2014
Iniciativa për Ujë të Pastër Ndihmon Miliona [Njerëz] në Afrikë
Maj 2014


Iniciativa për Ujë të Pastër Ndihmon Miliona Njerëz në Afrikë

Për më shumë se dy dhjetëvjeçarë, Kisha është përfshirë në projekte për ujë të pastër në më shumë se 100 vende. Vetëm në Afrikë, këto projekte kanë bekuar jetën e më shumë se katër milionë njerëzve duke siguruar puse, sisteme ruajtjeje dhe shpërndarjeje të ujit dhe pastrim të ujit.

Një projekt i tillë ndodhi në ishullin Idugo, pranë bregdetit të Mozambikut. Pjesa më e madhe e 15.000 njerëzve që jetojnë në ishull, punojnë në ferma familjare, peshkojnë në ujërat rrethuese të Oqeanit Indian ose punojnë në pellgjet e avullimit për të mbledhur kripë nga uji i detit. Ishulli nuk ka ujë të rrjedhshëm, energji elektrike, rrugë apo automjete. Arritja në ishull bëhet me anë të varkave të bëra me dorë ose me anë të kaikeve të gërryera nga trungje drurësh.

Për shekuj, burimet e vetme të ujit të pijshëm në Idugo kanë qenë puse të cekëta, të gërmuara me dorë. Puset vazhdimisht mbushen me baltë dhe mbeturina. Ato sigurojnë ujë plot baltë dhe të vështirë për t’u arrirë. Gjatë stinës së shirave, uji bëhet i ndotur, duke shkaktuar kolerë, diarre dhe sëmundje të tjera.

Kur misionarët humanitarë të Kishës dëgjuan rreth kushteve në Idugo, ata u takuan me udhëheqësit e komunitetit atje. Së bashku ata krijuan një plan për Shërbimet Humanitare të Kishës që do të siguronte materiale, vegla dhe udhëzime për të ndërtuar 10 puse të rrethuar betoni me kapakë çeliku, me kapacitet për t’u shërbyer 1.000 njerëzve. Misionarët do të jepnin trajnimin higjienik e sanitar dhe fshatarët do të siguronin gjithë krahun e punës të nevojshëm për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e puseve.

Nga një qendër skele në kontinent, u transportuan me anije për në ishujt katër ngarkesa kamionësh me zhavorr, 300 thasë me çimento, dy ngarkesa me rërë, shufra të përforcuara çeliku dhe paleta të bëra me çelik e çimento. Furnizimet u çuan më pas nëpër ishull më këmbë ose me karroca dore. Disa anëtarë të Kishës nga Kuelimane, në Mozambik, jetuan në çadra në ishull për tre muaj, që të ndihmonin për trajnimin dhe ndërtimin.

Puset u krijuan që të lejonin kullimin e ujit të shiut, duke mënjanuar ndotjen. Në disa komunitete, banorët ndërtuan gardhe prej druri dhe udhëkalime me tulla përreth puseve, duke përdorur tulla që mësuan t’i bënin vetë me materiale të dhuruara nga Kisha.

Në ceremonitë zyrtare, pronësia e puseve iu kthye njerëzve të secilit fshat. Disa banorë, të cilët kishin punuar te puset, shprehën mirënjohje që aftësitë e tyre të sapomësuara – bërja e tullave, punimi me çimento dhe përforcimi i saj me çelik, si dhe përdorimi i veglave – do t’i ndihmonin ata që të gjenin punë shtesë. Të tjerë shprehën mirënjohje për mundësinë që të mësonin aftësi udhëheqjeje.

Pas stinës së shirave që pasoi, nuk u raportua asnjë sëmundje e shkaktuar nga uji në fshatrat me puse.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëzve në mbarë botën u mungon mundësia për të përdorur ujë të pastër. Falë iniciativës së Kishës për ujë të pastër, ai numër po pakësohet nëpërmjet një procesi që përfshin anëtarët e komunitetit në planifikimin dhe zbatimin e projekteve, duke siguruar krahun e punës për t’i ndërtuar godinat e nevojshme, duke marrë trajnim dhe duke mirëmbajtur burimet e përfunduara.

Përveç projekteve të ujit të pastër nëpër mbarë Afrikën, Kisha sponsorizon iniciativa për ujë të pastër në Azi, Amerikën Qendrore, Europën Qendrore, Indi, Indonezi, Ishujt e Paqësorit, Amerikën Jugore, Azinë Juglindore dhe vendndodhje të tjera anembanë botës.