2014
Ted R. Kelister
Maj 2014


Ted R. Kelister

Presidenti i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës

Pamja
Ted R. Kelister

Në jetën e Ted R. Kelisterit, Shkolla e së Dielës luajti një rol kryesor disa dekada përpara thirrjes së tij të fundit si president i përgjithshëm i Shkollës të së Dielës.

Ndërkohë që Vëllai Kelister po shërbente si president i Shkollës të së Dielës në një lagje të Universitetit “Brigam Jang”, ai njohu bashkëshorten e tij të ardhshme Ketrin L. Saporitin, me të cilën u martua më 20 dhjetor 1968 në Tempullin e Los-Anxhelosit.

Ata janë prindër të dy vajzave dhe katër djemve; ata kanë edhe 24 nipër e mbesa. “Shumë gjëra të mira ndodhin kur je president i Shkollës të së Dielës”, thotë Vëllai Kelister.

I lindur më 17 dhjetor të vitit 1945 në Glendejl të Kalifornisë, nga prindërit Rid Edington dhe Norin Kelister, ai deklaron se - si Nefi - u lind nga “prindër të mirë”.

“Im atë ishte peshkopi im kur u rrita”, thotë Vëllai Kelister. “Ai e kishte zakon të mbante me vete letra të vogla dhe mësonte përmendsh fjalë nga fjalori, shkrime të shenjta dhe vargje nga Shekspiri.”

Sikurse i ati, Vëllai Kelister ndoqi një karrierë ligjore. Pas diplomimit si llogaritar nga Universiteti “Brigam Jang”, ai ndoqi juridikun në Universitetin e Los-Anxhelosit në Kaliforni dhe mori një diplomë masteri për ligjin e taksave nga Universiteti i Nju-Jorkut. U punësua si avokat me të drejtë ushtrimi të profesionit në firmën Kelister & Kelister.

Në kohën e thirrjes së tij, Vëllai Kelister sapo ishte liruar nga thirrja e tij në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve dhe nga thirrja në Kuorumin e Dytë të Të Shtatëdhjetëve, ku kishte shërbyer që nga viti 2008.

Përpara kësaj, ai shërbeu si president i Misionit Lindor të Torontos në Kanada, si I Shtatëdhjetë Zonal, si përfaqësues krahinor, si president kunji, si peshkop, si president i misionit të kunjit, si president i kuorumit të pleqve dhe, kur ishte i ri, si misionar në Misionin e Shteteve të Atlantikut Lindor.

Duke komentuar mbi ndryshimet e ardhshme në programin mësimor të të rriturve për Shkollën e së Dielës, Vëllai Kelister thotë: “Programi mësimor është, sigurisht, shumë i rëndësishëm, por jo aq i rëndësishëm sa mënyra me të cilën njerëzit japin mësim. Gjëja më e rëndësishme është që ne të japim mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit, që ne të japim mësim me anë të Shpirtit dhe që ne të japim mësim për t’i kthyer njerëzit në besim.”