Dhiata e Vjetër 2022
13 Nëntor. Si Mund të Marr një Derdhje të Shpirtit të Zotit? Osea 1–6; 10–14; Joel


“13 Nëntor. Si Mund të Marr një Derdhje të Shpirtit të Zotit? Osea 1–6; 10–14; Joel”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)

“13 Nëntor. Si Mund të Marr një Derdhje të Shpirtit të Zotit?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022

Pamja
klasë e të rejave

13 Nëntor

Si Mund të Marr një Derdhje të Shpirtit të Zotit?

Osea 1–6; 10–14; Joel

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Cilat përvoja të kohëve të fundit i kanë forcuar dëshmitë tona?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Kush ka nevojë për ndihmën dhe lutjet tona? Çfarë ndihemi të nxitur të bëjmë për t’i ndihmuar ata?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund të jemi një dritë për pjesëtarët e familjes ose miqtë që nuk kanë të njëjtat bindje si ne?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Si mund të tregojmë më shumë dashuri dhe përkrahje për familjet tona dhe të sjellim një ndryshim për mirë në shtëpitë tona?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Nuk ka dyshim që jetojmë në një kohë pasigurie dhe frike. Profeti i Dhiatës së Vjetër, Joeli, e përshkroi kohën tonë – “dit[ën] e Zotit” – si “dita e territ dhe e errësirës së dendur” dhe “e madhe dhe fort e tmerrshme” (Joel 2:1–2, 11). Por kjo nuk do të thotë që ditët tona janë të pashpresa. Merreni parasysh këtë premtim nga Plaku Diter F. Uhtdorf: “Edhe pse hera‑herës ne mund të ndihemi si të groposur nga sprovat e jetës ose të rrethuar nga errësira emocionale, dashuria e Perëndisë dhe bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit do të prodhojnë diçka të paimagjinueshme kur ajo të ndodhë” (“Perëndia do të Bëjë Diçka të Paimagjinueshme”, Liahona, nëntor 2020, f. 52).

Ndaj, kur e vini re terrin dhe errësirën e dendur të kohës sonë, mbani mend se Zoti gjithashtu ka premtuar bekime të mëdha – madje të paimagjinueshme: “Unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë” (Joel 2:28; shih edhe Joseph Smith – Historia 1:41). Vini re premtimin e veçantë se Shpirti i Perëndisë do të përhapet mbi të rinjtë dhe të rejat. Përse mendoni se është e rëndësishme që ata të cilëve u jepni mësim, ta kuptojnë atë? Përsiateni këtë pyetje ndërsa lexoni kapitullin Joel 2 dhe mesazhin e Plakut Uhtdorf gjatë përgatitjes suaj për të dhënë mësim.

Pamja
të rinj duke studiuar shkrimet e shenjta

Zoti ka premtuar se në ditët e fundit, Ai do të përhapë Shpirtin e Tij dhe “bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë” (Joel 2:28).

Mësoni së Bashku

Për t’i ndihmuar ata të cilëve u jepni mësim, që t’i kuptojnë më mirë vargjet Joel 2:28–29, ju mund të vendosni një objekt në një tas dhe ta lejoni dikë të derdhë ujë mbi të. Si na ndihmon kjo ta kuptojmë se çfarë do të thotë për Zotin të “përhap[ë] Frymën [e Tij] mbi çdo mish”? Si po përmbushen profecitë te Joel 2:28–29? Këtu janë disa ide që mund t’i ndihmojnë të rinjtë dhe të rejat ta kuptojnë më mirë se si Zoti po e përhap Shpirtin e Tij sot.

  • Shkrimet e shenjta shënojnë shumë raste kur Zoti e përhapi Shpirtin e Tij mbi popullin e Tij. Shqyrtimi i disa prej tyre mund t’i ndihmojë të rinjtë dhe të rejat ta kuptojnë më mirë se si të marrin një derdhje të Shpirtit të Perëndisë në jetën e tyre. Merrni parasysh të vizatoni në tabelë një kanë të madhe që derdh ujë, dhe t’u kërkoni individëve ose grupeve të vogla të lexojnë një ose më shumë nga fragmentet e shkrimeve të shenjta te “Burime Mbështetëse”. Ata mund të shkruajnë në tabelë përreth kanës atë që bënë njerëzit në shkrimet e tyre të shenjta në mënyrë që Zoti të mund të përhapte Shpirtin e Tij dhe gjithashtu se çfarë bekimesh pasuan. Kur e kemi ndier Shpirtin të na ngushëllojë, udhërrëfejë ose pastrojë?

  • Ju mund t’i shkruani në tabelë këto fjalë nga Plaku Diter F. Uhtdorf: “Perëndia ka në mendje diçka të paimagjinueshme për ju personalisht dhe për Kishën kolektivisht – një punë të mrekullueshme dhe një çudi” (“Perëndia do të Bëjë Diçka të Paimagjinueshme”, f. 53). Merrni parasysh t’u kërkoni të rinjve dhe të rejave të kërkojnë në mesazhin e Plakut Uhtdorf bekimet e paimagjinueshme që Perëndia iu dha njerëzve në shkrimet e shenjta pas kohëve të vështirësive. Çfarë na mësoi Plaku Uhtdorf që të bëjmë në mënyrë që të mund të marrim vendime të mira kur përballemi me vështirësi? Ftojini të rinjtë dhe të rejat të bëjnë një listë të gjërave “të paimagjinueshme” që Perëndia mund të ketë në mendje për ne. Ftojini ata të cilëve u jepni mësim, të përsiatin se çfarë janë të gatshëm të bëjnë për t’i marrë këto bekime.

  • Merrni parasysh të shfaqni materialin filmik “President Nelson: Hear Him—Personal Revelation” [“Presidenti Nelson: Dëgjoje Atë – Zbulesa Vetjake”] (ChurchofJesusChrist.org). Kërkojuni të rinjve dhe të rejave të dëgjojnë pikëpamjet rreth asaj se si Shpirti na flet dhe se si Ai e bekon jetën tonë. Ata gjithashtu mund të shqyrtojnë mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë” (Liahona, maj 2018, f. 93–96). Vërini ata të kërkojnë përgjigje për pyetje si këto: Si i kërkoi dhe mori nxitjet e Shpirtit Presidenti Nelson? Çfarë mësojmë nga Jozef Smithi rreth gatishmërisë së Perëndisë për t’u folur fëmijëve të Tij? Çfarë na nxiti Presidenti Nelson që të bëjmë? Tregojuni të rinjve dhe të rejave rreth një rasti kur e ndiet që Zoti e përhapi Shpirtin e Tij. Ftojini ata të përsiatin për përvojat që kanë pasur dhe, nëse ndihen rehat, t’i tregojnë ato.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

“Përveç që t’i ndihmoni nxënësit të ndiejnë dhe dallojnë Shpirtin, ndihmojini ata të veprojnë sipas nxitjeve që marrin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 10).