2009
Që Barrat Tuaja të Jenë të Lehta
Nëntor 2009


Që Barrat Tuaja të Jenë të Lehta

Barrat ofrojnë mundësi për të praktikuar virtyte që kontribuojnë në përsosjen përfundimtare.

Pamja
Elder L. Whitney Clayton

Shumë vite më parë, në të gdhirë po ecja përmes rrugëve të ngushta me kalldrëm të Kuskos, në Peru, lart në malet e Andeve. Unë pashë një burrë prej një grupi vendor indigjen që ecte gjatë njërës prej rrugëve. Fizikisht nuk ishte burrë i madh, por mbante në kurriz një ngarkesë të pamasë drurësh zjarri në një thes të stërmadh kërpi. Thesi dukej të ishte po aq i madh sa ishte ai. Ngarkesa duhej të peshonte po aq sa ai. Ai e ekuilibronte atë me një litar që lakohej poshtë fundit të thesit dhe rrotullohej lart përreth ballit të tij. Ai e shtrëngonte rripin fort në të dyja anët e kokës. Mbante një copë në ballë nën litar që të mos e lejonte t’i çante lëkurën. Anonte para nën barrën e tij dhe ecte me hapa të ngadaltë, të vështirë.

Burri i mbante drutë e zjarrit deri tek shesh pazari ku do të shiteshin. Në një ditë mesatare ai mund të bënte vetëm dy ose tre rrugë vajtje-ardhje nëpër qytet për të dorëzuar në mënyrë të ngjashme ngarkesa kaba të rënda.

Me kalimin e viteve, kujtimi i tij, i përkulur përpara, duke u përpjekur gjatë rrugës, është bërë për mua gjithnjë e më kuptimplotë. Për sa kohë mund të vazhdojë ai të mbajë barra të tilla?

Jeta e shtyp me gjithfarë barrash secilin prej nesh, disa janë të lehta por të tjera të pamëshirshme e të rënda. Njerëzit luftojnë çdo ditë nën barra që provojnë shpirtrat e tyre. Shumë prej nesh luftojnë nën barra të tilla. Ato mund të jenë të rënda emocionalisht ose fizikisht. Ato mund të jenë shqetësuese, shtypëse e rraskapitëse. Dhe ato mund të vazhdojnë me vite.

Në një kuptim të përgjithshëm, barrat tona vijnë nga tre burime. Disa barra janë fryt normal i kushteve të botës në të cilën jetojmë. Sëmundje, paaftësi fizike, uraganet dhe tërmetet ngjasin herë pas here pa ndonjë faj tonin. Ne mund të përgatitemi për këto rreziqe dhe ndonjëherë ne mund t’i parashikojmë ato, por në modelin e natyrshëm të jetës, ne të gjithë do të përballemi me disa prej këtyre sfidave.

Barra të tjera na ngarkohen nga sjellja e keqe e të tjerëve. Abuzimi dhe varësitë mund ta bëjnë shtëpinë çdo gjë përveçse një qiell mbi tokë për anëtarët e pafajshëm të familjes. Mëkati, traditat e gabuara, shtypja dhe krimi shpërndajnë viktima të ngarkuara me barra nëpër shtigjet e jetës. Edhe keqbërje më pak serioze të tilla si thashethemet dhe mosmirësia mund t’u shkaktojnë të tjerëve vuajtje të vërtetë.

Vetë gabimet e të metat tona shkaktojnë shumë prej problemeve tona dhe vendosin barra të rënda mbi vetë shpatullat tona. Barra më e vështirë që ne ia ngarkojmë vetes është barra e mëkatit. Të gjithë ne e kemi njohur keqardhjen e dhimbjen që pashmangshmërisht pasojnë dështimin tonë në mbajtjen e urdhërimeve.

Pavarësisht barrave që hasim në jetë si pasojë e kushteve natyrore, sjelljes së keqe të të tjerëve ose vetë gabimeve e të metave tona, ne jemi të gjithë fëmijë të një Ati Qiellor të dashur që na dërgoi në tokë si pjesë e planit të Tij të përjetshëm për rritjen e përparimin tonë. Përvojat tona vetjake unikale mund të na ndihmojnë të përgatitemi që të kthehemi tek Ai. Fatkeqësia dhe vuajtjet që ne përjetojmë, sado të vështira për t’u mbajtur, zgjasin, nga pikëpamja hyjnore, “veçse” për “një çast [të] shkurtër; Dhe atëherë, në qoftë se i duro[jmë] mirë ato, Perëndia do të [na] lartësojë nga lart.”1 Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’i mbajtur “mirë” barrat tona për aq sa të zgjasë “çasti i shkurtër” yni duke i mbajtur ato.

Barrat ofrojnë mundësi për të praktikuar virtyte që kontribuojnë në përsosjen përfundimtare. Ato na ftojnë të dëgjojmë “thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe [të zhveshim] njeriun e natyrshëm dhe [të bëhemi] një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe [të bëhemi] si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, [të] gatshëm t’u nënshtrohe[mi] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ne], madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij.”2 Kështu barrat bëhen bekime, megjithëse shpesh bekime të tilla janë të mirë mbuluara dhe mund të kërkojnë kohë, përpjekje dhe besim që të pranohen e kuptohen. Katër shembuj mund të ndihmojnë në shpjegimin e kësaj:

  • Së pari, Adamit iu tha, “toka do të mallkohet për shkakun tënd”, që donte të thoshte për përfitimin e tij; dhe “me djersën e ballit tënd do të hash bukë”3. Puna është një barrë e vazhdueshme por gjithashtu është një bekim i vazhdueshëm “për shkakun [tonë]”, sepse jep mësime që ne mund t’i mësojmë vetëm “me djersën e ballit [tonë]”.

  • Së dyti, Alma vuri re se varfëria dhe “mjerimet e [të varfërve mes Zoramitëve] i kishin bërë me të vërtetë të përvuajtur dhe se ishin të përgatitur të dëgjonin fjalën”4. Ai shtoi, “Sepse jeni detyruar të jeni të përulur, të bekuar jeni ju.”5 Sfidat tona ekonomike mund të na ndihmojnë të përgatitemi për të dëgjuar fjalën e Zotit.

  • Së treti, për shkak të “luftës [së tyre] jashtëzakonisht të gjatë”, shumë nefitë dhe lamanitë “u zbutën për shkak të vuajtjeve të tyre, aq sa u përulën para Perëndisë, madje në thellësinë e përulësisë”6. Shqetësimet politike, çrregullimet shoqërore dhe; në disa zona të botës; hajdutë modernë të Gadiantonit, mund të na përulin e motivojnë të kërkojmë bekimet e qiellit si strehë nga stuhitë shoqërore.

  • Së katërti, Jozef Smithit iu tha se gjërat e tmerrshme që vuajti për vite në duart e armiqve të tij do t’i “[jepnin] përvojë dhe … [do të ishin] për të mirën [e tij]”7. Vuajtja që ne përjetojmë nga ofendimet e të tjerëve është një shkollë e vlefshme, megjithëse e dhimbshme, për përmirësimin e vetë sjelljes sonë.

Për më tepër, të durosh nën vetë barrat tona mund të na ndihmojë të zhvillojmë një rezervë ndjeshmërie për problemet me të cilat përballen të tjerë. Apostulli Pal na mësoi se ne duhet: “[të mbajmë] barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbush[im] ligjin e Krishtit.”8 Në përputhje me këtë, besëlidhjet tona të pagëzimit kërkojnë që ne duhet të jemi “të gatshëm të [mbajmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta[; po], dhe [të jemi] të gatshëm të [vajtojmë] me ata që vajtojnë; po, dhe të [ngushëllojmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen.”9

Mbajtja e besëlidhjeve tona të pagëzimit ndihmon në lehtësimin e vetë barrave tona, po ashtu edhe ato të shpirtrave të rënduar të cilëve u shërbejmë.10 Ata që u ofrojnë një ndihmë të tillë të tjerëve qëndrojnë në tokë të shenjtë. Për shpjegimin e kësaj, Shpëtimtari dha mësim:

“‘Kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?’

Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.’”11

Gjatë gjithë kësaj, Shpëtimtari na ofron forcë mbështetëse e përkrahje dhe në vetë kohën e mënyrën e Tij, Ai ofron çlirimin. Kur Alma dhe pasuesit e tij u arratisën nga ushtritë e Mbretit Noe, ata themeluan një komunitet të quajtur Helam. Ata filluan të punonin tokën, të ndërtonin ndërtesa dhe të begatoheshin.12 Pa paralajmërim, një ushtri e lamanitëve i zunë robër dhe “askush nuk mund t’i shpëtonte përveç Zotit, Perëndisë së tyre”13. Gjithsesi, ai çlirim nuk erdhi menjëherë.

Armiqtë e tyre filluan t’u “[ngarkonin] punë dhe duke u vënë mbikëqyrës.”14 Megjithëse ata u kërcënuan me vdekje nëse do të luteshin,15 Alma dhe populli i tij “ia derdhën zemrat e tyre [Perëndisë]; dhe ai i njohu mendimet e zemrave të tyre”16. Për shkak të mirësisë së tyre dhe bindjes së tyre ndaj besëlidhjeve të pagëzimit,17 ata u çliruan me faza. Zoti u tha atyre:

“Unë do t’ju lehtësoj … barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja, madje ndërsa jeni në robëri; dhe këtë do ta bëj që ju të qëndroni si dëshmitarë për mua në të ardhmen dhe që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre.

Dhe tani ndodhi që barrat që iu vunë Almës dhe vëllezërve të tij u lehtësuan; po, Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit.

Dhe ndodhi që kaq i madh qe besimi i tyre dhe durimi i tyre, saqë zëri i Zotit u erdhi përsëri, duke thënë: Ngushëllohuni, pasi nesër unë do t’ju shpëtoj nga robëria.”18

Mëshirshëm, Biri i Perëndisë na ofron çlirim nga robërimi prej mëkateve tona, që janë mes më të rëndave nga gjithë barrat që mbajmë. Gjatë Shlyerjes së Tij Ai vuajti “sipas mishit, që ai të mund të [merrte] përsipër mëkatet e popullit të tij, që të fshi[nte] shkeljet e tyre, sipas fuqisë çliruese të tij”19. Krishti “[i vuajti] këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vua[nin] nëse do të pendohe[shin]”20. Kur pendohemi e mbajmë urdhërimet, falja dhe çlirimi nga ndërgjegjja jonë e rënduar vijnë me ndihmën që vetëm Shpëtimtari e ofron sepse “me siguri, kushdo që pendohet do të gjejë mëshirë”21.

E kujtoj atë burrë në Peru, të kërrusur dhe duke u përpjekur të mbante atë thes të stërmadh me dru zjarri në kurrizin e tij. Për mua, ai është një imazh i të gjithëve ne kur luftojmë me barrat e jetës. E di se kur mbajmë urdhërimet e Perëndisë dhe besëlidhjet tona, Ai na ndihmon për barrat tona. Ai na forcon. Kur pendohemi, Ai na fal dhe na bekon me paqe të ndërgjegjes e gëzim22. Iu nënshtrofshim atëherë me gëzim e me durim gjithë vullnetit të Zotit, lutem unë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. DeB 121:7–8.

  2. Mosia 3:19.

  3. Moisiu 4:23, 25.

  4. Alma 32:6.

  5. Alma 32:13.

  6. Alma 62:41.

  7. DeB 122:7.

  8. Galatasve 6:2.

  9. Mosia 18:8–9.

  10. Shih Mateu 10:39, 11:28–30; Mosia 2:22.

  11. Shih Mateu 25:35–40.

  12. Shih Mosia 23:5, 19–20.

  13. Shih Mosia 23:23–26.

  14. Mosia 24:9.

  15. Shih Mosia 24:10–11.

  16. Mosia 24:12.

  17. Shih Mosia 18:8–10, 24:13.

  18. Mosia 24:14–16.

  19. Alma 7:13.

  20. DeB 19:16.

  21. Alma 32:13.

  22. Shih Mosia 4:3; Alma 36:19–21.