“Miku Juaj Eja, Më Ndiq”, Liahona, janar 2026.
Miku Juaj Eja, Më Ndiq
Burimi i këtij viti shton vepra të reja artistike dhe njohuri që nxitin mendime për studimin tuaj të Dhiatës së Vjetër.
I Will Surely Deliver Thee [Unë do të të Çliroj Patjetër], nga Eva Timothy, nuk lejohet kopjimi
A nuk do të ishte mirë që, kur t’i lexonit shkrimet tuaja të shenjta, të kishit gjithmonë një mik të ulur pranë jush që brohoret për ju? Ndoshta dikush që i pëlqen shumë shkrimet e shenjta, dhe është aq i emocionuar që po i lexoni ato, sa mezi përmbahet. Herë pas here miku juaj thotë gjëra të tilla si: “A nuk është e mrekullueshme kjo pjesë?” “Çfarë mendon për këto vargje?” “Ua, kjo është njësoj si jeta jonë, a nuk mendon kështu?” Nëse ndonjëherë ngecni apo pështjelloheni nga një fragment i vështirë, miku juaj mund të thotë diçka të tillë si: “Epo, kjo është një mënyrë se si mund ta shohësh. A të ndihmon kjo?” – megjithëse ai do të ishte i kujdesshëm që të mos zbulonte ndonjë hollësi domethënëse. Në fund të fundit, ai është një mik.
Manuali Eja, Më Ndiq pak a shumë është si ky mik. Qëllimi i tij është t’ju ndihmojë të keni një përvojë të mrekullueshme me leximin e shkrimeve të shenjta. Mund t’ju drejtojë te fragmente që do t’ju ndihmojnë të ndërtoni besimin tuaj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, dhe më pas mund t’ju ndihmojë t’i lidhni ato fragmente me gjërat që po ndodhin në jetën tuaj. Mund të ndihmojë kur keni pyetje, por më shpesh, Eja Më Ndiq do t’ju bëjë pyetje në vend që t’u përgjigjet atyre, sepse një mik vërtet i mirë nuk do t’ua hiqte kurrë kënaqësinë që t’i zbuloni vetë të vërtetat shpirtërore.
Manuali Eja, Më Ndiq mund t’i bëjë të gjitha këto gjëra miqësore sa herë që i lexoni shkrimet e shenjta. Po, edhe ndërsa lexoni Dhiatën e Vjetër këtë vit.
Përveç pyetjeve që nxitin mendime dhe ide për veprimtari, do të gjeni edhe veçori të tjera të dobishme te manuali Eja, Më Ndiq. Ja tek janë disa shembuj:
Vështrim i Përgjithshëm për Dhiatën e Vjetër
Në fillim të programit Eja, Më Ndiq për vitin 2026, do të gjeni një vështrim të përgjithshëm pamor të Dhiatës së Vjetër. Është si një bosht kohor që përfshin emra të profetëve, mbretërve dhe figurave të tjera kyç. Kjo është e dobishme sepse librat në Dhiatën e Vjetër nuk janë të gjithë në rend kronologjik. Vështrimi i përgjithshëm mund t’ju tregojë, për shembull, vendin që zënë shkrimet e profetëve si Isaia dhe Jeremia në historinë e Mbretërisë së Judës. Mund të shihni vendin që zënë historitë e Danielit dhe të Esterit në skemën e madhe të Dhiatës së Vjetër. Nëse ndonjëherë ndiheni të humbur në Dhiatën e Vjetër, drejtohuni te “Vështrim i Përgjithshëm për Dhiatën e Vjetër” për t’u orientuar.
Vepra të Reja Artistike
Dymbëdhjetë piktura të reja u miratuan për manualin Eja, Më Ndiq për këtë vit. Disa vepra që spikasin, përfshijnë:
-
Enoch Sees the Meridian of Time [Enoku Sheh Meridianin e Kohës], nga Jennifer Paget, një përfaqësim simbolik i vegimit të Enokut për flijimin e Shpëtimtarit (shihni te Moisiu 7).
-
Stand as a Witness [Qëndro si Dëshmitare], nga Kwani Povi Winder, duke nxjerrë në pah “vajzë[n e] vogël” dëshmia e së cilës çoi drejt një mrekullie të madhe (shihni te 2 Mbretërve 5).
-
I Have a Great Work to Do [Unë Kam një Punë të Madhe për të Bërë], nga Tyson Snow, që përshkruan vendosmërinë e Nehemias për të rindërtuar muret e Jerusalemit, pavarësisht nga kundërshtimi nga armiqtë e tij (shihni te Nehemia 4).
-
I Will Surely Deliver Thee [Unë do të të Çliroj Patjetër], nga Eva Timothy, një përshkrim i Jeremias duke u çliruar nga një birucë me baltë nga Ebed‑meleku, një etiopas (shihni te Jeremia 38–39).
“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh”
Herë pas here, rendi i udhëzuesve javorë të studimit tek Eja, Më Ndiq ndalet për “Mendime për t’i Mbajtur Parasysh”. Këto janë ese të shkurtra rreth temave të tilla si besëlidhjet, sakrifica, mbledhja e Izraelit dhe poezia e Dhiatës së Vjetër. Pjesa “Mendime për t’i Mbajtur Parasysh” ofron kontekst historik, këndvështrime të ditëve të mëvonshme dhe ide të thjeshta që mund ta bëjnë më të lehtë të keni përvoja që ndërtojnë besimin, gjatë studimit të Dhiatës së Vjetër.
Ashtu si në vitet e kaluara, manuali Eja, Më Ndiq nuk është synimi i studimit tuaj. Ai është thjesht një shoqërues i dobishëm teksa studioni fjalën e Perëndisë në shkrimet e shenjta. Për këtë gjë janë miqtë.