Eja, Më Ndiq
17–23 Qershor. Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19: ‘U Krye’


“17–23 Qershor. Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19: ‘U Krye’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“17–23 Qershor. Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Krishti përpara Pilatit

Ecce Homo, nga Antonio Ciseri

17–23 Qershor

Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19

“U Krye”

Mateu 27; Marku 15; Lluka 23 dhe Gjoni 19 përfshijnë përshkrime të orëve të fundit të jetës së Shpëtimtarit në vdekshmëri. Përpiquni ta ndieni dashurinë e Tij për ju kur studioni rreth flijimit dhe vdekjes së Tij.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në çdo fjalë e veprim, Jezu Krishti mishëroi dashurinë e pastër – atë që Apostulli Pal e quajti dashuri hyjnore (shih 1 Korintasve 13). Në asnjë kohë nuk ishte kjo më e dukshme sesa gjatë orëve të fundit të jetës së Shpëtimtarit në vdekshmëri. Heshtja e Tij dinjitoze përballë akuzave të rreme tregoi se Ai “nuk pezmatohet” (1 Korintasve 13:5). Gatishmëria e Tij për t’iu nënshtruar fshikullimit, talljes dhe kryqëzimit – ndërkohë që e përmbajti fuqinë e Tij për të mos u dhënë fund mundimeve të Veta – tregoi se Ai “është [i] duruesh[ëm]” dhe “i duron të gjitha” (1 Korintasve 13:4, 7). Dhembshuria e Tij kundrejt nënës së Vet dhe mëshira e Tij kundrejt kryqëzuesve të Tij – madje gjatë vetë vuajtjes së Tij të pakrahasueshme – zbuloi se Ai “nuk kërkon të [Tijat]” (1 Korintasve 13:5). Në çastet e Tij të fundit në tokë, Jezusi po bënte atë që Ai e kishte bërë gjatë gjithë shërbesës së Tij në vdekshmëri – po jepte mësim duke na treguar mënyrën. Në të vërtetë, dashuria hyjnore është “dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19

Gatishmëria e Jezu Krishtit për të vuajtur tregon dashurinë e Tij për Atin dhe për ne të gjithë.

Edhe pse Shpëtimtari pati fuqi të lutej që të zbritnin “legjione engjëjsh” (Mateu 26:53), Ai zgjodhi të duronte vullnetarisht sprova të padrejta, tallje mizore dhe dhembje të papërfytyrueshme fizike. Përse e bëri Ai atë? “Për shkak të dashurisë së përzemërt të tij”, dëshmoi Nefi, “dhe të shpirtmirësisë së tij kundrejt fëmijëve të njerëzve” (1 Nefi 19:9).

Ju mund ta filloni studimin tuaj për orët e fundit të Shpëtimtarit duke lexuar 1 Nefin 19:9. Ku gjeni te Mateu 27; Marku 15; Lluka 23 dhe Gjoni 19, shembuj të çdo gjëje që Nefi tha se Jezusi do ta vuante?

“[Ata e] gjykoj[në] atë të jetë një gjë pa vlerë”

“[Ata] e fshikullojnë”

“Ata e godasin”

“Ata pështyjnë mbi të”

Cilat fragmente ju ndihmojnë ta ndieni “dashuri[në e] përzemërt” të Atit Qiellor dhe të Jezusit ndaj jush? Cilat nga vetitë e shfaqura prej Shpëtimtarit jeni frymëzuar t’i zhvilloni më tërësisht?

Shih edhe “Jesus Is Condemned before Pilate” [“Jezusi Dënohet përpara Pilatit”] dhe “Jesus Is Scourged and Crucified” [“Jezusi Fshikullohet dhe Kryqëzohet”] (materiale filmike, LDS.org).

Mateu 27:27–49, 54; Marku 15:16–32; Lluka 23:11, 35–39; Gjoni 19:1–5

Tallja me të vërtetën e Perëndisë nuk duhet ta dobësojë besimin tim.

Ndërkohë që Jezusi kishte duruar tallje gjatë gjithë shërbesës së Tij, ajo u bë më e fortë gjatë fshikullimit dhe Kryqëzimit të Tij. Por kjo tallje nuk mund ta ndryshonte të vërtetën: Jezusi është Biri i Perëndisë. Ndërkohë që lexoni rreth poshtërimit që duroi Jezusi, mendoni rreth kundërshtimit dhe talljes që has sot vepra e Tij. Çfarë idesh fitoni rreth durimit të kundërshtimit? Çfarë ju bën përshtypje rreth fjalëve të centurionit te Mateu 27:54?

Mateu 27:46; Marku 15:34

A e braktisi Ati Qiellor Jezusin në kryq?

Plaku Xhefri R. Holland ofroi idenë vijuese: “Unë dëshmoj … se një Atë i mrekullueshëm nuk e braktisi Birin e Tij në atë orë. … Sidoqoftë, që ajo sakrificë supreme e Birit të Tij të mund të ishte po aq e plotë saç ishte e vullnetshme dhe e veçuar, Ati hoqi për pak momente nga Jezusi ngushëllimin e Shpirtit të Tij, mbështetjen e pranisë së Tij personale. … Që Shlyerja e [Shpëtimtarit] të jetë e pafundme dhe e përjetshme, Ai duhej të ndiente se si ishte të vdisje jo vetëm fizikisht, por dhe shpirtërisht, të ndiente se si ishte të të largohej Shpirti hyjnor, duke e lënë njeriun të ndihej i vetëm tërësisht, dëshpërimisht, shpresëhumbur” (“Askush Nuk Ishte me Të”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 87–88).

Lluka 23:34.

Shpëtimtari është shembulli ynë i faljes.

Si ndiheni kur i lexoni fjalët e Shpëtimtarit te Lluka 23:34? (shihni idenë e dhënë nga Përkthimi prej Joseph Smith-it te poshtëshënimi c). Duke iu referuar fjalëve të Shpëtimtarit, Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Ne duhet të falim dhe të mos ruajmë shpirtligësi ndaj atyre që na fyejnë. Shpëtimtari e dha shembullin nga kryqi. … Ne nuk i njohim zemrat e atyre që na fyejnë” (“That We May Be One”, Ensign, maj 1998, f. 68). Si mund t’ju ndihmojë ky varg nëse e keni të vështirë ta falni dikë?

Lluka 23:39–43

Cili është kuptimi i fjalës “parajsë” në thënien e Shpëtimtarit drejtuar keqbërësit?

Në shkrimet e shenjta, fjala parajsë zakonisht do të thotë “një vend paqeje dhe lumturie në botën e shpirtrave pas vdekjes” – një vend i ruajtur për të drejtët. Profeti Jozef Smith dha mësim se fjala parajsë te Lluka 23:43 “është një keqpërkthim; Zoti faktikisht tha se vjedhësi do të ishte me Të në botën e shpirtrave” (Të Vërtetë ndaj Besimit, f.113; shih edhe Joseph Smith, Journal, 11 qershor 1843, josephsmithpapers.org). Në botën e shpirtrave, keqbërësi do të dëgjonte të predikohej ungjilli.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Mateu 27:3–10

Edhe pse Juda e njihte Jezusin personalisht, ai “u largua nga [Jezusi] dhe u fye për shkak të fjalëve të tij” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 14:31 [te Marku 14:10, poshtëshënimi a]). Çfarë mund t’i bëjë njerëzit, të cilët duket se kanë dëshmi të forta, që të largohen nga Shpëtimtari? Si mund të qëndrojmë të vërtetë ndaj Jezu Krishtit?

Mateu 27:11–26; Marku 15:1–15; Lluka 23:12–24; Gjoni 19:1–16

Përse Pilati e lejoi që Jezusi të kryqëzohej, edhe pse e dinte se Jezusi ishte i pafajshëm? Çfarë mësimesh nxjerrim nga përvoja e Pilatit rreth mbrojtjes së asaj që e dimë se është e drejtë? Mund të jetë e dobishme për familjen tuaj që të luajë me role skenarë që e lejojnë të praktikojë mbrojtjen e asaj që është e drejtë.

Pamja
Krishti duke mbajtur kryqin

“Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt … Golgot[ës]” (Gjoni 19:17).

Mateu 27:46; Lluka 23:34, 43, 46; Gjoni 19:26–28, 30

Ndoshta ju mund t’i caktoni secilit pjesëtar të familjes një ose më shumë thënie që Shpëtimtari i shprehu në kryq, të cilat gjenden në këto vargje, dhe kërkojuni që të tregojnë se çfarë mësojnë rreth Shpëtimtarit dhe misionit të Tij.

Marku 15:39

Si i ka forcuar leximi rreth Kryqëzimit dëshmitë tona se Jezusi është “Biri i Perëndisë”?

Gjoni 19:25–27

Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si duhet t’i duam dhe mbështetim pjesëtarët e familjes?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Merrni shembull nga jeta e Shpëtimtarit. “Është e dobishme t’i studiojmë mënyrat se si dha mësim Shpëtimtari – metodat që përdori Ai dhe gjërat që tha Ai. Por fuqia e Shpëtimtarit për t’i mësuar e lartësuar të tjerët erdhi nga … lloji i njeriut që ishte Ai. Sa më me zell që përpiqeni të jetoni si Jezu Krishti, aq më shumë do të jeni në gjendje të jepni mësim si Ai” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 13).

Pamja
Krishti në kryq

Krishti në Kryq, nga Carl Heinrich Bloch