Liahona
Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj
Liahona, Janar 2026


“Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj”, Liahona, janar 2026.

Shenjtorë në Çdo Vend

Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj

Ajo u largua nga shtëpia e vet, kaloi oqeanin për të predikuar ungjillin e rivendosur dhe vdiq në moshën 26‑vjeçare, besnike ndaj besëlidhjeve të veta.

fotografi e Ema Parsellit dhe misionarëve të tjerë

Ema Parselli (rreshti i parë) dhe misionarë të tjerë në Misionin e Samoas në tetor të vitit 1902

Më 5 maj 1901, 17‑vjeçarja, Ema Parselli, pranoi thirrjen për mision në Samoa. “Ju siguroj që çdo përpjekje e imja do të jetë për të çuar përpara veprën e Zotit”, – shkroi ajo në një letër drejtuar Presidentit Lorenco Snou. Ajo u zotua më tej: “Do të gjej gjithmonë kënaqësi te mbrojtja e parimeve të Ungjillit, në çdo kohë dhe kurdoherë që të paraqitet një mundësi”.

Ndërsa u përgatit për të shërbyer, Ema vështirë se e dinte se çfarë e priste. Ishte e pashoqe mes shoqeve të veta misionare. Vetëm tre vjet më parë, Kisha kishte nisur të thërriste gra beqare si misionare kohëplota. Dhe deri më sot, ajo ishte më e vogla në moshë që ishte thirrur.

Ajo gjithashtu do të ishte gruaja e parë nga Samoa që do të shërbente në një mision kohëplotë. Megjithëse jetonte në Solt‑Lejk‑Siti, ajo kishte lindur në Malaela, një fshat në cepin lindor të ishullit të Upolut në Samoa. Në moshën 12‑vjeçare ishte larguar nga shtëpia dhe familja e vet për të frekuentuar shkollën në Jutë, 8047 km larg.

Mendimi se do të kthehej në Samoa pas pesë vjetësh mund të ketë qenë si emocionues ashtu edhe shqetësues për Emën. Për t’u përgatitur shpirtërisht, ajo mori dhurimin e vet në Tempullin e Solt‑Lejkut. Ashtu si misionarët sot, ajo bëri besëlidhje të shenjta me Perëndinë dhe asaj iu premtuan bekime nëpërmjet besnikërisë së saj.

Dhe siç e tregon historia e saj, ajo bëri gjithçka mundej për t’i mbajtur ato besëlidhje ndërkohë që i shërbente Zotit.

Nga Upolu në Jutë – dhe Kthimi Përsëri

Ema lindi më 26 qershor 1883, fëmija i shtatë i Viliamu dhe Matafua Parsellit. Familja e saj ishte njëra nga disa familje euroneziane (pjesërisht europiane, pjesërisht polineziane) në Malaela dhe përreth ishullit. Nëna e saj ishte nga ishulli i Savait, pikërisht në veri dhe perëndim të Upolut. Babai i saj ishte i biri i një anglezi, i cili kishte ardhur në Samoa rreth vitit 1834, u martua me një grua nga Samoa dhe u vendos në Malaela.

Ema ka të ngjarë që fillimisht mësoi për ungjillin e rivendosur ndërsa jetonte me Xhon dhe Nanave Rozenkuistin, një çift shenjtor i ditëve të mëvonshme që e trajtuan si një bijë të birësuar. Ajo u pagëzua në moshën 12‑vjeçare, më 3 nëntor 1895. Një misionar që ishte i pranishëm në shërbesë, dëshmoi për shpirtin e fuqishëm që ndjeu në pagëzim.

Pak muaj më vonë, Xhon W. Beku, presidenti i Misionit të Samoas, mori miratimin nga Presidenca e Parë që të dërgonte Emën dhe fëmijë të tjerë nga Samoa në Jutë për shkollim. Ajo u nis nga Apia, porti kryesor i Upolut, me Presidentin Bek dhe misionarë të tjerë më 23 prill 1896. Ndonëse prindërit e saj biologjikë e dhanë miratimin për largimin e saj, ata i kishin sytë me lot kur i thanë lamtumirë.

Emës iu deshën gati tri javë që të udhëtonte me një anije me avull dhe nëpërmjet hekurudhës për në Solt‑Lejk‑Siti. Qyteti ishte shumë më i madh se fshati i saj në Upolu dhe ajo duhet të jetë ndier e mbingarkuar nga rrugët plot lëvizje dhe tingujt e panjohur. Në atë kohë, Juta kishte relativisht pak banorë polinezianë. Zakonisht, ajo nuk shihte askënd të ngjashëm me veten.

Në Jutë, Ema jetoi në Lagjen e Trembëdhjetë të Solt‑Lejk‑Sitit, mori një arsimim të mirë në shkollat që ishin pronë e Kishës, dhe i mbajti lidhjet me misionarët e kthyer nga Misioni i Samoas. Që në fillim, peshkopi i saj e vuri re potencialin e saj dhe u këshillua me të që të përgatitej për të shërbyer në një mision në atdhe.

Ema i mori parasysh me kujdes fjalët e tij dhe, kur erdhi thirrja në fillim të vitit 1901, ajo ishte gati.

Shërbimi në Malaela

Ema u kthye në Upolu më 25 korrik 1901, e lumtur që e gjeti babanë e saj duke e pritur në port. Gjatë mungesës së saj, Ema e kishte humbur disi aftësinë për të folur samoanisht. Por kur e ftuan të bënte një lutje mbylljeje në një mbledhjeje, Shpirti e frymëzoi dhe ajo e ofroi në gjuhën e saj amtare.

Ema u caktua të shërbente në Malaela, qytetin e saj të lindjes, ku Kisha kishte ngritur një shkollë që nga viti 1896. Asaj iu caktua detyra që t’u jepte mësim nxënëseve. Ajo gjithashtu drejtoi Shoqatën e Përmirësimit të Ndërsjellë të Të Rejave të Degës së Malaelës. Të dielave dhe gjatë javës, ajo predikonte dhe jepte mësim së bashku me misionarët e tjerë.

Në fillim, disa nga familjarët e Emës në ishull e kundërshtuan punën e saj dhe e nxitën të largohej nga Kisha. Sipas presidentit të misionit, Uilliam G. Siërsit, në fakt, “ajo i mbrojti veprimet e saj” dhe mori vendimin që t’i mbante besëlidhjet e veta, pavarësisht nga kundërshtimi.

Ajo ishte po aq e zonja sa misionarët e tjerë. Një herë, si shaka, dy djem misionarë në mëngjes ia zëvendësuan ujin e saj natyral të arrës së kokosit me ujë të zakonshëm. Shakaja e “zhgënjeu” Emën, por ajo ua ktheu shakanë elldërave duke u dhënë atyre arrë kokosi të mbuluar me kripë në vend të sheqerit.

Duke i lënë mënjanë kësi shakash, misionarët kishin respekt të pafund për “Motrën Parsell”. Një misionar vërejti se ajo ishte “plot me shpirtin e detyrës dhe të thirrjes së saj”. Një djalë tjetër misionar shkroi me vlerësim për mirësinë e saj. Një herë, Ema la disa banane përgjatë një shtegu që ai dhe shoku i tij i misionit të kishin diçka për të ngrënë ndërkohë që udhëtonin.

Dokumentet tregojnë se ajo predikoi për autoritetin e priftërisë, Librin e Mormonit dhe tema të tjera të ungjillit. Pasi e dëgjoi Emën të predikonte për jetën dhe misionin e Jozef Smithit, një misionar shkroi: “Më pëlqyen shumë fjalët e saj; dhe më erdhi keq kur ajo e mbaroi fjalimin”.

Fatkeqësisht, Ema u sëmur nga elefantiaza nga fundi i misionit dhe u lirua më shpejt nga thirrja si misionare. Kur gratë dhe vajzat në shkollë mësuan se ajo do të kthehej në Jutë, ato qanë. Dega e Malaelës zhvilloi një mbledhje lamtumire për të, duke i dhënë asaj një mundësi të fundit për të predikuar. Ajo “foli plot fuqi”, tregohet në procesverbalin e mbledhjes, “dhe i nxiti të gjithë njerëzit që të ishin të vërtetë ndaj ungjillit”.

Një Trashëgimi Përkushtimi

Ema vetë mbeti e vërtetë ndaj ungjillit – dhe besëlidhjeve të saj – për gjithë jetën e saj. Në Jutë, ajo e vazhdoi arsimimin, mori pjesë në komunitetin polinezian të shtetit dhe dha këshilla për librin e parë të himneve të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në samoanisht. Në njëfarë pike të jetës, ajo u takua edhe me një shenjtor nga Havai të quajtur Henri Kahalemanu. Ata u martuan në Tempullin e Solt‑Lejkut më 31 janar 1907.

Tre vjet më vonë, Ema ndërroi jetë në moshën 26‑vjeçare dhe u varros në Iosepa, një koloni e shenjtorëve polinezianë, 97 km në perëndim të Solt‑Lejk‑Sitit. Ndonëse jeta e saj ishte e shkurtër, përkushtimi i saj ndaj ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit mbetet një shembull i fuqishëm për shenjtorët nëpër botë, veçanërisht për të rejat që i përgjigjen thirrjes për të shërbyer sot.

Shënime

  1. Letra e Ema Parsellit drejtuar Lorenco Snout, 5 maj 1901, thirrjet misionare dhe rekomandimet e Presidencës së Parë, 1877–1918, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti.

  2. Shihni te Matthew McBride, “‘Female Brethren’: Gender Dynamics in a Newly Integrated Missionary Force, 1898–1915”, Journal of Mormon History, vëll. 44, nr. 4 (tetor 2018), f. 40–67.

  3. Shihni listën e misionareve të njohura, Susa Young Gates papers, rreth 1870–1933, f. 6–9, Biblioteka e Historisë së Kishës.

  4. Shihni te formulari gjenealogjik i Ema Parsellit si misionare, dokumentet për misionarët nga Sektori i Misionarëve, 1888–1928, Biblioteka e Historisë së Kishës; ditari i William G. Sears‑it, 6 dhe 25 korrik 1901, Biblioteka e Historisë së Kishës; “In Far Samoa”, Juvenile Instructor, 15 dhjetor 1902, f. 759–760.

  5. Shihni te Salt Lake Temple, Endowments of the Living, 1893–1956 (mikrofilm), 0,184,068, f. 41, Biblioteka e Programit FamilySearch, Solt‑Lejk‑Siti; ditari i William G. Sears‑it, 25 korrik 1901.

  6. Shihni te James E. Talmage, The House of the Lord: A Study of Holy Sanctuaries Ancient and Modern (1912), f. 100.

  7. Shihni te “Register of British Subjects Residing in the Samoa Islands”, f. 209–211, në Samoa, pagëzimet, 1863–1940, FamilySearch.org. Familjet euroneziane në Malaela përfshijnë familjet e Viliamu e Matafua Parsellit, Tomas Parsellit dhe Xhon e Nanave Rozenkuistit.

  8. Shihni njoftimin e vdekjes dhe nekrologjinë për Eduard Ned Parsellin te Samoa Times and South Sea Gazette, 28 qershor 1879, f. 2.

  9. Shihni ditarin e Joseph Quinney‑it, 17 shtator dhe 3 nëntor 1895, Biblioteka e Historisë së Kishës.

  10. Shihni te formulari gjenealogjik i Ema Parsellit si misionare; ditari i Joseph Quinney‑it, 3 nëntor 1895.

  11. Shihni letrën e Xhon W. Bekut drejtuar Presidencës së Parë, 25 shkurt 1896, Biblioteka e Historisë së Kishës; “Samoan Mission Historical Record”, vëll. 3, 1892–1896, 18 prill 1896, në procesverbalet e përgjithshme të misionit të Samoas, 1888–1970, Biblioteka e Historisë së Kishës.

  12. Shihni te “Samoan Mission Historical Record”, vëll. 3, 1892–1896, 23 prill 1896; ditari i Joseph Quinney‑it, 23 prill 1896.

  13. Ema mbërriti në Solt‑Lejk‑Siti më 12 maj 1896 (shihni ditarin e Joseph H. Dean‑it, 12–13 maj 1896, Biblioteka e Historisë së Kishës).

  14. Shihni regjistrat e misionarëve në Sektorin e Misionarëve, 1860–1959, 14 qershor 1901, vëll. C, faqe 143, rreshti 204, Biblioteka e Historisë së Kishës; “In Far Samoa”, f. 759; “Ward Entertainments”, Salt Lake Tribune, 5 qershor 1901.

  15. Shihni letrën e Ema Parsellit drejtuar Lorenco Snout, 5 maj 1901.

  16. Shihni ditarin e Charles Warnick‑it, 25 korrik 1901, Biblioteka e Historisë së Kishës; ditari i William G. Sears‑it, 25 korrik 1901.

  17. Shihni ditarin e William T. Ogden‑it, 8 korrik 1901, Biblioteka e Historisë së Kishës.

  18. Shihni ditarin e William G. Sears‑it, 9 gusht 1901; “Some Samoan Sunday Schools”, Juvenile Instructor, 1 shtator 1901, f. 524.

  19. Shihni ditarin e Wilford W. Emery‑it, 19 mars 1902, Biblioteka e Historisë së Kishës.

  20. Shihni procesverbalet e përgjithshme të degës së Malaelës, 1897–1969, 28 janar – 3 qershor 1903, Biblioteka e Historisë së Kishës.

  21. Referencat për mësimdhënien e Ema Parsellit mund të gjenden në procesverbalet e përgjithshme të degës së Malaelës, 1897–1969, dhe në ditarin e Wilford W. Emery‑it.

  22. Shihni ditarin e William G. Sears‑it, 30 korrik – 3 gusht dhe 8 gusht 1901.

  23. Shihni ditarin e Wilford W. Emery‑it, 1 prill 1902.

  24. Ditari i William T. Ogden-it, 5 korrik 1901.

  25. Shihni ditarin e Wilford W. Emery‑it, 31 gusht 1902.

  26. Shihni procesverbalet e përgjithshme të degës së Malaelës, 1897–1969, 5, 15, 19 dhe 26 shkurt 1903; 8 dhe 15 mars 1903; 16 dhe 26 prill 1903; 10 maj 1903.

  27. Ditari i Wilford W. Emery‑it, 26 shkurt 1903.

  28. Shihni ditarin e Wilford W. Emery‑it, 25 shkurt 1903; letra e Martin F. Sandersit drejtuar Jozef F. Smithit, 29 mars 1903, Biblioteka e Historisë së Kishës; procesverbalet e përgjithshme të degës së Malaelës, 1897–1969, 25 shkurt 1903.

  29. Shihni procesverbalet e përgjithshme të degës së Malaelës, 1897–1969, 17 dhe 19 qershor 1903.

  30. Procesverbalet e përgjithshme të degës së Malaelës, 1897–1969, 18 qershor 1903.

  31. Shihni tek “The Sophomores”, The Gold and Blue, 23 tetor 1905, f. 12; “Maoris Cook in Native Fashion”, Salt Lake Tribune, 29 gusht 1906, f. 12; “Ward Entertainments”, Deseret News, 30 mars 1905, f. 5; letër e F. Eugene Morris‑it drejtuar Presidencës së Parë, 16 tetor 1903, në Letters (Martin F. Sanders), gusht–dhjetor 1903, Biblioteka e Historisë së Kishës; “Kaysville Kinks”, Davis County Clipper, 14 gusht 1903, f. 1.

  32. Shihni licencën e martesës së Henri Kahalemanut dhe Ema Ester Parsellit më 31 janar 1907, Solt‑Lejk, Jutë, dokumente të Shteteve të Bashkuara, FamilySearch.org. Vini re se programi FamilySearch rendit datën 31 janar 1907 si datën e “vulosjes me bashkëshortin” për Emën dhe Henrin.

  33. Shihni tek “Emma Esther Purcell”, Baza e Të Dhënave Biografike të Historisë së Kishës, history.churchofjesuschrist.org/chd.