2012
Ç’Mendon Krishti për Mua?
Maj 2012


Ç’Mendon Krishti për Mua?

Ndërsa e doni Atë, shpresoni tek Ai, i besoni Atij dhe e ndiqni Atë, ju do ta ndieni dashurinë dhe miratimin e Tij.

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

Një gazetar nga një revistë kryesore braziliane studioi mbi Kishën për t’u përgatitur për një artikull të lajmeve kryesore.1 Ai shqyrtoi doktrinën tonë dhe vizitoi qendrat e trajnimit misionar dhe ato humanitare. Ai foli me miq të Kishës dhe me të tjerë që nuk ishin aq miqësorë. Në intervistën që pati me mua, gazetari dukej haptas në mëdyshje kur më pyeti: “Si mundet një person të mos ju konsiderojë të krishterë?” E dija që po i referohej Kishës, por në një farë mënyre e mora si personale pyetjen dhe e gjeta veten duke pyetur në heshtje “A pasqyron jeta ime dashurinë dhe devotshmërinë që ndiej për Shpëtimtarin?”

Jezusi i pyeti farisenjtë: “Ç’u duket juve për Krishtin?”2 Në vlerësimin përfundimtar, dishepullimi ynë vetjak nuk do të gjykohet nga miqtë apo armiqtë. Përkundrazi, sikurse tha Pali: “Të gjithë, … do të dalim përpara gjykatës së Krishtit”3. Në atë ditë pyetja e rëndësishme për secilin prej nesh do të jetë: “Ç’mendon Krishti për mua?”

Me gjithë dashurinë e Tij për të gjithë njerëzimin, Jezusi iu referua qortueshëm disave përreth Tij si hipokritë4, të marrë5 dhe bërës të paudhësisë.6 Ai me ton aprovues i quajti të tjerët bijtë e mbretërisë7 dhe drita e botës.8 Disave me mosmiratim iu drejtua si të verbër9 dhe të pafrytshëm.10 Ai të tjerët i lavdëroi si të pastër në zemër11 dhe të uritur për drejtësi.12 Ai u pikëllua që disa ishin jobesimtarë13 dhe prej bote14, por të tjerët Ai i vlerësoi si të zgjedhur15, dishepuj16, miq17. Dhe kështu që secili prej nesh pyet: “Ç’mendon Krishti për mua?”

Presidenti Tomas S. Monson e ka përshkruar botën tonë sot se po largohet “nga gjërat shpirtërore … [me] bot[ën] rreth nesh [që] ndryshon dhe ne shohim parimet e moralit të shoqërisë duke u dobësuar [vazhdimisht]”18. Është koha e mosbesimit në rritje dhe shpërfilljes për Krishtin dhe mësimet e Tij.

Në këtë mjedis të stuhishëm, ne ngazëllehemi që jemi dishepuj të Jezu Krishtit. Ne shohim dorën e Zotit plotësisht rreth nesh. Fati ynë është përcaktuar bukur përpara nesh. “Kjo është jeta e përjetshme”, Jezusi u lut “të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.”19 Të qenit një dishepull në këto ditë të fatit do të jetë një shprehje e respektit përgjatë gjithë përjetësive.

Mesazhet që kemi dëgjuar gjatë kësaj konference, janë shenja nga Zoti për të na drejtuar në udhëtimin tonë të dishepullimit. Ndërkohë që kemi dëgjuar gjatë dy ditëve të kaluara, duke u lutur për drejtim shpirtëror, dhe ndërsa studiojmë dhe lutemi rreth këtyre mesazheve në ditët e ardhshme, Zoti na bekon me drejtim vetjak përmes dhuratës së Frymës së Shenjtë. Këto ndjenja na kthejnë akoma më shumë drejt Perëndisë, duke u penduar, duke u bindur, duke besuar dhe duke shpresuar. Shpëtimtari u përgjigjet veprave tona të besimit: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai”20.

Thirrja e Jezusit: “Eja e më ndiq”21 nuk është vetëm për ata që janë të përgatitur të konkurrojnë në Olimpiada shpirtërore. Faktikisht, dishepullimi nuk është fare një konkurs, por një ftesë për të gjithë. Udhëtimi ynë i dishepullimit nuk është një garë e shkurtër rreth pistës, as nuk është plotësisht i krahasueshëm me një maratonë të stërzgjatur. Në të vërtetë, është një udhëtim gjatë gjithë jetës drejt një bote më çelestiale.

Ftesa e Tij është një thirrje për përpjekje të përditshme. Jezusi tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”22. “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë.”23 Ne mund të mos jemi në aftësinë tonë më të mirë çdo ditë por, nëse po përpiqemi, ftesa e Jezusit është plot inkurajim dhe shpresë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”24.

Kudo që do e gjeni tani veten në rrugën e dishepullimit, ju jeni në rrugën e duhur, rrugën drejt jetës së përjetshme. Së bashku ne mund të ngremë dhe forcojmë njëri-tjetrin në ditët e mëdha dhe të rëndësishme të ardhshme. Çfarëdoqofshin vështirësitë që na dalin përballë, dobësitë që na kufizojnë ose pamundësitë që na rrethojnë, le të kemi besim në Birin e Perëndisë, i cili shpalli: “Çdo gjë është e mundshme për atë që beson”25.

Më lejoni t’ju tregoj dy shembuj dishepullimi në veprim. I pari është nga jeta e Presidentit Tomas S. Monson, që tregon fuqinë e mirësisë së thjeshtë dhe mësimin e Jezusit: “Më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj”26.

Afro 20 vite më parë, Presidenti Monson foli në konferencën e përgjithshme rreth një të reje 12–vjeçare që vuante nga kanceri. Ai foli për guximin e saj dhe mirësinë e miqve të saj për ta mbajtur në krah në malin Timpanogos, në Jutan qendrore.

Disa vite më parë, takova Xhemi Palmer Brinton dhe dëgjova historinë nga një këndvështrim tjetër – këndvështrimi i asaj që Presidenti Monson kishte bërë për të.

Xhemi e takoi Presidentin Monson në mars të 1993–shit, një ditë pasi iu tha se një kokërr sipër gjurit të saj të djathtë ishte kancer i avancuar në kockë. Me babanë e saj që e ndihmonte, Presidenti Monson administroi një bekim priftërie, duke premtuar se “Jezusi do të jetë në të djathtën e në të majtën tënde për të të ngritur lart”.

“Kur po largohesha nga zyra e tij atë ditë”, tha Xhemi, “unë zgjidha një tullumbace të lidhur te karroca ime me rrota dhe ia dhashë atij. ‘Ti je më i Miri!’ shkruhej me shkronja të ndritshme.”

Nëpër trajtimet e saj me kemioterapi dhe operacionin për shpëtimin e gjymtyrit, Presidenti Monson nuk e harroi atë. Xhemi tha: “Presidenti Monson ilustroi me shembull se çfarë do të thotë të jesh dishepull i vërtetë i Krishtit. [Ai] më ngriti nga pikëllimi te shpresa e mrekullueshme dhe e qëndrueshme.” Tre vjet pas takimit të tyre të parë, Xhemi përsëri u ul në zyrën e Presidentit Monson. Në fund të takimit, ai bëri diçka që Xhemi nuk do ta harrojë asnjëherë. Kaq tipike për vëmendjen e Presidentit Monson, ai e befasoi me po të njëjtën tullumbace që ajo i kishte dhënë atij tre vjet më parë. “Ti je më i Miri!” tregohej te tullumbacja. Ai e kishte mbajtur, duke ditur se ajo do të kthehej në zyrën e tij pasi të shërohej nga kanceri. Katërmbëdhjetë vjet pas takimit të parë me Xhemin, Presidenti Monson kreu martesën e saj me Xheson Brintonin në Tempullin e Solt-Lejkut.27

Ne mund të mësojmë kaq shumë nga dishepullimi i Presidentit Monson. Ai shpesh i kujton Autoritetet e Përgjithshme ta sjellin në mend këtë pyetje të qartë: “Çfarë do të bënte Jezusi?”

Jezusi i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë, vetëm ki besim”28. Dishepullimi është të besosh në Të në kohë paqeje dhe të besosh në Të në kohë vështirësie, kur dhimbja dhe frika jonë lehtësohen vetëm nga besimi se Ai na do dhe i mban premtimet e Tij.

Kohët e fundit takova një familje që është një shembull i mrekullueshëm i mënyrës si ne e besojmë Atë. Olgani dhe Soline Seintelus nga Port-o-Prensi në Haiti më treguan historinë e tyre.

Më 12 janar 2010, kur një tërmet shkatërrues goditi Haitin, Olgani ishte në punë dhe Soline në kishë. Të tre fëmijët e tyre – Ganci, pesë vjeç, Enxhi, tre vjeç dhe Gensli, një vjeç – ishin në shtëpi në apartamentin e tyre me një shok.

Kudo kishte rrënim masiv. Siç do ta kujtoni, dhjetëra mijëra njerëz humbën jetën atë janar në Haiti. Olgani dhe Soline vrapuan aq shpejt sa mundën drejt apartamentit të tyre për të gjetur fëmijët. Ndërtesa tre katëshe ku jetonte familja Seintelus, ishte shkatërruar.

Fëmijët nuk kishin shpëtuar. Asnjë përpjekje për shpëtim nuk do të ofrohej te një ndërtesë që ishte tërësisht e shkatërruar.

Olgani dhe Soline Seintelus kishin shërbyer të dy si misionarë kohëplotë dhe ishin martuar në tempull. Ata besonin te Shpëtimtari dhe te premtimet e Tij për ta. Sidoqoftë zemrat e tyre ishin të copëtuara. Ata qanë pa u përmbajtur.

Olgani më tha se në orën e tij më të errët, ai filloi të lutej. “Atë Qiellor, në qoftë se do të jetë vullneti yt, nëse do mund të ishte gjallë vetëm njëri prej fëmijëve të mi, të lutem, të lutem, na ndihmo.” Pa pushim ai eci përreth ndërtesës, duke u lutur për frymëzim. Fqinjët u përpoqën ta ngushëllonin dhe ta ndihmonin atë ta pranonte humbjen e fëmijëve. Olgani vazhdoi të ecte sa andej-këtej rrënojave të ndërtesës së shkatërruar, duke shpresuar, duke u lutur. Më pas, diçka krejt e mrekullueshme ndodhi. Olgani dëgjoi të qarën që mezi dëgjohej të një foshnjeje. Ishte e qara e foshnjës së tij.

Me orë të tëra fqinjët gërmuan furishëm në rrënoja, duke rrezikuar vetë jetën e tyre. Në errësirën e natës, përmes zhurmave të forta të çekiçëve dhe daltave, skuadrat e shpëtimit dëgjuan një tjetër tingull. Ata ndaluan goditjet e tyre dhe dëgjuan. Ata nuk mund ta besonin atë që po dëgjonin. Ishte zëri i një fëmije të vogël – dhe ai po këndonte. Ganci pesëvjeçar më vonë tha se e dinte që babai i tij do ta dëgjonte atë nëse do këndonte. Ganci ishte duke kënduar këngën e tij të preferuar “Fëmi i Per’ndis’ Jam”29, poshtë peshës së betonit dërrmues, që më vonë çoi në prerjen e krahut të tij.

Ndërsa orët kalonin, në mes të errësirës, vdekjes dhe dëshpërimit për kaq shumë bij dhe bija të tjera të çmuara të Perëndisë në Haiti, familja Seintelus pati një mrekulli. Ganci, Enxhi dhe Gensli u gjetën të gjallë nën ndërtesën e rrafshuar.30

Mrekullitë nuk janë gjithnjë kaq të menjëhershme. Ndonjëherë ne mendueshëm pyesim veten se përse mrekullia për të cilën jemi lutur me kaq shumë zell, nuk ndodh këtu dhe tani. Por teksa besojmë te Shpëtimtari, mrekullitë e premtuara do të ndodhin. Qoftë në këtë jetë apo në tjetrën, gjithçka do të jetë në rregull. Shpëtimtari shpall: “Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”31. “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën.”32

Unë dëshmoj se ndërsa e doni Atë, shpresoni tek Ai, i besoni Atij dhe e ndiqni Atë, ju do ta ndieni dashurinë dhe miratimin e Tij. Ndërsa pyesni: “Ç’mendon Krishti për mua?” ju do ta dini se jeni dishepulli i Tij; ju jeni miku i Tij. Përmes hirit të Tij Ai do të bëjë për ju atë që nuk mund ta bëni për veten.

Ne me padurim presim fjalët përmbyllëse të profetit tonë të dashur. Presidenti Tomas S. Monson u shugurua si Apostull i Zotit Jezu Krisht kur unë isha 12 vjeç. Për më shumë se 48 vjet ne jemi bekuar ta dëgjojmë atë të ndajë dëshminë për Jezu Krishtin. Unë dëshmoj se ai tani është në pozicionin e Apostullit më të moshur të Shpëtimtarit në tokë.

Me dashuri dhe admirim të madh për dishepujt e shumtë të Jezu Krishtit që nuk janë anëtarë të kësaj Kishe, ne përulësisht shpallim se engjëjt janë kthyer në tokë në kohën tonë. Kisha e Jezu Krishtit është rivendosur siç e krijoi Ai në lashtësi, me fuqinë, ordinancat dhe bekimet e qiellit. Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës. Ai vuajti dhe vdiq për mëkatet tona dhe u ngrit të tretën ditë. Ai është ringjallur. Në një ditë të ardhshme, çdo gju do të ulet dhe çdo gjuhë do të dëshmojë se Ai është Krishti.33 Në atë ditë, shqetësimi ynë nuk do të jetë: “A më konsiderojnë të tjerët të krishterë?” Në atë kohë, përqendrimi ynë absolut do të jetë tek Ai dhe shpirtrat tanë do të zhyten në pyetjen: “Ç’mendon Krishti për mua?” Ai jeton. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.