Kërkimi i Krishtit dhe i Besëlidhjeve: Çelësat e Nefit për Leximin e Dhiatës së Vjetër
Nefi dha disa ide që mund t’ju ndihmojnë gjatë studimit tuaj.
Christ’s Image [Figura e Krishtit], nga Heinrich Hofmann, me mirësinë e C. Harrison Conroy Co., Inc.
Më pëlqen shumë ta lexoj Dhiatën e Vjetër. Përgjatë viteve kam zbuluar dy çelësa për t’i kërkuar në Dhiatën e Vjetër që të sjellin gëzim dhe ta rritin të kuptuarit: Krishtin dhe besëlidhjet.
Ja tek janë disa mënyra se si mund t’i gjejmë Krishtin dhe besëlidhjet gjatë studimit tonë të Dhiatës së Vjetër këtë vit.
Kërkimi i Krishtit
Nefi, i cili i lexoi shkrimet e shenjta nga fletët prej tunxhi, tha: “Vini re, shpirti im kënaqet që t’i provojë popullit tim të vërtetën mbi ardhjen e Krishtit; pasi, për këtë qëllim u dha ligji i Moisiut; dhe çdo gjë që është dhënë nga Perëndia nga fillimi i botës ndaj njeriut, janë shenja që e tipizojnë atë” (2 Nefi 11:4).
Ne mund ta gjejmë Jezu Krishtin në Dhiatën e Vjetër në mënyra të shumta.
Moses and the Brass Serpent [Moisiu dhe Gjarpri prej Bronzi], nga Judith A. Mehr; Christ on the Cross [Krishti në Kryq], nga Carl Heinrich Bloch
Perëndia i Dhiatës së Vjetër
Ngaqë e dimë nëpërmjet zbulesës moderne se Jezu Krishti është Perëndia i Dhiatës së Vjetër (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:3–4), ne mund ta shohim fuqinë e Tij në Krijimin dhe si Ligjvënësi në malin Sinai që i mëson Izraelit se si të bëhet si Perëndia. Ne mësojmë për hirin e Tij në shëlbimin nga robëria në Egjipt, për dashurinë e Tij në përkujdesjen për popullin e Tij në shkretëtirë dhe çuarjen e tyre drejt tokës së premtuar, dhe interesimin e Tij të vazhdueshëm me anë të dërgimit të profetëve dhe ofrimit të faljes ndaj Izraelit kur ata pendoheshin për mëkatet e tyre.
Modelet e Jezu Krishtit
Ka shumë modele (ose përfaqësime) të Jezu Krishtit në tregimet e Dhiatës së Vjetër, shumë prej të cilave paralajmërojnë ardhjen e Tij në të ardhmen, sikurse shënohet në Dhiatën e Re dhe në Librin e Mormonit. Tregimi i Abrahamit dhe Isakut paralajmëron për Perëndinë, Atin, që sakrifikon Birin e Tij, Jezu Krishtin. Jozefi i shpëtoi vëllezërit e tij prej vdekjes nga uria fizike, ashtu sikurse Jezu Krishti na shpëton prej vdekjes nga uria shpirtërore. Moisiu e çliroi popullin e tij nga skllavëria sikurse Jezusi na çliron nga mëkati. Zoti u mësoi fëmijëve të Izraelit për fuqinë e besimit tek Ai dhe Shlyerja e Tij në tregimin e gjarprit prej bronzi në shkretëtirë. Elija dhe Eliseu ishin shembuj të Shpëtimtarit teksa po shëronte të sëmurët dhe ngrinte të vdekurit.
Abraham and Isaac [Abrahami dhe Isaku], nga Harold Copping, © Look and Learn/Bridgeman Images
Ide për Shpëtimtarin e Dhiatës së Re
Jezu Krishti është në mënyrë simbolike në tregimet e Dhiatës së Vjetër dhe në ligjin e Moisiut. Tregimet e Pashkës judease dhe flijimi në ligjin e Moisiut tregojnë për Krishtin. Duke paralajmëruar misionin e Jezusit, profetët në Dhiatën e Vjetër shëruan të sëmurët dhe ngritën të vdekurit. Nëpërmjet profetit Jeremia, Zoti na premtoi një “besëlidhje të re” (Jeremia 31:31; shihni edhe vargun 32).
Në Dhiatën e Re, Jezusi vjen si një përmbushje e ligjit dhe e profetëve në Dhiatën e Vjetër. Ai e dha besëlidhjen e re në Predikimin në Mal dhe filloi simbolet e besëlidhjes gjatë vaktit të Pashkës judease në Darkën e Fundit. Jezusi na mësoi që ta duam njëri‑tjetrin dhe t’i shërbejmë njëri‑tjetrit, ashtu si Ai shëroi të sëmurët dhe ngriti të vdekurit. Ai na shëlboi nga mëkati dhe vdekja nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe themeloi Kishën e Tij në tokë. Kur e dallojmë Jezusin si Perëndinë e Dhiatës së Vjetër, ne mund ta kuptojmë më mirë Atë në Dhiatën e Re.
Kërkimi i Besëlidhjeve
Nefi gjithashtu na mësoi që t’i kërkojmë besëlidhjet në shkrimet e shenjta: “Dhe gjithashtu shpirti im kënaqet në besëlidhjet që bëri Zoti me etërit tanë” (2 Nefi 11:5).
Edhe Presidenti Rasëll M. Nelson e ka theksuar rëndësinë e besëlidhjeve. Ai tha: “Komplimenti më i madh që mund të arrihet këtu në këtë jetë, është të njihesh si mbajtës i besëlidhjes. Shpërblimet për një mbajtës të besëlidhjes do të merren edhe në këtë jetë edhe pas kësaj jete.”
Ç’premtim i mahnitshëm! Edhe pasi të jemi pagëzuar dhe të kemi bërë besëlidhje në tempull, ne mund të mos e kuptojmë tamam se në ç’mënyrë të rëndësishme mund të ndikojnë për më mirë këto premtime në jetën tonë të përditshme. Por Dhiata e Vjetër na kujton se çfarë do të thotë me të vërtetë që të jemi “njerëzit e besëlidhjes” dhe se si mund t’i kuptojmë më mirë bekimet dhe përgjegjësitë që vijnë me të.
Besëlidhja kryesore e përmendur në Dhiatën e Vjetër është besëlidhja e Abrahamit. Ne mund të gjejmë të vërteta rreth ungjillit të Jezu Krishtit në këtë besëlidhje, që na çojnë drejt Jezu Krishtit, tek i cili ne gjejmë shpëtim.
Këtu janë disa mënyra se si Dhiata e Vjetër na ndihmon që t’i kuptojmë dhe t’i mbajmë më mirë besëlidhjet tona.
Të Kuptuarit e Rolit Tonë në Besëlidhjen e Abrahamit
Besëlidhja e Abrahamit ishte një seri premtimesh dhe bekimesh që iu dhanë Abrahamit të cilat vazhdojnë në kohën tonë në “besëlidhjen e re dhe të përjetshme”, të rivendosur me anë të Profetit Jozef Smith (shihni te Doktrina e Besëlidhje 132:30–31). Presidenti Nelson dha mësim:
“Zoti u shfaq në këto ditë të mëvonshme për të përsëritur besëlidhjen e Abrahamit. Mësuesi i tha Profetit Jozef Smith:
‘Abrahami mori premtime lidhur me farën e tij dhe me frytin e ijeve të tij – nga ijët e të cilit ti je, … shërbëtori im Joseph. …
Ky premtim është i juaji gjithashtu, pasi ju jeni të Abrahamit’ [Doktrina e Besëlidhje 132:30–31].”
Nëpërmjet kësaj besëlidhjeje, Zoti krijoi një familje të drejtë ku Ai do të jepte mësim ungjillin e Tij dhe do t’i sillte fëmijët e Tij drejt Jezu Krishtit. Apostulli Pal dha mësim se, në qoftë se vijmë te Krishti, ne do të bëhemi pjesë e familjes së Abrahamit: “Në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit” (Galatasve 3:29; shihni edhe te vargu 27). Nëpërmjet besëlidhjes së Abrahamit, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bëhen shtëpia e Izraelit dhe trashëgimtarë të bekimeve të besëlidhjes së Abrahamit.
Ne mund të mësojmë për rolin tonë në këtë besëlidhje duke shqyrtuar jetën e njerëzve në Dhiatën e Vjetër, duke studiuar premtimet e bëra nga Zoti ndaj fëmijëve të Tij tek urdhërimet dhe duke dëgjuar profetët e lashtë të cilët iu përgjëruan fëmijëve të Izraelit që të pendoheshin dhe t’u bindeshin besëlidhjeve të tyre.
Gjetja e Bekimeve të Premtuara Nëpërmjet Besëlidhjeve Tona
Teksa e lexojmë Dhiatën e Vjetër, mund të kërkojmë për raste kur tregohet se si Zoti po i mban premtimet e bëra në besëlidhjen e Abrahamit. Tre bekimet më të spikatura janë toka, e cila simbolizon një trashëgimi në mbretërinë e Atit Qiellor; pasardhësit, që është një premtim për rritje të përjetshme; dhe bekimet e ungjillit dhe të priftërisë, “të cilat janë bekimet e shpëtimit, madje të jetës së përjetshme” (Abraham 2:11).
Abrahamit iu premtua se, nëpërmjet farës së tij, “do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës” (Zanafilla 12:3). Kjo do të thoshte që Jezu Krishti do të vinte në botë nëpërmjet linjës së prejardhjes nga Abrahami dhe do t’i bekonte të gjitha kombet e tokës nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij (shihni te Galatasve 3:16).
Hollësi nga Gethsemane [Gjetsemani], nga J. Kirk Richards, nuk lejohet kopjimi
Çfarë bekimesh shihni në jetën tuaj sot për shkak të besëlidhjes së Abrahamit?
Detyra për të Mbledhur Izraelin
Së bashku me bekimet, të qenit pjesë e besëlidhjes së Abrahamit përfshin përgjegjësi të caktuara. Nëpërmjet studimit të Dhiatës së Vjetër, ne mësojmë se si t’i përmbushim përgjegjësitë tona lidhur me besëlidhjet tona. Si familja e Abrahamit, anëtarët e Kishës thirren për ta mbledhur Izraelin. Kur marrim pjesë në punën misionare, në dhënien e shërbesës, në punën në tempull, në thirrjet në Kishë, në mësimdhënien dhe rritjen e familjeve tona, ne po e mbledhim Izraelin duke sjellë njerëz të tjerë më pranë Krishtit.
Presidenti Nelson dha mësim: “Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet”.
Të Mësuarit për ta Pëlqyer Shumë Dhiatën e Vjetër
Këtë vit, teksa lexoni Dhiatën e Vjetër për studimin tonë të manualit Eja, Më Ndiq, ju mund të mësoni t’i pëlqeni mësimet e saj duke ndjekur shembullin e Nefit që kërkoi këto dy tema: Krishtin dhe besëlidhjet. Duke e bërë këtë, ju mund ta kuptoni më mirë Jezu Krishtin, Shlyerjen e Tij dhe ungjillin e Tij. Gjithashtu mund të mësoni më shumë rreth “besëlidhjes së re dhe të përjetshme” dhe rolit tuaj në të si dishepull i Krishtit dhe si anëtar i shtëpisë së Izraelit.
Historitë dhe mësimet në Dhiatën e Vjetër mund të na ndihmojnë që ta thellojmë marrëdhënien tonë me Shpëtimtarin, si dhe të kuptuarit dhe zotimin tonë ndaj besëlidhjeve tona vetjake.