Doktrina e Besëlidhje 2021
13–19 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 102–105: “Pas Shumë Shqetësimi, … Vjen Bekimi”


“13–19 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 102–105: ‘Pas Shumë Shqetësimi, … Vjen Bekimi’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“13–19 Shtator. Doktrina e Besëlidhje 102–105”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje: 2021

Pamja
burra me karroca

C. C. A. Christensen (1831–1912), Kampi i Sionit, rreth 1878, bojë tempera në kanavacë muslinë 198 x 290 centimetra. Muzeu i Artit në Universitetin “Brigam Jang”, dhuratë nga nipërit dhe mbesat e C. C. A. Christensen‑it, 1970

13–19 Shtator

Doktrina e Besëlidhje 102–105

“Pas Shumë Shqetësimi, … Vjen Bekimi”

Çfarë parimesh nga Doktrina e Besëlidhje 102–105 janë kuptimplota për ju? Merreni parasysh t’i mbani shënim mendimet dhe mbresat tuaja rreth këtyre parimeve.

Shënojini Mbresat Tuaja

Shenjtorëve në Kirtland iu copëtua zemra kur dëgjuan se vëllezërit dhe motrat e tyre në kontenë Xhekson, Misuri, po dëboheshin nga shtëpitë e tyre. Duhet të ketë qenë inkurajuese, në atë kohë, kur Zoti shpalli se, “shëlbimi i Sionit” do të vinte “me anë të fuqisë” (Doktrina e Besëlidhje 103:15). Me atë premtim në zemrat e tyre, mbi 200 burra dhe rreth 25 gra e fëmijë, u regjistruan në atë që e quajtën Kampi i Izraelit, i njohur më vonë si Kampi i Sionit. Misioni i tij ishte që të marshonte drejt Misurit dhe të shëlbonte Sionin.

Për anëtarët e kampit, shëlbimi i Sionit nënkuptonte rivendosjen e shenjtorëve në tokat e tyre. Por pak para se të mbërrinte kampi në kontenë Xhekson, Zoti i tha Jozef Smithit që të ndalonte dhe ta shpërbënte Kampin e Sionit. Disa anëtarë të kampit u pështjelluan dhe u mërzitën nga ky udhëzim i ri; për ta, kjo nënkuptonte që ekspedita kishte dështuar dhe që premtimet e Zotit nuk u përmbushën. Sidoqoftë, të tjerë e panë ndryshe. Ndonëse shenjtorët e dëbuar nuk u kthyen më kurrë në kontenë Xhekson, përvoja solli vërtet një masë “shëlbimi” për Sionin dhe vërtet “[erdhi] me anë të fuqisë”. Anëtarët besnikë të Kampit të Sionit, shumë prej të cilëve më vonë u bënë udhëheqës të Kishës, dëshmuan se përvoja ua thelloi besimin te fuqia e Perëndisë, te thirrja hyjnore e Jozef Smithit dhe te Sioni – jo vetëm te Sioni si vend, por te Sioni si populli i Perëndisë. Në vend që ta vinin në pikëpyetje vlerën e kësaj detyre në dukje të pasuksesshme, ata mësuan se detyra e vërtetë është të ndjekim Shpëtimtarin, madje edhe kur nuk kuptojmë gjithçka. Kjo është mënyra se si Sioni do të shëlbohet, si përfundim.

Shih Saints, 1:194–206; “The Acceptable Offering of Zion’s Camp”, Revelations in Context, f. 213–218.

Pamja
lumë i vogël

Kampi i Sionit qëndroi përgjatë bregut të lumit Litëll‑Fishing, i paraqitur këtu në figurë.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 102:12–23

Cili është qëllimi i udhëzimeve në këto vargje?

Seksioni 102 përmban protokollin e mbledhjes në Kirtland të Ohajos, ku u organizua këshilli i parë i lartë i Kishës. Vargjet 12–23 përshkruajnë procedurat që ndjekin këshillat e lartë kur mbajnë këshilla disiplinorë për ata që kanë kryer shkelje të rënda.

Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Anëtarët ndonjëherë pyetin përse Kisha mban këshilla disiplinorë. Qëllimi është i trefishtë: të shpëtojë shpirtin e shkelësit, të mbrojë të pafajshmin dhe të ruajë pastërtinë, integritetin dhe emrin e mirë të Kishës” (“A Chance to Start Over: Church Disciplinary Councils and the Restoration of Blessings”, Ensign, shtator 1990, f. 15).

Shih edhe Gospel Topics, “Church Disciplinary Councils”, topics.ChurchofJesusChrist.org.

Doktrina e Besëlidhje 103:1–12, 36; 105:1–19

Sioni mund të ndërtohet vetëm mbi parimet e drejtësisë.

Përse shenjtorët e humbën tokën e tyre të premtuar në Misuri? Dhe përse Zoti nuk lejoi që Kampi i Sionit t’i rivendoste ata në tokat e tyre? Sigurisht që veprimet e dhunshme të turmave në Misuri luajtën një rol dhe guvernatori i Misurit u kishte premtuar përkrahje shenjtorëve, por nuk ua dha kurrë. Por Zoti tha se “po të mos ishte për shkeljet e popullit tim”, Sioni “mund të ish[te] shëlbuar” (Doktrina e Besëlidhje 105:2). Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 103:1–12, 36; 105:1–19, ju mund të vini re disa gjëra që e penguan ngritjen e Sionit në Misuri dhe të tjera gjëra që mund të kishin ndihmuar. Çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë ta ngrini Sionin në zemrën dhe në shtëpinë tuaj?

Doktrina e Besëlidhje 103:12–13; 105:1–6, 13–19

Bekime vijnë pas mundimeve dhe sprovave të besimit.

Në shumë mënyra, pjesëmarrja në Kampin e Sionit ishte një sprovë besimi. Udhëtimi ishte i gjatë, moti ishte i nxehtë dhe ushqimi e uji nganjëherë ishin me pakicë. Dhe pas gjithçkaje që duruan, prapë shenjtorët nuk qenë në gjendje të riktheheshin në tokat e tyre. Merreni parasysh se si parimet te Doktrina e Besëlidhje 103:12–13 dhe 105:1–6, 13–19 mund t’i kenë ndihmuar anëtarët e Kampit të Sionit, të cilët pyetnin veten nëse pikë së pari, a kishte ardhur vërtet nga Perëndia urdhërimi për t’u organizuar. Në ç’mënyrë mund t’ju ndihmojnë këto parime në vetë sprovat tuaja të besimit?

Mund të lexoni edhe rreth përvojave të anëtarëve të Kampit të Sionit te “Zëra të Rivendosjes”, në fund të këtij përvijimi të mësimit. Çfarë ju bën përshtypje rreth qëndrimeve të tyre? Çfarë mund të mësoni nga shembujt e tyre?

Shih edhe David A. Bednar, “On the Lord’s Side: Lessons from Zion’s Camp”, Ensign, korrik 2017, f. 26–35.

Doktrina e Besëlidhje 104:11–18, 78–83

Jam një “kujdestar mbi bekime tokësore”.

Përveç sprovave në Misuri, në vitin 1834 Kisha hasi vështirësi financiare, përfshirë borxhe dhe shpenzime të mëdha. Te seksioni 104 Zoti dha këshillë mbi gjendjen financiare të Kishës. Si mund t’i vini në zbatim parimet në vargjet 11–18 dhe 78–83 për vetë vendimet tuaja financiare?

Për të mësuar rreth njërës prej mënyrave që përgatiti Zoti për ta çliruar Kishën nga robëria dhe borxhet, shikoni “Treasure in Heaven: The John Tanner Story” (material filmik, ChurchofJesusChrist.org).

Për të mësuar më shumë rreth “mënyrës” së Zotit (vargu 16) për të siguruar për shenjtorët e Tij, ju mund të studioni mesazhin e Presidentit Diter F. Uhtdorf “Ndihma sipas Mënyrës së Zotit”, (Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 53–56).

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 103:12, 36; 105:9–13.A i është kërkuar ndonjëherë familjes suaj (ose ndonjërit prej paraardhësve tuaj) që të bënte diçka, e cila nuk shkoi siç e prisnit? Çfarë mund të mësoni nga reagimet e anëtarëve të Kampit të Sionit kur udhëtimi i tyre nuk u shkoi ashtu siç e pritnin? (Shih “Zëra të Rivendosjes” në fund të këtij përvijimi të mësimit.)

Doktrina e Besëlidhje 104:13–18.Çfarë na ka dhënë Zoti? Çfarë pret Ai që ne të bëjmë me këto gjëra?

Doktrina e Besëlidhje 104:23–46.Familja juaj mund të kërkojë te këto vargje për të gjetur se sa herë Zoti premton të “shumojë bekime” (vargu 23) për ata që janë besnikë. Ndoshta ky do të jetë një rast i mirë për të “numër[uar] bekimet” (“Numëro Bekimet”, Himne, nr. 152) dhe për të diskutuar se si bërja e kësaj mund të na ndihmojë gjatë kohëve të vështira. Fëmijëve të vegjël mund t’u pëlqejë të bëjnë vizatime të bekimeve, për të cilat janë veçanërisht mirënjohës.

Doktrina e Besëlidhje 105:38–41.Si mund të bëjmë ne “propozime për paqe” (vargu 40) kur të tjerët na trajtojnë ashpër ose padrejtësisht? Çfarë mund të bëjmë për të qenë “një flamur paqeje” (vargu 39) në shtëpinë tonë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Numëro Bekimet”, Himne, nr. 152.

Pamja
ikona zëra të rivendosjes

Zëra të Rivendosjes

Kampi i Sionit

Për shkak se Kampi i Sionit nuk i rivendosi kurrë shenjtorët në tokat e tyre në kontenë Xhekson, shumë njerëz ndien se puna e tyre qe një dështim. Sidoqoftë, shumë pjesëmarrës të Kampit të Sionit vështruan pas te përvojat e tyre dhe panë se si Zoti përmbushi një qëllim më të lartë në jetën e tyre dhe në mbretërinë e Tij. Ja tek janë disa prej dëshmive të tyre.

Jozef Smithi

Pamja
Jozef Smithi

Mbi 40 vjet pas Kampit të Sionit, Jozef Jangu, i cili kishte qenë një anëtar i kampit, raportoi se Jozef Smithi tha sa vijon:

“Vëllezër, disa prej jush janë të mërzitur me mua, për shkak se nuk luftuat në Misuri, por më lini t’ju them, Perëndia nuk donte që ju të luftonit. Ai nuk do të mund ta organizonte mbretërinë e Tij me dymbëdhjetë burra për t’u hapur dyert e ungjillit kombeve të tokës dhe me shtatëdhjetë burra nën drejtimin e tyre që të ndiqnin gjurmët e tyre, nëse Ai nuk do t’i merrte ata nga një grup burrash të cilët kishin ofruar jetën e tyre dhe të cilët kishin bërë një sakrificë po aq të madhe sa bëri Abrahami.

Tani, Zoti i ka Të Dymbëdhjetët dhe Të Shtatëdhjetët e Tij dhe do të ketë kuorume të tjera të Të Shtatëdhjetëve që do të thirren, të cilët do ta bëjnë sakrificën dhe ata që nuk i kanë bërë sakrificat dhe ofertat e tyre tani, do t’i bëjnë që këtej e tutje.”1

Brigam Jangu

Pamja
Brigam Jangu

“Kur mbërritëm në Misuri, Zoti i foli shërbëtorit të Tij, Jozefit, dhe i tha: ‘E kam pranuar ofertën tënde’ dhe patëm privilegjin të ktheheshim sërish. Kur mbërrita, shumë miq më pyetën se ç’dobi kishte të thirreshin burra që ta linin punën e tyre e të shkonin në Misuri dhe pastaj të ktheheshin, ndoshta pa përmbushur asgjë. ‘Kujt do t’i leverdiste kjo?’ – pyetën ata. ‘Nëse Zoti urdhëroi njëmend që ajo të bëhej, cili qe vizioni i Tij për këtë?’ … U thashë atyre vëllezërve se më kishin paguar mirë – më kishin paguar me interes të lartë – po, se qenia ime u mbush plot e përplot me njohurinë që e mora duke udhëtuar me Profetin.”2

Uillford Udrafi

Pamja
Uillford Udrafi

“Isha në Kampin e Sionit me Profetin e Perëndisë. Pashë se si Perëndia vepronte me të. Pashë fuqinë e Perëndisë tek ai. Pashë se ai ishte një Profet. Ajo që iu shfaq atij me anë të fuqisë së Perëndisë lidhur me atë mision, ishte me vlerë të madhe për mua dhe për të gjithë njerëzit që i morën udhëzimet e tij.”3

“Kur anëtarët e Kampit të Sionit u thirrën, shumë prej nesh nuk i kishim parë kurrë fytyrat e njëri-tjetrit; nuk njiheshim me njëri-tjetrin dhe shumë veta nuk e kishin parë kurrë profetin. Ishim shpërndarë jashtë vendit, sikurse drithi i shkuar në shoshë, në mbarë kombin. Ishim të rinj dhe ishim thirrur në ato ditë të hershme të shkonim e të shëlbonim Sionin dhe atë që duhej të bënim, duhej ta bënim me besim. Ne u mblodhëm bashkë nga shtete të ndryshme në Kirtland dhe shkuam ta shëlbonim Sionin, si përmbushje të urdhërimit të Perëndisë ndaj nesh. Perëndia i pranoi veprat tona sikurse bëri me veprat e Abrahamit. Ne përmbushëm një punë të madhe, edhe pse braktisësit dhe jobesimtarët bënë shpesh herë pyetjen: ‘Çfarë keni bërë ju?’ Ne fituam një përvojë që kurrë nuk do të mund ta kishim fituar [në] ndonjë mënyrë tjetër. Ne patëm privilegjin të shihnim fytyrën e profetit dhe patëm privilegjin të udhëtonim një mijë e gjashtëqind kilometra me të, dhe të shihnim ndërveprimet e Shpirtit të Perëndisë me të, dhe zbulesat e Jezu Krishtit drejtuar atij, dhe përmbushjen e atyre zbulesave. Dhe ai mblodhi gati dyqind pleq nga i gjithë kombi në ato ditë të hershme dhe na dërgoi që ta njoftonim botën për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit. Po të mos kisha shkuar me Kampin e Sionit, nuk do të isha këtu sot [në Solt-Lejk-Siti, duke shërbyer në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve]. … Duke shkuar atje, ne hymë në vresht për të predikuar ungjillin dhe Zoti i pranoi punët tona. Dhe në të gjitha punët dhe përndjekjet tona, shpesh duke vënë jetën në rrezik, na duhej të punonim dhe të jetonim me anë të besimit.”4

“Përvoja që morëm gjatë udhëtimit me Kampin e Sionit kishte vlerë më të madhe sesa ari.”5

Shënime

  1. Në Joseph Young Sr., History of the Organization of the Seventies (1878), f. 14.

  2. “Discourse”, Deseret News, 3 dhjetor 1862, f. 177.

  3. Në Conference Report, prill 1898, f. 29–30; shih edhe Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), f. 135.

  4. “Discourse”, Deseret News, 22 dhjetor 1869, f. 543; shih edhe Teachings: Wilford Woodruff, f. 138.

  5. Deseret News: Semi-Weekly, 27 korrik 1880, f. 2; shih edhe Teachings: Wilford Woodruff, f. 138.

Pamja
Kampi i Sionit pranë lumit

Kampi i Sionit (Kampi i Sionit pranë Lumit Fishing), nga Judith A. Mehr