2012
Plaku Skot D. Uaiting
Maj 2012


Plaku Skot D. Uaiting

i Të Shtatëdhjetëve

Pamja
Plaku Skot D. Uaiting

Plaku Skot Duein Uaiting beson se mundësitë e tij në jetë për të qenë në shërbim të Perëndisë u bazuan në disa pika madhore vendimi.

I lindur në prill të 1961-shit nga Duein dhe Beverli Uaiting, Plaku Uaiting u rrit në Solt-Lejk-Siti të Jutas në SHBA. Ai e ndien se vendimi i tij i parë madhor ishte që të shërbente në një mision, pasuar ngushtësisht nga vendimi se sa gjatë të shërbente. Për shkak të rrethanave të kohës, Plaku Uaiting kishte zgjedhjen për të shërbyer 18 muaj ose dy vjet. “Vendimi im për të shërbyer gjashtë muaj më tepër qe thelbësor për të më përgatitur për shërbim të mëvonshëm në Kishë”, tha ai.

Pas përfundimit të shërbimit të tij në Misionin e Japonisë, Tokio Veriore, ai takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, Xheri Olson, nëpërmjet një shoku të përbashkët. Vendimi për t’u martuar me të ishte një tjetër vendim i rëndësishëm. Ata u vulosën në Tempullin e Solt-Lejkut në prill të 1984-ës.

Pas marrjes së diplomës baçelor për gjuhën japoneze në Universitetin “Brigam Jang”, Plaku Uaiting më vonë mori doktoratën e jurisprudencës në Fakultetin Juridik Mek-Xhorxh të Universitetit të Paqësorit.

Një tjetër vendim madhor i Plakut Uaiting u mor kur pranoi një thirrje, të komunikuar nga Plaku M. Rasëll Ballard i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për të shërbyer si peshkop. Plaku Ballard e pyeti nëse do ta përmbushte thirrjen e tij. Ai i dha fjalën Apostullit dhe, megjithëse i dolën shumë mundësi punësimi fitimprurëse që kërkonin një ndryshim, Plaku Uaiting e nderoi premtimin e tij.

Shërbimi i tij e ndihmoi atë të zhvillonte pasionin për të “shkuar në shtëpitë e anëtarëve më pak aktivë dhe për t’i ndihmuar ata të ripërtërinin ose të bënin besëlidhje me Perëndinë”.

Familja Uaiting ka pesë fëmijë. Përpara thirrjes së tij në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve, ai punonte për një kompani investimi pasurish të patundshme në Havai. Plaku Uaiting ka shërbyer si president i kuorumit të pleqve, peshkop, këshilltar i lartë, president i Të Rinjve të kunjit, president kunji dhe i Shtatëdhjetë Zonal.