Eja, Më Ndiq
18–24 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6: ‘Lum Ju’


“18–24 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6: ‘Lum ju’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“18–24 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Predikimi në Mal

Predikimi në Mal, nga Jorge Cocco

18–24 Shkurt

Mateu 5; Lluka 6

“Lum ju”

Kushtojini vëmendje mbresave që merrni teksa e lexoni Mateun 5 dhe Llukën 6, dhe mbajini shënim ato në një ditar studimi. Ky përvijim i mësimit mund t’ju ndihmojë të dalloni disa prej parimeve më të rëndësishme dhe domethënëse në këta kapituj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në këtë pikë të shërbesës së Tij, qe e qartë se mësimet e Jezusit do të ishin ndryshe nga ajo që ishin mësuar të dëgjonin njerëzit e kohës së Tij. Skamësit do të marrin mbretërinë e Perëndisë? Zemërbutët do të trashëgojnë tokën? Lum ata që përndiqen? Skribët dhe farisenjtë nuk po jepnin mësim gjëra të tilla. Dhe, prapëseprapë, ata që e kuptuan me të vërtetë ligjin e Perëndisë, ndien se këto doktrina ishin të drejta. “Sy për sy” dhe “urreje armikun tënd” ishin ligjet më të ulëta (Mateu 5:38, 43), të dhëna një populli që nuk ishte i gatshëm ta jetonte ligjin më të lartë. Por Jezu Krishti kishte ardhur ta përmbushte ligjin më të ulët dhe të jepte mësim ligjin më të lartë (shih 3 Nefi 15:2–10), i krijuar për të na ndihmuar që një ditë të bëhemi “të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati [ynë], që është në qiej” (Mateu 5:48).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 5:1–12; Lluka 6:20–26

Lumturia e përhershme vjen nga të jetuarit sipas mënyrës që dha mësim Jezu Krishti.

Të gjithë dëshirojnë të jenë të lumtur, por jo gjithkush e kërkon lumturinë në të njëjtat vende. Disa e kërkojnë atë te fuqia dhe pozitat e kësaj bote, të tjerë te pasuria ose te kënaqja e dëshirave fizike. Jezu Krishti erdhi që të jepte mësim udhën drejt lumturisë së përhershme, që të jepte mësim se çfarë do të thotë me të vërtetë të jesh i bekuar. Çfarë mësoni rreth fitimit të lumturisë së përhershme nga Mateu 5:1–12 dhe Lluka 6:20–26? Si është kjo e ndryshme nga pikëpamja e botës për lumturinë?

Çfarë pyetjesh apo mbresash ju vijnë në mendje teksa e lexoni secilin varg? Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth të qenit dishepull i Jezu Krishtit? Çfarë ndiheni i frymëzuar të bëni, për t’i zhvilluar cilësitë e përshkruara në këto vargje?

Shih edhe Gjoni 13:17; 3 Nefi 12:3–12; “Sermon on the Mount: The Beatitudes” [“Predikimi në Mal: Lumturitë”] (video, LDS.org).

Mateu 5:13

Përse Shpëtimtari i krahasoi dishepujt e Tij me kripën?

Kripa është përdorur prej kohësh për të ruajtur [si lëndë konservuese], për të dhënë shije e pastruar. Kripa kishte edhe domethënie fetare për izraelitët. Ajo kishte lidhje me praktikën e lashtë të sakrifikimit të kafshëve nën ligjin e Moisiut (shih Levitiku 2:13; Numrat 18:19). Kur kripa bëhet e amësht, ajo bëhet e padobishme ose “nuk vlen për asgjë” (Mateu 5:13). Kjo ndodh kur ajo përzihet me elementë të tjerë ose ndotet prej tyre. Si dishepuj të Krishtit, ne e ruajmë “shijen” tonë duke iu shmangur ndotjes shpirtërore prej botës. Kjo na lejon ta përmbushim punën tonë të ruajtjes dhe të pastrimit si kripa e tokës – për shembull, nëpërmjet shpërndarjes së ungjillit dhe të qenit një ndikim për mirë në botë (shih DeB 103:9–10).

Pamja
kripë

“Ju jeni kripa e tokës” (Mateu 5:13).

Mateu 5:17–48; Lluka 6:27–35

Ligji i Krishtit e zëvendëson ligjin e Moisiut.

Dishepujt mund të jenë habitur kur e dëgjuan Jezusin të thoshte se drejtësia e tyre duhej t’ia kalonte asaj të skribëve dhe farisenjve (shih Mateu 5:20), të cilët e mburrnin veten për atë se sa mirë e zbatonin ligjin e Moisiut. Por Jezusi dha mësim një ligj më të lartë që lartëson jo vetëm veprimet tona, por edhe mendimet dhe ndjenjat që i frymëzojnë ato veprime. Ky ligj më i lartë kërkonte shumë më tepër: zemrën, shpirtin dhe mendjen (shih Mateu 22:37).

Teksa e lexoni Mateun 5:21–48 dhe Llukën 6:27–35, merrni parasysh t’i shenjoni si mënyrat e sjelljes që kërkoheshin në ligjin e Moisiut (“Ju keni dëgjuar se …”), edhe atë çfarë dha mësim Jezusi për t’i lartësuar ato.

Për shembull, çfarë dha mësim Jezusi te Mateu 5:27–28 rreth përgjegjësisë sonë për t’i kontrolluar mendimet tona? Si mund të fitoni më shumë kontroll mbi mendimet që ju vijnë në mendje dhe zemër? (shih DeB 121:45).

Shih edhe “Sermon on the Mount: The Higher Law” [“Predikimi në Mal: Ligji më i Lartë”] (video, LDS.org).

Mateu 5:48

A pret me të vërtetë Ati Qiellor prej meje që të jem i përkryer?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

“Termi të përkryer u përkthye nga fjala greke teleios, që do të thotë ‘i plotësuar’. … Paskajorja e foljes është teleiono, që do të thotë ‘të arrish një qëllim përfundimtar, të jesh plotësisht i zhvilluar, të përmbushësh ose të përfundosh’. Ju lutem, vini re që fjala nuk nënkupton ‘mosprani të gabimit’; ajo nënkupton ‘arritjen e një pikësynimi të largët’. …

… Zoti dha mësim: ‘Ju nuk jeni në gjendje ta duroni praninë e Perëndisë tani … ; si rrjedhim, vazhdoni me durim derisa të përsoseni’ [DeB 67:13].

Ne nuk kemi nevojë të zhgënjehemi nëse përpjekjet tona të zellshme drejt përsosjes tani duken kaq të mundimshme dhe të pafundme. Përsosja është duke pritur. Mund të vijë e plotë vetëm pas Ringjalljes dhe vetëm nëpërmjet Zotit. I pret të gjithë ata që e duan Atë dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij” (“Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 86, 88).

Shih edhe Filipianëve 3:13–15; 2 Pjetër 1:3–11; Zbulesa 3:21–22; 3 Nefi 27:27; Moroni 10:32–33; Doktrina e Besëlidhje 76:69.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Teksa familja juaj i lexon shkrimet e shenjta së bashku, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime t’i theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Mateu 5:1–9

Cilat parime që na mësohen te Mateu 5:1–9, mund ta ndihmojnë shtëpinë tuaj që të jetë një vend më i lumtur? Ju mund të përqendroheni në një apo dy parime ndërsa e studioni Predikimin në Mal për disa javë në vijim. Për shembull, cilat mësime zbulojnë pjesëtarët e familjes suaj se mund t’i ndihmojnë të jenë paqebërës? (shih Mateu 5:21–25, 38–44). Çfarë qëllimesh mund të vendosni? Si do ta ndiqni ecurinë?

Mateu 5:14–16

Për ta ndihmuar familjen tuaj të kuptojë se çfarë do të thotë të jesh “drita e botës”, ju mund të shqyrtoni disa prej burimeve të dritës në shtëpinë tuaj, në mëhallën tuaj dhe në botë. Mund të jetë e dobishme të tregoni se çfarë ndodh kur e fshihni një dritë. Çfarë nënkuptoi Jezusi kur tha: “Ju jeni drita e botës”? (Mateu 5:14). Kush ka qenë si një dritë për familjen tonë? Në ç’mënyrë mund të jemi ne një dritë për të tjerët? (shih DeB 103:9–10).

Mateu 5:43–44

Përse do Zoti që ne të lutemi për ata që kanë qenë të pasjellshëm ndaj nesh? Si mund ta jetojmë këtë parim në familjen tonë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jini vëzhgues. Kur i kushtoni vëmendje asaj çfarë po ndodh në jetën e fëmijëve tuaj, ju do të gjeni mundësi të shkëlqyera mësimdhënieje. Komentet dhe pyetjet e fëmijëve tuaj gjatë ditës mund të çojnë gjithashtu në çaste të mundshme të mësimdhënies. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 16.)

Pamja
qiri

“Ju jeni drita e botës” (Mateu 5:14).