2009
Të Bëhemi Mbajtës më të Fuqishëm të Priftërisë
Nëntor 2009


Të Bëhemi Mbajtës më të Fuqishëm të Priftërisë

Ne mund të bëhemi më të fuqishëm në bekimin e jetës së bijve e bijave të Atit tonë Qiellor, më të fuqishëm në shërbimin ndaj të tjerëve.

Pamja
Elder Walter F. González

Shumë vite më parë një grup i caktuar mbajtësish të denjë të priftërisë dhanë mësim me fuqi e autoritet të madh. Njëri prej tyre qe aq i fuqishëm sa ishte e pamundur të mos i besoje fjalëve të tij.1 Këta mbajtës të priftërisë i ndihmuan njerëzit të mësonin rreth Shpëtimtarit e doktrinës së Tij dhe i ndihmuan ata të gjenin lumturinë. Mësimet e shembujt e tyre siguruan mjetin me anë të të cilit njerëzit përjetuan një ndryshim të madh në zemër. Ne mësojmë se mijëra u udhëhoqën prej tyre drejt pagëzimit dhe bërjes së besëlidhjeve që do duronin deri në fund.2 Jam duke folur për misionarët e mrekullueshëm të Librit të Mormonit, të cilët qenë mbajtës të fuqishëm të priftërisë.

Ne mund të mësojmë shumë nga këta fëmijë të Lehit. Duke bërë atë që ata bënë, ne mund të bëhemi më të fuqishëm në bekimin e jetës së bijve e bijave të Atit tonë Qiellor, më të fuqishëm në shërbimin ndaj të tjerëve, më të fuqishëm në shpëtimin e të tjerëve dhe më të fuqishëm për t’u bërë burra më të ngjashëm me Krishtin.

Alma i Riu dha mësim për një prej gjërave që bënë ata për t’u bërë kaq të suksesshëm: ata përdorën analet nga të cilat u mor Libri i Mormonit. Kur ai i dha birit të tij, Helamanit, analin që përfundimisht do të ishte Libri i Mormonit, ai e mësoi se pa këto fletë “Amoni dhe vëllezërit e tij, nuk do të mund të bindnin kaq mijëra … po, këto anale dhe fjalët e tyre i sollën ata në pendim.”3

Perëndia tregoi fuqinë e Tij përmes fletëve duke përmbushur një qëllim, “madje … rikthimin e shumë mijëra[ve] … në njohurinë e së vërtetës”. Atëherë Alma profetizoi se Perëndia do të “tregojë gjithnjë fuqinë e tij në to për brezat e ardhshëm”4. Kështu që analet u ruajtën dhe unë e ju jemi pjesë e atyre brezave të ardhshëm. Tamam si në ditët e atëhershme, ne mund të jemi mbajtës më të fuqishëm të priftërisë nga përdorimi i Librit të Mormonit.

Procesi i daljes në dritë të Librit të Mormonit nuk mund të krahasohet me asnjë vepër letrare të ndonjë autori në historinë njerëzore. Ne mund të themi se është një libër që u ruajt nga vetë dora e Perëndisë sonë. Gjatë vizitës së Tij tek Amerikat e lashta, Zoti i kërkoi Nefit që të sillnin analet që po mbanin dhe t’i vendosnin para Tij. Jezusi, pastaj, i pa ato dhe i urdhëroi që ngjarje e fragmente të caktuara të shtoheshin.5 “Dhe [Shpëtimtari] tha: Këto shkrime të shenjta që ju nuk i kishit me vete, Ati urdhëroi që unë t’jua jap; pasi qe në urtësinë e tij që ato t’u kalohen brezave të ardhshëm.”6 Unë ndiej mirënjohje të përhershme që i përkas atyre brezave të ardhshëm. Jam anëtar i Kishës falë Librit të Mormonit. Unë nuk do t’i harroj kurrë ndjenjat e mia kur, si djalë i ri në Uruguai, lexova pikërisht për herë të parë këtë libër të shenjtë. Nuk m’u desh të lexoja shumë tek 1 Nefi për të përjetuar një gëzim të atillë që nuk mund të shprehet me fjalë. Dukej sikur libri ishte i mbushur me Shpirtin e Zotit dhe më bënte të ndjehesha më afër Perëndisë.

Kjo përvojë i shtoi kuptim citimit të bërë nga Profeti Jozef Smith rreth këtij libri kur ai shpalli se “një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”7. Unë gjithashtu përshëndes lidhjen me premtimin e Presidentit Tomas S. Monson kur tha se “kur lexojmë Librin e Mormonit dhe veprat e tjera standarde, kur i vëmë në provë mësimet, atëherë ne do ta dimë për doktrinën, sepse ky është premtimi ynë, ne do ta dimë nëse është nga njeriu apo është nga Perëndia”8.

Këto premtime na sjellin gëzim tani dhe në të ardhmen. Një herë mora një dëshmi të Librit të Mormonit, ndjenja e natyrshme që pasoi ishte një dëshirë për t’i zbatuar mësimet e librit duke bërë besëlidhje. Unë i bëra besëlidhjet duke u pagëzuar e konfirmuar anëtar i Kishës. Këto besëlidhje, të bëra nëpërmjet ordinancave të priftërisë, së bashku me njohurinë e fituar nga Libri i Mormonit, ndryshuan jetën time.

Nuk është e habitshme që kur Shpëtimtari vizitoi Amerikat e lashta, përveç që u mësoi doktrinë, Ai i dha Nefit e të tjerëve fuqinë për të pagëzuar.9 Me fjalë të tjera, doktrina dhe ordinancat qëndronin krah për krah. Zbatimi i plotë i mësimeve të Librit të Mormonit kërkon ordinancat e priftërisë me besëlidhjet e tyre shoqëruese.

Ka libra që i shpërndahen tregut dhe shpejt bëhen më të shiturit. Ndonjëherë ata prodhojnë kaq shumë interes saqë njerëzit presin me padurim daljen e tyre. Libra të tillë duket se e mbushin tregun menjëherë dhe mund të shihni kudo njerëz që i lexojnë. Perëndia në urtësinë e Tij të pafundme e ruajti Librin e Mormonit për përfitimin tonë. Qëllimi i tij nuk është të bëhet më i kërkuari. Megjithatë, ne mund ta shndërrojmë këtë libër të shenjtë në librin më të mirëlexuar dhe më të mirëzbatuar në jetën tonë. Më lejoni t’ju sugjeroj tre aktivitete që mund të na ndihmojnë ta kthejmë Librin e Mormonit në librin më të mirëlexuar e të mirëzbatuar, i cili do të na japë fuqi sot për t’u bërë mbajtës më të fuqishëm të priftërisë, madje si ata në kohët e hershme.

Së pari, ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit. Ne duhet ta lexojmë Librin e Mormonit në mënyrë që të “[ushqehemi] me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që duhet të bëni”10. Ushqyerja me bollëk me fjalët e Krishtit është një përvojë unike. Kur ne lexojmë e kërkojmë parime e doktrina që do të na ndihmojnë në jetën tonë të përditshme, ne do të kemi një entuziazëm të ripërtërirë. Për shembull, kur brezi i ri përballet me sfida në luftimin kundër presionit të bashkëmoshatarëve, ne mund ta lexojmë librin veçanërisht për mësimdhënie që do t’i ndihmojë ata për këtë lloj sfide. Një prej atyre mësimeve mund të merret nga përvoja e Lemuelit. Lemueli bëri disa zgjedhje të gabuara sepse ai iu nënshtrua presionit të Lamanit.11 Ai nuk bëri gjënë e duhur sepse “nuk i [dinte] veprimet e atij Perëndie që i kishte krijuar ata”12. Një parim që ne mund të nxjerrim nga kjo ngjarje është se mësimi i doktrinës për mënyrën se si Perëndia merret me ne, do të na ndihmojë të luftojmë kundër presionit të bashkëmoshatarëve. Libri i Mormonit ka më shumë mësime e shembuj rreth kësaj teme dhe ne jemi brezat që mund të përfitojnë nga mësimet e këtij libri.

Së dyti, të zbatojmë në jetën tonë gjithçka që mësojmë rreth Krishtit. Leximi i Librit të Mormonit dhe kërkimi për cilësi të Krishtit është një përvojë e mrekullueshme lartësuese. Për shembull, vëllai i Jaredit e kuptoi se Zoti ishte një Perëndi i të vërtetës; prandaj nuk mund të gënjente.13 Ç’shpresë të mrekullueshme i sjell kjo cilësi shpirtit tim! Të gjitha premtimet në Librin e Mormonit dhe premtimet e dhëna nga profetët e gjallë sot do të përmbushen sepse Ai është Perëndi dhe nuk mund të gënjejë. Edhe në këto kohë të turbullta, ne e dimë se gjërat do shkojnë mirë nëse ndjekim mësimet e mësuara nga Libri i Mormonit dhe profetët e gjallë. Sapo mësojmë rreth një cilësie të Krishtit, si ajo e identifikuar nga vëllai i Jaredit, ne duhet të punojmë për ta zbatuar atë në vetë jetën tonë. Kjo do të na ndihmojë të bëhemi mbajtës më të fuqishëm të priftërisë.

Së treti, jepni mësim doktrinat e parimet që gjenden në faqet e shenjta të Librit të Mormonit. Ne mund të mësojmë këdo nga ky libër. A mund ta imagjinoni shtesën e “fuqisë bindëse të Perëndisë”14 kur misionarët dhe anëtarët e familjes citojnë, lexojnë ose përsërisin përmendësh tamam fjalët e librit?

Më kujtohet një mision ne Ekuador, misionarët e të cilit e përdornin Librin e Mormonit në të gjitha vajtje-ardhjet e tyre. Për shkak të tyre, mijëra përjetuan një ndryshim të madh në zemër dhe vendosën të hynin në besëlidhje nëpërmjet ordinancave të shenjta të priftërisë. Libri i Mormonit është një mjet i artë në gjetjen dhe kthimin në besim të kërkuesve të ndershëm të së vërtetës dhe në shpëtimin përsëri të shumë prej vëllezërve e motrave tona me riaktivizimin në ungjill.

E di se familjet do të fortifikohen nga zbatimi i mësimeve të këtij libri të mrekullueshëm në jetën e tyre. Shumë prej fëmijëve tanë do të shpëtohen sepse do të kujtojnë, siç bëri Enosi, fjalët që ai kishte dëgjuar shpesh atin e tij të fliste në lidhje me jetën e përjetshme dhe për këtë shkak, ai arriti të kuptonte se mëkatet e tij i ishin falur nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit.15

Unë dhe ju, si pjesë e atyre brezave të ardhshëm për të cilët është folur, mund të jemi mbajtës më të fuqishëm të priftërisë nga përdorimi i Librit të Mormonit dhe nderimi i besëlidhjeve tona të priftërisë. Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin, për të cilin edhe unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih 3 Nefi 7:18.

  2. Shih Alma 23:5–6.

  3. Alma 37:9.

  4. Alma 37:19.

  5. Shih 3 Nefi 23:6–14.

  6. 3 Nefi 26:2.

  7. Parathënia e Librit të Mormonit.

  8. Thomas S. Monson, “Decisions Determine Destiny”, New Era, nëntor 1979, f. 5.

  9. Shih 3 Nefi 11:18–22.

  10. 2 Nefi 32:3.

  11. Shih 1 Nefi 3:28.

  12. 1 Nefi 2:12.

  13. Shih Ethëri 3:12.

  14. 3 Nefi 28:29.

  15. Shih Enosi 1:3–5, 10.