Eja, Më Ndiq
10–16 Qershor. Mateu 26; Marku 14; Lluka 22; Gjoni 18: ‘Jo si Dua Unë, por si Do Ti’


“10–16 Qershor. Mateu 26; Marku 14; Lluka 22; Gjoni 18: ‘Jo si Dua Unë, por si Do Ti’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“10–16 Qershor. Mateu 26–23; Marku 14; Lluka 22–20; Gjoni 18”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Darka e Fundit

Dhe Ishte Natë, nga Benjamin McPherson

10–16 Qershor

Mateu 26; Marku 14; Lluka 22; Gjoni 18

“Jo si Dua Unë, por si Do Ti”

Teksa lexoni rreth ngjarjeve të përshkruara te Mateu 26; Marku 14; Lluka 22 dhe Gjoni 18, kushtojini vëmendje ndonjë mbrese që merrni, veçanërisht nxitjeve për të bërë ndryshime në jetën tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pati vetëm tre dëshmitarë të vdekshëm të vuajtjes së Jezu Krishtit në Kopshtin e Gjetsemanit – dhe ata fjetën gjatë pjesës më të madhe të saj. Në atë kopsht dhe më vonë në kryq, Jezusi mori mbi veten e Tij mëkatet, dhembjet dhe vuajtjet e çdo njeriu që jetoi ndonjëherë, edhe pse pothuajse asnjë i gjallë në atë kohë, nuk ishte i vetëdijshëm për çka po ndodhte. Por prapëseprapë, ngjarjet më të rëndësishme të përjetësisë shpesh kalojnë pa shumë vëmendje nga bota. Sidoqoftë, Perëndia, Ati, ishte i vetëdijshëm. Ai e dëgjoi përgjërimin e Birit të Vet besnik: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti. Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë” (Lluka 22:42–43). Edhe pse nuk ishim të pranishëm fizikisht për ta dëshmuar këtë veprim vetëmohimi dhe nënshtrimi, në njëfarë kuptimi, ne të gjithë mund të jemi dëshmitarë të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Çdo herë që pendohemi dhe marrim falje për mëkatet tona dhe çdo herë që e ndiejmë fuqinë forcuese të Shpëtimtarit, ne mund të dëshmojmë për atë që ndodhi në Kopshtin e Gjetsemanit.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 26:17–30; Marku 14:12–26; Lluka 22:7–39

Sakramenti është një mundësi që ta kujtojmë Shpëtimtarin.

Çfarë bëni ju që t’i kujtoni njerëzit që kanë qenë të rëndësishëm në jetën tuaj? Kur Shpëtimtari e filloi sakramentin për dishepujt e Tij, Ai tha: “Bëni këtë në përkujtimin tim” (Lluka 22:19; shih edhe 3 Nefi 18:7). Si ju ndihmojnë buka, uji dhe elementet e tjera të kësaj ordinance që ta kujtoni Atë dhe vuajtjen e Tij? Përsiateni këtë pyetje kur lexoni rreth sakramentit të parë. Gjithashtu, vini re rishikimet që gjenden te Përkthimi prej Joseph Smith-it (shih poshtëshënimet dhe Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta).

Shpenzoni ca kohë për të përsiatur përvojën që e keni gjatë sakramentit çdo javë. Çfarë mund të bëni për ta bërë më domethënëse? Ndoshta ju mund të shkruani disa gjëra që ndiheni të frymëzuar t’i kujtoni rreth Shpëtimtarit – mësimet e Tij, veprimet e Tij të dashurisë, rastet kur jeni ndier veçanërisht pranë Tij ose mëkatet dhe dhembjet që Ai i mori mbi Vete në emrin tonë.

Shih edhe 3 Nefi 18:1–13; Doktrina e Besëlidhje 20:76–79; “Sacrament” [“Sakramenti”], Gospel Topics [Temat e Ungjillit], topics.lds.org; “Always Remember Him” [“Gjithmonë Kujtojeni Atë”] (material filmik, LDS.org).

Mateu 26:36–46; Marku 14:32–42; Lluka 22:40–46

Shpëtimtari vuajti për mua në Gjetseman.

Presidenti Rasëll M. Nelson na ftoi të “shpenzojmë kohë për të mësuar rreth Shpëtimtarit dhe flijimit të Tij shlyes” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 40).

Merrni parasysh se çfarë do të bëni që ta pranoni ftesën e Presidentit Nelson. Ju mund ta filloni duke e përsiatur plot lutje vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman, siç përshkruhet në këto vargje, dhe duke i shkruar mbresat e pyetjet që ju vijnë në mendje.

Për një studim edhe më të thellë të Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij, përpiquni të hetoni shkrime të tjera të shenjta për përgjigje ndaj pyetjeve si këto:

Ndërsa mësoni rreth asaj që ndodhi në Gjetseman, mund të jetë interesante ta dini se Gjetsemani ishte një kopsht me pemë ulliri dhe përfshinte një presë ullinjsh, e përdorur për të shtypur ullinjtë dhe për të nxjerrë vajin që përdorej për ndriçim e ushqim si edhe për shërim (shih Lluka 10:34). Procesi i përdorimit të një peshe të rëndë për ta nxjerrë vajin e ullirit mund të simbolizojë peshën e mëkatit dhe të dhembjes që Shpëtimtari e duroi për ne (Shih D. Tod Kristoferson, “Qëndroni në Dashurinë Time”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 50–51).

Marku 14:27–31, 66–72; Lluka 22:31–32

Kthimi në besim është një proces i vazhdueshëm.

Mendoni rreth përvojave që Pjetri pati me Shpëtimtarin – mrekullitë ku ishte dëshmitar dhe doktrinën që mësoi. Përse atëherë do t’i thoshte Shpëtimtari Pjetrit: “Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu”? (Lluka 22:32; kursivi i shtuar). Cili është ndryshimi, sipas mësimit nga Plaku Dejvid A. Bednar, midis pasjes së një dëshmie dhe qenies me të vërtetë i kthyer në besim? (shih “Të Kthyer në Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 106–109). Ndërsa lexoni rreth përvojave të Pjetrit te Marku 14:27–31, 66–72, mendoni rreth vetë kthimit tuaj në besim. Çfarë mësimesh mund të mësoni nga Pjetri? Ndërkohë që vazhdoni ta lexoni Dhiatën e Re, çfarë provash gjeni të kthimit të Pjetrit në besim dhe të përpjekjeve të tij për t’i forcuar të tjerët? Çfarë ndikimi pati marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë te kthimi i tij në besim? (shih Gjoni 15:26–27; Veprat e Apostujve 1:8; 2:1–4).

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur vazhdoni të lexoni me familjen tuaj rreth javës së fundit të jetës së Shpëtimtarit, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni, me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Mateu 26:17–30; Marku 14:12–26; Lluka 22:7–39

Si ngjan përvoja e familjes suaj gjatë sakramentit çdo javë? Leximi rreth sakramentit të parë mund të frymëzojë një diskutim rreth rëndësisë së sakramentit dhe mënyrave se si pjesëtarët e familjes mund ta bëjnë adhurimin e tyre më domethënës. Merrni parasysh të paraqitni figurën Shpërndarja e Sakramentit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 108) dhe t’i jepni ide njëri‑tjetrit rreth asaj që mund të bëni përpara, gjatë dhe pas sakramentit.

Lluka 22:40–46

Kur familja juaj i lexon këto vargje, pjesëtarët mund të tregojnë se çfarë mësuan ndërsa studionin shkrimet e shenjta, të sugjeruara në pjesën “Shpëtimtari vuajti për mua në Gjetseman” të studimit vetjak të shkrimeve të shenjta.

Lluka 22:50–51

Çfarë mësojmë rreth Jezusit nga kjo përvojë?

Pamja
Krishti duke shëruar veshin e shërbëtorit

Lëreni, Mjaft Kështu, nga Walter Rane

Mateu 26:36–46; Marku 14:32–42; Lluka 22:40–46

Çfarë mësojmë nga fjalët e Shpëtimtarit në këto vargje?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Studioni fjalët e profetëve dhe të apostujve të ditëve të mëvonshme. Lexoni atë që kanë dhënë mësim profetët dhe apostujt e ditëve të mëvonshme rreth të vërtetave që i gjeni në shkrimet e shenjta. Për shembull, në botimin më të fundit të konferencës së përgjithshme të Ensign-it ose Liahonës, ju mund të kërkoni në treguesin tematik për zërin “Shlyerja” (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 21).

Pamja
Krishti në Gjetseman

Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti, nga Walter Rane