Eja, Më Ndiq
3–9 Qershor. Gjoni 13–17: ‘Qëndroni në Dashurinë Time’


“3–9 Qershor. Gjoni 13–17: ‘Qëndroni në Dashurinë Time’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“3–9 Qershor. Gjoni 13–17”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Darka e Fundit

Në Përkujtimin Tim, nga Walter Rane

3–9 Qershor

Gjoni 13–17

“Qëndroni në Dashurinë Time”

Ndërsa studioni mësimet e Shpëtimtarit te Gjoni 13–17, Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë të gjeni mesazhe për ju. Mbajini shënim mbresat që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Sot ne e quajmë atë “Darka e Fundit”, por nuk e dimë nëse dishepujt e Jezusit e kuptuan tërësisht, kur u mblodhën për festën vjetore të Pashkës, se kjo do të ishte darka e tyre e fundit me Mësuesin përpara vdekjes së Tij. Sidoqoftë, Jezusi “e di[nte] se kishte ardhur ora e tij” (Gjoni 13:1). Ai shpejt do të përballej me vuajtjen në Gjetseman, tradhtinë dhe mohimin nga miqtë e Tij më të ngushtë dhe vdekjen plot agoni në kryq. Prapëseprapë, madje me gjithë këtë kanosje përpara Tij, përqendrimi i Jezusit nuk ishte te vetja e Tij, por te shërbesa ndaj dishepujve të Tij. Ai me përulësi ua lau këmbët. U dha mësim rreth dashurisë. Dhe i siguroi sërish se, në njëfarë kuptimi, Ai nuk do t’i linte kurrë dhe ata nuk do të kishin kurrë nevojë ta linin Atë. Dishepujt në atë kohë dhe tani gjejnë ngushëllim në premtimet e Tij: “Nuk do t’ju lë bonjakë” (Gjoni 14:18). “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time” (Gjoni 15:10).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Gjoni 13–15

Unë e tregoj dashurinë time për Jezu Krishtin duke i zbatuar urdhërimet e Tij për të dashur.

Jezusi tashmë u kishte dhënë mësim se dy urdhërimet më të mëdha kishin të bënin me dashurinë (shih Mateu 22:34–40). Në përputhje me këtë theksim, dashuria ishte një temë kryesore e udhëzimeve të Tij përfundimtare të dhëna Apostujve të Tij. Ndërkohë që lexoni Gjonin 13–15, ju mund ta shënoni ose shenjoni secilin përdorim të fjalës dashuri.

Ju mund të vini re fjalën urdhërime të përsëritur shpesh shoqëruar me fjalën dashuri në këta kapituj. Çfarë mund të mësoni rreth marrëdhënies midis dashurisë dhe urdhërimeve nga mësimet e Shpëtimtarit? Çfarë fjalësh të tjera i gjeni të përsëritura me fjalën dashuri në këta kapituj? Nisur nga ajo që mësoni, merrni parasysh të shkruani një përmbledhje të shkurtër të mësimeve të Shpëtimtarit rreth dashurisë.

Shih edhe D. Todd Kristoferson, “Qëndroni në Dashurinë Time”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 48–51.

Gjoni 14–16

Fryma e Shenjtë më ndihmon që ta përmbush qëllimin tim si dishepull i Jezu Krishtit.

Jezu Krishti e dinte se Ai shpejt do t’i linte dishepujt e Tij dhe Ai e dinte se atyre do t’iu nevojitej përkrahje shpirtërore pasi Ai të largohej. Për t’i ndihmuar që të kuptonin se si do ta merrnin këtë përkrahje, Ai u dha mësim rreth Frymës së Shenjtë. Çfarë mësoni rreth roleve të Frymës së Shenjtë nga fjalët e Shpëtimtarit në vargjet vijuese?

Përse ju nevojitej dishepujve kjo lloj ndihme nga Fryma e Shenjtë? Si i ka përmbushur Fryma e Shenjtë këto role në jetën tuaj? Teksa vazhdoni studimin e Dhiatës së Re, kërkoni mënyra se si Fryma e Shenjtë i bekoi dishepujt e Jezusit. Si do të ishte jeta juaj ndryshe nëse do ta ftonit Frymën e Shenjtë që t’ju ndikonte më thellësisht?

Shih edhe Mosia 3:19; 5:1–3; 3 Nefi 27:20; Moroni 8:25–26; 10:5; Doktrina e Besëlidhje 11:12–14; Moisiu 6:61; “Holy Ghost” [“Fryma e Shenjtë”], Gospel Topics [Temat e Ungjillit], topics.lds.org.

Gjoni 15:1–8

Kur qëndroj në Krishtin, unë vërtet do të sjell fryt të mirë.

Çfarë do të thotë të “qëndro[sh] në [Krishtin]”? (Gjoni 15:4). Cili “fryt” tregon që ju jeni të lidhur me hardhinë, e cila përfaqëson Jezu Krishtin?

Gjoni 17

Jezu Krishti ndërmjetëson për dishepujt e Tij.

Fjalët e Jezusit të shënuara te Gjoni 17 njihen si Lutja Ndërmjetësuese. Në këtë lutje, Jezusi u lut për Apostujt e Tij si “edhe për ata që do të besojnë në [Të] me anë të fjalës së tyre” (Gjoni 17:20). Kjo do të thotë që Ai po lutej për ju. Çfarë kërkoi Jezusi nga Ati i Tij në emrin tuaj dhe të gjithë besimtarëve të tjerë?

Kjo lutje gjithashtu jep mësime për të vërteta të mëdha, të përjetshme. Çfarë të vërtetash gjeni teksa e lexoni atë?

Gjoni 17:11, 21–23

Si janë një Jezu Krishti dhe Ati Qiellor?

Në lutjen e Tij te Gjoni 17, Jezusi theksoi unitetin e Tij me Atin, por kjo nuk do të thotë që Ai dhe Ati i Tij janë e njëjta qenie. Kur Shpëtimtari u lut që dishepujt e Tij të mund të ishin një “ashtu si” – ose në të njëjtën mënyrë si – Ai dhe Ati i Tij janë një (Gjoni 17:22), Ai nuk po kërkonte që dishepujt të bëheshin një qenie. Përkundrazi, dëshira e Tij ishte për ta që të gëzonin të njëjtin unitet që Ai e ka me Atin – unitetin e përsosur të qëllimit, zemrës e mendjes.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Gjoni 13:1–17

Çfarë mëson familja jonë nga shembulli i Shpëtimtarit në këto vargje? Në çfarë mënyrash mund ta ndjekim shembullin e Tij?

Gjoni 13:34–35; 15:9–14

Ndërkohë që diskutoni mësimet e Shpëtimtarit rreth dashurisë, merrni parasysh edhe këto fjalë nga Presidenti Tomas S. Monson: “Në botën e sotme, askund nuk nevojitet më shumë ai themel dashurie prej shkëmbi sesa në shtëpi. Dhe bota askund nuk do të gjejë një shembull më të mirë të atij themeli sesa në shtëpitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, të cilët e kanë bërë dashurinë qendrën e jetës së tyre familjare. … Dashuria është vetë thelbi i ungjillit, tipari më fisnik i shpirtit njerëzor” (“Siç Ju Kam Dashur”, Ensign ose Liahona, shkurt 2017, f. 4–5).

Pjesëtarëve të familjes suaj mund t’iu pëlqejë vizatimi i figurave ose shkrimi brenda zemrave prej letre i diçkaje që e duan te njëri‑tjetri. Ata mund t’i vendosin këto zemra nëpër shtëpi si kujtues për të treguar dashuri për njëri‑tjetrin.

Gjoni 15:1–8

Mund të jetë e këndshme t’i lexoni këto vargje jashtë, pranë një hardhie, një peme ose një bime tjetër. Si i ndihmon kjo veprimtari pjesëtarët e familjes suaj që t’i kuptojnë më mirë mësimet e Shpëtimtarit?

Pamja
rrush në vresht

Shpëtimtari na mësoi: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet” (Gjoni 15:5).

Gjoni 15:17–27; 16:1–7

Si mendoni ju, përse Jezu Krishti i paralajmëroi dishepujt e Tij për përndjekjen? Si përndiqen dishepujt e Krishtit sot? Si mund të na ndihmojë këshilla e Shpëtimtarit në këto vargje kur përballemi me përndjekje?

Gjoni 16:33

Si e ka mundur Krishti botën? Si ju ka sjellë Shlyerja e Tij paqe dhe gëzim? (shih edhe DeB 68:6).

Gjoni 17:21–23

Si mund të jetë më e bashkuar familja jonë sikurse janë të bashkuar Jezu Krishti dhe Ati Qiellor? Përse dëshiron Zoti që ne të jemi të bashkuar? (shih edhe DeB 38:27).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni regjistrime zanore. Ndërsa ia mësoni familjes suaj shkrimet e shenjta, merrni parasysh të dëgjoni variante zanore të shkrimeve të shenjta, që gjenden te LDS.org ose te programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Dëgjimi i Gjonit 13–17 mund të jetë veçanërisht i fuqishëm ngaqë këta kapituj përmbajnë kaq shumë prej fjalëve të Shpëtimtarit.

Pamja
Jezusi duke larë këmbët e Apostujve

Mjeshtri Shërbëtor, nga Del Parson