Eja, Më Ndiq
25 Shkurt – 3 Mars. Mateu 6–7: ‘Ai i Mësonte, si Një që Ka Autoritet’


“25 Shkurt – 3 Mars. Mateu 6–7: ‘Ai i Mësonte, si Një që Ka Autoritet’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“25 Shkurt – 3 Mars. Mateu 6–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Jezusi duke dhënë mësim pranë bregut të detit

Jezusi Duke Mësuar Njerëzit pranë Bregut të Detit, nga James Tissot

25 Shkurt – 3 Mars

Mateu 6–7

“Ai i Mësonte, si Një që Ka Autoritet”

Kur i lexojmë shkrimet e shenjta me një pyetje në mendje dhe me një dëshirë të sinqertë për ta kuptuar atë që Ati Qiellor do që ne të dimë, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë që të na frymëzojë. Teksa e lexoni Mateun 6–7, kushtojini vëmendje atyre mbresave.

Shënojini Mbresat Tuaja

Predikimi në Mal është një prej ligjëratave më të mirënjohura në krishterim. Shpëtimtari dha mësim me shëmbëlltyra të gjalla, të tilla si një qytet të ngritur në majë të malit, zambakët e fushës dhe ujqër që shtiren si dele. Por Predikimi në Mal është shumë më tepër sesa një fjalim i bukur. Fuqia e mësimeve të Shpëtimtarit drejtuar dishepujve të Tij mund të ndryshojë jetën tonë, veçanërisht kur jetojmë sipas atyre mësimeve. Atëherë fjalët e Tij bëhen më shumë sesa fjalë; ato bëhen një themel i sigurt për jetën që, ashtu si shtëpia e njeriut të zgjuar, mund t’u bëjë ballë erërave dhe përmbytjeve të botës (shih Mateu 7:24–25).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 6–7

Unë duhet ta vë zemrën time pas gjërave qiellore.

Nuk është përherë e lehtë t’u japim përparësi gjërave të Perëndisë para gjërave të botës. Cili prej mësimeve të Shpëtimtarit te Mateu 6–7 ju ndihmon të përqendroheni te gjërat qiellore? Çfarë mendimesh apo mbresash keni teksa i studioni fjalët e Tij? Çfarë ndiheni i frymëzuar të bëni? Merrni parasysh t’i mbani shënim mbresat tuaja. Për shembull:

Mateu 6:1–4

Unë duhet të shqetësohem më shumë rreth asaj çfarë mendon Perëndia për mua, sesa rreth asaj çfarë mendojnë të tjerët.

Mateu 6–7

Unë mund t’i qasem më pranë Perëndisë nëpërmjet lutjes së përulur, të sinqertë.

Predikimi në Mal përmban shumë tema dhe temat që ju vini re, do të varen në një farë shkalle nga rrethanat e tanishme të jetës suaj si dhe asaj që dëshiron Zoti t’ju komunikojë.

Një temë nga Mateu 6–7 është lutja. Gjeni një çast për të vlerësuar lutjet tuaja. Si mendoni se po ecni në përpjekjet tuaja për t’iu qasur më pranë Perëndisë nëpërmjet lutjes? Cilat mësime te Mateu 6–7 ju frymëzojnë që ta përmirësoni mënyrën se si luteni? Mbajini shënim mbresat që merrni nga Shpirti. Për shembull:

Mateu 6:9

Kur lutem, unë duhet ta trajtoj emrin e Atit Qiellor me nderim.

Mateu 6:10

Kur lutem, duhet të shpreh dëshirën time që të bëhet vullneti i Zotit.

Ju mund të merrni parasysh ta lexoni edhe njëherë Predikimin në Mal, këtë herë duke kërkuar një temë apo mesazh tjetër që përsëritet, i cili gjen posaçërisht zbatim për ju. Mbajeni shënim në një ditar studimi atë që gjeni, së bashku me mendimet dhe mbresat tuaja.

Pamja
familje duke u lutur

Ne mund t’i qasemi më pranë Perëndisë nëpërmjet lutjes.

Mateu 6:7

Çfarë do të thotë të përdorësh “përsëritje të kota” në lutje?

Njerëzit shpesh e kuptojnë [sikur] “përsëritje[t] [e] kota” nënkuptojnë përsëritjen e të njëjtave fjalë në mënyrë të vazhdueshme. Mirëpo, fjala të kota mund të përshkruajë diçka që nuk ka vlerë. Përdorimi i “përsëritje[ve] të kota” në lutje mund të nënkuptojë të luturin pa ndjenjë të sinqertë, të çiltër (shih Alma 31:12–23).

Mateu 6:9–13

Përse nuk e themi përmendsh Lutjen e Zotit?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Zoti e parapriu lutjen e Tij duke u kërkuar më përpara pasuesve të Tij të shmangin ‘përsëritje të kota’ [Mateu 6:7] e të luten ‘kështu’ [Mateu 6:9]. Pra, Lutja e Zotit shërben për t’u ndjekur si model dhe jo si një pjesë për ta mësuar përmendësh dhe recituar me përsëritje. Mjeshtri thjesht do që të lutemi për ndihmën e Perëndisë teksa përpiqemi vazhdimisht që t’i rezistojmë ligësisë dhe të jetojmë me drejtësi” (“Mësime nga Lutjet e Zotit”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 46–47).

Mateu 7:1–5

Unë duhet të gjykoj me drejtësi.

Te Mateu 7:1, Shpëtimtari mund të duket se është duke thënë se ne nuk duhet të gjykojmë, por në shkrime të tjera të shenjta (përfshirë vargje të tjera në këtë kapitull), Ai na jep udhëzime rreth mënyrës se si të gjykojmë. Nëse ajo ju duket e ndërlikuar, Përkthimi prej Joseph Smith-it i këtij vargu mund të ndihmojë: “Mos gjykoni padrejtësisht, që ju të mos gjykoheni; por gjykoni me gjykim të drejtë” (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, PJS, Mateu 7:2,  [f. 226]). Çfarë gjeni te Mateu 7:1–5, si dhe në pjesën tjetër të kapitullit, që ju ndihmon të dini mënyrën se si të “gjykoni me gjykim të drejtë”?

Shih edhe “Gjykim i të Tjerëve”, Të Vërtetë Ndaj Besimit, f. 58–60; Lin G. Robins, “Gjykatësi i Drejtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 96–98.

Mateu 7:21–23

Unë arrij ta njoh Jezu Krishtin duke bërë vullnetin e Tij.

Fraza: “Unë s’ju kam njohur kurrë”, te Mateu 7:23 u ndryshua te Përkthimi prej Joseph Smith-it në “Ju s’më keni njohur kurrë” . Si ju ndihmon ky ndryshim ta kuptoni më mirë atë çfarë dha mësim Zoti te vargjet 21–22 rreth bërjes së vullnetit të Tij? Sa mirë mendoni se e njihni Zotin? Çfarë mund të bëni për ta njohur më mirë Atë?

Shih edhe Dejvid A. Bednar, “Po Të Më Kishit Njohur”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 102–105.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Teksa e studioni Predikimin në Mal me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime t’i theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Mateu 6–7

Një mënyrë për të mësuar si familje nga Mateu 6–7 është që të shihni materialet filmike “Sermon on the Mount: The Lord’s Prayer” [“Predikimi në Mal: Lutja e Zotit”] dhe “Sermon on the Mount: Treasures in Heaven” [“Predikimi në Mal: Thesare në Qiell”] (LDS.org). Pjesëtarët e familjes mund të ndjekin paralelisht në shkrimet e shenjta dhe t’i ndalojnë materialet filmike kurdoherë që dëgjojnë diçka për të cilën duan të diskutojnë. Kjo veprimtari mund të kryhet në disa ditë, nëse është e nevojshme.

Mateu 6:5–13

Çfarë mund të mësojmë rreth lutjes nga mënyra se si u lut Shpëtimtari? Si mund ta përdorim lutjen e Tij si model për t’i përmirësuar lutjet tona vetjake dhe familjare? (Shih edhe Lluka 11:1–13.) Nëse keni fëmijë më të vegjël, ju mund të ushtroheni duke u lutur së bashku.

Mateu 6:33

Çfarë do të thotë: “Para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë”? Si po e përmbushim ne këtë si familje?

Mateu 7:1–5

Ju mund të përdorni një pjesëz të vogël druri dhe një copë të madhe druri për të përfaqësuar një lëmishte dhe një tra, teksa diskutoni për mësimet e Shpëtimtarit rreth gjykimit të të tjerëve. Merrni parasysh të lexoni pjesën “Gjykim i të Tjerëve”, tek Të Vërtetë Ndaj Besimit, f. 58–60, si pjesë të këtij diskutimi.

Mateu 7:24–27

Për ta ndihmuar familjen tuaj, që ta kuptojë më mirë shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit për njeriun e zgjuar dhe njeriun budalla, ju mund t’i lini ata të hedhin ujë në rërë dhe më pas në një shkëmb [/gur]. Si mund t’i ngremë themelet tona shpirtërore mbi shkëmb?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Tregojini këndvështrimet. Të diskutuarit rreth parimeve që mësoni nga studimi juaj vetjak, jo vetëm që është një mënyrë e mirë për t’i mësuar të tjerët; ajo ndihmon edhe në forcimin e të kuptuarit tuaj. Përpiquni t’ia tregoni një parim që mësuat nga leximi i kësaj jave, një pjesëtari të familjes ose në orët tuaja mësimore në Kishë.

Pamja
Jezusi duke u lutur

Unë Jam Lutur për Ty, nga Del Parson