Dhiata e Vjetër 2022
27 Nëntor. Si Mund ta Përhap Ungjillin? Jona; Mikea


“27 Nëntor. Si Mund ta Përhap Ungjillin? Jona; Mikea”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)

“27 Nëntor. Si Mund ta Përhap Ungjillin?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022

Pamja

27 Nëntor

Si Mund ta Përhap Ungjillin?

Jona; Mikea

Pamja

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Si i jemi afruar më shumë Shpëtimtarit? Si po përpiqemi të jemi më shumë si Ai?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Kush ka qenë në mendjen tonë kohët e fundit? Si mund t’i ndihmojmë këta individë?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund t’u përgjigjemi pyetjeve të miqve dhe mikeshave tona rreth Kishës?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Cilat janë disa mënyra se si mund të lidhemi më mirë me pjesëtarë të rrethit familjar, të tillë si gjyshër dhe kushërinj?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Mund të ketë anëtare të klasës ose anëtarë të kuorumit tuaj të cilët rregullisht gjejnë mënyra për ta përhapur ungjillin. Ndoshta edhe ju e bëni këtë! Për shumë njerëz, megjithatë, përhapja e ungjillit është e vështirë dhe madje e frikshme. Fatmirësisht, të gjithë ne mund të bëhemi më të mirë për përhapjen e besimit tonë te Jezu Krishti. Ju mund të mos e dëgjoni fizikisht zërin e Zotit duke ju urdhëruar që të bëni diçka të tillë si “shko në Ninive, qytet i madh, dhe prediko kundër tij”, siç i ndodhi Jonas (Jona 1:2). Por zëri i qetë i Frymës së Shenjtë mund t’ju nxitë të “shko[ni te]” pjesëtarë të caktuar të familjes dhe miq që kanë qenë të përgatitur për ta dëgjuar dëshminë tuaj. Jini të hapur për atë që mund të mësoni nga përvoja e Jonas ndërsa studioni këtë javë, dhe përgatituni për t’ua treguar atë që mësoni, atyre të cilëve u jepni mësim. Ju gjithashtu mund të lexoni mesazhin e Plakut D. Tod Kristoferson “Shpërndarja e Mesazhit të Rivendosjes dhe Ringjalljes” ndërsa përgatiteni të jepni mësim (Liahona, maj 2020, f. 110–113).

Pamja

Fryma e Shenjtë mund të na nxitë që ta përhapim ungjillin tek ata njerëz që kanë qenë të përgatitur për t’i dëgjuar dëshmitë tona.

Mësoni së Bashku

Për t’i ndihmuar ata të cilëve u jepni mësim, që të japin përshtypjet nga studimi i tyre i librit të Jonas këtë javë, ju mund të shfaqni një figurë të Jonas (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ftojini ata të diskutojnë se çfarë mësuan rreth përhapjes së ungjillit nga përvojat e Jonas. Ju mund t’i ftoni ata të shqyrtojnë në mënyrë specifike kapitujt Jona 1 dhe 3 dhe t’i pyetni: Çfarë mësojmë rreth përhapjes së ungjillit tek ata që mund të mos duken të gatshëm/me për të ndryshuar? Çfarë mësojmë rreth gatishmërisë së Perëndisë për t’i falur ata/ato që pendohen? Për t’i frymëzuar anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj që ta përhapin ungjillin, përdorni një ose më shumë nga veprimtaritë në vijim ose krijoni një veprimtari tuajën.

  • Për të marrë ide rreth asaj se si ta përhapni ungjillin e Shpëtimtarit tek të tjerët, klasa ose kuorumi juaj mund të shqyrtojë rrëfimet në vijim në shkrimet e shenjta: Gjoni 4:3–26; Veprat e Apostujve 16:25–33; Alma 19:14–18, 28–31. Ju më pas mund të diskutoni së bashku për pyetje si këto: Si ishin njerëzit në këto rrëfime të përgatitur për ta dëgjuar mesazhin për ungjillin? Çfarë vini re rreth asaj se si u shpërnda mesazhi? Përse mendoni se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë që ne ta përhapim ungjillin? Më pas ju mund të diskutoni si klasë ose kuorum rreth asaj se çfarë na mësojnë këto rrëfime rreth mënyrës se si mund ta përhapim ungjillin sot.

  • Leximi i shembujve frymëzues të të tjerëve që e përhapin ungjillin, mund t’i nxitë të rinjtë dhe të rejat të cilave u jepni mësim, që të bëjnë të njëjtën gjë. Plaku D. Tod Kristoferson dha disa shembuj në mesazhin e tij “Shpërndarja e Mesazhit të Rivendosjes dhe Ringjalljes”. Në këtë mesazh, Plaku Kristoferson dha mësim se nevojiten tri gjëra për t’i bërë bindëse ftesat tona për ta marrë ungjillin: dashuria jonë, shembulli ynë dhe përdorimi i Librit të Mormonit nga ana jonë. Diskutoni për shembujt e përhapjes së ungjillit në këtë mesazh dhe ftojini ata të cilëve u jepni mësim, që të tregojnë shembuj të tjerë, përfshirë përvojat e tyre vetjake. Si i demonstrojnë këto përvoja tre gjërat e dhëna mësim nga Plaku Kristoferson?

  • Si mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë se përhapja e ungjillit mund të jetë e natyrshme dhe nuk ka nevojë të jetë frikësuese? Ju mund të shfaqni materialet filmike në pjesën “Burime Mbështetëse” dhe t’u kërkoni të rinjve dhe të rejave të mendojnë rreth asaj se si mund ta përhapin ungjillin te dikush që e njohin. Çfarë mund të bëjmë për t’i ftuar ata të vijnë dhe të shohin? Çfarë mundësish kanë ata për të ardhur dhe ndihmuar? Si mund t’i ndihmojmë ata të kenë dëshirën për të ardhur dhe qëndruar? Si mund ta bëjmë përhapjen e ungjillit një pjesë të jetës sonë të përditshme?

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

“Njerëzit ka më shumë mundësi të bëjnë ndryshime domethënëse në jetën e tyre kur ato ndryshime vijnë nga vetë ushtrimi i lirisë së tyre të zgjedhjes. Kur u jepni ftesa për të vepruar, sigurohuni që ta respektoni lirinë e zgjedhjes së atyre, të cilëve u jepni mësim” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 35).