Eja, Më Ndiq 2024
9–15 Shtator: “Lajme të Mira Gëzimi të Madh”. Helamani 13–16


“9–15 Shtator: ‘Lajme të Mira Gëzimi të Madh’. Helamani 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“9–15 Shtator. Helamani 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Samuel Lamaniti duke dhënë mësim mbi mur

Samuel the Lamanite on the Wall [Samuel Lamaniti mbi Mur], nga Arnold Friberg

9–15 Shtator: “Lajme të Mira Gëzimi të Madh”

Helamani 13–16

Herën e parë që Samuel Lamaniti u përpoq të përhapte “lajme të mira” në Zarahemla (Helamani 13:7), ai nuk u pranua dhe u dëbua nga nefitët zemërngurtë. Mund të thuhet se ishte si të kishin ngritur një mur të papërshkrueshëm përreth zemrave të tyre, që i pengonte ta pranonin mesazhin e Samuelit. Samueli e kuptoi rëndësinë e mesazhit që dha, dhe tregoi besim duke e ndjekur urdhërimin e Perëndisë “që ai duhej të kthehej përsëri dhe t[ë] profetizonte” (Helamani 13:3). Si Samueli, ne të gjithë hasim mure kur “përgati[tim] udhën e Zotit” (Helamani 14:9) dhe kur përpiqemi fort t’i ndjekim profetët e Tij. Dhe ashtu si Samueli, edhe ne japim dëshmi për Jezu Krishtin, “i cili me siguri do të vijë” dhe i ftojmë të gjithë të “beso[jnë] në emrin e tij” (Helamani 13:6; 14:13). Jo kushdo do të dëgjojë dhe disa njerëz mund të na kundërshtojnë aktivisht. Por ata që e besojnë këtë mesazh me besim te Krishti, gjejnë se ai është vërtet mesazh me “lajme të mira gëzimi të madh” (Helamani 16:14).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Helamani 13

Zoti na jep paralajmërime nëpërmjet profetëve të Tij.

Në shkrimet e shenjta, profetët nganjëherë krahasohen me rojat mbi mur ose në kullë, të cilët paralajmërojnë për rrezikun (shihni tek Isaia 62:6; Ezekiel 33:1–7). Ndërsa i studioni fjalët e Samuelit te Helamani 13, merreni parasysh se në ç’mënyrë është ai si një rojë për ju. Çfarë tha ai që duket me lidhje për kohën tonë? (Shihni veçanërisht vargjet 8, 21–22, 26–29, 31 dhe 38.) Për shembull, çfarë dha mësim Samueli rreth pendimit? rreth përulësisë dhe pasurisë? rreth kërkimit të lumturisë “duke bërë paudhësi”?

Mund të kërkoni edhe në mesazhet e konferencës së fundit për paralajmërime të ngjashme që i ka dhënë Zoti nëpërmjet profetëve bashkëkohorë. Çfarë ndiheni i/e frymëzuar të bëni rreth këtyre paralajmërimeve?

Kërkoni modele. Një model është një plan ose një skemë që mund të përdoret si udhëzues për të përmbushur një detyrë. Në shkrimet e shenjta ne gjejmë modele që tregojnë se si Zoti e përmbush punën e Tij, të tilla si dërgimi i shërbëtorëve të Tij për t’i paralajmëruar njerëzit.

Pamja
familje duke parë konferencën e përgjithshme

Kur i dëgjojmë profetët, ata do të na drejtojnë te Jezu Krishti

Helamani 13–15

Pamja
seminary icon
Perëndia më fton të pendohem.

Paralajmërimet e Samuelit për gjykimet e Perëndisë përfshinë vazhdimisht një ftesë të mëshirshme për t’u penduar. Kërkojini këto ftesa gjatë gjithë kapitujve te Helamani 13–15 (shihni veçanërisht te Helamani 13:6– 11; 14:15–19; 15:7–8). Çfarë mësoni nga këto vargje rreth pendimit? Disa njerëz e shohin pendimin si një ndëshkim të ashpër, si diçka për t’u shmangur. Sipas mendimit tuaj, si dëshironte Samueli që ta shihnin pendimin nefitët?

Për ta thelluar studimin tuaj, mund të lexoni mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë” (Liahona, maj 2019, f. 67). Si e përkufizon ai pendimin? Çfarë bekimesh nga pendimi i sinqertë gjeni në mesazhin e tij? Mund të kërkoni edhe gjëra specifike të cilat profeti na ftoi t’i ndryshojmë. Çfarë po ju thotë Fryma e Shenjtë se nevojitet të ndryshoni? Merreni parasysh ta shkruani zbulesën vetjake që merrni.

Ku ndryshon pendimi me ndryshimin vetëm të sjelljes suaj? Pse është e rëndësishme ta pranojmë ftesën e Perëndisë për t’u penduar? Ndërsa e përsiatni këtë, merreni parasysh të këndoni ose të dëgjoni një himn që e shpreh këtë ftesë, të tillë si “Sa t’Buta Urdh’rimet” (Himne, nr. 65).

Shihni edhe pjesën “Jezu Krishti do t’ju Ndihmojë”, Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, 6–9; “Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme”, “Principles of Peace: Repentance” [“Parimet e Paqes: Pendimi”] (materiale filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pendohem, Pendim”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Helamani 14; 16:13–23

Perëndia dërgoi shenja dhe çudira që të dëshmonin për lindjen dhe vdekjen e Shpëtimtarit.

Te Helamani 14, Samueli shpjegoi arsyen përse Zoti dha shenja për lindjen dhe vdekjen e Shpëtimtarit kështu që njerëzit të “mund të din[ë] [mbi] ardhje[n e] tij” dhe të “beso[jnë] në emrin e tij” (Helamani 14:12). Ndërsa studioni kapitullin te Helamani 14, vini re shenjat e lindjes së Shpëtimtarit te vargjet 1–8 dhe shenjat e vdekjes së Tij te vargjet 20–28. Si mendoni, përse këto shenja do të ishin mënyra të efektshme për të treguar lindjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit?

Shenja të tjera më vetjake dhe më pak dramatike mund t’ju ndihmojnë që të “besoni në emrin e [Shpëtimtarit]”. Çfarë ka bërë Ai për ta forcuar besimin tuaj tek Ai?

Çfarë paralajmërimi jepet rreth shenjave te Helamani 16:13–23? Si mund ta shmangni qëndrimin e njerëzve të përshkruar në këto vargje?

Shihni edhe tek Alma 30:43–52; Ronald A. Rasband, “Sipas Qëllimit Hyjnor”, Liahona, nëntor 2017, f. 55–57.

Helamani 15:3

Ndëshkimi nga Zoti është një shenjë e dashurisë së Tij.

Fjalët e Samuelit përmbajnë shumë ndëshkime të ashpra, por te Helamani 15:3 na jep një këndvështrim mbi ndëshkimin nga Zoti. Si mund të jetë ndëshkimi nga Zoti një shenjë e dashurisë së Tij? Çfarë prove të dashurisë dhe mëshirës së Zotit shihni te profecitë dhe paralajmërimet e Samuelit?

Merreni parasysh të studioni mesazhin e Plakut D. Tod Kristoferson “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj” (Liahona, maj 2011, f. 97–100), duke kërkuar tre qëllimet e ndëshkimit hyjnor. Kur e keni parë Perëndinë të veprojë në këto mënyra në jetën tuaj?

Helamani 16

Profetët më drejtojnë te Jezu Krishti.

Te Helamani 16, çfarë mësoni nga ata që i pranuan mësimet e Samuelit? Çfarë mësoni nga ata që nuk e pranuan atë? Mendoni rreth mënyrës se si ju ka ndihmuar ndjekja e profetëve të gjallë të afroheni më pranë Jezu Krishtit.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Helamani 13:2–5

Perëndia mund të më flasë në zemër.

  • Si mund t’u mësoni fëmijëve tuaj që Perëndia mund t’i flasë zemrës sonë, sikurse bëri për Samuelin? Mbase mund t’u kërkoni atyre t’ju tregojnë mënyrat e ndryshme për të komunikuar pa fjalë (të tilla si gjeste ose shprehi të fytyrës). Kjo mund të çojë në një diskutim rreth mënyrave të ndryshme që Ati Qiellor komunikon me. Si pjesë e këtij diskutimi, ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni një figurë të Samuel Lamanitit (ky përvijim ka dy) dhe të lexoni te Helamani 13:2–5 ndërsa fëmijët tuaj mbajnë vesh për mënyrën se si Perëndia i tha Samuelit se çfarë të thoshte.

  • Shumë prej nesh, veçanërisht fëmijët, kemi nevojë për ndihmë që të mësojmë ta dallojmë mënyrën dhe kohën kur Perëndia po na flet. Mund t’u tregoni fëmijëve tuaj për një rast kur Fryma e Shenjtë ju ndihmoi ta dinit në zemrën tuaj atë çfarë Perëndia dëshironte që ju të bënit ose të thoshit. Shpjegoni se si e kuptuat që Perëndia po komunikonte me ju. Mbase fëmijët tuaj mund të tregojnë ndonjë përvojë të ngjashme që kanë pasur.

Helamani 14:2–7, 20–25

Profetët japin mësim për Jezu Krishtin.

  • Të kënduarit së bashku të këngës “Kënga e Ngjarjes së Krishtlindjes” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 32–33) mund të jetë një mënyrë e mirë për t’u mësuar fëmijëve tuaj atë që Samueli dha mësim rreth Jezu Krishtit. Të treguarit e mësimit “Kapitulli 40: Samuel Lamaniti Flet Rreth Jezu Krishtit” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 111–113) është një mënyrë tjetër. Çfarë dha mësim Samueli rreth Shpëtimtarit? Mbase mund të tregoni edhe atë që japin mësim profetët bashkëkohore rreth Tij. Si e ndërtojnë fjalët e tyre besimin tonë tek Ai?

Helamani 16:1–6

Unë bekohem kur e ndjek profetin.

  • Mund ta ndërtoni mirëbesimin e fëmijëve tuaj te profeti duke u treguar atyre shembuj të njerëzve që qenë besnikë. Disa nga këta gjenden te Helamani 16:1, 5. Ndërsa lexoni, fëmijët tuaj mund të ngrihen në këmbë kur të dëgjojnë diçka që bënë njerëzit kur i besuan fjalët e Samuelit. Më pas, ndërsa i lexoni vargjet 2 dhe 6, fëmijët tuaj mund të ulen kur dëgjojnë diçka që bënë njerëzit kur nuk besuan. Si mund ta tregojmë se i besojmë fjalët e profetit të gjallë? Tregojuni fëmijëve se si bekoheni ndërsa e ndiqni këshillën e Zotit nëpërmjet profetëve të Tij.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Samuel Lamaniti

Samuel the Lamanite [Samuel Lamaniti], nga Lester Yocum.