“Pjesëtarë të Natyrës Hyjnore”, Liahona, janar 2026.
Pjesëtarë të Natyrës Hyjnore
(2 Pjetër 1:4)
Njohuria për planin e shpëtimit siguron këndvështrim të çmuar, e pasuron gëzimin tonë dhe na forcon që t’i mposhtim sfidat dhe fatkeqësitë tona.
Christ Calling Two Disciples [Krishti Duke Thirrur Dy Dishepuj], nga Gary E. Smith
Apostulli Pjetër na kujton se, për dishepujt e Jezu Krishtit, “fuqia e [T]ij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet,
me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjes[ë]tarë të natyrës hyjnore” (2 Pjetër 1:3–4; theksimi i shtuar).
Plani i Atit Qiellor përshkruan të vërtetat dhe premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha që përcaktojnë identitetin dhe qëllimin tonë të përjetshëm.
Siç shpjegohet te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”:
“Të gjitha qeniet njerëzore, meshkuj dhe femra, janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor. …
Në mbretërinë paratokësore, bijtë dhe bijat shpirtërore e njihnin dhe e adhuronin Perëndinë si Atin e tyre të Amshuar dhe e pranuan planin e Tij, me anë të të cilit fëmijët e Tij mund të merrnin një trup fizik dhe të fitonin përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe përfundimisht të arrinin destinacionin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme.”
Ati Qiellor u premton fëmijëve të Tij që, në qoftë se ata i ndjekin parimet e planit të Tij dhe shembullin e Birit të Tij të Dashur, i zbatojnë urdhërimet dhe durojnë me besim deri në fund, ata “do të ke[në] jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 14:7).
Vepra e Perëndisë përqendrohet te përparimi dhe ekzaltimi i fëmijëve të Tij. Çdo aspekt i planit të Tij është hartuar për t’i bekuar bijtë dhe bijat e Tij ngaqë “vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e [Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 18:10).
Plani i Atit
Në këshillin në jetën para lindjes, Ati Qiellor u paraqiti fëmijëve të Tij shpirtërorë planin e Tij për përparimin dhe lumturinë e tyre të përjetshme.
“Ne do të bëjmë një tokë në të cilën këta të mund të banojnë;
Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë;
Dhe ata që e ruajnë gjendjen e parë, atyre do t’u shtohet; dhe ata që nuk e ruajnë gjendjen e parë, nuk do të kenë lavdi në të njëjtën mbretëri me ata që e ruajnë gjendjen e tyre të parë; dhe ata që e ruajnë gjendjen e tyre të dytë, do të kenë lavdi të shtuar mbi kokat e tyre përherë e përgjithmonë.
Dhe Zoti tha: Kë të dërgoj? Dhe njëri u përgjigj sikurse Biri i Njeriut: Ja ku jam, dërgomë mua. Dhe tjetri u përgjigj e tha: Ja ku jam, dërgomë mua. Dhe Zoti tha: Do të dërgoj të parin.
Dhe i dyti u egërsua dhe nuk e ruajti gjendjen e tij të parë; dhe, në atë ditë, shumë e ndoqën atë” (Abraham 3:24–28).
Vini re se në këshillin në jetën para lindjes, u paraqit vetëm një plan, plani i Atit. Ati ynë Qiellor nuk ngriti pyetjen: “Çfarë do të bëjmë?” Ai nuk kërkoi mendime, nuk u lut për rekomandime, as nuk bëri kërkesë për propozime. Përkundrazi, Ai paraqiti elementet bazë të planit të Tij dhe pyeti: “Kë të dërgoj?” Thelbi i pyetjes së Tij përqendrohej tek ajo kush duhej të dërgohej për të zbatuar kërkesat dhe kushtet e planit të Tij.
Në shkrimet e shenjta përshkruhen edhe pasojat e kryengritjes së kundërshtarit.
“Si rrjedhim, ngaqë ai Satan ngriti krye kundër meje dhe kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur, të cilën, unë … ia kisha dhënë atij, dhe gjithashtu që unë t’i jap atij fuqinë time … unë bëra që ai të flakej tutje;
Dhe ai u bë Satani, … djalli, ati i gjithë gënjeshtrave, për të mashtruar e verbuar njerëzit dhe për t’i çuar ata në robërinë e vullnetit të tij, madje të gjithë ata që nuk do t’i bindeshin zërit tim” (Moisiu 4:3–4; theksimi i shtuar).
Luciferi nuk paraqiti një plan që u hodh poshtë nga shumica e pjesëmarrësve në këshillin në jetën para lindjes. Ai nuk është një figurë simpatike që humbi zgjedhjet. Ai u rebelua! Krenaria, arroganca dhe egoizmi i dhanë shtysë revoltës së tij ndaj planit të Atit.
Plani i Atit dhe Ungjilli i Shpëtimtarit
Plani përshkruan veprat e Atit dhe të Birit, të cilat i vënë në dispozicion të gjithë njerëzimit bekimet e jetës së përjetshme.
Ungjilli i Jezu Krishtit përbën mënyrën me anë të së cilës ne mund të marrim bekimet e premtuara në planin e Perëndisë, madje doktrinën, parimet, ordinancat dhe besëlidhjet që burrat dhe gratë duhet të besojnë dhe të ndjekin. “Nuk ka emër tjetër të dhënë nën qiell përveç këtij të Jezu Krishtit … nga i cili njeriu mund të shpëtohet” (2 Nefi 25:20). Me të vërtetë, Zoti Jezu Krisht është “udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet [Tij]” (Gjoni 14:6; theksimi i shtuar).
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:
“Plani kërkoi Krijimin dhe ai në këmbim kërkoi si Rënien edhe Shlyerjen. Këto janë tri pjesët themelore të planit. Krijimi i një planeti parajsor erdhi nga Perëndia. Vdekshmëria dhe vdekja erdhën në botë nëpërmjet Rënies së Adamit [shihni te 2 Nefi 2:25; Moisiu 6:48]. Pavdekësia dhe mundësia e jetës së përjetshme u siguruan nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit [shihni te 2 Nefi 2:21–28]. …
… Ne vijmë në tokë për një periudhë të shkurtër kohe, durojmë provat e sprovat tona dhe përgatitemi të lëvizim përpara dhe lart drejt një kthimi të lavdishëm në shtëpi [shihni te Psalmeve 116:15; Alma 42:8]. Mendimet dhe veprimet tona [në vdekshmëri] sigurisht do të jenë më të qëllimshme nëse e kuptojmë planin e Perëndisë dhe jemi mirënjohës për urdhërimet e Tij dhe të bindur ndaj tyre” [shihni te Doktrina e Besëlidhje 59:20–21].”
Titujt e Planit në Librin e Mormonit
Ne mësojmë të vërteta të rëndësishme duke përcaktuar dhe studiuar titujt e shumtë e të ndryshëm për planin e Atit në Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Për shembull, merrni parasysh grupin e mëposhtëm të zgjedhur të titujve:
“Plan[i i] mëshirshëm [i] Krijuesit të madh” (2 Nefi 9:6).
“Plani i Perëndisë tonë!” (2 Nefi 9:13).
“Plani i shpëtimit” (Jaromi 1:2; Alma 24:14).
“Plani i shëlbimit” (Alma 12:25, 26, 30, 32, 33; 42:11, 13).
“Plani i rivendosjes” ( Alma 41:2).
“Plani [i] lumturisë” (Alma 42:16).
“Plani i madh i mëshirës” (Alma 42:31).
Secili prej këtyre titujve na ndihmon të kuptojmë më qartë premtimet e çmuara të planit të Atit dhe e pasuron këndvështrimin tonë rreth qëllimeve dhe kuptimit të jetës sonë në vdekshmëri.
Në mënyrë domethënëse, titulli më i përdorur për planin e Perëndisë në Librin e Mormonit, përqendrohet te shëlbimi që u bë i mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Alma shpalli: “Po të mos ishte për planin e shëlbimit, që u përgatit nga krijimi i botës, mund të mos kishte ringjallje të të vdekurve; por u vendos një plan shëlbimi, i cili do të sjellë ringjalljen e të vdekurve” (Alma 12:25).
Ai gjithashtu këshilloi: “Filloni të besoni në Birin e Perëndisë, se ai do të vijë të shëlbejë popullin e tij dhe se ai do të vuajë dhe do të vdesë që të shlyejë mëkatet e tyre; dhe se ai do të ngrihet përsëri nga të vdekurit, që do të shkaktojë ringjalljen, që të gjithë njerëzit do të qëndrojnë para tij për t’u gjykuar, sipas veprave të tyre” (Alma 33:22).
Udha Është e Përgatitur
Shpirtrat tanë duhet të mbushen me mirënjohje teksa marrim parasysh planin e madhërishëm të Perëndisë për shpëtimin, shëlbimin, rivendosjen, mëshirën dhe lumturinë. Njohuria për planin e Tij siguron këndvështrim të çmuar, e pasuron gëzimin tonë dhe na forcon që t’i mposhtim sfidat dhe fatkeqësitë tona.
Ati Qiellor digjet nga dëshira që ne të kthehemi në shtëpi tek Ai. Ai fton dhe premton bekime, por Ai kurrë nuk do të imponojë, detyrojë apo kufizojë ushtrimin nga ana jonë të lirisë morale të zgjedhjes që Ai na e dha. Ne duhet të veprojmë dhe të zgjedhim të kthehemi tek Ai duke ndjekur shembullin e Birit të Tij të Dashur.
His Hand Is Stretched Out Still [Dora e Tij Mbetet e Shtrirë], nga Elizabeth Thayer
“Udha është përgatitur dhe në qoftë se ne do të shikojmë, do të mund të jetojmë përgjithmonë” (Alma 37:46; theksimi i shtuar).
Dëshmoj plot gëzim se Ati Qiellor është autori i planit hyjnor për fëmijët e Tij. Jezu Krishti është Shëlbuesi dhe Shpëtimtari ynë. Dhe, si një nga Apostujt e ditëve të mëvonshme të Zotit, dëshmoj se Ai me të vërtetë është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6; theksimi i shtuar).