2014
Shërbejini Zotit me Dashuri
shkurt 2014


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shkurt 2014

Shërbejini Zotit me Dashuri

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Zoti Jezu Krisht na mësoi: “Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë” (Lluka 9:24).

“Unë besoj”, tha Presidenti Tomas S. Monson, “se Shpëtimtari po na thotë që, nëse nuk e humbasim veten në shërbim për të tjerët, ka pak qëllim për vetë jetën tonë. Ata që jetojnë vetëm për vete, përfundimisht vyshken dhe në mënyrë figurative e humbasin jetën e tyre, ndërsa ata që e humbasin veten në shërbim për të tjerët, rriten e lulëzojnë – dhe në fakt e shpëtojnë jetën e tyre.”1

Në fragmentet vijuese nga shërbesa e Presidentit Monson, ai u kujton shenjtorëve të ditëve të mëvonshme se ata janë duart e Zotit dhe se bekimet e përjetësisë i presin ata që u shërbejnë besnikërisht të tjerëve.

Shërbimi në Tempull

“Një shërbim i madh bëhet kur ne kryejmë ordinanca mëkëmbëse për ata që kanë kaluar përtej velit. Në shumë raste ne nuk i njohim ata për të cilët kryejmë punën. Ne nuk presim falënderime, as kemi sigurinë se ata do ta pranojnë atë që ne ofrojmë. Sidoqoftë, ne shërbejmë dhe në këtë proces arrijmë atë që nuk arrihet me asnjë përpjekje tjetër: ne bëhemi në kuptimin e vërtetë të fjalës shërbyes në Malin Sion. Ashtu si Shpëtimtari ynë dha jetën e Tij si një sakrificë mëkëmbëse për ne, në një masë disi të vogël, ne bëjmë të njëjtën gjë kur kryejmë punë të deleguar në tempull për ata që nuk kanë mjete të shkojnë përpara, po të mos bëhet diçka për ta nga ata prej nesh këtu mbi tokë.”2

Ne Jemi Duart e Zotit

Vëllezërit e motrat e mia, ne jemi të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nxitjen tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë, mirësinë tonë – qofshin ata pjesëtarë të familjes, miq, të njohur apo të huaj. Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për të shërbyer dhe për të ngritur moralisht fëmijët e Tij. Ai varet nga secili prej nesh. …

“Ai shërbim për të cilin jemi thirrur të gjithë ne, është shërbimi i Zotit Jezu Krisht.”3

Shërbimi në Hijen e Shpëtimtarit

“Në Botën e Re, Zoti i ringjallur shpalli: ‘Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve, ky është ungjilli im; dhe ju i dini gjërat që duhet të bëni në kishën time; pasi veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju; pasi atë që më keni parë të bëj, madje atë duhet të bëni ju’ [3 Nefi 27:21].

Ne i bekojmë të tjerët kur shërbejmë në hijen e‘Jezusi[t] prej Nazareti, i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë’ [Veprat e Apostujve 10:38]. Zoti na bekoftë që të gjejmë gëzim në shërbimin e Atit tonë në Qiell teksa u shërbejmë fëmijëve të Tij në tokë.”4

Nevoja për të Shërbyer

“Ne kemi nevojë të na jepet mundësia për të shërbyer. Për ata anëtarë që nuk janë aktivë apo janë ngurrues për të qenë aktivë, ne mund të kërkojmë me lutje ndonjë mënyrë për t’i ndihmuar. T’u kërkojmë atyre që të shërbejnë në disa pozicione mund të jetë thjesht stimuli që iu nevojitet për t’u kthyer në aktivitet të plotë. Por ata udhëheqës që mund të ndihmojnë në këtë aspekt, ndonjëherë nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Ne duhet ta ngulisim në mendje që njerëzit mund të ndryshojnë. Ata mund t’i lënë pas veset e këqija. Ata mund të pendohen për shkeljet. Ata mund ta mbajnë priftërinë me denjësi. Dhe mund t’i shërbejnë Zotit me zell.”5

A po Bëjmë Gjithçka që Duhet?

“Bota ka nevojë për ndihmën tonë. A po bëjmë gjithçka që duhet? A i mbajmë mend fjalët e Presidentit Xhon Tejlor: ‘Nëse nuk i lartësoni thirrje tuaja, Perëndia do t’ju mbajë përgjegjës për ata të cilët ju mund t’i kishit shpëtuar, nëse do të kishit bërë detyrën tuaj’ [Teachings of Presidents of the Church: John Taylor (2001), f. 164]. Ka këmbë që ne mund t’i bëjmë të qëndrueshme, duar që mund t’i shtrëngojmë, mendje që mund t’i nxisim, zemra që mund t’i frymëzojmë dhe shpirtra që mund t’i shpëtojmë. Bekimet e përjetësisë ju presin juve. I juaji është privilegji për të mos qenë spektatorë, por pjesëmarrës në skenën e shërbimit.”6

Shënime

  1. “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” Liahona, nëntor 2009, f. 85.

  2. “Gjersa të Takohemi Përsëri”, Liahona, May 2009, f. 113–114.

  3. “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” f. 86, 87.

  4. “The Savior’s Call to Serve”, Liahona, gusht 2012, f. 5.

  5. “Shihini të Tjerët ashtu siç Mund të Bëhen”, Liahona, nëntor 2012, f. 68.

  6. “Të Gatshëm dhe të Denjë për të Shërbyer”, Liahona, maj 2012, f. 69.

  7. Teaching, No Greater Call: A Resource Guide for Gospel Teaching (1999), f. 12

Mësimdhënia nga ky Mesazh

“Nëse keni dashuri si të Krishtit, ju do të jeni më të përgatitur për ta dhënë mësim ungjillin. Ju do të frymëzoheni për t’i ndihmuar të tjerët ta njohin Shpëtimtarin dhe ta ndjekin Atë.”7 Merrni parasysh të luteni për dashuri më të madhe hyjnore ndaj atyre që vizitoni. Teksa zhvilloni dashuri si të Krishtit për ata, ju do të jeni më në gjendje që t’i shërbeni në mënyra kuptimplote si Zotit, ashtu edhe atyre të cilëve u jepni mësim.