2012
Rritja e Vërtetë përmes Riaktivizimit të Anëtarëve më pak Aktivë
Maj 2012


Rritja e Vërtetë përmes Riaktivizimit të Anëtarëve më pak Aktivë

Pamja
Peshkopi Riçard C. Exhli

Shpëtimi i shpirtrave është puna që Shpëtimtari na ka thirrur të gjithëve të bëjmë.

Muajt e fundit udhëheqësit e Kishës e kanë vendosur theksin gjithnjë e më shumë tek krijimi i “rritjes së vërtetë” [rritja e numrit të anëtarëve aktivë] në Kishë, duke i sjellë të gjithë ata që janë të gatshëm t’i marrin e t’i mbajnë ordinancat dhe besëlidhjet shpëtuese dhe që të jetojnë me një ndryshim të madh të zemrës siç e përshkroi Alma (shih Alma 5:14). Një prej mënyrave më kuptimplote dhe më të rëndësishme për të krijuar rritje të vërtetë është që të ndihmohen e të shpëtohen përsëri ata që janë pagëzuar por që prapëseprapë po enden në një gjendje më pak aktive, pa bekime dhe ordinanca shpëtuese. Pavarësisht thirrjes sonë individuale – mësues shtëpie apo mësuese vizitore, mësues/e i/e Shkollës të së Dielës, peshkop, baba, nënë, apo Autoritet i Përgjithshëm – të gjithë ne mund të përfshihemi në përpjekjen shpëtuese në një mënyrë domethënëse. Në fund të fundit, sjellja e të gjithë njerëzve – përfshirë familjen tonë, joanëtarët, më pak aktivët, mëkatarët – tek Krishti për të marrë ordinancat shpëtuese, është thirrja jonë hyjnore e përbashkët.

Një mëngjes të diele, rreth 30 vite më parë, ndërsa po shërbenim në një presidencë kunji, ne morëm një telefonatë nga njëri prej peshkopëve tanë besnikë. Ai shpjegoi se lagjja e tij ishte rritur aq shpejt sa ai nuk mundej më t’u jepte një thirrje të rëndësishme të gjithë anëtarëve të denjë. Lutja e tij ndaj nesh ishte që ta ndanim lagjen. Ndërkohë që prisnim për miratimin e kësaj, ne vendosëm si presidencë kunji që ta vizitonim lagjen dhe t’i thërrisnim këto motra e këta vëllezër të mrekullueshëm e të denjë për t’u bërë misionarë kunji.

Përafërsisht personi i tretë që takova, ishte një studente e re që frekuentonte universitetin vendor. Pasi biseduam për pak çaste, unë i parashtrova thirrjen për të shërbyer si misionare. Pati heshtje për pak çaste. Pastaj ajo tha: “President, a nuk e dini se unë nuk jam aktive në Kishë?”

Pas disa çastesh heshtjeje nga ana ime, i thashë: “Jo, unë nuk e dija se nuk ishe aktive”.

Ajo u përgjigj: “Unë nuk kam qenë aktive në Kishë prej vitesh”. Më pas ajo tha: “A nuk e dini se kur ke qenë joaktiv, nuk është aq e lehtë të kthehesh përsëri?”

Iu përgjigja: “Jo. Lagjja jote e fillon mbledhjen në orën 9:00 paradite. Kur vini në shtëpinë e mbledhjes, ju jeni me ne.”

Ajo u përgjigj: “Jo, nuk është aq e lehtë. Një njeri që po mendon të kthehet në kishë, shqetësohet për shumë gjëra. Shqetësohesh nëse do të të përshëndesë dikush, apo do të ulesh vetëm dhe i pa vënë re gjatë mbledhjeve. Shqetësohesh edhe nëse do të të pranojnë dhe cilët do të jenë miqtë e tu të rinj.”

Me lot që i rridhnin nëpër faqe, ajo vazhdoi: “Unë e di se, prej vitesh, nëna dhe babai im janë lutur për mua që të më kthejnë në Kishë”. Pastaj pas një çasti tjetër heshtjeje, ajo tha: “Gjatë tre muajve të fundit unë jam lutur që të gjej guximin, forcën dhe mënyrën për t’u bërë sërish anëtare aktive”. Pastaj më pyeti: “President, a mendoni se kjo thirrje mund të jetë një përgjigje për ato lutje?”

Sytë e mi nisën të përloten ndërsa iu përgjigja: “Unë besoj se Zoti u është përgjigjur lutjeve të tua”.

Ajo jo vetëm që e pranoi thirrjen; ajo u bë një misionare e shkëlqyer. Dhe unë jam i sigurt se i solli shumë gëzim jo vetëm vetes, por edhe prindërve e ndoshta pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Qenë disa gjëra që i mësova nga kjo dhe intervista të tjera të ngjashme:

  • Unë mësova se shumë anëtarë më pak aktivë kanë njerëz të dashur që gjunjëzohen çdo ditë duke iu lutur Zotit për ndihmë për shpëtimin e njeriut të tyre të dashur që është më pak aktiv.

  • Mësova se nuk është aq e lehtë apo e rehatshme për një anëtar më pak aktiv që thjesht të kthehet në Kishë. Ata kanë nevojë për ndihmë. Ata kanë nevojë për mbështetje. Ata kanë nevojë për shoqëri.

  • Sërish, mësova se ne kemi anëtarë më pak aktivë që janë të gatshëm dhe po përpiqen ta gjejnë shtegun drejt të qenit aktiv.

  • Mësova se shumë anëtarë më pak aktivë do t’i mbajnë thirrjet nëse u kërkohet.

  • Mësova se një anëtar më pak aktiv meriton të trajtohet si i barabartë dhe të shihet si një bir apo bijë e një Perëndie të dashur.

Gjatë viteve, kam pyetur veten se si mund të kishte shkuar kjo intervistë nëse do t’i isha drejtuar asaj si një anëtare më pak aktive. Po ju lë juve të vendosni se çfarë mund të kishte ndodhur.

Riaktivizimi gjithmonë ka qenë një pjesë e rëndësishme e punës së Zotit. Ndërkohë që riaktivizimi i anëtarëve më pak aktivë është përgjegjësi e çdo anëtari, mbajtësit e Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke kanë përgjegjësinë për t’i udhëhequr të tjerët në këtë punë. Në fund të fundit, kjo është ajo për të cilën duhet shërbimi i priftërisë – t’i sjellë të gjithë njerëzit te besëlidhjet ekzaltuese; duke sjellë paqe, lumturi dhe denjësi vetjake.

Nga Libri i Mormonit, do t’ju kujtohet se kur Alma i Riu zbuloi që zoramitët ishin larguar nga Kisha, ai organizoi një grup udhëheqësish të Kishës për t’i shpëtuar këta njerëz. Ndërsa e morën detyrën e tyre, ata iu lutën Zotit me këto fjalë:

“O Zot, na jep mundësi që të kemi sukses për t’i sjellë ata përsëri te ti, në Krisht.

Vër re, O Zot, shpirtrat e tyre janë të çmueshëm dhe shumë prej tyre janë vëllezërit tanë, prandaj, na jep, O Zot, fuqi dhe urtësi që të mund t’i sjellim këta, vëllezërit tanë, përsëri tek ti” (Alma 31:34–35; theksimi i shtuar).

Disa muaj më parë, pas takimit me të sapokthyer në besim dhe anëtarë më pak aktivë, një zotëri i moshës sime, i riaktivizuar, erdhi tek unë dhe tha: “Unë jam dikush që ka qenë më pak aktiv gjatë pjesës më të madhe të jetës. Unë u largova nga Kisha herët në jetë. Por tani jam kthyer dhe punoj në tempull me gruan time.”

Për t’ia bërë të ditur që gjithçka ishte në rregull, përgjigjja ime ishte pak a shumë kjo: “Është e mirë gjithçka që përfundon mirë”.

Ai u përgjigj: “Jo, nuk është gjithçka mirë. Unë jam kthyer në Kishë, por kam humbur të gjithë fëmijët dhe nipërit e mbesat e mia. Dhe tani jam dëshmitar i humbjes së stërnipërve e stërmbesave të mia – të gjithë jashtë Kishe. Nuk është gjithçka mirë.”

Në familjen tonë, ne kemi një paraardhës që u bashkua me Kishën në Europë në fillimet e hershme të Kishës. Një djalë u bë joaktiv. Motra Exhli dhe unë u përpoqëm të gjenim pasardhësit joaktivë të këtij paraardhësi.

Ishte e thjeshtë për bashkëshorten time dhe për mua që të arrinim në përfundimin se gjatë këtyre gjashtë brezave dhe sipas hamendësimeve të arsyeshme, mund të kishte një humbje deri në 3.000 pjesëtarë të familjes. Tani parashikoni se çfarë do të ndodhë pas dy brezash. Humbja mund të arrijë teorikisht 20.000 deri në 30.000 fëmijë të Atit tonë në Qiell.

Përgjegjësia për shpëtim bazohet te një prej doktrinave më themelore të Kishës.

“Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë;

Sepse, vini re, Zoti, Shëlbuesi juaj vuajti vdekjen në mish; prandaj ai vuajti dhembjen e gjithë njerëzve, që gjithë njerëzit të mund të pendohen e të vijnë tek ai. …

Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!” (DeB 18:10–11, 15; theksimi i shtuar).

Unë kam pasur privilegjin të shpëtoj disa anëtarë më pak aktivë gjatë jetës sime. Tani, kur ndihmoj për ta kthyer dikë në aktiv në Kishë, unë nuk përfytyroj një shpirt të vetëm; unë shoh gjashtë, shtatë ose më shumë breza – mijëra shpirtra. Dhe pastaj mendoj për shkrimin e shenjtë: “Sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim” (DeB 18:15).

Zoti u tha Apostujve të Tij: “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak” (Mateu 9:37). Punëtorët nuk duhet të jenë pak. Ne kemi mijëra mbajtës të aftë e të denjë të priftërisë dhe miliona anëtarë të përkushtuar të Kishës në të gjitha anët e botës. Ne kemi këshilla lagjeje, kuorume priftërie, Shoqata të Ndihmës që funksionojnë, dhe organizata të tjera të gjitha me përgjegjësinë për t’i riaktivizuar anëtarët më pak aktivë. Shpëtimi i shpirtrave është puna që Shpëtimtari na ka thirrur të gjithëve të bëjmë.

Më herët në fjalët e mia, përmenda lutjen që bënë Alma dhe miqtë e tij ndërsa u nisën për të shpëtuar zoramitët. Gjatë Luftës II Botërore, pothuajse 500 ushtarë amerikanë dhe qytetarë vendorë që i mbështetën ata, u mbajtën robër në një kamp burgimi. Për shkak të vuajtjes dhe shqetësimit për sigurinë e tyre, u zgjodh një trupë vullnetare prej pothuaj 100 ushtarësh amerikanë për t’i shpëtuar këta të burgosur. Pasi u grumbulluan vullnetarët, oficeri në komandë, i udhëzoi ata pak a shumë kështu: “Këtë mbrëmje ju djema, takohuni me udhëheqësit tuaj shpirtërorë, bini në gjunjë dhe premtojini Perëndisë se, për sa kohë që merrni frymë, ju nuk do të lejoni që ndonjëri prej këtyre burrave të vuajë për asnjë çast më tepër”. (Shih Hampton Sides, Ghost Soldiers: The Forgotten Epic Story of World War II’s Most Dramatic Mission [2001], f. 28–29.) Ky shpëtim i suksesshëm qe një shpëtim nga vuajtjet fizike e tokësore. A mos duhet të jemi ne më pak guximtarë në përpjekjet tona për t’i shpëtuar ata që mund të vuajnë pasoja shpirtërore dhe të përjetshme? A mos duhet të bëjmë një zotim më të dobët ndaj Zotit?

Si përfundim, si anëtarë të Kishës së vërtetë e të gjallë të Krishtit, zotimi ynë vjen nga fakti se Zoti vuajti për secilin prej nesh – joanëtarin, anëtarin më pak aktiv, mëkatarin dhe pjesëtarët tanë të familjes. Unë besoj se ne mund të sjellim mijëra vetë te gëzimi, paqja dhe ëmbëlsia e ungjillit dhe qindra mijëra, madje miliona në brezat vijues. Unë besoj se ne mund t’ia dalim mbanë, sepse kjo është Kisha e Zotit dhe, nëpërmjet virtytit të priftërisë dhe anëtarësisë sonë, ne jemi thirrur që t’ia dalim mbanë. Unë jua le këtë dëshmi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.