2014
Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Bariu i Mirë
shkurt 2014


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Shkurt 2014

Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Bariu i Mirë

Studiojeni me lutje këtë material dhe kërkoni të dini ç’të thoni prej tij. Si do ta rrisë të kuptuarit e jetës dhe të misionit të Shpëtimtarit besimin tuaj tek Ai dhe t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni përmes vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.

Besim, Familje, Ndihmë

Jezu Krishti, Bariu i Mirë na mësoi:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë? …

Dhe unë po ju them se … në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet” (Lluka 15:4, 7).

Teksa arrijmë të kuptojmë se Jezu Krishti është Bariu i Mirë, dëshira jonë për ta ndjekur shembullin e Tij dhe për t’iu shërbyer atyre që janë në nevojë, rritet. Jezusi tha: “Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, … dhe lë jetën time për delet” (Gjoni 10:14–15). Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, asnjëri prej nesh nuk do të jetë kurrë aq i humbur sa të mos e gjejë rrugen për në shtëpi (shih Lluka 15).

Presidenti Tomas S. Monson tha: “E jona është përgjegjësia për t’u kujdesur për tufën. … Bëftë secili prej nesh përpara për të shërbyer.”1

Nga Shkrimet e Shenjta

Psalmeve 23; Isaia 40:11; Mosia 26:21

Nga Historia Jonë

Elizabet En Uitni, që mori pjesë në mbledhjen e parë të Shoqatës së Ndihmës, tha për kthimin e saj në besim në vitin 1830: “Sapo e dëgjova ungjillin kur pleqtë e predikonin atë, e dija se ishte zëri i Bariut të Mirë.”2 Elizabeta e ndoqi zërin e Bariut të Mirë dhe u pagëzua e u konfirmua.

Edhe ne mund ta dëgjojmë zërin e Bariut të Mirë dhe t’i ndajmë mësimet e Tij me të tjerët. Presidenti Monson tha: “Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për të shërbyer dhe për të ngritur moralisht fëmijët e Tij.”3

Pikërisht ashtu si një bari e kërkon një dele të humbur, prindërit mund të kërkojnë një fëmijë që ka shkuar në rrugë të gabuar. Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha: “Atyre prindërve zemërthyer që kanë qenë të drejtë, të zellshëm dhe plot lutje në të mësuarit e fëmijëve të tyre të pabindur, ne ju themi se Bariu i Mirë po kujdeset për ta. Perëndia e njeh dhe e kupton pikëllimin tuaj të thellë. Ka shpresë.”4

Shënime

  1. Thomas S. Monson, “Heavenly Homes, Forever Families”, Liahona, qershor 2006, f. 70.

  2. Elizabeth Ann Whitney, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 128.

  3. Tomas S. Monson, “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” Liahona, nëntor 2009, f. 86.

  4. Xhejms E. Faust, “Dear Are the Sheep That Have Wandered”, Liahona, maj 2003, f. 68.

Çfarë Mund të Bëj Unë?

  1. Si sjell paqe në jetën tonë dijenia se Shpëtimtari është Bariu i Mirë?

  2. Në çfarë mënyrash mund t’iu shërbejmë ne atyre që kanë “humbur” nga aktivizimi në Kishë ose që nuk janë të besimit tonë?

  3. Si mund t’i mbështes prindërit, fëmijët e të cilëve janë larguar nga të jetuarit e ungjillit?