Eja, Më Ndiq
4–10 Mars. Mateu 8–9; Marku 2–5: ‘Besimi Yt Të Ka Shëruar’


“4–10 Mars. Mateu 8–9; Marku 2–5: ‘Besimi Yt Të Ka Shëruar’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“4–10 Mars. Mateu 8–9; Marku 2–5”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Jezusi duke shëruar një burrë të çalë

Shërim në Krahët e Tij, nga Jon McNaughton

4–10 Mars

Mateu 8–9; Marku 2–5

“Besimi Yt të Ka Shëruar”

Ndërsa e lexoni Mateun 8–9 dhe Markun 2–5, jini pranues ndaj mbresave që merrni nga Fryma e Shenjtë. Merreni parasysh t’i shkruani nxitjet që merrni dhe gjërat që mund të bëni për të vepruar sipas atyre nxitjeve.

Shënojini Mbresat Tuaja

Është e vështirë ta lexosh Dhiatën e Re pa të bërë përshtypje tregimet e shumta të Shpëtimtarit që shëron të sëmurë e të munduar – çdokënd, duke filluar nga një grua me temperaturë, deri te një vajzë që ishte shpallur e vdekur. Çfarë mesazhesh mund të ketë për ne në këto mrekulli të shërimit fizik? Sigurisht, një mesazh i qartë është që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, me fuqi mbi të gjitha gjërat, përfshirë dhembjet fizike dhe papërsosuritë tona. Por një domethënie tjetër gjendet te fjalët e Tij ndaj skribëve mosbesues: “Që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet që të falë mëkatet mbi dhe” (Marku 2:10). Prandaj, kur të lexoni rreth një njeriu të verbër apo një lebrosi që po shërohet, ju mund të mendoni për shërimin – si fizik edhe shpirtëror – që mund të merrni nga Shpëtimtari dhe ta dëgjoni Atë t’ju thotë: “Besimi yt të ka shëruar” (Marku 5:34).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 8–9; Marku 25

Shpëtimtari mund të shërojë dobësi e sëmundje.

Këta pak kapituj shënojnë raste të shumta shërimesh mrekullibërëse të kryera nga Shpëtimtari. Ndërsa i studioni këto shërime, kërkoni mesazhe të mundshme për ju. Ju mund ta pyetni veten: Çfarë më mëson tregimi rreth besimit? Çfarë më mëson tregimi rreth Shpëtimtarit? Çfarë dëshiron Perëndia që unë të mësoj nga kjo mrekulli?

Shih edhe Dallin H. Ouks, “Shërimi i Të Sëmurëve”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 47–50.

Pamja
Jezusi duke shëruar të sëmurët

Jezusi Duke Shëruar të Sëmurët, nga Joseph Brickey, pas Heinrich Hofmann

Mateu 8:5–13; Marku 5:24–34

Unë mund ta kërkoj ndihmën e Perëndisë edhe kur mendoj se nuk e meritoj.

Centurioni, një johebre, u ndje i padenjë që Shpëtimtari të vinte në shtëpinë e tij. Gruaja me fluks gjaku konsiderohej e papastër dhe qe izoluar nga shoqëria judease. Prapëseprapë, Shpëtimtari i bekoi të dy ata. Çfarë mësoni nga këto dy tregime rreth kërkimit të ndihmës nga Zoti?

Mateu 8:18–22; Marku 3:31–35

Të qenit një dishepull i Jezu Krishtit nënkupton që unë e vë Atë të parin në jetën time.

Në këto vargje, Jezusi dha mësim se të qenit dishepuj të Tij kërkon që ta vëmë Atë të parin në jetën tonë, edhe nëse kjo ndonjëherë nënkupton që duhet të sakrifikojmë gjëra të tjera që i vlerësojmë. Ndërsa i studioni këto fragmente, përsiatni mbi vetë dishepullimin tuaj. Përse dishepujt duhet të jenë të gatshëm ta vënë Shpëtimtarin të parin? Nga çfarë mund t’ju nevojitet të hiqni dorë me qëllim që ta vini Jezusin të parin? (Shih edhe Lluka 9:57–62.)

Mateu 8:23–27; Marku 4:35–41

Jezu Krishti ka fuqi të sjellë paqe në mes të stuhive të jetës.

A jeni ndier ndonjëherë siç u ndien dishepujt e Jezusit në stuhinë në det – t’i shikoni valët e ujit ta mbushin barkën dhe të pyetni: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?”

Te Marku 4:35–41 ju do të gjeni katër pyetje. Renditeni secilën prej tyre dhe përsiatni se çfarë ju mëson rreth përballjes me sfidat e jetës me besim te Jezu Krishti. Si sjell Shpëtimtari paqe në stuhitë e jetës suaj?

Mateu 9:1–13; Marku 2:15–17

Unë mund t’i mbroj bindjet e mia duke dhënë mësim parime të vërteta.

Nganjëherë është e vështirë që të dimë se si të përgjigjemi kur njerëzit i kritikojnë bindjet dhe praktikat tona fetare. Ndërsa e lexoni Mateun 9:1–13 dhe Markun 2:15–17, kërkoni kritikat e akuzuesve dhe përgjigjet e Shpëtimtarit. Merreni parasysh që t’i shenjoni kritikat dhe përgjigjet me ngjyra të ndryshme ose t’i shkruani ato. Çfarë vëreni rreth mënyrës se si dha mësim Shpëtimtari? Si mund t’ju ndihmojë ndjekja e shembullit të Tij nëse do t’ju duhet ta mbroni një parim të ungjillit apo një praktikë të Kishës?

Shih edhe materialin filmik “Everyday Example: When Beliefs Are Questioned” [“Shembuj të Jetës së Përditshme: Kur Bindjet Vihen në Pikëpyetje”] (LDS.org).

Mateu 9:1–8

Për shkak të pendimit, unë mund të marr zemër.

Kur një burrë i paralizuar u soll te Shpëtimtari, ishte e qartë për turmën se ai kishte nevojë të shërohej fizikisht. Por Jezusi trajtoi më parë nevojën më të madhe të burrit – faljen për mëkatet e tij. Edhe sikur burri të mos ishte shëruar fizikisht, ai prapëseprapë mund ta kishte ndjekur këshillën e Jezusit për të “m[arrë] zemër” (Mateu 9:2). Kur keni ndier gëzim ngaqë jeni falur? (Shih edhe Alma 36:18–24.)

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa vazhdoni të mësoni rreth shërbesës së Shpëtimtarit me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni në mënyrë që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Mateu 8–9; Marku 25

Merreni parasysh të krijoni një listë të mrekullive të përshkruara në këta kapituj dhe të gjeni figura të disa prej tyre (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose LDS.org). Ju mund t’i kërkoni çdo pjesëtari të familjes të tregojë rreth një prej mrekullive (duke përdorur një figurë, nëse është në dispozicion) dhe të thotë atë që mëson prej saj. Ju mund të tregoni disa shembuj të mrekullive që keni dëshmuar apo lexuar në historinë e Kishës në ditët e sotme.

Mateu 9:10–13

Çfarë mësojmë nga mënyra se si Shpëtimtari i trajtoi tagrambledhësit dhe mëkatarët, të cilët qenë përjashtuar nga të tjerët? Si mund ta ndjekim shembullin e Tij ndërkohë që bashkëveprojmë me njerëz të tjerë?

Mateu 9:36–38

Si mund ta ndihmoni familjen tuaj që ta kuptojë përgjërimin e Shpëtimtarit për më shumë punëtorë që të ndihmojnë për shpërndarjen e ungjillit? Ju mund të bëni diçka po aq të thjeshtë sa të punoni së bashku për një detyrë, e cila do të kërkonte më shumë kohë për një njeri, të tillë si pastrimi i kuzhinës pas darkës. Çfarë mund të bëjmë ne për ta ndarë mesazhin e ungjillit?

Marku 4:35–41

A mund t’i ndihmojë ky tregim pjesëtarët e familjes kur ndihen të frikësuar? Ndofta ata mund të lexojnë vargun 39 dhe të tregojnë përvoja kur Shpëtimtari i ndihmoi të ndienin paqe gjatë kohës së trazirave apo frikës.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jini të gjindshëm dhe të gatshëm. Disa nga çastet më të mira të mësimdhënies fillojnë me pyetje ose shqetësime në zemrën e pjesëtarëve të familjes. Lërini pjesëtarët e familjes ta dinë nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tuaja se mezi po prisni t’i dëgjoni ata (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtaritf. 16).

Pamja
një njeri në vig duke u ulur përmes një çatie për te Jezusi

Krishti dhe Paralitiku, nga J. Kirk Richards