjera, Korinti nuk ishte aq i ndryshëm nga bota sot. Çfarë dha mësim Pali te 1 Korintasve 6:13–20 që mund t’ju ndihmojë t’u shpjegoni të tjerëve arsyen përse dëshironi të jetoni një jetë të dëlirë?

Mund të jetë interesante gjithashtu të shihni se si Motra Uendi W. Nelson, ashtu si Pali, i nxiti shenjtorët të jenë të dëlirë në bisedën e saj “Dashuria dhe Martesa” (Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore, 8 janar 2017, broadcasts.lds.org). Si dallojnë të vërtetat për dashurinë dhe intimitetin të përshkruara prej Motrës Nelson nga mesazhet e botës?

Shih edhe Romakëve 1:24–27.

1 Korintasve 7:29–33

A dha mësim Pali se më mirë është të jesh i pamartuar sesa i martuar?

Disa vargje te 1 Korintasve 7 duket se sugjerojnë që ndonëse martesa është e pranueshme, parapëlqehet të qëndruarit beqarë dhe heqja dorë plotësisht nga marrëdhëniet seksuale. Megjithatë, Përkthimi prej Joseph Smith-it, 1 Korintasve 7:29–33 (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 236]) na ndihmon të kuptojmë që Pali po i referohej atyre që thirreshin të ishin misionarë kohëplotë, duke vënë në dukje se ata ishin në gjendje t’i shërbenin më mirë Perëndisë nëse qëndronin beqarë gjatë misioneve të tyre. Zoti ka dhënë mësim nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, përfshirë Palin, që martesa është pjesë e planit të Tij të përjetshëm dhe e nevojshme për ekzaltimin (shih 1 Korintasve 11:11; DeB 131:1–4).

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

1 Korintasve 1:10–17; 3:1–11

Ndërsa pjesëtarët e familjes suaj i lexojnë këto vargje, ftojini që të gjejnë një ide që mund t’i ndihmojë të jenë më të bashkuar.

1 Korintasve 3:1–2

Ndoshta mund t’i lexoni këto vargje teksa hani një vakt të lehtë me qumësht e mish, dhe ju mund ta krahasoni mënyrën se si foshnjat rriten e bëhen të mëdhenj me mënyrën se si ne rritemi shpirtërisht.

1 Korintasve 3:4–9

Pali i krahasoi përpjekjet e tij misionare me mbjelljen e farave. Çfarë sugjeron krahasimi i tij për mënyrën se si duhet t’i qasemi shpërndarjes së ungjillit me të tjerët?

1 Korintasve 6:19–20

Krahasimi i trupave tanë me tempujt, siç bëri Pali, mund të jetë një mënyrë e efektshme për të dhënë mësim për shenjtërinë e trupave tanë. Ndoshta ju mund të tregoni figura të tempujve, të tilla si ato që shoqërojnë këtë përvijim të mësimit. Përse janë të shenjtë tempujt? Si janë trupat tanë të ngjashëm me tempujt? Çfarë mund të bëjmë që t’i trajtojmë trupat tanë si tempuj? (Shih edhe “Pastërtia Seksuale”, Për Forcën e Rinisë, f. 35–37.) Nëse është e mundur, shkoni së bashku në tempull ose vizitoni rrethinat e tempullit; kjo mund ta pasurojë diskutimin tuaj rreth shenjtërisë së tempullit dhe të trupave tanë.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Jini të duruar me veten. Pali dha mësim se qumështi vjen përpara mishit kur jemi duke e mësuar ungjillin (shih 1 Korintasve 3:1–2). Nëse ju duket se disa doktrina janë të vështira për t’u kuptuar tani, jini të duruar. Mirëbesoni që përgjigjet do të vijnë ndërsa keni besim dhe studioni me zell.

Pamja
katër tempuj

Pali i krahasoi trupat tanë me shenjtërinë e tempullit. Në drejtim orar nga lart majtas: Tempulli i Tihuanës në Meksikë, Tempulli i Taipeit në Tajvan, Tempulli i Tegusigalpës në Honduras, Tempulli i Hjustonit në Teksas.