2014
Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë
Maj 2014


Ata na Folën Neve

Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë

Mbani parasysh që t’i përdorni disa nga këto veprimtari dhe pyetje si pikënisje për diskutim familjar apo përsiatje vetjake.

Për Fëmijët

  • Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, dha mësim se ne mund të zgjedhim të jemi mirënjohës, pavarësisht se çfarë gjërash të vështira ndodhin në jetën tonë (faqe 70). Të qenit mirënjohës do të na ndihmojë të jemi më të lumtur e të mirësjellshëm dhe të kemi besim e të mirëbesojmë te Perëndia. Si ndiheni kur jeni mirënjohës? Çfarë mund të bëni për të ndier mirënjohje çdo ditë?

  • Boni L. Oskarson, presidente e përgjithshme e Të Rejave, tregoi për Sarën, një vajzë të vogël, e cila shkoi me mamin e saj për të ndihmuar Brendën, një grua me sklerozë të shumëfishtë. Sara i krehu flokët Brendës, vendosi krem në duart e saj, i fërkoi gishtat e krahët e saj dhe e ndihmoi të shtrinte [krahët] (faqe 119). Mendoni për mënyra se si mund të shërbeni. Edhe kur jeni të vegjël, ka shumë gjëra që mund të bëni.

  • Plaku L. Tom Peri, nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si një drejtues përdor pajimet dhe frerët për ta drejtuar dhe udhëhequr butësisht një grup kuajsh (faqe 100). Drejtuesi e di më mirë dhe kali e ndjek udhëheqjen e drejtuesit, pikërisht ashtu si Zoti e di se çfarë është më e mira për ne dhe ne mund të jemi të lumtur kur e ndjekim Atë. Pajimet dhe frerët janë si nxitjet e Frymës së Shenjtë. Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë t’ju udhëheqë? Çfarë ndjenje ishte?

  • Xhin A. Stivens, këshilltare e parë në presidencën e përgjithshme të Fillores, tregoi një ndodhi për një djalë që i kishte ikur autobusi i fundit i ditës dhe po shkonte në këmbë për në shtëpi (faqe 81). Ngaqë i kishin mbetur shumë kilometra, ai u frikësua dhe u gjunjëzua që të lutej. Disa minuta më vonë, Motra Stivens u nxit nga Shpirti që të ndalonte dhe ta ndihmonte atë. A mund të mendoni për rastet kur Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve tuaja? Si keni ndihmuar ju për t’iu përgjigjur lutjes së dikujt tjetër?

Për Rininë

  • Presidenti Tomas S. Monson dha mësim se neve na nevojitet “guxim për të thënë jo kur duhet ta themi atë, guxim për të thënë po kur është e duhur, guxim për ta bërë gjënë e drejtë ngaqë është e drejtë”. Ndërsa e studioni bisedën e tij (faqe 66), mendoni për sfidat me të cilat përballeni. Çfarë plani mund të hartoni që të zhvilloni këtë lloj guximi?

  • Plaku Xhefri R. Holland, nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, na kujtoi që, nëse e duam Shpëtimtarin, ne do t’i mbajmë urdhërimet e Tij dhe do t’i duam të tjerët ashtu siç i deshi Ai (faqe 6). Edhe kur e bëjmë këtë, ne duhet të qëndrojmë gati për t’i mbrojtur bindjet tona “me mirësjellje dhe me dashamirësi”. A njihni ndonjë njeri që nuk është dakord me ndonjë nga bindjet tuaja? Si mund të jeni plot respekt ndërsa i diskutoni dhe i mbroni ato bindje?

  • Disa folës i folën drejtpërsëdrejti rinisë. Për shembull, Plaku Nil L. Andersen, nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, dha disa sugjerime për rininë mbi mënyrën se si t’i kapërcejnë “vorbullat e erërave shpirtërore”, të tilla si gjetja e paqes në tempull (faqe 18). Ndërsa lexoni bisedën e tij dhe biseda të tjera të konferencës së përgjithshme, merrni parasysh të shkruani ide mbi mënyrën se si të mbeteni të fortë.

  • Një nga të ligat e mëdha të kohës së sotme është pornografia. Linda S. Rivs, këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, tha se filtri më i mirë kundrejt një të lige të tillë është një dëshmi e thellë dhe e qëndrueshme për ungjillin e Jezu Krishtit (faqe 15). Sa i fortë është filtri juaj vetjak? Çfarë mund të bëni për ta forcuar atë?

Për të Rriturit

  • Presidenti Tomas S. Monson dha mësim se, ndërsa arrijmë ta kuptojmë “dhuratë[n e] pakrahasueshme” të Shlyerjes, ne mbushemi me dashuri për Atin Qiellor, Shpëtimtarin dhe për të gjithë fëmijët e Perëndisë (faqe 91). Në ç’mënyrë kjo njohuri mund ta përmirësojë studimin tuaj për jetën e Shpëtimtarit dhe Shlyerjen gjatë studimit vetjak e familjar të shkrimeve të shenjta dhe ndërkohë që jeni në mësim në kishë?

  • Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, tha se ai ia detyron një pjesë të madhe të lumturisë së tij një stërgjyshi i cili u bashkua me Kishën, shërbeu besnikërisht dhe mbeti i palëkundur deri në fund, duke i lënë familjes së tij një trashëgimi shprese (faqe 22). Merrni parasysh të bëni një listë të cilitdo në familjen tuaj dhe të shkruani se çfarë besëlidhjesh dhe ordinancash iu duhen atyre për të vazhduar në shtegun e besëlidhjes. Bëni një plan për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes suaj që ta marrin besëlidhjen e tyre të radhës. Ju mund të shqyrtoni mënyra se si besëlidhjet tuaja të luajnë një rol më thelbësor në jetën tuaj, kështu që ju të mund t’i jepni familjes suaj një trashëgimi shprese.

  • Plaku Dejvid A. Bednar, nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli se vështirësia mund të na çojë të mbështetemi te “meritat, mëshira dhe hiri i Mesias së Shenjtë”, i cili “do të na ndihmojë për t’i mbajtur me lehtësi barrët tona” (faqe 87). Ndërsa lexoni bisedën e tij dhe bisedat që fillojnë në faqet 9, 18, 70, 81 dhe 106, kërkoni mënyra se si Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij mund t’ju ndihmojnë të përballeni me sfidat e jetës.

  • Programi mësimor për rininë në maj, përqendrohet te profetët dhe zbulesa. Si pjesë e diskutimeve tuaja për ungjillin, me rininë, në shtëpi dhe në kishë, merrni parasysh të studioni bisedat nga Pleqtë Lorens E. Korbrixh (faqe 103) dhe Markos A. Aidukaitis (faqe 108), nga Të Shtatëdhjetët, duke kërkuar përgjigje për pyetjet vijuese: Përse kritikuesit e Jozef Smithit nuk e lanë të qetë atë? Si mund ta dallojmë të vërtetën në një botë që i sulmon gjithmonë e më shumë mësimet e ungjillit?